Të mërguar, të harruar. Ligji i Shtetësisë, ku shkelet Kushtetuta e Shqipërisë

Dërguar më: 26/04/2012 - 09:36

Nga Sulejman Gjana

Shpesh herë kemi dëgjuar drejtues të shtetit shqiptar që gjatë takimeve me bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit, iu thonë se Shqipëria është edhe e tyre. Se mund të investojnë pa pengesa në Shqipëri. Se do t'u krijohen të gjitha lehtësirat e mundshme për çdo projekt që dëshirojnë të ndërmarrin në Shqipëri. Në fillimin e viteve '90, këto deklarata të liderëve politikë ishin edhe më të bindshme dhe energjike. Sidomos kur vizitonin qytetet dhe vendet e huaja ku jetonin dhe vazhdojnë të jetojnë shumë shqiptarë të emigruar për arsye politike gjatë kohës së diktaturës komuniste. Si njëri prej këtyre të emigruarve politikë, në atë kohë, me kujtohen shprehje, si : " Jeni krenaria e Shqipërisë ", " ju jeni shembulli i demokracisë ", " Shqipëria është e juaja ", etj.
Por çfarë ndodhi në realitet me familjet e të arratisurve politikë të para viteve '90? A u shndërruan fjalët dhe premtimet në akte? A vazhdoi Shqipëria t'i konsiderojë ata si " tradhtarë të atdheut " dhe si një rrezik potencial për pushtetin, apo ua hapi krahët dhe tregoi se me të vërtetë ishin bijtë e saj?
Pavarësisht se nuk ekzistojnë më pengesa për lëvizjen e ish-të arratisurve politikë shqiptarë dhe se ata mund të hyjnë e dalin ne Shqipëri për vizita familjare ose turizëm, duke sjellë me vete devizat e tyre, realiteti duket se është ndryshe.
Mund të kuptohet lehtë se, shumica e të arratisurve politikë të viteve të para, pas vendosjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, nuk jetojnë më. Megjithatë, ata kanë lënë pas djem dhe vajza që kanë lindur jashtë Shqipërisë dhe kanë kaluar gjithë jetën e tyre në vende të huaja, ku kanë krijuar familje, punojnë dhe vazhdojnë të trashëgojnë përkatësinë shqiptare. Është e vërtetë se duke u larguar nga Shqipëria për arsye të regjimit komunist, pjesa dërrmuese e të arratisurve nuk kishin marrë asgjë më vete ; as tokat, as shtëpitë, as plaçkat më elementare. Kryesorja ishte që të shpëtojnë jetën prej forcave të policisë, të ushtrisë, të sigurimit e të Partisë, të cilët i kishin dhënë vetes të drejtën e vrasjes së pamëshirshme për këdo që thyente kufirin. Të vetmet gjëra që kishin marrë me vete, ishte gjuha shqipe, kultura, vlerat dhe traditat shqiptare. Dhe këto të fundit janë munduar t'i ruajnë me besnikëri dhe përkushtim, kudo që kanë shkuar dhe janë vendosur, si gjëja më e rëndësishme dhe më e çmueshme për ta.
Duke qenë se shumë nga të arratisurit politikë ishin angazhuar në forcat politike të organizuara jashtë vendit, kryesisht në radhët e Legalitetit e të Ballit, dhe se menjëherë pas LDB, disa aksione ushtarake ishin ndërmarrë nga jashtë për të rrëzuar pushtetin diktatorial komunist, me qindra vullnetarë u inkuadruan në operacione të ndryshme ushtarake. Ata u kthyen në Shqipëri me qëllimin e shenjtë dhe fisnik të flijimit të vetvetes, për t'i sjellë liri dhe demokraci popullit shqiptar dhe vendit tyre. Fati i tyre dihet, pasi ata u tradhtuan na agjenti rus, Kim Filbi, që shërbente në atë kohë si oficer ndërlidhës i shërbimit të Inteligjencës Britanike MI6 me CIA-në dhe që i kalonte në Moskë të gjitha planet e infiltrimit të Shqipërisë. Nga Moska vinin informacionet në Tiranën komuniste dhe të ashtuquajturit " diversantë " arrestoheshin dhe asgjësoheshin, me të mbërritur në Shqipëri.
E treguam këtë episod për të kuptuar se pse regjimi komunist nuk ua kishte hequr shtetësinë shqiptare të arratisurve politikë, pavarësisht se i konsideronte ata si " tradhtarë të atdheut " dhe përdorte lloj-lloj epitetesh kundër tyre. Shtetësinë nuk ua hoqi për arsye se, nëse kapeshin gjatë infiltrimit të tyre në Shqipëri, mund të ekzekutoheshin ose dënoheshin si shtetas shqiptar dhe jo si shtetas të huaj. Kështu që asnjë marrëveshje diplomatike nuk ishte e nevojshme me Britaninë e Madhe dhe SHBA-në lidhur me fatin e tyre, pra të të arratisurve politikë.
Pavarësisht se nuk iu ishte hequr shtetësia, qindra-mijëra shqiptarë të arratisur nga vendi gjatë diktaturës komuniste, nuk kishin mundësi të regjistronin fëmijët e tyre në regjistrat shqiptarë të gjendjes civile, sepse nuk mund të ktheheshin në vendlindje pa pësuar ndëshkimin e regjimit. As në ambasadat shqiptare nuk bëhej fjalë të regjistroheshin, pasi këto institucione ishin më tepër antena të Sigurimit dhe nuk kishin asnjë kontakt me emigracionin politik shqiptar. Pas ndryshimeve politike të viteve '90 në Shqipëri, të gjithë të arratisurit politikë vazhduan të qëndrojnë të regjistruar në regjistrat e gjendjes civile të vendit ku kanë lindur dhe në fakt vazhdojnë të figurojnë në ata regjistra edhe sot e kësaj dite.
Ndonëse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, parashikon, në Nenin 19, pika 1, se : "Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare", për fëmijët e të arratisurve politikë të para viteve '90, ligji i shtetësisë (ligji 8389 i dt. 05.08.1998) i pengon ata dhe i konsideron si të huaj. Në fakt ligji në fjalë është i qartë, kur thekson në Nenin 9 se : " Në rast se i huaji vërteton se është me origjinë shqiptare deri në dy shkallë, qoftë edhe nga njëri prind, koha e qëndrimit në Republikën e Shqipërisë, e përmendur në pikën 2 të këtij neni, duhet të jetë të paktën deri në 3 vjet. Të gjitha kushtet e tjera për fitimin e shtetësisë shqiptare të treguara në këtë nen, mbeten të paprekura ". Gjithsesi, ligji parashikon se fëmijët e të arratisurve politikë duhet të aplikojnë për natyralizim pranë zyrës së Presidentit, pasi të kenë plotësuar kushtin e një qëndrimi 3-vjeçar në Shqipëri, duke i vënë ata në të njëjtën shkallë pritjeje, si çdo të huaj tjetër, që nuk ka asnjë pikë gjaku shqiptar në vena.
Si i tillë, ligji i Shtetësisë Shqiptare bie në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila parashikon fitimin vetiu të shtetësisë për çdo fëmijë që lind, qoftë edhe nga një prind me shtetësi shqiptare.
Kuptohet se personat e konsideruar si të huaj në Nenin 9 të Ligjit 8389, datë 05.08.1998, për Shtetësinë Shqiptare, dhe që faktikisht janë shqiptarë, nuk kishin mundësi për të përfituar shtetësinë shqiptare para ndryshimeve politike të viteve '90. Kjo pasi nuk ekzistonte kuadri ligjor për të zgjidhur këtë çështje, në kohën kur ishin akoma nën moshën 18 vjeçare.
Këto persona nuk mund të jetonin 3 vjet në territorin e Republikës së Shqipërisë, pasi kishin lindur jashtë vendit dhe prindërit e tyre ishin larguar për arsye politike dhe nuk mund të ktheheshin pa rrezikuar dënime me burg ose kampe përqendrimi.
Faktikisht, mijëra shqiptarë të lindur jashtë vendit, nga një ose dy prindër me shtetësi shqiptare, gjatë periudhës së diktaturës dhe që ishin mbi moshën 18 vjeçare në kohën e ndryshimeve politike në fillimin e viteve '90 dhe sidomos në kohën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e të miratimit të ligjeve për shtetësinë shqiptare, si dhe fëmijët e tyre, janë harruar, për të mos thënë janë lënë pas dore, nga legjislatori shqiptar i cili krijoi një situatë diskriminimi dhe përjashtimi ofendues për këtë kategori njerëzish.
Për të kuptuar rëndësinë e këtij diskriminimi mund të marrim shembullin e një shtetasi shqiptar, të larguar nga vendi për motive politike dhe që lindi, p.sh. në vitin 1970, një fëmijë me nënë me shtetësi shqiptare dhe në vitin 1995, një fëmijë të dytë me nënë me shtetësi të huaj. Aplikimi " strikto senso " i Ligjit 8389, do të bëjë të mundur që fëmija i dytë, të gëzojë vetiu shtetësinë shqiptare, ndërsa fëmija i parë jo. Pasi, këtij të fundit, do t'i duhej të provojë 3 vjet banimi në territorin e Republikës së Shqipërisë për të aplikuar për natyralizim. Fëmija i parë do të vuajë pra akoma edhe sot e kësaj dite pasojat e regjimit komunist dhe ky është pikërisht rasti i të gjithë familjarëve të të arratisurve politikë gjatë kohës së diktaturës komuniste.
Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë për të ndryshuar këtë realitet të hidhur (në një letër që iu kisha nisur personalisht në tetor 2008 Kryetares të Kuvendit dhe të gjithë kryetarëve të grupeve parlamentare të asaj kohe, e kisha ngritur këtë çështje dhe propozoja një ndryshim të kuadrit ligjor) asgjë nuk ka ndryshuar deri më sot. Diskriminimi vazhdon ashtu siç vazhdon anti-kushtetushmëria e ligjit të shtetësisë për familjarët e të arratisurve politikë. Vazhdon gjithashtu me të njëjtin tingëllim zhurmues thirrja që iu bëhet shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, për ta konsideruar Shqipërinë si vendin e tyre.
Në realitet, ata nuk e kanë braktisur kurrnjëherë Shqipërinë, por Shqipëria i ka braktisur ata. Ka ardhur koha që, si hap i parë, të paktën të ndryshohet ligji për t'i kthyer të paktën fjalët në vepra.
(Zv. Kryetar i PLL-së)