Publikuar: 06.01.2012 - 09:34
Prishtinë, 6 janar - Klubi i futbollit Prishtina vlerëson se ka kapacitet financiar për t'u paraqitur me sukses në Superligën e Shqipërisë. Prishtina ka paraqitur kërkesë zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit për t'u bërë pjesë e kategorisë superiore të këtij vendi. Garimin në edicionin 2012/2013 të Superligës shqiptare, drejtuesit e Prishtinës mendojnë se mund ta mbulojnë me plot sukses, ndonëse deri më tash kanë shpenzuar më pak se klubet më të dobëta të Superligës së Shqipërisë.
Edicionin 2010/2011 Prishtina ka shpenzuar pak mbi 200 mijë euro. Këtë e kishte bërë të ditur më herët për gazetën nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi. Ndërkohë, që klubet më të vogla të kategorisë superiore të Shqipërisë, sipas shkrimeve të medieve në Tiranë, për një edicion shpenzojnë të paktën 250 mijë euro.
Prishtina ka kërkuar që pjesë e Superligës së Shqipërisë përveç saj të bëhet edhe një klub tjetër kosovar. Por, klubet tjera nga Kosova duhet të kenë buxhet disa herë më të madh se që kanë aktualisht për të mos u koritur në Superligën e Shqipërisë, nëse ideja e Prishtinës gjen realizim. Buxheti i klubeve të tjera kosovare është dukshëm më i vogël nga ai që e deklaron Prishtina.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Hysi, edicionin e kaluar kur arriti të shpallej kampion i Kosovës, shpenzoi rreth 110 mijë euro, pati bërë të ditur vetë pronari i klubit, Hysen Sadiku. Drejtues tjerë të Hysit kanë bërë të ditur se buxheti për edicionin 2011/2012 është më i vogël se ai i edicionit të kaluar. Hysi vlerësohet ndër klubet më stabile financiarisht në vend.
Shumica e klubeve të Superligës së Kosovës buxhetin vjetor e kanë më të vogël se 100 mijë euro, derisa në Superligën e Shqipërisë klubet më të forta shpenzojnë edhe mbi një milion euro brenda një viti, si puna e Skënderbeut të Korçës këtë dhe stinorin e kaluar.
Krijoni Kontakt