25 Korrik 2012 - 14:00 | Shqiperi
Pronat, konflikt me armë në plazh, vriten 2 persona, plagosen nënë e bir
KAVAJË- Dy të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë me motiv një konflikt të vjetër pronësie të nisur 5 vite të ndodhur mesditën e sotme në zonën e ‘Malit te Robit’, në Kavajë.
Si pasojë e konfliktit me armë zjarri ka mbetur i vdekur Sulejman Shehu 53-vjec dhe Durim Pashallari, ndërkohë që janë plagosur nënë e bir, Erjon dhe Beglije Shehu, 53-vjec. (Mësohet se shtetasi Suljeman Shehu i cili ka mbetur i vdekur, është babai i Erjonit dhe bashkëshorti i Beglies).
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e sotme pranë një moli në ndërtim e sipër në zonën e 'Malit të Robit’, pranë një fshati turistik, duke shkaktuar panik tek pushuesit, ndërkohë një autoambulancë e nisur drejt spitalit të Durrësit ka transportuar personat e plagosur. Bluzat e bardha bënë me dije se shtetasi Erjon Shehu ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, ndërkohë që nëna e tij në gjendje më të mirë.
Policia ka ndaluar pak minuta më vonë autorin e vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë, shtetasin Ardian Traka. Grupi hetimor i ngritur menjëherë ka nisur punën për marrjen në pyetje të pushuesve, ndërkohë që do merret në pyetje edhe autori.
Hetimet
Nga hetimet paraprake mësohet se bëhet fjalë për një konflikt të hershëm për një platformë, e cila po ndërtohet shumë pranë molit ku ka ndodhur vrasja dhe plagosje e dyfishtë. Policia bën me dije se Adrian Tragaj dhe Sulejman Shehu ndodhen në konflikt për pronën prej 5 vitesh. për 1.5 ha tokë në bregdet, në pjesën ku ndodhi edhe krimi i rëndë mesditën e sotme.
Inspektorë, prokurorë dhe forca të shumta kanë mbërritur në vendngjarje, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë policia ka ngritur postblloqe të shumta, pasi dyshohet për persona të tjerë të përfshirë ne konflikt.
Dëshmitarët: Autori mori armën në banesë pasi u dhunua
Dëshmitarë nga vendngjarja kenë bërë të ditur për News24, se konflikti midis 4 shtetasve ka nisur në orët e para të mëngjesit.
Dëshmitarët bëjnë me dije se 3 anëtarët e familjes Shehu kanë dhunuar autorin, i cili në nxehje e sipër ka shkuar në shtëpi duke u larguar me armën me të cilën kreu krimin.
Njoftimi i plotë i policisë për ngjarjen në Kavajë
Ditën e sotme në afërsi të Malit të Robit në Golem Kavajë ka ndodhur një ngjarje e rëndë me armë zjarri ku për pasojë kanë gjetur vdekjen shtetasit Sulejman Shehu dhe Durim Pashallari respektivisht të moshave 49 dhe 50 vjec si dhe janë plagosur shtetasi Erjon Shehu dhe nëna e tij Beglie Shehu.
Në vendngjarje shkuan menjëherë, Oficerë të Policisë për Hetimin e Krimeve të Rënda të Policisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, Ekspert Kriminalist, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat.
Nga kronologjia dhe hetimet paraprake të ngjarjes, rezulton se fillimisht konflikti ka nisur ndërmjet shtetasve Durim Pashallari, roje i objektit ku ndodhi ngjarja (objekt i cili është në pronësi të shtetasit Ardian Traga) dhe Sulejman Shehu, punonjës i një Shoqërie të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike në Tiranë.
Ndërkohë në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Erjon dhe Begle Shehu (kjo e fundit bashkëshortja e Sulejman Shehut), vëllezërit Ardian, Emiljano dhe Erjon Traga, si dhe dy djemtë e Sulejman Shehut, aktualisht te ndaluar nga Policia. Konflikti ka përfunduar me të shtëna armësh dhe me pasoja sa sipër.
Për hetimin e kësaj ngjarje, aktualisht është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po kryen procedurat e marrjes në pyetje e veprimeve të tjera hetimore dhe proceduriale, ku paraprakisht dyshohet se ngjarja e rëndë ka ndodhur për motive të pronësisë.
Aktualisht është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, shtetasi Ardian Traga.
Lidhur me zhvillimet e mëtejshme hetimore të kësaj ngjarje të rëndë do t’ju informojmë në kohë.
(e.m/BalkanWeb)
Krijoni Kontakt