Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    Bernd Fischer: Një libër për të kuptuar Shqipërinë

    Bernd Fischer: Një libër për të kuptuar Shqipërinë

    “Ky është një libër i bazuar në dokumente, por dy dokumente mendoj se janë kryesore për të kuptuar Shqipërinë në atë periudhë. Janë të mbushura me statistika, por edhe i japin një pikëpamje të veçantë; atë amerikane dhe gjermane për Shqipërinë. Ajo që më bëri përshtypje është se këndvështrimet janë të ndryshme dhe parashikimet për të ardhmen janë të ndryshme. Mendoj se dokumentet na bëjnë të kuptojnë rëndësinë e përdorimit të tyre”- kështu u shpreh historiani Bernd Fischer, një ndër ekspertët më të njohur për çështjet shqiptare, i cili promovoi dje në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës librin e tij më të fundit mbi Shqipërinë, “Shqipëria 1943-1945”, një vështrim përmes dokumenteve perëndimore. Autori i ka vlerësuar si të dobishme dokumentet e huaja dhe ndër më kryesoret për periudhën në fjalë janë materialet britanike, gjermane dhe në një shkallë më të vogël disa materiale amerikane, pjesërisht sepse ai është shumë i gjerë. Po përse ka ngjallur interes kjo periudhë për studiuesin Fischer? Ja si e shpjegon historiani Fischer: “Periudha e shkurtër nga viti 1943 deri në vitin 1945 ishte një periudhë kritike për Europën, që dëshmoi për betejat e mëdha përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore, humbjen e Italisë dhe Gjermanisë, fazat e para të rimëkëmbjes pas luftës dhe fillimin e një epoke të re. Edhe për Shqipërinë kjo periudhë e shkurtër kohe pati një rëndësi monumentale dhe në të vërtetë këto vite vendimtare ishin akoma më të rëndësishme për Shqipërinë. Ato ishin dëshmitare të ikjes së italianëve, të ardhjes së gjermanëve dhe të pushtimit gjerman, fundit të mbeturinave të regjimit të vjetër, pjekurisë së lëvizjes së rezistencës, ndërhyrjes së aleatëve, fitores së komunistëve dhe ngritjes së regjimit të Hoxhës, që do ta qeveriste Shqipërinë me grusht të hekurt në 45 vjetët e ardhshëm. Ndërkohë që pjesa më e madhe e Europës i ka hedhur pas krahëve luftërat e kësaj periudhe, Shqipëria nuk i ka lënë ende. Ne sot jemi ende dëshmitarë të debateve mbi këtë periudhë. Ajo është e pranishme jo vetëm në debatet lidhur me krijimin e imazhit të shqiptarëve për vete si popull dhe si shtet, por mbetet e rëndësishme edhe në debatet e sotme politike. Në një farë mënyre, në Shqipëri, periudha nga viti 1943 deri në vitin 1945 është ende një pjesë vitale e peizazhit kulturor dhe politik të shekullit të njëzet e një”.
    Dokumentet britanike në këtë libër mungojnë deri diku për periudhën 1939-1942, për shkak të pranisë së kufizuar britanike, por me futjen e një baze të agjentëve të drejtorisë së operacioneve speciale, duke fillua nga viti 1942, dokumentet britanike bëhen shumë të dobishme, si për statistikat e kufizuara, ashtu edhe për analizën në terren. Materialet dokumentare gjermane dhe britanike janë provuar shumë të dobishme për thellësinë e tyre dhe të paktën, në rastin e Gjermanisë, për vëllimin e madh të materialit në përdorim. “Libri ka dy komponentë të rëndësishëm; raporti i shefit të misionit amerikan në Shqipëri në vitin 1945, diplomati amerikan kryesoi misionin amerikan për të investiguar nëse qeveria amerikane do të njihte qeverinë komuniste pas Luftës botërore dhe i dyti një dokument gjerman i Vermahit. Botohen për herë të parë dhe janë të dobishme për historianët, studentët e historisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare. Mendoj se është një kontribut i duhur që vjen në kohën e duhur, në kontekstin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, që është moment për të celebruar, por edhe për të reflektuar”, u shpreh Albert Rakipi, drejtori i AIIS (Instituti shqiptar për studime ndërkombëtare), gjatë promovimit të librit. Raporti Final i Vermahtit gjerman në Shqipëri është tipik për këtë pasuri materiali dokumentar. Raporti final gjerman është unik në shumë drejtime dhe jo pak edhe nga fakti që është shkruar nga një oficeri i panjohur, pjesëtar i grupit të drejtimit në selinë e Vermahtit në Berlin, me sa duket në shkurt apo mars të vitit 1945. Kryeqyteti i dënuar ishte sigurisht nën sulmet e vazhdueshme ajrore, pasi ushtritë aleate po i afroheshin nga lindja dhe nga perëndimi. Dokumenti amerikan, që botohet në këtë vëllim, është deri diku më i gjatë: “Raport dokumentar me një përmbledhje plotësuese mbi përfundimet dhe rekomandimet në lidhje me njohjen e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”, përgatitur nga misioni special i Departamentit të Shtetit në Shqipëri, me J. E. Xhekobs (Jacobs), që ishte kreu i misionit. Raporti i Xhekobsit fillimisht synonte t’i shërbente një qëllimi të ndryshëm nga ai i raportit gjerman – ai synonte të ishte më shumë fillimi sesa fundi i një marrëdhënieje. Xhekobsi rekomandonte që Shtetet e Bashkuara të njihnin regjimin e Hoxhës. Meqenëse Departamenti i Shtetit, përfundimisht, nuk e mbështeti atë rekomandim, ndaj edhe raporti i Xhekobsit, në një farë mënyre, ishte fundi i një marrëdhënieje në vitin 1945, ndërsa marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara u rivendosën vetëm pas 46 vjetësh, në vitin 1991. “Prof. Fischer gjatë këtyre ditëve, por edhe më parë, ka guxuar të parashtrojë hapur shumë qartë dhe drejtpërdrejt pikëpamjet e tij mbi zhvillimet politike në Shqipëri, për tranzicionin shqiptar”, tha në fjalën e tij rektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj. Periudha e shkurtër nga viti 1943 deri në vitin 1945 ishte një periudhë kritike për Europën, që dëshmoi për betejat e mëdha përfundimtare të Luftës së Dytë Botërore, humbjen e Italisë dhe Gjermanisë, fazat e para të rimëkëmbjes pas luftës dhe fillimin e një epoke të re. Edhe për Shqipërinë kjo periudhë e shkurtër kohe pati një rëndësi monumentale dhe në të vërtetë, këto vite vendimtare ishin akoma më të rëndësishme për Shqipërinë. Përveç aspekteve analitike dokumentet përmbajnë dhe një material të pasur statistikash bashkëkohëse, të mbledhura në rrethana shumë të vështira. Ato ishin të përgatitura nga oficerë të shërbimit të jashtëm profesionist, të mësuar dhe me shumë gjasa objektivë, roli kryesor i të cilëve ishte t’i shërbenin me sukses shtetit që përfaqësonin. Ata, me sa duket, vuanin pak nga një pengesë ideologjike, e cila ndikon të paktën në një pjesë të materialit të përgatitur gjatë periudhës komuniste. Këto përbëjnë një burim bashkëkohës të çmueshëm, i cili së bashku me të dhënat e tjera, do të japë një tablo më të qartë të kësaj periudhe kritike të zhvillimit historik të Shqipërisë në shekullin e njëzetë.

    Lajmi shqip
    Ky artikull eshte postuar me Saturday, 31/03/2012 ne oren 10:14 am
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •