Entela Resuli - Gazeta " Shekulli "
Në kopshtin 42 në Tiranë ishte qetësi, ngaqë ishte orar dreke dhe fëmijët ishin në gjumë. Tavolinat dhe karriget e vogla mbushin sallën e madhe të lojërave, dhoma e tyre e gjumit është më e futur ku ka edhe më pak dritë. Janë të mbuluar të gjithë me batanije, por ka dhe nga ata ‘hileqarët” që bëjnë sikur flenë dhe përpëliten nën kuvertën e tyre. Aty kalojnë dhjetë orë të ditës, hap pas hapi, ndërsa edukatoret punojnë me turne. Disiplina me fëmijën fillon që në moshën tre vjeç kur ai nis e shkon në kopsht. Është e vërtetë që atë dashuri që të jep gjyshja në shtëpi nuk ta jep edukatorja, por kur vjen puna që një fëmijë të jetë i shkathët ai duhet të shkojë në kopsht ku ka më shumë mundësi të zhvillohet nga ndërveprimi edhe me fëmijët e tjerë. Ndërsa flasim me edukatoret për këtë gjë, ato shprehen se është kategorike për to: “kopshti i bën shumë mirë fëmijës, e socializon, e shkathtëson…”
Edukatore Tana, punonjëse në kopshtin nr. 2 na tregon se, “kopshti nuk barazohet farë me shtëpinë. Në kopsht fëmijët përshtaten me ambientin, më shokët, bëhen zotër të vetes, shkojnë vetë në tualet, mësojnë t’i shërbejnë vetes më mirë dhe të jenë më të pavarur”. Edhe nga ana mësimore ka tjetër program, se nga “programi” që konsumojnë me gjyshen në shtëpi.
Kemi biseduar me prindër dhe gjyshe të cilat vinin për të marrë nipërit dhe mbesat e tyre në kopsht. Edhe pse do të donin që ti rrisnin vetë, përsëri janë të mendimit që kopshti bën mirë.
Punonjësit socialë janë përgjithësisht të të njëjtit mendim se “Fëmijët që janë çuar në çerdhe apo kopsht janë më të shkathët dhe më të aftë për të marrë informacion, pasi me ta është bërë një punë e kujdesshme, e ndjekur hap pas hapi. Përveç të tjerave, kategoria e fëmijëve që nuk shkojnë në shkolla apo kopshte, por janë nën kujdesin e gjyshërve, kanë edhe probleme të tipit qaraman, të përkëdhelur apo që nuk pranojnë këshilla,” thotë Ermira Kurti, punonjëse sociale. “Zhvillimi psikomotor i fëmijëve që frekuentojnë institucionet e lartpërmendura është shumë më i zhvilluar se i atyre që rriten me gjyshërit në shtëpi, pasi informacioni që ata përthithin është shumë më i kufizuar,” vijon ajo. Problemet e para të këtyre fëmijëve shfaqen dukshëm në momentin kur ata fillojnë klasën e parë, pasi nuk janë më gjyshërit që të kujdesen për gjithçka. Kjo çon edhe në mbylljen e këtyre fëmijëve në vetvete, si dhe distancimin e tyre nga bashkëmoshatarët e tyre.
Merita, një prind mendon se: “është më mirë që fëmija të rritet në kopsht, pasi shpesh gjyshërit e “çedukojnë” një fëmijë, në vend që ta mësojnë, në kopsht fëmija është më i lumtur, rritet shëndetshëm, bën jetë sociale, mëson”. “Ne gjyshërit i kemi përzemër”, shton ajo, “por fëmija kur rritet me gjyshërit llastohet më shumë, prandaj mendoj se kopshtin duhet ta provojnë të gjithë fëmijët, pasi socializohen më shumë dhe kur shkojnë në shkollë e kanë më të lehtë pastaj në përshtatjen me kolektivin, si dhe rezultatet i kanë të një niveli më të lartë se moshatarët”.
Shega: “Nga eksperienca ime, mendoj se fëmija është më mirë të rritet në kopsht, sepse aty, së pari, do të parapërgatiten për jetën në komunitet, se dyti, fiton imunitet nga sëmundjet, së treti fillon të kuptojë se është i barabartë me të tjerët. Ndryshe me gjyshërit. Me gjithë dashurinë e madhe që kemi për nipërit apo mbesat, pa dashje i bëjmë ” monopol” që askush të mos na i prekë, kujdesemi më shumë për shëndetin (frikë nga mikrobet), se sa për t’i stërvitur me lodrat, apo t’i aftësojmë për jetën në komunitet. Megjithatë, përrallat e gjyshes nuk do të mungojnë asnjëherë, edhe pse rriten në kopsht.
Kopshtet
Kopshtet janë hallka më e rëndësishme e fillimit të jetës së një fëmije. Edhe pse në kushtet ekonomike të sotme, ku shumë prindër janë të papunë dhe merren vetë me rritjen e fëmijëve të tyre, edukimi për ta çuar fëmijët aty dhe për të marrë sa më shumë informacion është shumë e rëndësishme.
Sa duhet të paguash?
Fëmijët në çerdhe dhe kopsht paguajnë vetëm për ditëngrëniet.Vlera e shërbimit e ofruar në çerdhe është 130 leke ne ditë, e përcaktuar në bazë të ditëve të frekuentimit të çerdhes nga fëmija juaj. Vlera e shërbimit të ofruar në kopsht është 160 leke në ditë.
http://www.shekulli.com.al/shekulli/...ohen-me-shume/
Krijoni Kontakt