Strugë, 11 vjet nga zhdukja e Islam Veliut, familja kërkon drejtësi



Edhe pse tashmë kanë kaluar plot 11 vjet nga konflikti ndëretnik i vitit 2001 ne Maqedoni, mbetet akoma misterioz fakti i rrëmbimit dhe ekzekutimit të shumë shqiptarëve në rrethana të çuditshme. Njeri ndër ata është edhe i ndjeri Islam Veliu, nga fshati Dollogozhdë i Strugës. Arrestimi i të ndjerit është bërë sot 11 vite më parë, pikërisht në datën 17 prill 2001. Ylber Veliu, vëllai i Islamit, me dhimbje kujton atë periudhë. Ai thotë se vetëm një vit më pas, ka siguruar disa të dhëna shumë të rëndësishme nga individë të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Sipas informatave të siguruara, në mbrëmjen e 17 prillit 2001, Islami është ndaluar dhe arrestuar në dalje të Gostivarit nga një post bllok policor i asaj kohe dhe është transferuar në stacionin policor Autokomandë në Shkup. Në po atë zyre, pas vetëm 3 ditësh ai, sipas vëllait të të ndjerit, është ekzekutuar nga një nëpunës besnik i asaj periudhe.
“Në vitin 2002 me ndihmën e disa shokëve të mi mora lajmin se Islam Veliu është ekzekutuar në stacionin policor auto-komandë Shkup. Pas kemi bërë disa takime me njerëz të cilët kanë punuar në organet e policisë në Shkup më treguan se Islam Veliu është ekzekutuar në stacionin policor në auto-komandë Shkup dhe për shkaqe objektive nuk mund ta them emrin por inicialet B, i cili e ka ekzekutuar Islamin në mënyrë të gjakftohtë i ka rënë me një plumb në kokë”, tha Ylber Veliu, vëllai i Islam Veliut.
Këtë informatë Ylberi thotë se e ka siguruar nga një nëpunës i zyrës ku Islami është ekzekutuar, me inicialet D.P. nga Kriva Pallanka, i cili më vonë është transferuar në një tjetër zyre. Në vitin 2004 në vendin e quajtur “Shpella” afër Kërçovës u gjetën trupat e Ibrahim Veliut, Zeqirja Veliut nga Shkupi dhe e Islam Veliut nga Struga dhe shtetasit bullgar Radosllav Balev. Në listën e të rrëmbyerve në vitin 2001, figurojnë edhe Hajredin Halimi nga Shkupi, Ruzhdi Veliu nga Kërçova, Sulltan Mehmetit nga Struga dhe Xhelil Osmani nga ana e Gostivarit.
“Prej viti 2004 deri më sot nuk ka lëvizur asnjë send, avokat kemi pasur dhe brena 10 ditëve e lënë punën nuk e marrin përsipër. Kemi dëshmi i kemi marrë nga Gjyqi i Kërçovës dhe prapëseprapë ngelet enigmatike.. partia në pushtet nuk ka ndihmua kemi kërkuar ndihmë nuk na kanë ndihmuar..kemi bërë kërkesë të kryeprokurori i Maqedonisë, në gjyqin e Strasburgut, Gjyqi i Strasburgut e ka kthyer me vendim se duhet të mbyllet rasti në Maqedoni.. Gjykata supreme nuk e mbyll rastin..siç e shihni e lënë enigmë”, deklaroi Ylber Veliu, vëllai i Islam Veliu
Vëllai i Islamit për Alsat-M gjithashtu tregon se këto informacione i ka dhënë menjëherë në organizata të ndryshme të asaj kohe, mirëpo rasti ka mbetur i pa ndriçuar. Ai thotë se është në gjendje gatishmërie të jap identitetin e të gjithë personave prej të cilëve ka siguruar këto informacione duke kërkuar ndriçimin e plotë të rastit që çoi në vrasjen e vëllait të tij.

ALSAT M