Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Xhevahir Zeneli: "Ika ne SHBA që të qeshnin fëmijët, po kthehem që të qesh dhe vetë"

    INTERVISTA/ Flet aktori i humorit dhe filmave artistikë Xhevahir Zeneli

    “Ika në SHBA që të qeshnin fëmijët, po kthehem të qesh edhe vetë”

    Albert ZHOLI

    Humori e ka mbajtur gjallë dhe në ditët më të vështira. S’e kish menduar kurrë se do të shkonte në emigracion, por ngjarjet e 1997-‘98, bënë që për hir të fëmijëve të merrte rrugën për në SHBA, pasi fitoi lotarinë si emigrant ekonomik. Jeta e vështirë si fillim e shkëputi nga arti, por më vonë ai filloi të aktivizohej në programet e festive të komunitetit shqiptar. Ardhja në Shqipëri e befasoi pasi nuk gjeti të funksiononte Estradën e Shtetit, atë institucion në të cilin u rrit dhe bëri emër. Sipas tij, gabimi më i madh është se nuk i ka numëruar rolet dhe pse fëmijët e kanë kritikuar për këtë neglizhencë. Fillimet e ardhjes ishin të vështira, por kur s’e priste ai ftohet nga regjisori Pluton Vasi, ku realizon dy filma artistikë. Tashmë është definitiv në Teatrin Kombëtar të Komedisë, ku kanë nisur dhe provat për komeditë e para.

    Si i gjetët miqtë e tu aktorë pas kthimit nga emigracioni në Amerikë?

    Pas kthimit nga emigracioni u befasova shumë nga jeta e artistëve dhe kolegëve të mi. Mbi të gjitha më habiti fakti që ishte mbyllur ai institucion i madh i humorit Estrada e Shtetit e Varietesë (Tiranë), që kam punuar për vite të tëra. Në atë vend gjeta një institucion tjetër, por nuk gjeta asnjë nga ish- shokët e mi të Estradës që me të vërtetë kam kujtimet më të bukura në jetë. Të gjithë humoristët e mëdhenj me të cilët kisha punuar o i gjeta pa punë, o i gjeta në profesione të ndryshme. Ngela i shokuar sepse ditët e para nuk dija as ku t’i gjeja. Estrada e Shtetit ishte një estradë me profesionistë të zotë, me aktorë potencialë, që i kanë dhënë shumë humorit shqiptar, që i kanë dhënë shumë hare popullit shqiptar, veçanërisht atij kryeqytetas.

    Me cilin nga ish- aktorët keni pasur lidhje më të ngushta. Lidhje miqësore, por dhe ndihmë profesionale?

    Ah, mos ma kujto. Miku im më i mirë ka qenë dhe mbetet Vasillaq Vangjeli. S’e besoj se nuk jeton më. Kur erdha e gjeta atë në shtëpinë e tij të kthyer në kafene. Ku ishte dhe pronar, por edhe kamerier. Ai gjigand i humorit ishte kthyer në një kamerier të thjeshtë. Madje, ai në raste të veçanta bënte dhe rolin e kuzhinierit! Kolegë të tjerë i gjeta pa punë. Ishte një situatë që më trishtoi që po i bëja thirrje vetes të rri apo të kthehem sërish.
    Dhe vendose të rrije. Pse?

    Sepse pikërisht në këtë moment më thërret që të bëhem pjesë e projekteve të tij filmike, miku im, skenaristi dhe regjisori Pluton Vasi. Me të realizova dy filma.

    Cilat ishin këta dy filma?

    Janë dy dhe të dyja me regji të Pluton Vasit. I pari, filmi “Maya” prodhim i vitit 2010, është historia e gruas që mban këtë emër. Ajo jeton me familjen në një provincë, ku të gjithë i njohin të gjithë dhe ku ka njerëz që duan të ngrihen mbi këtë kulturë survejimi. Skenari është shkruar nga Luljeta Lleshanaku. Interpretojnë: Rovena Lule, Genti Kame, Arben Derhemi, Alert Eloaliaj, Myzafer Zifla, unë dhe Mariana Kondi.

    Filmi i dytë?

    “Shqetësimet e një obezi”, me regji dhe skenar të Pluton Vasit, nën interpretimin e aktorëve, Marjana Kondi, unë dhe Arben Derhemi. Historia e filmit rrëfen dilemën e brendshme të një gazetari. Ai, teksa realizon një dokumentar mbi personalitetin e njeriut në Shqipëri, gjendet përballë njerëzish me personalitete të dyzuara, çka e shtyn të kuptojë, se tek e fundit, edhe ai vetë është i përfshirë në këtë vorbull. E ndërthurur me personazhin kryesor, një pjesë e rëndësishme e filmit është edhe arkiva e pasur me pamje filmike të hershme. Siç ka thënë vetë regjisori dhe skenaristi Vasi: “Filmi merr përsipër që të thotë të vërtetën. Çdokush nga ne ka një biografi. Këto janë dy filma që pas kthimit nga Amerika thuajse kam gjetur veten. Të dy këta filma ishin artistikë. E falënderoj Plutonin pasi ai më bëri të qëndroj në atdhe.

    Tani ju jeni pjesë e Teatrit Kombëtar të Komedisë si ndiheni?

    Ndihem i qetë. Jemi në fazën e fillimit të realizimit të projekteve pas thithjes së aktorëve dhe realizimit me teknikën e nevojshme. Aktualisht ne kemi dy komedi që i kemi në projekt për t’i realizuar.

    Kur keni filluar për herë të parë në Estradën e Shtetit?

    Pasi kam mbaruar Akademinë e Arteve nga viti 1981 deri në 1985 për dramë, bëra dhe zborin e famshëm për “t’u mbrojtur nga sulmi i imperializmit” (qesh), u emërova në Estradën e Shtetit. Të futeshe në atë Estradë në atë kohë ishte një sukses dhe vlerësim shumë i madh. Kishte emër të madh, por dhe aktorë klasi. U ndjeva i privilegjuar.

    Pikërisht, cilët ishin aktorët që t’i kishe për zemër apo idhuj dhe që u ndjeve i emocionuar që do të punoje me ta?

    Ishin shumë. Estrada e Shtetit kishte figura që sot nderohen si atëherë. Gjeta aty Skënder Sallakun, që kisha një konsideratë të veçantë, por gjeta dhe siç thashë Vasillaq Vangjelin që më hodhi dorën e mirësisë që në momentin e parë. Ishte ky aktor që më dha shumë nga vetja që kurrë si kisha gjetur në shkollë. Ai ishte njeri i mirë, aktor shumë i talentuar, njeri i tavolinës, njeri i fjalës së ëmbël. Pra, ishte viti 1986. Ishte një vit që deri diku kishte filluar liberalizmi.

    Cili ishte skeçi apo materiali i parë që ju bëri paksa me emër?

    Ishte një material që fliste për skematizmin në gazetari. Pra, në thelb kishte se si u gëzua minatori se i çuan një copë mineral kur kishte ditëlindjen. Pra ishte një skematizëm gazetaresk, që nuk përcillte asnjë realitet, pasi vetëm me mineral s’mund të gëzohej minatori, se mes mineraleve ishte rritur. Për këtë skeç edhe sot më takojnë në rrugë dhe më urojnë, pasi s’mund të kuptohet puna e gazetarit me skematizëm të tepruar pa asnjë farë krijimi. Krahas Estradës filluan kërkesat edhe në komedi edhe në filma, bashkëpunova me shumë regjisorë.

    Kush ta dha dorën i pari në filmin artistik?

    Ka qenë regjisori dhe aktori Rikard Ljarja. Ai më ofroi rolin e parë në filmin artistik në filmin “Kur hapen dyert e jetës”, më vonë në filmin “Rrethimi i vogël” . Ndërsa Sajmir Kumbaro më besoi një rol të veçantë, që sot ma përmendin të gjithë rolin e berberit. Tek filmi “Shkëlqim i përkohshëm” me regji të Albert Xholit kam luajtur rolin e një sportisti. Ky film është realizuar në Progonat të Tepelenës (nga është origjina jote) dhe në Përmet. Një sportist me ambicie që donte të largohej nga fshati, por pa sukses.

    Je ndjerë ndonjëherë keq në skenë?

    Sigurisht. Kemi pasur shumë , por aftësia e partnerëve ka bërë që të kalojnë këto momente. Me Skënder Sallakun, me Arben Shakën, por sidomos me Vasillaq Vangjelin, gjithmonë mund të kaloje situatat e vështira, pasi ata dinin sesi t’i kalonin. Ata ishin mjeshtra, aq sa situatat e vështira i kalonin me finesë sa spektatori s’i kapte kurrë. P.sh, në Krujë kur profesori im Gëzim Kame më beson një rol. Isha ende në shkollë. Atëherë, ishte si rregull që patjetër do të luaje në auditorët e universitetit edhe role të ndryshme. Pra, që në shkollë duhej të bëheshin shkëmbimet e eksperiencave mes pedagogëve dhe studentëve. Unë isha ndër ata fatlumë që luajta një pjesë tek drama “Mësuesi i letërsisë” me skenar të Rruzhdi Pulahës. Kjo vepër u quajt e avancuar për kohën. Me këtë pjesë, ne filluam të japim shfaqje dhe në qytete të ndryshme. Shkuam në Krujë dhe po bënim xhiro deri sa të fillonte shfaqja. Një orë përpara aktori Agim Shuke kishte bërë një aksident me motor. Ai kishte rolin kryesor. Shfaqja duhej të jepej patjetër. Pra, ai ishte roli i dramës. Biletat ishin shitur të gjitha. Për këtë arsye u bë një ndërrim rolesh në të gjithë dramën. U bënë dhe pse askush nuk i dinte tekstin e plotë se s’kishte dublant, por ne i dinim vetë pjesët e njeri -tjetrit. Dhe unë në këtë dramë interpretova një rol që s’ishte roli im. Rolin e Shukes e mori Agim Qirjaqi, ndërsa unë në rolin e Agim Qirjaqit. Në rolin tim kalon Gëzim Kame. Megjithë këtë boshllëk, ne sërishmi e realizuam shfaqjen me sukses. Në atë kohë Sekretar i parë i Krujës ishte Xhelil Gjoni. Ai na përgëzoi në mënyrë të veçantë. Kur i thamë të vërtetën ai s’e besoi dhe na shtroi një banket.

    Po nga rolet tuaja cili rol është më i evidentuari për ju dhe për spektatorin?

    Do të veçoja rolin e berberit. Kur kam realizuar atë rol gjithmonë më pas më kanë thirrur me atë emër dhe i dyti roli i sportistit Dane, portierit të Progonatit që donte të shkonte në qytet me çdo kusht. Këto janë dy rolet që spektatorët m’i vënë gjithmonë në dukje. Por edhe roli i minatorit është evidentuar tek unë.

    Kur u ktheve nga Amerika, e ndjetë respektin e spektatorit rrugëve të Tiranës?

    Po. E kam ndjerë. Por dua të them se më shumë mall kam pasur unë. Në Amerikë nuk mund të punoja në profesionin tim vetëm në raste festash kur bënim organizime të ndryshme. Por e gjeta ngrohtësinë të nesërmen e mbërritjes kur filluan përshëndetjet e rastit. Emigracioni s’më kishte hequr plotësisht nga kujtesa e fansave të mi. U ndjeva mirë.

    Pengu ekziston tek Xhevahiri?

    S’ka artist pa pengje. Unë kam ikur nga Tirana kur isha duke vënë në skenë një rol me regjisorin Kiço Londo. Ishte viti 1998. Ky ishte roli i fundit sepse më doli lotaria dhe nuk mund ta neglizhoja për të ardhmen e fëmijëve. Ndoshta ato pengje që kam do t’i realizoj.

    Përse kanë më shumë nevojë shqiptarët sot?

    Për humor. Shoh që në fytyrat e tyre ka pak gëzim, pak fytyra të qeshura, pak optimizëm. Dhe ne na del detyrë të dhurojmë sa më shumë humor. Hallet, problemet kanë bërë që shqiptarët t’i kenë lotët si me rubinet.

    Largësia ta ka shtuar apo zbehur dëshirën për skenën?

    Ma ka dyfishuar dëshirën për të qenë në skenë. Tani kam eksperiencë tjetër. Kam parë botë me sy, kam mësuar më shumë dhe mendoj se mund të jap më shumë. Jam në momente që kam shumë për të dhënë. Emigracioni më mësoi shumë gjëra. Por dhe puna me kolegë të ndryshëm më kanë pjekur artistikisht.

    Është e vështirë të jesh artist sot?

    Sigurisht. Profesioni jonë ka pak hapësira sot. Ekonomia e tregut ka rregulla të reja loje. Duhet të mbijetosh me vështirësi, me punë pa orar. Por përsëri problemet i kemi më të kapërcyeshme se profesionet e tjerë.

    Si do ta komentoni sot ikjen në emigracion dhe kthimin sërish?

    Unë jam munduar të bëja njerëzit për të qeshur, por po iki (pra kur ika në SHBA) që të qeshin fëmijët e mi. Ikja ime ishte në vitin 1998 në ato rrëmujëra, u shërbeu fëmijëve që u shkolluan mirë. Ndërsa sot fëmijët e mi po qeshin, unë po kthehem që të qesh vetë.

  2. #2
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897
    ky paska bere mire qe qenka kthyer se la name ketu.Vinte verdalle kush ti jepte ndonje fernet ne kafenete shqiptare.Degraduar komplet.Kisha kohe pa e pare dhe nuk e dija a ishte gjalle.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    FORUM/ Flasin Luftar Paja, Arqile Lipe dhe Xhevahir Zeneli

    Shqiptaret sot kanë nevojë për të qeshur


    Albert Zholi

    Humori (lat. humor = lagështi) është aftësia ose cilësia e njeriut për të shkaktuar të qeshurin dhe zbavitjen e njerëzve të tjerë nëpërmjet sendeve, ose rrethanave. Humori mund të përkufizohet edhe si gjetja (vërejtja) dhe shprehja e qesharakes në një rrethanë apo send. Humori përfshin një formë zbavitjeje apo komunikimi njerëzor, i cili shkakton ndjenja kënaqësie, ose i bën njerëzit të qeshin ose të ndjehen të lumtur. Ndjenja e humorit është aftësia për ta përjetuar humorin, një cilësi që çdo njeri e zotëron, megjithëse shtrirja me të cilën një individ do ta gjejë diçka qesharake varet nga një bartës të vetëm dhe ndryshore përkatëse, duke përfshirë, por jo të kufizuar me vendndodhjen, kulturën, pjekurinë, nivelin e arsimimit dhe përmbajtjen. Pikërisht kjo u mungon shqiptarëve sot. Si një vend i dalë nga sistemi totalitar, ku hallet në një pjesë të shoqërisë që s’mund të sigurojnë as bukën e gojës ka marrë përmasa drastike, ajo që u mungon më shumë është humori. Le ta thonë me gojën e tyre disa nga aktorët më në zë shqiptarë se çfarë u mungon shqiptarëve më shumë sot dhe çfarë është humori në përgjithësi.

    Luftar Paja
    Jetojmë në një sistem, ku jeta bëhet gjithnjë dhe më shumë individuale. Shqipëria ka qenë historikisht një vend, ku qeliza bazë e shoqërisë familja ka qenë e bazuar mbi shtëpi vëllazërore, ku të gjithë vëllezërit dhe motrat banonin në një shtëpi. Tashmë shihet se dhe në vendet urbane në vendin tonë po shkohet drejt familjes në çift duke ju larguar traditës. Në këtë sistem njeriu është bërë më individual, më i larguar nga jeta e përbashkët më i ftohtë në marrëdhënie fisnore. Në këtë konceptim të ri jetësor njeriu duket më i ftohtë dhe ka më shumë nevojë për argëtim sidomos për humor. Por humori nuk duhet të jetë një humor skematik, i ndërtuar mbi banalitete dhe mbi zhargone. Duhet një humor inteligjent, me fabul bashkëkohore dhe me një mesazh të qartë. Kryesore është dhe shpërndarja e premierave dhe programeve me humor. Ato duhet të jenë në të gjithë televizionet dhe në orare të ndryshme. Sot ka pak humor, pak hapësira për humoristët, pak komedi. Tashmë është ngritur dhe Teatri Kombëtar i Komedisë. Ky hap i qeverisë duhet përshëndetur. Por ky teatër vepron vetëm në Tiranë. Humor duan edhe në Konispol edhe në Vermosh. Në këtë rast televizioni dhe radioja janë më masiv. Aktualisht streset e njerëzve janë rritur, problemet ekonomike, lufta për mbijetesë ka marrë përmasa drastike. Për këtë qëllim ajo që duhet në çdo familje është humori. Për këto arsye është domosdoshmëri për largimin e stresit, por edhe për të pasur një grumbullim familjar para ekranit dhe teatrit në Tiranë. Psikologë të ndryshëm janë shprehur se ilaçi më i mirë për largimin e stresit është humori. Mendoj se, duhet të punohet shumë në këtë drejtim. Ndoshta nuk ka një planifikim apo një politikë të mirëfilltë për ideimin e emisioneve apo spektakleve për humorin, por le të jetë një përpjekje e vetë televizioneve dhe radiove që të ideojnë dhe shumojnë emisione të tilla. Sot më tepër se kurrë shqiptarët kanë nevojë për humor.

    Xhevahir Zeneli
    Për se kanë nevojë shqiptarët sot?! Për humor dhe sa më shumë humor. Shoh që në fytyrat e tyre ka pak gëzim, pak fytyra të qeshura, pak optimizëm. Dhe ne na del për detyrë të dhurojmë sa më shumë humor. Hallet, problemet kanë bërë që shqiptarët t’i kenë lotët si me rubinet. Rrugëve të Tiranës sapo u ktheva nga Amerika shihja fytyra të vrara, të vuajtura, të heshtura (se tani që kam disa muaj s’më bëjnë përshtypje) që nuk dinë çfarë kërkojnë. Në USA kishte programe specialë vetëm me humor. Të gjitha TV kishin emisione apo spektakle të tillë. Humori është gjella më e mirë për stresin dhe kalimin në mënyrë optimiste të kohës së lirë. Por me këtë s’dua të them që të abuzohet me humorin. Humori do kalemxhinj të aftë, të përsosur, të njohin realitetin që të sjellin problemet e ditës, problemet më të spikatura. Humori është dhe kritikë dhe e qeshur dhe mësim. Po, po mësim. Ke se çfarë mëson nga një humor inteligjent. Satira ka në thelb goditjen e fenomeneve negative dhe përgatitjen e një terreni për t’i larguar përfundimisht nga shoqëria njerëzore. Dua të them se pa humor dita duket e vakët, pa ritëm, pa tharm, e njëtrajtshme pa emocion. Besoj se, me hapjen e Teatrit të Komedisë spektatori i Tiranës do të ketë më shumë humor, më shumë të qeshura. Unë u them njerëzve qeshni se lumturoni veten dhe të tjerët. Shqiptarët kanë nevojë çdo ditë për humor.

    Arqile Lipe
    Kam jetuar shumë vite në Greqi. Në Athinë kishte shumë teatro private dhe shtetërore. Komedia aty ishte shumë e zhvilluar. Sigurisht dhe filma humoristikë kishte shumë dhe në shumë kanale televizive. Nuk mund të konceptohej jeta në Athinë pa komedi dhe teatro, apo jetë nate në buzukë. Kishte shumë variacione. Edhe në regjimin komunist në Fier kishte aktivitet. Teatri dhe Estrada e Fierit kanë qenë ndër më të mirat në vend. Sot po bëhen përpjekje për të bërë humor në disa spektakle televizive, por të jem i sinqertë nuk ka cilësi. Ka zhurmë zhargone në skeçe apo në komedi. Nuk ka kritikë dhe kontroll mbi tekstet. Shumë herë humori banal të largon nga ekrani. Jemi një popull që tashmë po jetojmë një sistem të ri ekonomiko- shoqëror. Jemi një vend që historikisht e kemi dashur humorin. Nuk mund të perceptohet jeta e shqiptarit pa humorin. Tashmë në Fier po punohet shumë nga Bashkia e qytetit, kryesisht nga Kryetari i Bashkisë, z. Baftjar Zeqo për të pasur një aktivitet të ngjeshur teatror, me aq mundësi sa ka. Por sot mungojnë dhe tekstet, libreti. Nuk punohet dhe shumë herë merren komeditë e huaja. Kjo dhe për vetë faktin se libretistët apo autorët e tekstit s’marrin aq sa dëshirojnë. Kështu që pjesët e autorëve shqiptarë janë të pakta. Edhe unë si aktor i humorit dua në kohë të lirë të shoh në televizione apo të dëgjoj në radio pjesë humoristike. Humori të zgjat jetën, të heq disi vëmendjen nga hallet. Për ta thënë fiks fare, ne si popull na duhet shumë humor. Aktualisht na mungon shumë humori si në televizione e në radio, por edhe në teatrot e qyteteve kryesore. Humori mbetet humor, çelësi i gjithçkaje të bukur. Kur je në humor punon mirë, ha mirë ke mendje të freskët. Rroftë humori!

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Xhevahir Zeneli: "Ika ne SHBA që të qeshnin fëmijët, po kthehem që të qesh dhe vetë"

    Xhevahir Zeneli me Adi Krasten


Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •