Incidentet nxjerrin nëpër rrugët e Shkupit forca të shumta policie
Publikuar: 09.03.2012 - 22:22
Shkup, 9 mars - Janë vërshuar me policë rrugët e Shkupit. Pothuajse në çdo stacion autobusi sot mund të vëreheshin së paku nga dy policë, kurse në pika të rrezikshme kishte edhe forca speciale të policisë. Por, pavarësisht prezencës, incidentet kanë vazhduar të regjistrohen në pjesë të ndryshme të qytetit të Shkupit dhe jashtë tij. E gjithë kjo pas incidentit të rëndë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, kur në lagjen Kisella Vodë
persona të maskuar sulmuan nxënësit shqiptarë në autobusin me numër 58, që udhëtonte për në fshatin Çiflikë.
Qytetarët e anketuar nga Alsat M përshëndesin prezencën e policisë por gishtin për incidentet e drejtojnë tek politika.
“E dini se këto gjëra janë më të mëdha se sa i mendojmë, më kuptoni, nuk burojnë nga fëmijët, dikush i ngacmon dhe mëson”, tha një qytetare.
Një tjetër u shpreh se është humbur vetëbesimi në institucionet e shtetit dhe gjithsesi përgjegjëse për gjithë këto incidente është vetë Qeveria.
“Nuk janë punë të mira këto, ata janë të VMRO-së, komitat janë...Qeveria është fajtore...”.
“Frikë kemi, frikohemi të udhëtojmë se është rrezik, ka maqedonas, dalin na nxjerrin probleme, po na rrahin, po ndodhin incidente. Duhet të ketë policë nëpër autobusë dhe nëpër shkolla, ja sot kanë dalë dhe për momentin nuk ka ndonjë incident”, tha një tjetër qytetar.
Polica është vënë në gatishmëri të lartë dhe nuk do të tolerojë as incidentin më të vogël të ndodhë, thonë në MPB.
http://kohaditore.com/index.php?page=1,15,90951
Krijoni Kontakt