Rënia e Gjethit Ilir
Libërth për fëmij, me personazhe gjethet e një peme, në shqip i dedikohet atyre fëmijëve që kanë humbur të afërm gjatë luftës në Kosovë. Një tregim i shkurtër që shërben gjithashtu edhe për ata të rritur që e kanë vështirë ta pranojnë dhimbjen e ndarjes e të humbjes së njerëzve më të dashur. Këtë libërth përktheu Feridja (aka Mjellma) e forumit nga origjinali në anglisht i autorit Leo Buscaglia, dhe pas një mundimi të madh për të siguruar mbështjetjen financiare arriti ta shtypi e shpërndaj Verën e kaluar në Kosovë.
Kanë kaluar gati-gati dy muaj pasi Feridja u nda nga ne që e njihnim, e tashmë është diku, frymëmerr e jeton diku, siç është ende e gjallë në kujtesën tonë. Trishtohem sa herë e kujtoj, e më bëhet mos të flas, por më ngushëllon kujtimi i saj, karakteri i çiltër i Ferides, hajgaret që bënte, të fortat kur acarohej me dikë, apo mbështetja morale që të jepte kur ishe i trishtuar. E nëse ka pasur dëshirë kryesore ndër dëshirave të saj, ajo ka qënë "t'i shihte të gjithë të gëzuar." Nuk i pëlqenin sytë e trishtur e të përlotur Ferides. Një zemër, veç një zemër e madhe si e Ferides mund ta mbante gjithë atë jetë e dashuri për vetë jetën. E ndaj me mundin e saj të madh për të publikuar një libërth të vogël që t'i ngushëlloj zemrat e vuajtura nga ndarja, ajo deshi t'i thyej kthetrat e dhunshme të vdekjes duke dhënë një mesazh... "vdekja është pjesë e jetës."
E ndoqa gjatë punës së saj për publikimin e këtij libërthi, por s'e prisja kurrë kumtesën e tij si ngushëllim për ikjen e Ferides. Sa herë kam folur me Feriden për kuptimin e librit... kur morra lajmin e hidhur s'më besohej se ishte e vërtetë... të shërbente si ngushëllim edhe për ikjen tënde motrushe?... E nëse vërtetë e kemi dashur Feriden, atëherë duhet ta pranojmë kumtesën e saj të fundit, t'ia bëjmë qejfin motrushes tonë kudo ku të jetë tani. Megjithëse na trishton, por Feridja prehet e qetë në vëndin e saj të lindjes tash, në mëmëdhe.
"Kur ke shëndet i ke të gjitha," është fjalia e fundit që më tha Feridja pak ditë përpara se të ikte.
Tungjatjeta (Ju zgjastë jeta)
Drini.
Krijoni Kontakt