Fjala e Hatixhe Latifi-Pupovcit në konferencën për media lidhur me abuzimet në sektorin e shëndetësisë
22 MARS 2012 - E Enjte 07:25
Lidhur me Udhëzimin Administrativ për të cilin foli Liburni, Ministri Agani në një komunikatë si përgjigje ndaj reagimit të Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, jep disa arsye të cilat e kanë shtyrë për të nxjerr këtë udhëzimi administrativ:
1. Sigurimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për qytetarët e Kosovës – Në fakt me këtë UA pretendohet të përmirësohen shërbimet shëndetësore në institucionet private në të cilat, duke marrë parasysh situatën socio-ekonomike në Kosovë, kanë mundësi shërimi vetëm një numër shumë i vogël i qytetarëve të Kosovës.
2. Zvogëlimin e informalitetit në sektorin privat - Ministri Agani ka deklaruar se kjo është bërë pasi që mjekët e huaj përkundër faktit se me udhëzimin administrativ të mëparshëm ( Nr. 12/2006) kanë qenë të lejuar të punojnë deri në 30 ditë brenda një viti, ata nuk e kanë respektuar këtë. Mirëpo, në vend që Ministria e Shëndetësisë të merret me sanksionimin e atyre që e shkelin ligjin, paradoksalisht zgjatë kohën e lejes së përkohshme të punës së profesionistëve shëndetësorë jo-kosovarë. Por, kush mund të garantojë se edhe me këtë rast, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ndërmerr masa, punëtorët shëndetësorë jo-kosovarë nuk do të keqpërdorin kohëzgjatjen e lejes së punës.
3. Shtimin e mundësive për trajnimin e punëtorëve shëndetësorë të vendit – Trajnimi i punëtorëve shëndetësorë duhet të bëhet në mënyrë të organizuar dhe po të ishte ky shqetësimi i Ministrit ai do t’i kishte rritur fondet për trajnimin e punëtorëve shëndetësorë dhe sjelljen e ekspertëve në QKUK në emër të këtij trajnimi. Prandaj, ne mendojmë se ky Udhëzim Administrativ vetëm se e rritë mundësinë e përfitimit të disa klinikave private por jo edhe trajnimin e stafit shëndetësorë.
4. Avancimin e sektorit privat shëndetësor dhe rritjen e konkurrencës midis dy sektorëve - Avancimi i sektorit privat shëndetësor nuk varet vetëm nga mjekët e huaj që vijnë të punojnë në Kosovë. Kjo është një përulje dhe një degradim i gjithë punëtorëve shëndetësorë në Kosovë dhe i gjithë angazhimit të tyre që përkundër të gjitha pengesave që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë vazhdojnë të kryejnë me sukses punën e tyre. Ndërsa, arsyetimi se ky Udhëzimi Administrativ shërben për rritjen e konkurrencës në mes të dy sektorët është tepër absurd. Në gjendjen në të cilën e ka sjellë kjo Qeveri sektorin publik shëndetësor, nuk ka nevojë fare të përmendet termi konkurrencë. Kjo për arsye se duke degraduar deri në këtë masë sistemin publik shëndetësor, nuk është edhe vështirë t’i bëhet konkurrencë në shërbime këtij sektori. Bile edhe ato pak shërbime që mund të bëjnë konkurrencë në sektorin publik, shumë herë është folur për t’i shndërruar në partneritet publiko-privat duke paralajmëruar në këtë mënyrë një rrënim total të sektorit publik.
5. Në funksion të sigurimit të shërbimeve shëndetësore që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore – Prioritet i një Ministrie do të duhej të ishte ofrimi i shërbimeve në institucione publike pa penguar ofrimin e tyre në institucionet private. Mungesa e personelit për lëmitë deficitare në Kosovë duhet të jetë fakt shqetësues për MSH, prandaj edukimi i mjekëve për këto lëmi duhet të ishte prioritet i MSH. Përndryshe, për 12 vite të funksionimit të MSH në Kosovë, me një planifikim adekuat të buxhetit deri më tani kanë mundur të bënin specializimet jashtë Kosovës, për fushat deficitare, së paku dy gjenerata të mjekëve të cilët tani më do të duhej të ishin ata që trajnojnë mjekët tjerë në Kosovë. Mirëpo, në anën tjetër është shqetësues fakti se në institucionet publike nuk ofrohen as shërbimet për të cilat ka personel shëndetësorë vendas. Kjo për faktin se nuk funksionalizohen aparatet, nuk sigurohen barnat, materiali shpenzues, reagjentët dhe mjetet tjera diagnostikuese. E gjithë kjo, jo pse nuk ka buxhet për to, por sepse ashtu dëshirojnë të jetë, në mënyrë që pacientët të orientohen në sektorin privat.
6. Sigurimin e shërbimeve shëndetësore sa më cilësore dhe më të lira për qytetarët e vendit – Shërbimet shëndetësore që kryhen nga mjekët jo kosovarë, ekskluzivisht në institucionet private, nuk janë më të lira se sa po të kryheshin nga mjekët kosovarë nëse do të siguroheshin kushtet e punës dhe trajnimi i tyre, gjë të cilën do të duhej të planifikonte Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo për këtë nevojitet një menaxhim i mirëfilltë i institucioneve shëndetësore ku përgjegjësia dhe llogaridhënia do të ishte shtyllë e funksionimit, e i cili nuk mund të bëhet me njerëz të korruptuar.
Komiteti për shëndetësi – Lëvizja VETËVENDOSJE!
Krijoni Kontakt