Opinion, Shekulli Sot|05/02/2012 09:00

Megi Jakici
Nga Eglantina Bardhi*
Ajo nuk e fshihte kurrë buzëqeshjen nga fytyra e ëmbël dhe e pafajshme. Vështrimi i saj ishte aq i pastër dhe i kristaltë sa ishte vështirë të mos e donin të gjithë me mirësinë që rrezatonte.
Gjithnjë ishte e dashur dhe po aq e trishtë sa edhe fundi që kishte. Hidhte lehtë hapat e saj në vrapin që merrte çdo mëngjes për të kapur orarin e punës dhe mbrëmja e sillte sërish Megin me buzëqeshjen e brishtë që nuk i ndahej nga portreti për asnjë moment edhe pse e lodhur nga orët e tejzgjatura të punës.
E veshur me bluzën e bardhë, poshtë së cilës fshihej edhe një shpirt i bardhë, Megi ishte dentistja më e dashur, sidomos për fëmijët. Ajo njihte të gjithë personazhet e filmave për fëmijë dhe sekreti i saj për t’i ulur në poltron me dëshirë dhe pa dhimbje pacientët e vegjël ishte pikërisht mjeshtëria për t’u futur në botën e tyre.
E ndërsa lodhja dhe sfilitja e punës dhe e problemeve të shumta nuk e mposhtën kurrë, sepse ajo i sfidonte me gjallërinë e saj, të vetmen fobi që kishte, krismat e armëve, nuk mundi t’u bëjë ballë. As në filma nuk i shikonte dot. Sikur ta parandiente se do të jepte shpirt pikërisht nga një plumb në nofull duke i shkatërruar dhëmbë e dhëmballë, për ato të cilat punonte nga mëngjesi në darkë me pacientët e saj.
“I kam fobi. Edhe kur dëgjoj për armë, më rrëqethet trupi. Është e vetmja frikë që kam në këtë botë”, – më thoshte Megi tek gjenim pak kohë ndonjë të dielë dhe shkëmbenim ndonjë fjalë.
Por, ti mike nuk e dije se do të ishin pikërisht plumbat që do të fishkëllenin mbi ty dhe njëri do të të përzgjidhte për të të dërguar në botën tjetër. Nuk e dije, sepse nuk kishe bërë kurrë faj, sepse ti nuk dije të urreje, sepse ti ishe vajza e dashur për të gjithë dhe vetëm mirësia mbizotëronte tek ti Megi.
Në fakt, tek mendoj thellë për mënyrën se si ike, edhe pse ishe e veshur me mirësi, mendoj se ti Megi ishe mike e paftuar në një botë të egër e të padrejtë. Këtu nuk paska vend për njerëz të dëlirë si ti.
Më fal që duhet të përdor fjalën urrejtje, sepse ti nuk e njihje dhe nuk e doje këtë fjalë, por mua më duhet të them se i urrej ata që të qëlluan. Urrej këtë vend ku fajtorët zhduken si hije gjithmonë në drejtim ta paditur dhe faji mbetet jetim. Urrej edhe situatën e rëndë këtu në lagje se fëmijët që ti doje aq shumë, pyesin “Ku është Megi?”, por e nuk dimë se çfarë t’u themi. E vetmja gjë që më mbetet për të thënë është: “Lamtumirë, Megi”.
*Gazetarja Bardhi, ishte fqinjë me të ndjerën Megi Jokiçi
Krijoni Kontakt