Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Kur Skënderbeu adhurohej nga princeshat e Europës

    Kur Skënderbeu adhurohej nga princeshat e Europës

    Së shpejti një roman mesjetar francez për heroin kombëtar. “Skënderbegu ose Aventurat e Princit të Shqipërisë”, imazhi europian për Gjergj Kastriotin.

    “Nuk ka më kohë, Imzot, për t’jua mbajtur sekret ndjenjat e mia ndaj jush. Virtytet tuaja e justifikojnë mjaft mirë dashurinë time. Princ, ju dashuroj. Dëgjojeni pra nga goja ime këtë pohim shumë të sinqertë. Po ama, mos ma refuzoni sekretin që zemra ime nuk ka mundur t’jua mbajë sekret më gjatë, nëse është e vërtetë që dhe ju keni për mua të njëjtat ndjenja të ëmbla. Mos më tregoni kurrë veçse anën e juaj si një princ i Shqipërisë; sepse unë vetëm këtë anë dashuroj. Unë vetëm atë dashuroj zemra ime, kur ju do të bëheni zot i saj”. Këto fjalë të zjarrta dashurie Alzelida, princesha bullgare, ia drejtonte Skënderbeut… Po, po, bëhet fjalë pikërisht për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun.. Por, që ta ndajmë qysh në fillim…, bëhet fjalë për një pasazh të shkëputur nga romani “Skënderbegu ose Aventurat e Princit të Shqipërisë”, i cili mendohet të jetë shkruar në vitet 500-600 në Francë dhe që pritet të dalë së shpejti nga botimi prej shtëpisë botuese “55”. “Romani është shkruar nga një shkrimtare anonime franceze. Dhe pse është një fikshën, një rrëfim i udhëhequr nga fantazia, në të ne shohim se një nga figurat më të rëndësishme të historisë sonë, ka qenë një personazh i dashur dhe i njohur në Europën e atyre viteve. Forca dhe suksesi i tij e ka frymëzuar këtë shkrimtare franceze ta shohë si personazhin kryesor të romanit të saj, si një burrë që e do vendin e tij, i cili di të jetë prijës dhe të sjellë fitore, por të jetë njëkohësisht i adhurueshëm për princeshat e asaj periudhe. Dhe pse kemi të bëjmë me një rrëfim letrar, Skënderbeu na shfaqet si një udhëheqës i denjë dhe si një nga figurat më të rëndësishme politike të kohës”, thotë Alda Bardhyli, drejtoresha e botimeve “55”. Ashtu siç thotë edhe Bardhyli, ky roman është një dëshmi që Gjergj Kastrioti ishte një personazh interesant, që lëvrinte mes historisë dhe mitit qysh në shek. XVI-XVII, që nuk frymëzonte vetëm shqiptarët (ky fenomen u bë i dukshëm gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare), por edhe të huajt. E pas gravurave e pikturave të të huajve, pas krijimeve në fushën e muzikës, na shfaqet edhe një roman i shkruar në Francë.

    I adhuruar i princeshave

    Ashtu siç rrëfehet edhe nga titulli i romanit të përkthyer nga Beqir Ajazi, romani vërtet është i mbushur me aventura, por jo vetëm nga ato luftaraket, por edhe në kuadrin sentimental. Ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shohim “atletin e Krishtit”, Skënderbeu na shfaqet si një mashkull i adhuruar nga princeshat e kohës. Dhe nuk ishte vetëm ajo bullgare, e cila nuk skuqet t’i pranojë atij hapur dashurinë, madje bëhet edhe një shtytëse e tij për t’u kthyer në atdhe, por edhe vetë sulltanesha kishte pasur dikur një histori dashurie me të riun shqiptar, të rritur në oborret e sulltanit. Ndonëse përkundrejt dashurisë së tij ajo kishte preferuar të bëhej gruaja e Sulltan Muratit, sulltanesha Melisë nuk mund të harronte kohërat e kaluara, pranndaj edhe përpiqet ta shpëtojë atë nga dënimi që e priste si rezultat i një kurthi të ngritur ndaj Skënderbeut. “Mos u tremb për asgjë. Duke ju mbrojtur, mendoj se po ndihmoj pafajësinë e shtypur. Kredia që gëzoj mbi mendjen dhe shpirtin e Sulltanit përbën një mbrojtje të fortë kundër akuzave që ju bëhen, të cilat i kanë lënë Lartësisë së Tij të mendojë se ju po vini në lëvizje intriga të ndryshme dhe sekrete për të hipur në fronin e Shqipërisë, të cilin Sulltani e ka marrë vetë që pas vdekjes së babait tuaj… Aldeliza do të kishte përfunduar në Saraj, po të mos e kisha shpëtuar unë nga kjo goditje. Lartësia e Tij nesër do t’ju pyesë… Justifikohuni. Mos harroni gjithashtu se dashuria e Sulltan Muratit për mua nuk do të arrijë kurrë që të harroj se dikur ju kam pasë dashuruar…”, i shkruan ajo Skënderbeut të burgosur. Roani ka edhe shumë letërkëmbime të këtij soji, ku Skënderbeu nuk shfaqet edhe aq “naiv” në këto lojëra dashurie. Anonimja franceze, me shumë gjasë mund të ketë qenë një Daniel Steel e kohës, e ndoshta romanet e saj plot trima të fuqishëm e histori dashurie do të kishin qenë me gjuhën e sotshme “bestseller”.

    I mbështetur në histori

    Pavarësisht se është një krijim i mirëfilltë artistik, “anonimja” franceze nuk është mbështetur në boshllëk, kur ka shkruar romanin e saj. Nga sa lexojmë, ajo duhet të ketë shfletuar, apo dëgjuar për historinë e jetës së Gjergj Kastriotit, të cilën pastaj e ka zbukuruar me skena mallëngjyese, pse jo edhe dashurore. Kështu, kur bëhet fjalë për fëmijërinë e Skënderbeut dhe mënyrën se si ai u gjend dhe u rrit në oborrin e Sulltanit, ajo i referohet pak a shumë historisë që njohim të gjithë, por sigurisht të letrarizuar. “…Vetëm mbretëria e Shqipërisë po i rezistonte dhunës së Muratit, çka e detyroi atë që të marshonte personalisht me një ushtri të madhe kundër Gjon Kastriotit, mbret i shqiptarëve. Duke i vlerësuar forcat e veta të pabarabarta me ato të turqve, pa shpresë për kurrfarë ndihme, për të mirë të popujve të vet, u detyrua që të negocionte e të merrej vesh me Sulltanin, të cilit ai i dorëzoi qytetin e Krujës, kryeqytet i vendit të tij, ku ai e kishte qendrën e fronit. Veç kësaj, ai qe detyruar që t’i jepte Sulltanit djemtë e tij si peng besnikërie. Sulltani e detyroi atë që t’ia sillte vetë djemtë në kampin e tij. Dhe ai i shkretë qe i detyruar t’i bindej”, shkruhet ndër të tjera. E më tej vijon me skenën mallëngjyese të ndarjes së prindit nga fëmijët, shoqëruar me lot të nxehtë nga princesha e vogël, të cilët, sipas autores, mallëngjyen edhe vetë Sulltanin, rritjen e Skënderbeut, simpatinë që ai fitoi në oborr, betejat e para e kështu me radhë…

    ALMA MILE - Panorama
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

  2. #2
    Gjergj Kastrioti, piktura e Rembrandit
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •