Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466

    Rrjepësit e një shteti këmbëçalë

    Vargu i skandaleve të Qeverisë së Hashim Thaçit duhet t’u shërbejë qytetarëve të Kosovës si mësim për të gjetur alternativa të tjera politike në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë strukturë pushtetmbajtëse, e cila qëllim të vetëm ka sundimin dhe plaçkitjen dhe jo zhvillimin, Kosova po rrëshqet drejt dështimit. Është në dorën e qytetarëve të evitojnë dështimin final

    Vetëm shikoni, të nderuara lexuese, skandalet e fundit në dhe rreth shtetit të Kosovës dhe do të shihni se Republika jonë nuk ka asnjë perspektivë me këtë bandë sunduese:

    - Në “stanicën e milicisë” në Pejë vidhen 25.3 kilogramë ari. Ministri i Brendshëm, i cili qëmoti pret fiqirin diku përtej realitetit të Kosovës, vazhdon të pozojë dhe të dërdëllisë deklarata kot për veriun. Në çdo vend gjysmëserioz do të shtrohej për debat edhe çështja e përgjegjësisë së ministrit pas kaq shumë skandalesh. Mes tjerash, ditëve të fundit mediet njoftuan se janë duke u zhvilluar hetime edhe kundër zyrtarëve të afërt me ministrin, të cilët dyshohet se kanë “nënshkruar vendime për lirim dhe dhënie të nënshtetësisë në kohën kur nuk kanë qenë fare në Kosovë”.

    - Ministri i Drejtësisë (sic!) ndërhyn dhe – me gjasë – ia mundëson një vizitë duarnxirit Astrit Haraqija në Burgun e Dubravës, ku ai takohet me Ilir Tolajn, të dyshuar për keqpërdorime të mëdha. Supozohet (nga ana e prokurorisë së EULEX-it) se këta dy – Tolaj dhe Haraqija – kanë koordinuar deklaratat para se të nisë procesi gjyqësor kundër Tolajt. (Sa i përket Haraqisë duhet kujtuar, përveç fëlliqësive të tjera të tij, se është dënuar me pesë muaj burg nga Tribunali i Hagës për ushtrim presioni ndaj një dëshmitari në rastin e Ramush Haradinajt. Pra, fjala është për një abuzues notorik të drejtësisë. Mos të harrojmë: ky është kuadër(!) i “epokës së Ibrahim Rugovës” dhe sot kanakar i Hashim Thaçit, tok me prostitutën politike Ukë Rugova). Kurrë mos prisni që ministri i Drejtësisë do të ofrojë dorëheqje. Kurrë mos prisni që Hashim Thaçi, kryeministri me vota të vjedhura, kërkon prej tij, pra prej ministrit të Drejtësisë, të largohet nga posti. Kurrë mos prisni që misioni për përralla, i quajtur EULEX, do të kërkojë ndonjë konsekuencë nga ky skandal. Për EULEX-in prioritet mbetet “stabiliteti politik”. Se çfarë ndodh nën sipërfaqe, kush vjedh e kush plaçkit, është e parëndësishme për zyrtarët evropianë, për të cilët Kosova është një parajsë, ku orari i punës fillon të hënën pasdite dhe mbaron të enjten pasdite, kur grigja zyrtarësh nisen për të kaluar fundjavën e gjatë në Selanik, Dubrovnik, Beograd, Budapest etj. Natyrisht pjesën më të madhe të kohës së lirë kjo bandë zyrtarësh e kalon duke u dëfryer me shaka për fiset shqiptare të paafta për të ndërtuar shtet. Para një shekulli kjo arrogancë kishte zemëruar aq shumë gazetarin gjerman Egon Erwin Kisch, saqë në ditarin e tij, gjatë një udhëtimi në Mal të Zi, kishte shkruar: “Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë”. Nga ballkoni i Evropës në Prishtinë këtë popull e shikojnë me përbuzje statistë cinikë si gjenerali francez i veshur me rroba civile, Xavier Bout de Marnhac, dhe diplomati holandez Pieter Feith, i cili gjatë mandatit të tij u interesua vetëm nëse po piqet rrushi në Rahovec dhe nëse xhelat në Kosovë bëjnë ve.

    - Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Astrit Haraqisë për shpërdorim të detyrës zyrtare. Ai vazhdon të mbajë pozitën e zëvendësministrit të Financave (sic!) – dhe Hashim Thaçi nuk e largon atë nga kabineti, përkundrazi: mesazhi i Thaçit është ky: shteti jam unë, shteti është peng imi, “nuk më ha palla për asgjë”, as për ligj, as për etikë e moral pushteti. Kur pushteti krijon një mendim të tillë për shtetin, atëherë jo vetëm demokracia është në rrezik. Në fakt kështu rrezikohet vetë ideja e shtetit. Qëllimi i ushtrimit të pushtetit është ndërtimi i shtëpisë prej 800 metrash katrorë, si rasti i Hashim Thaçit. Ose blerja e shtëpive për 200 mijë ose 300 mije euro në katundin ndërkombëtar (“amerikan”) afër Prishtinës, siç veprojnë anëtarët e sofrës (kabinetit) të Thaçit. Të bësh zëvendësministër të Financave Astrit Haraqinë është e ngjashme sikur kur e thërret një piroman të fikë zjarrin në shtëpi.

    - Skandali i radhës: arrestohet Nazmi Mustafi, prokurori që drejtonte task-forcën për antikorrupsion – nën dyshimin se edhe vetë është i korruptuar! Redaktorët dhe korrespondentët perëndimorë që merren me Ballkanin shqyhen së qeshuri dhe, disa, tërbohen nga zemërimi: edhe një shembull nga shteti i dështuar i Kosovës. Ata disa janë gazetarë që më shumë se 20 vjet u angazhuan për pavarësimin e Kosovës. E tash kokulur detyrohen të shohin se si banditë dhe plaçkitës me pushtet politik e degradojnë një ide aq fisnike: idenë e çlirimit të Kosovës nga dhuna e Beogradit.

    - Shikojeni krejt zhurmën rreth privatizimit të hotelit “Grand”: askush, ama bash askush aty nuk i ka duart e pastra. Një privatizim jotransparent rrjedhimisht rezulton me skandale të panumërta. Aty ku i fut duart Salep Sulltani (alias Behgjet Pacolli - ai që “gazetarët” sahanlëpirës i çon në deti!), detyrimisht dhe tradicionalisht i vjen era duhmë, firma inekzistente, para të pista, keqpërdorime, rrena, shpifje, udhëtime nëpër xhungël. Çfarë na mbetet kujtim nga ky privatizim, që tani nuk është më privatizim, sepse u anulua? Na mbetet kujtim fasada e re pornografike, vezulluese, e cila për metër katror nuk kushton më shumë se 200 euro – në krahasim me fasadën origjinale të “Grandit”. Disa gjëra, o idiotë të panumërt, nuk prishen, pa marrë parasysh kur janë ndërtuar – në socializëm, në fashizëm apo në feudalizëm! Këtë nuk e ka bërë asnjë diktator duarpërgjakur si Enver Hoxha, i cili e trashëgoi Tiranën me arkitekturë kryesisht fashiste-italiane.

    - Për pak harruam: ku mbetën 50 kilogramë drogë të vjedhura (apo të përvetësuara nga nëntoka) në Stacionin e policisë në Prishtinë?

    - Shikojeni aferën “Medicus”: Kosova ngjitet në titujt e medieve botërore për transplantim ilegal të organeve, arrestohen të dyshuar në Izrael, zhvillohen hetime në Turqi, në Zvicër... Përmenden ish-këshilltarë të Hashim Thaçit të kyçur në këtë biznes të përgjakshëm.

    - Përballë të gjitha skandaleve pushteti feston, sepse, ja, na erdhi një premtim relativisht i kotë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave. Nuk ka asnjë gjasë që vizat të hiqen në periudhën afatmesme derisa nëpër dhoma dëshmish të policisë vidhet ari e drogë dhe derisa ata që duhet të garantojnë sundimin e ligjit bëhen shkelës të tij.

    - Oportunistët, kalemxhinjtë dhe sidomos sherbetbartësit e Hashim Thaçit tash do të thonë se gazetarët po shohin vetëm zi! Po, sepse të zezës kurrë nuk duhet t’i thuhet e bardhë, ngase, në fund, çmimi që paguajmë si shoqëri është shumë i shtrenjtë. Dhe këtë çmim po e paguajmë prej vitesh. Shoqëria e Kosovës nuk duhet të vazhdojë të jetojë me dhe mes rrenave. Nuk duhet të jetojë, në fund të fundit, as me frikë.

    - Ekziston vetëm një rrugë që Kosova të shpëtojë: në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pa marrë parasysh kur mbahen ato, qytetarët duhet ta kenë të qartë se vendi nuk ecën përpara me këtë bandë sundimtarësh, por vetëm me një alternativë të re politike. Ajo alternativë nuk po duket ende, por nuk është e pamundshme të ndërtohet, nëse ekziston vullneti i mirë, nëse qëllimet janë fisnike, nëse synimi për një Kosovë evropianoperëndimore është i sinqertë.

    robelli@bluewin.ch(koha.net)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Llapi
    Anëtarësuar
    08-08-2002
    Postime
    10,979
    le te shkruajn sa te don rubellat veton sorrat e albin qebja
    se populli budall nuk eshte
    ai ma se mieri i shef dhe i ndien keto sene
    dhe per ket treguan edhe zgjedhjet e fundit ne Ferizaj
    e se shpejti kini me u bind se edhe Kaqaniku do te votoi per ta
    e disa gazeta e gazetaruca kot pallin kafehaneve e rrugve
    populli eshte ai qe e di ma se mieri dhe po ua jap besimin ketyre
    te PDK-se ne krye me Thaçin
    e ju thoni qfar te doni bani qejf veti

  3. #3
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Tri përralla nga Zullulandi -nga Lumir Abdixhiku

    “Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni punoni. O Shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën” (Faik Konica, 1922).



    Përralla 1: Devijimi, gabimi dhe zhvlerësimi

    “Rekomandim do të thotë këshillë”, thoshte kryeparlamentari Krasniqi në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Republikës, sa për të përshkruar me perfeksionin më të madh agoninë në të cilën është futur institucioni i tij, vota e qytetarëve të tij, e vendi i tij. “Rekomandim do të thotë këshillë” shpjegon dhe tashmë traditën e devijimit të argumentit sa herë që zihen në qoshe verbuesit e politikave totalitare në vend. Së pari, me një shpjegim kaq të panevojshëm, thuajse Kosova nuk bën dot kuptimin e fjalës “rekomandim”, institucioni i popullit mundohet të largojë gjithë diskutimin nga thelbi i argumentit, e që në esencë është se pse Parlamenti vazhdon bisedimet me Serbinë kur ka të zhdukurit që i kalben pa varre. Dhe së dyti, me një shpjegim të tillë i bëhet me dije gjithkujt se në Kosovë ka gjithçka veçse sistem demokratik; në këtë sistem Parlamenti ka humbur gjithë rëndësinë, peshën e fuqinë që ka pasur ndonjëherë. Parlament më të lodhtë, më të pafuqishëm e më skandaloz se ky tani, Kosova nuk ka pasur asnjëherë.

    Për t’i shpjeguar kryeparlamentarit dhe të tjerëve, kosovarët nuk vuajnë nga mungesa e dijeve për sinonime, ndonëse për një pjesë të madhe të politikëbërësve një konstatim i tillë dhe mund të mos qëndrojë, por kosovarët vuajnë nga mungesa e zërit të tyre në një qeverisje që përjashton çdo agjendë e mendim ndryshe nga ai i mbretit. Nëse vendimet e Parlamentit të Republikës, institucionit të vetëm ligjvënës në Kosovë janë asgjë më shumë se sugjerime, i bie se në një përkthim të thjeshtë kosovarët kanë të drejtë të bëjnë një dëshirë, këtë dëshirë ta ngrijnë nëpërmjet votës së tyre në Parlament e më pas kjo dëshirë të përcillet tek mbreti, i cili më pas në varësi nga disponimi në mëngjes mund të vendosë për ose kundër një dëshire të tillë. E kjo nuk bën demokracinë!

    Nëse Parlamenti bën rekomandime, atëherë a bëhen rekomandime dhe të gjitha ligjet që ky institucion nxjerr? Nëse fjalët e Parlamentit janë rekomandime, atëherë nga sot të gjithë dy milionë e ca kosovarë mund të shpërfillin me lehtësinë më të madhe rekomandimin e Parlamentit për, le të themi, pagesën e tatimeve; nga sot neve edhe nuk na pëlqen kjo këshillë. Ide të tilla minimizuese që vijnë nga tempulli i votës bëjnë paradoksin institucional, vënien e anarkisë nga vetë institucionet.

    Stili i debatit, pra heqja e vëmendjes, si dhe vendimet rekomanduese, pra zhvlerësimi i Parlamentit, nuk janë risi për Kosovën. Ato veçse po bëhen të zakonshme. Kujtoni rastin e mocionit të reciprocitetit të nxjerrë në janar të këtij viti; është kopje identike e këtij të tanishmit. Edhe atëherë sikurse tani debati u devijua duke thënë se “ne nuk mundemi të rregullojmë tregtinë me Serbinë kamion për kamion”, ani pse as edhe një zë nuk kërkonte një gjë të tillë. E tëra çfarë kërkohej atëherë ishte reciprocitet në dokumente e trajtim, por jo në sasi. Edhe atëherë sikurse tani, kur mocioni kaloi (ndoshta në befasi) u tha se deputetët nuk kishin ditur për çfarë kishin votuar. Kjo bën hapin e dytë të tendencës zhvlerësuese. Ndonëse nuk dyshoj se një pjesë bukur e mirë e tyre dhe nuk kanë haber se për çfarë janë aty, lëre më të japin kokërr, në esencë shkasi i mosaftësisë për të bërë dallimin në votim është veçse një mjet i parafundit në rrënimin e Parlamentit; i fundit është rekomandimi. Edhe tani sikurse në rastin e reciprocitetit, kur devijimi nuk bëri punë, kur padituria në votim nuk piu ujë, u tha se vendimet e Parlamentit janë vetëm rekomandime.

    As që dua të arsyetoj e argumentoj mbi nevojën e zbardhjes së fatit të të zhdukurve si parakusht për negociata tanimë me radikalët serbë, kasapët e fundit të Evropës. Me pak fije dinjitet, me pak fije fytyrë, me pak fije dhimbsuni për familjet që nuk flenë qetë tash e trembëdhjetë vjet, të vetëshpallurit patriotë të fundit të Kosovës, “heronjtë” e gjallë e “kontribuuesit” e papërsëritshëm të gjithçkaje që na rrethon, do të duhej të vënin gishtin në kokë, të merrnin frymë thellë e të mendonin për pak kohë me zemër e mend. Për pak kohë të thoshin atë çfarë sensi i gjithë shqiptarëve të Kosovës e përtyp mëngjes e darkë, se pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve, pa kërkimfalje, pa zhbërje të tendencave shfarosëse, ne nuk kemi pse të ndajmë tavolinën me shtetin serb.


    Përralla 2: Konspiracioni evropian

    “BE-ja rëndon kushtet për Kosovën”, ishte titulli i ballinave kosovare javën që shkoi, sa për të shpjeguar relacionet e getos së fundit evropiane me familjen e vlerave moderne. Tashti “BE-ja rëndon kushtet për Kosovën”, tregon dhe për katandisjen e punëve brenda. Së pari, kriteret e BE-së janë të njëjta; ato thjesht janë standarde që duhet përmbushur. Largimi ynë nga këto standarde, në fakt, është rëndesë e vetë kushteve. Faj nuk na ka kush që zhvlerësojmë Parlamentin, faj nuk na kush që vjedhim shtëpinë, faj nuk na ka kush që krimi i organizuar e mafia na sorollaten si në bahçe të babës. Kushtet i rëndojmë vetë se vjedhim vota, vjedhim pare, vjedhim ardhmërinë. Kushtet i rëndojmë vetë se kontrollojmë gjyqe e polici, media e administratë, universitet e shëndetësi.

    Fjala shtet është fjalë e madhe. Është më tepër sesa rahatimi i familjeve, mëhallëve e akrabave në kurriz të vlerave të drejta. Fjala shtet do të thotë vullnet për të bërë drejt, për të ndërtuar institucione që do mund të të gjykojnë edhe kur nuk e ke me vend, e jo që të ndërtosh institucione, t’i kontrollosh e më pas të bazohesh në rend institucional, ani pse në shumicën e rasteve as t’i shqiptosh drejt nuk di.

    Por ne nuk do të jemi asnjëherë të sinqertë me kosovarët tanë. Do t’u themi se “Evropa shtrigë”, ajo “plaka e vjetër”, ka zili e inat ndaj nesh. Do t’u themi se pesëqind e një milionë evropianë të BE-së kanë zili e inat ndaj 2 milionë shqiptarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë të jenë të fundit në Evropë që nuk mund të marrin dot liberalizimin e vizave, ani pse prijësi i tyre vite më parë i kishte premtuar lëvizje të lirë në pak muaj, dhe në një paraqitje tjetër kishte thënë se premtimi i tij ishte realizuar (kjo bën pjesë në atë filozofinë politike devijuese si në rastin e Parlamentit). Kosovarë, ata zili nuk na kanë, as inat. Por ashtu siç jemi sot, përderisa vjedhim paranë publike, lejojmë mafiozë e giliptera të na bëjnë rregullin e rrugëve, përderisa i bëjmë gjithë të zezat e botës, ata nuk na shohin fare. Këtu, fjalët e Konicës do të jenë gjithnjë me vend (Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar jemi negër dhe asgjë më tepër; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq, por të gjithë na përbuzin e na kanë për të poshtër) .

    Dhe me të njëjtin stil na u trajtua kërkesa e sportistes sonë më me nam, Majlinda Kelmendi, e cila jo që nuk u lejua të garojë me ngjyrat e shtetit që u njoh nga plot 90 vende të Kombeve të Bashkuara, por as si e pavarur, siç dhe ishin praktikat e mëhershme në raste me konteste. Dhe ndodh kështu meqë Majlindën nuk ka kush ta mbrojë në organizime të tilla, ndodh kështu meqë shteti i saj po hahet në vete. Shteti i Majlindës ka punë më të mençur sesa përfaqësimi me dinjitet; e ka hajninë në rend të parë. Mos më keqkuptoni. Mbledhja e fundit e Komitetit Olimpik është vetëm një finale e një sërë matrapazllëqeve të bëra nëpër vite. Sikur ne të bënim shtet në këta 13 vjet, e jo pasuri për politikanët tanë, sikur ne të bënim drejtësi, e jo rrënim institucional, Kosova sot do të ishte vendi më simpatik në botë. Do të merrej shembull i diplomacive ndërkombëtare se si mundi perëndimor nuk ka shkuar huq. Në vend të kësaj, sot disa nuk të presin, disa nuk duan të jenë me një foto me ty, disa të takojnë në korridoret e aeroportit, e të tjerët nuk të llogarisin fare. Siç janë gjërat tani, ne në Evropë vetëm me” fustan lart e brekë kurrkah” – kështu po se po bëhemi lajm!


    Përralla 3: Diplomacia e puthjeve

    “Kafene të tejmbushura në pasdite... të rinj me puthje në rrugë” thoshte paragrafi i Strategjisë së Diplomacisë Ekonomike që Ministria e Punëve të Jashtme kishte nxjerrë në përpjekje për të tërhequr investitorët potencialë. Fjalët “...me puthje në rrugë” tregojnë dhe brishtësinë e qeverisjes kosovare e cila nëse asgjë tjetër është e mbushur me njerëz totalisht të paditur, pa përgjegjësi e pa fije dëshire për të bërë punë serioze për vendin. Po mund ta parafytyroj shkruesin e rreshtave si këta, një i ardhur me porosi, me lidhje familjare, e i cili për atë vend ka larguar dhjetë të tjerë; studentë të dalluar e të shkolluar mirë, mu si puna e atyre marrësve të bursave të Komisionit Evropian që kishin mbetur pa punë edhe pas përfundimit të studimeve.

    Nuk di se a e dinë hartuesit e kësaj paçavure çfarë do të thonë fjalët “strategji”, “diplomaci” e “ekonomi”? A e dinë “diplomatët” tanë që mburren me stafin që kanë, se përtej një fjale që tingëllon bukur, “diplomacia” është shkencë që ka gjithçka veçse “puthje e kafene të të rinjve”. A e dinë “diplomatët” tanë se “strategji” nuk është një menu kafeneje, por një vizion e hartë; është një shtyllë? A e dinë “diplomatët” tanë që koncepti “ekonomi” nuk bën vizitën nëpër sheshe e kafene të mbushura me të rinj, por një tërësi sjelljesh që... nejse. Ata nuk dinë gjë!

    Problemi në esencë është se ne hartojmë e hartojmë dokumente sa për sy e faqe,
    përfshirë edhe diçka si ky i puthjeve, apo sikurse ai i Bullgarisë muaj më parë, por në fund të ditës i zhvlerësojmë pa fije brenge. Dhe kjo për dy arsye; një, sepse si në rastin e puthjeve e të Planit bullgar, ne prodhojmë një dokument në nuancat e kualitetit të një hartimi të një nxënësi mesatar në fillore, dhe dy, sepse ne nuk besojmë në dokumente, planifikime e vizione. Ne thjesht besojmë në intuitën e mbretit. Thënë këtë, në fund të ditës, ne besojmë në fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë. Në fund të ditës ne merremi me fjalorë në Parlament sa për të humbur fijen e argumentit, merremi me teori të konspiracionit për sjelljet e Evropës ndaj nesh, e merremi me puthje si atraksion i diplomacisë ekonomike.

    Prandaj, “o shqiptarë, rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. Dhe përmbi të gjitha, heshtni. Jo fjalë, po kazmën. Jo mbledhje, po kazmën. Jo misione, po kazmën”.(koha.net)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  4. #4
    i/e larguar Maska e sheneri
    Anëtarësuar
    28-02-2012
    Postime
    185
    Citim Postuar më parë nga Lepuri i But Lexo Postimin
    le te shkruajn sa te don rubellat veton sorrat e albin qebja
    se populli budall nuk eshte
    ai ma se mieri i shef dhe i ndien keto sene
    dhe per ket treguan edhe zgjedhjet e fundit ne Ferizaj
    e se shpejti kini me u bind se edhe Kaqaniku do te votoi per ta
    e disa gazeta e gazetaruca kot pallin kafehaneve e rrugve
    populli eshte ai qe e di ma se mieri dhe po ua jap besimin ketyre
    te PDK-se ne krye me Thaçin
    e ju thoni qfar te doni bani qejf veti
    Zoti Lepur; Kam nje bindje te ''serte''
    Se keshtu me kete ''mekam'' qeverises'' vidh mer vidh gllabero vidhe e uzurpo vidh e rrej nje dite pasi qe te behen nja 6 muaj malli do te soset keshtu qe keta hajna qe vendin tone e renditen ne vendet e para pernga varferija me ekonomi te cofte me rrini kafiterive dhe me folklorpolitik edhe kryeministrin kan me vjedhe ashtu me krevat se asgje nuk do te mbetet pa vjedhur, po nejse edhe nese e vjedhin e vjedhin krijesat e veta.
    Pra 6 muaj kohe une prej sokakut te rruges ''Drenica'' ne kryekatunin e fshatarve te Kosoves ia kam dhene afat sa te mundet me barte ne shpin e ne xhepa me kuaj e me xhipa me soj e sorrollap do ti barte qadrat se askush ne boten tone se ka ngren jeshil e as kjo nomenklature e sotshme politike po eshte halli se te tjeret po flejn e kur ju te shpernguleni nga keto karriga te buta e kam droen se qysh ta bejme nje kuvende te mirfillt per interesa te popullit pasi ketu ne kryekatun edhe vete e larvat e virusve te kuajve kan zene kolltuqe rezerve apo me tapi.
    Gazin e botes e keni ba po populli do t'ua shperblej ashtu si ju po e shperbleni popullin.

  5. #5
    i/e regjistruar Maska e beni33
    Anëtarësuar
    27-04-2008
    Postime
    4,230

    Lepuri i But

    Citim Postuar më parë nga Lepuri i But Lexo Postimin
    le te shkruajn sa te don rubellat veton sorrat e albin qebja
    se populli budall nuk eshte
    ai ma se mieri i shef dhe i ndien keto sene
    dhe per ket treguan edhe zgjedhjet e fundit ne Ferizaj
    e se shpejti kini me u bind se edhe Kaqaniku do te votoi per ta
    e disa gazeta e gazetaruca kot pallin kafehaneve e rrugve
    populli eshte ai qe e di ma se mieri dhe po ua jap besimin ketyre
    te PDK-se ne krye me Thaçin
    e ju thoni qfar te doni bani qejf veti
    o leprush pse po kcen si kendez faktet po tregojn se ne nje derzhav si kjo e hashimit ku ne stanic te milicis ndodh disa her te vidhen deshmit kjo tregon sa jo serios qe jeni jeni ber qeshrak haj medet haj

  6. #6
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Republika e bananeve

    06 Qershor 2012, Sokol Bylykbashi

    Në shkencat politike termi “republikë e bananeve”, i shpikur nga shkrimtari amerikan William Sidney Porter në fillim të shekullit të kaluar, nënkupton një vend politikisht jostabil dhe të varur ekonomikisht. Në republikën e bananeve, politikbërësit nëpërmjet një oligarkie politiko-ekonomike e shfrytëzojnë ekonominë kombëtare për qëllime vetjake. Element tjetër i kësaj teorie politike është servilizmi i politikbërësve ndaj ndërkombëtarëve dhe korporatave të tyre. Falë Qeverisë së Kosovës, vendit tonë nuk i mungojnë asnjë nga ato që u thanë më sipër. Prandaj kemi politikë pa gjeopolitikë, ekonomi pa prodhim dhe siguri pa ushtri.


    Shteti i Kosovës po udhëhiqet nga politikbërës që ambicjet e tyre kënaqen dhe përfundojnë me realizimin e interesave personale dhe grupore. Këta pushtetarë nuk mendojnë dhe nuk punojnë për të mirën e përgjithshme shtetërore e kombëtare. Nëse në politikë e ke mision dhe qëllim vetveten dhe jo shtetin e kombin, përfundon i zhytur në korrupsion dhe në dukuri tjera negative. Pushtetarët tanë duke qenë kështu pa moral dhe pa ideal e kanë bërë shtetin tonë shumë të varfër dhe të dobët, ndërsa veten e tyre shumë të pasur e të fuqishëm. Përderisa do të jetë kështu, ne do të kemi një shtet të pazhvilluar e jofunksional dhe rrjedhimisht edhe servil.

    Politikbërësit tanë nga privatizimi i egër neoliberal të ndërmarrjeve shoqërore kanë dalë përfituesit e vetëm në këtë proces. Njëra ndër arsyjet e privatizimit thuhej që ishte zhbërja e korrupsionit në ndërmarrjet shoqërore. E verteta është se vet procesi i privatizimit u zhvilluan në një atmosferë shumë korruptive. Sa më shumë që janë shitur ndërmarrjet shoqërore, aq më shumë janë pasuruar politikbërësit. Shitja e pasurisë kombëtare në mënyrën më të keqe dhe me çmimin më qesharak të mundshëm, ka bërë që vendi jonë të jetë potencialisht i paaftë që të zhvillohet ekonomikisht. Ata që tashmë janë pronarët e pasurisë tonë kombëtare, që kryesisht janë korporata shumëkombëshe ndërkombëtare, po i shkelin të gjitha ligjet e aplikuara në vend. Këto ndërmarrje po i shkelin në mënyrë flagrante ligjin e punës, ligjin për ambientin dhe një sërë ligjesh të tjera që e rregullojnë fushë-veprimtarinë e tyre.

    Të gjitha proceset kruciale politike që ka kaluar vendi jonë janë zhvilluar ashtu siç kanë dashur qendrat e ndryshme politike ndërkombëtare. Ne nuk kemi asgjë që është produkt i vullnetit tonë politik. Që nga kushtetuta, ligjet dhe negociatat periodike me Serbinë janë imponuar në mënyrë arbitrare nga ndërkombëtarët. Përveç kësaj, ndërkombëtarët përmes ambasadorëve të tyre të akredituar në Prishtinë, i diktojnë zhvillimet politike deri në atë masë, sa që politikbërësit tanë shndërrohen në objekt politik. Ambasadorët ndërkombëtarë në vendin tonë i tejkalojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre të përcaktuara me konventa ndërkombëtare. Nuk është punë e ambasadorëve të na tregojnë, e aq më pak të na imponojnë se çfarë modaliteti demokratik të instalojmë. Për më tepër, ambasadorët ndërkombëtarë nuk mund të imponojnë zgjedhjen e personave të ndryshëm në pozitat e rëndësishme politike dhe publike.

    Politikbërësit që janë servil ndaj të huajve, zakonisht janë shtypës ndaj vullnetit të qytetarëve të tyre. Sa herë që qytetarët kanë qenë aktiv politikisht kundër padrejtësive, pushteti jo vetëm që i ka shpërfillë kërkesat qytetare, por edhe i ka shtypur me dhunë brutale. Pas pavarësisë rasti më eklatant i dhunës së pushtetit kundër qytetarëve aktiv, ka ndodhur në protestat kundër Serbisë që janë mbajtur në pikat kufitare në Merdarë dhe Dheu i Bardhë, në janar të këtij viti. Në këto protesta tërësisht paqësore, qytetarët kundërshtonin hyrjen e mallrave dhe të qytetarëve serbë në shtetin tonë, me qëllim që të mbrohet kushtetutshmëria, sovraniteti dhe reciprociteti. Politikbërësit tanë duke pasur interesa të ngushta biznesore me Serbinë dhe duke qenë nën ndikimin e faktorit ndërkombëtar, shtypën brutalisht protestat paqësore në mënyrën më brutale dhe me mjetet më çnjerëzore. Për këtë veprim totalitar deri më tani nuk ka dhënë përgjegjësi asnjë zyrtarë shtetëror. Politikbërësit që i kanë shtypur qytetarët, po mbeten të paprekur nga organët e drejtësisë, ngase ata praktikisht udhëheqin edhe policinë, edhe prokurorinë, edhe gjyqësorin.

    Në marrëdhëniet ndërkombëtare shtetet bëjnë sjellje të ndryshme në raport me shtetet e ndryshme. Shtetet rëndom bashkëpunojnë njëra me tjetrën në fusha të caktuara për interesa reciproke. Mosbashkëpunimi ndërmjet shteteve zakonisht ndodh atëherë kur shtetet bëjnë veprime që kanë për qëllim interesat vetjake. Kosova duke pasur marrëdhënie tregetare me Serbinë, është bërë përjashtim unik i praktikave shtetërore në marrëdhëniet ndërkombëtare. Me shtete armike siç është Serbia nuk mund të kemi kurrfarë marrëdhënie as politike as ekonomike, përderisa nuk ndryshon mendësia politike serbe në raport me shqiptarët. Sa i përket shteteve mike siç janë: Shqipëria, Turqia, pjesa dërrmuese e shteteve të BE-së dhe shtetet trans-atlantike, duhet që të bëhen përpjekjet maksimale për të trashur bashkëpunimin në të gjitha fushat jetësore. Çdo sjellje joreciproke që i shkelë praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare është vetshkatërrim i shtetit.

    Për të flakur “republikën e bananeve” që është instaluar në vendin tonë, duhet që të bëhen ndryshime thëlbësore legjislative. Përveç kësaj, është shumë qenësore të ndryshojë dhe kultura politike. Ndryshimet në çështje të rëndësishme do të jenë të njëmendta dhe legjitime vetëm atëherë kur kalojnë nëpërmjet referendumit.(kosovapress)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •