Shqipëria e De Biazit e nis me humbje, dy penallti kundra
E mërkurë, 29 shkurt 2012, ora 15:00
Stadiumi “Mikhail Meskhi”, Tbilis
Ndeshje miqësore
Gjeorgji – Shqipëri 2-1
Golat: Kobakhidze 48′, Amisulashvili 87′/ Çani 3′
Gjeorgjia: Revishvili, Khizanishvili, Amisulashvili, Kashia, Grigalava , Duashvili (Gelashvili 46′), Ananidze (Kenia 75′), Kvirkvelia (Grigalashvili 89′), Kobakhidze (Targamadze 46′), Kankava , Dvalishvili (Martsvaladze 57′)’. Trajner: T.Ketsbaia
Shqipëria: Ujkani (Shehi 87′), Lila, Dallku, Veliu (T.Osmani 87′), Agolli, Bulku (Bakaj 76′), Roshi, Vila, Hyka (Zeqiri 55′), Muzaka (G.Lika 87′), Çani (Sadiku 82′). Trajner: De Biazi
Gjyqtarë: G.Sidenco, O.Molchanov, V.Gorbatov (Moldavi)
Kartonë të verdhë: Kankava / Bulku, Lila, Vila
Minutat
00′- Po ekzekutohen himnet e të dyja shteteve, të Gjeorgjisë dhe Shqipërisë.
1′- Nis ndeshja me gioditjen e topit të parë nga kuqezinjtë tanë.
2′- Goditje këndi për Gjeorgjinë, ekzekutuar nga Dvalishvili, topi largohet nga kapiteni i Shqipërisë, Ervin Bullu.
3′- Shqipëria kalon në epërsi me anë të sulmuesit Edgar Çani, i cili shkëputet bukur në zonën e vendësve dhe shënon. 1-0 për kuqezinjtë.
4-10′- Janë minuta të kujdeshsme për tanët, ndërsa gjeorgjianët mundohen të reagojnë pas pësimit të golit, por pa e rrezikuar dot portierin Ujkani.
13′- Goditje dënimi për Gjeorgjinë, ekzekutuar nga Ananidze, por pa problem për mbrojtjen tonë, që largon rrezikun nga zona e rreptësisë kuqezi.
14′- Goditja e parë nga këndi për Shqipërinë, që ekzekutohet nga Hyka, por spasrton zonën e vet mbrojtja vendëse.
19- Lila fut një top të gjatë për Çanin, por ky i fundit mbulohet rreptë nga tre mbrojtës gjeorgjianë, që i ndërhyjnë fort, por gjyqtari vazhdon lojën, nuk ka goditje dënimi për tanët mbi vijën ballore të vendësve.
22′- Ervin Bulku lëshon një predhë nga distanca, pas topit të kthyer në hyrje të zonës gjeorgjiane nga mbrojtja vendëse, por pa shënjestrën e duhur.
24′- Dvalishvili sjell pështjellim në mbrojtjen tonë, lirohet disi te pika e penalltisë, gjuan fuqishëm, por topi kalon mbi traun e portës së Ujkanit.
29′- Penallti për Gjeorgjinë. Një ndërhyrje e Franc Veliut konsiderohet e parregullt nga kryesori moldav i ndeshjes, i cili drejton dorën te pika e bardhë. Ka kontestime të kuqezinjve, por penalltia “shumëzohet me zero” nga Sajmir Ujkani, me dy ndërhyrje, që bllokon Dvalishvilin.
33′- Martsvaladze tenton me një gjuajtje nga larg, por topi përfundon shumë larg kuadratit të mbrojtur nga Samir Ujkani.
35′- Një pasim i zgjuar pas krahëve të mbrojtjes gjeorgjiane nga Odise Roshi, nga e djathta e mesfushës sonë, por kupton gjithçka portieri vendës, që del në kohë, duke ia hequr mundësinë e rrezikimit sulmuesit të deklaruar kuqezi, Edgar Çani.
42′- Një goditje e fortë e gjeorgjianëve godet në fytyrë Emiljano Vilën, i kthyer në prapavijën tonë, e trullos disi atë, por pa problem serioz për mesfushorin kuqezi.
44′- Veliu nis në një kundërsulm Edgar Çanin, që arrin t’i shpëtojë pozicionit jashtë loje dhe shkon në këndore, nga e djathta e sulmit tonë. Kroson topin në zonën vendëse, ku Muzaka, me thembër, e fut sërish në veprim, por nuk ka mbështetjen e shokëve të skuadrës për ta vazhduar aksionin.
45′- Dy minuta shtesë akordon gjyqtari i katërt, që nuk sjellin ndonjë ndryshim në rezultat. Kuqezinjtë shkojnë me epërsinë 1-0 në dhomat e zhveshjesm për pushimin mes dy pjesëve .
46′- Nis pjesa e dytë, pa asnjë zëvendësim për Shqipërinë, ndërsa Gjeorgjia ka bërë menjëherë dy të tillë.
48′- Ansi Agolli gabon në largimin e një topi të nisur në formë kundërsulmi nga vendësit, duke lejuar sulmuesit gjeorgjianë të dalin në pozicion të volitshëm përballë Ujkanit. Targamadze, i futur në pjesën e dytë, pason bukur për te Kobakhidze, i gjendur te pika e penalltisë, që gjuan fort dhe barazon rezultatin 1-1.
54′- Goditje dënimi për Gjeorgjinë, mbi vijën e 16-metrave të kuqezinjve. Topi godet murin e ngritur nga tanët dhe evitohet rreziku.
55′- Ndërrimi i parë i De Biazit. Del nga loja Hyka, që zëvendësohet nga Hair Zeqiri.
61- Lila nis nga krahu i djathtë i sulmit tonë Roshin, në një sprint shpetësie me Grigalava, që frenon shqiptarin e Këlnit në inkursionin e tij.
64′- Goditje dënimi për vendësit, topi harkohet në zonën tonë, ku Amisulashvili ngrihet më lart se kuqezinjtë në ajër, godet me kokë, por fatmirësisht jashtë kuadratit të Ujkanit. Që gjithsesi ishte në pozicion.
70′- Bulku nuk mbyll dot një aksion me pasim të saktë te Çani, duke shpërdoaruar një mundësi të mirë në pjesën e dytë, e para e këtij lloji për tanët.
76′- De Biazi bën një tjetër zëvendësim. Nxjerr kapitenin Bulku, që ka shpenzuar shumë deri më tani, duke futur Elis Bakajn. Më shumë fantazi në formacionin tonë, tashmë.
79′- Edgar Çani lëshon një predhë nga rreth 20 metra largësi, topi adresohet në trekëndëshin e djathtë të portierit vendës, Revishvili, që reagon mrekullisht, duke i evituar golin e dytë skuadrës sonë.
81- Del nga loja Edgar Çani, i zëvendësuar nga elbasanasi i Lokarnos, Sadiku.
87′- Penallti për Gjeorgjinë, e dyta në këtë ndeshje. Ujkani bën dy pritje edhe në këtë rast, por topi goditet tri herë radhazi nga vendësit, që nuk markohen në zonën tonë nga kuqezinjtë, duke em kthyer në tabelë qitjeje Ujkanin. I cili më në fund pëson golin e dytë.
92′- Goditje dënimi për Shqipërinë, e fituar nga Eklis Bakaj, që ekzekuton po vetë, por pa produktivitetin e duhur.
95′- Pas pesë minutash shtesë mbyllet ndeshja miqësore, me fitoren e vendësve, 2-1.
Komenti
Nuk mund të niste më mirë debutimi me fanellën kuqezi për sulmuesin Edgar Çani. Nuk mund të niste më mirë ndeshja miqësore e Shqipërisë në Tbilisi, ndaj Gjeorgjisë. Por, nuk kishte fat më të keq mbyllja e kësaj sfide, teksa kemi provuar në kurriz dy penallti dhe një përmysje në favor të vendësve. Goli për kuqezinjtë ka dalë në dritë që në minutën e tretë të lojës, kur një humbje e topit në mesfushë nga vendësit është kthyer në kundërsulm të shpejtë dhe të befasishëm të tanëve, që konkludojnë me anë të sulmuesit të vetëm të deklaruar nga fillimi i miqësorëes në fjalë, Edgar Çani. Një shtysë e madhe psikologjike për kombëtaren e Shqipërisë, për të besuar në forcat e veta, në filozofinë e lojës së trajnerit De Biazi, që ka hedhur në fushë një formacion sa mbrojtës, aq edhe sulmues, që mbrohet me forca të shumta, por edhe sulmon i përforcuar. E kemi nisur me presing ndeshjen, duke dhënë idenë se luanim në fushën tonë, jo në Tbilisi, në shtëpinë e gjeorgjianëve. Që kuptojnë shpejt se do të kenë punë me kuqezinjtë tanë, tepër të karikuar dhe të mirëvendosur në fushë. Goli i pësuar shumë shpejt ka dhënë efektin e pritshëm negativ te vendësit, që mundohen të reagojnë, por ndeshin në bllokadën e kuqezinjve, që në mesfushë. Aty ku Ervin Bulku kthehet në një barrikadë thuajse të pakalueshme për gjeorgjianët. Bulku është në një ditë të shkëlqyer sportive, bën jo vetëm kapitenin e tanëve, në mungesë të Lorik Canës, por edhe liderin. Duke ruajtur ekuilibrat mes dy reparteve të skuadrës sonë, mbrojtjes dhe mesfushës. Ai sikur i fton shokët e skuadrës të mos tolerojnë. Dhe Shqëipëria e De Biazit, minutë pas minute, tregon se i është imponuar formacionit të Temuri Ketsbaia, i cili shfryn në stolin e Gjeorgjisë. Sepse skuadra nuk i përgjigjet në fushën e lojës, meritë kjo edhe e qasjes taktike dhe vendosmërisë së kuqezinjve tanë, që duan t’i dëshmojnë De Biazit se janë “shqiponja” të vërteta. Dhe vjen minuta e 29-të e miqësores, kur mbrojtja jonë gjendet për herë të parë në vështirësi. Franc Veliu, në rolin e qendërmbrojtësit në këtë ndeshje, krahas Dallkut, mundohet të largojë një rrezik në portën e Ujkanit. Por, në tentativë për të spastruar zonën tonë, shkakton një ndërhyrje të gabuar, sipas gjyqtarit të ndeshjes, kështu që ndëshkohet me penallti. Eshtë momenti për ta treguar veten edhe Sajmir Ujkani, që përballë Dvalishvilit reagon mrekullisht, në dy herë, duke e mbajtur të paprekur portën tonë. Momenti i dytë pozitiv psikologjik për Shqipërinë, që merr një tjetër “impuls” për ta vijuar miqësoren në lartësinë e duhur.
Pjesa e dytë nis me fat të kundërt për Shqipërinë. Nëse në fraksionin e parpjesën e parë e gjetëm ne shpejt golin, tashmë është radha e gjeorgjianëve ta bëjën këtë gjë. Pikërtisht në minutën e 48-të barazojnë shifrat me të futurin në pjesën e dytë, Targamadze, që shfrytëzon një gabim të Agollit në spastrimin e zonës kuqezi. Duket qartë se Ketsbaia i ka udhëzuar të tijtë të sulmojnë me forca të shumta, të ushtrojnë presing në mbrojtjen tonë. Ka alarm në prapavijën e Shqipërisë, që nuk gjen dot qetësinë e duhur për të rikthyer ekuilibrat në fushën e blertë. Edhe mesfusha jonë nuk po funksionin më si në fraksionin e parë, kjo edhe për shkak të ritmit të lartë që imponojnë vendësit me lojën e tyre. De Biazi, duke parë se Hyka nuk po e bënte si duhet rolin e tij, e zëvendëson atë me Hair Zeqirin. Një tjetër debutues në këtë miqësore. Gjeorgjia ka ndryshyar mënyrën e lojës tashmë, duke aplikuar topin e gjatë, nga mbrojtja në mesfushë, për të evituar kësisoji edhe postbllokun e mesfushës sonë. Ndaj të cilit vuajti aq shumë në pjesën e parë. Nga ana e tij, trajneri De Biazi, pas çerekorëshit të parë të fraksionit të dytë vendos të shtojë forcat organizative në fushë. I tillë mund të konsiderohet edhe largimi i Bulkut për Bakajn. Ky i fundit njhet për aftësitë e tij në ndërtimin e aksioneve sulmuese, por edhe në goditjet nga distanca dhe konkludim, që do të thotë se do t’i bashkangjitej Edgar Çanit në misionin për të shënuar në portën e vendasve. Sidoqoftë, Bakaj nuk ka arritur të shkrihet shpejt në lojën e kuqezinjve, duke mos dhënë ndikimin e pritshëm. Pak minuta në dispozicion të Armando Sadikut ka rezervuar trajneri De Biazi, teksa në minutën e 81-të nxjerr autorin e golit për Shqipërinë, Edgar Çanin, duke futur në lojë elbasanasin e Lokarnos. Edhe ky bën kështu debutimin e tij me kombëtaren e madhe, pasi ka provuar të veshë fanellën kuqezi të Shpresës. Por, pa sjellë ndonjë gjë konkrete për këtë miqësore. E cila pati dy tabllo, një pjesë të parë shumë poitive për kuqezinjtë, ndërsa në të dytën me vuajtje, me një fund të hidhur, edhe për shkak të vendimeve të kontestueshme të kryesorit të ndeshjes. Që dha dy penallti kundër tanëve, që nuk janë pak, aq më tepër që goli i dytë erdhi pas një prekje me dorë të topit nga ai që e dërgoi në rrjetën e Ujkanit, pasi ky i fundit e priti dy herë.
Si e nisi taktikisht lojën Shqipëria
Shqipëria luajti ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2012, ndërkohë që debutim në krye të kuqezinjve bënte edhe trajneri italian, De Biazi. Luhej në Tbilisi, ndaj kombëtares së Gjeorgjisë, me të cilën nuk i kemi të pakta përballjet, qofshin zyrtare, apo miqësore. Bilanci fliste pozitivisht për gjeorgjianët, të cilët na kanë mundur tashmë 7 herë, i kemi mundur 3 herë dhe në barazim jemi ndarë 2 herë. Me një golaverazh në total 19-10 për Gjeorgjinë. Miqësorja e sotme fliste në shumë drejtime. Por, ajo që është më kryesorja kishte të bënte me startin e përgatitjeve të të dyja skuadrave për fushatën kualifikuese të Botërorit 2014. Kuqezinjtë tanë nisin një erë të re, “made in De Biazi”, me ndryshime ne emra, por edhe në mënyrë loje. Tre ishin debutuesit, në radhët e lojtarëve që kishte thirrur De Biazi për këtë miqësore: Edgar Çani, pyka e vetme në sulmin e kombëtares sonë, nga fillimi i lojës, ndërkohë që mesfushori Hair Zeqiri dhe sulmuesi Armando Sadiku do t’i nisnin 90-minutat e sotme nga stoli. Për t’u hedhur në fushë në një moment të dytë, kur trajneri De Biazi e pa të arsyeshme të niste zëvendësimet, që ishin të shumta për të dyja skuarat. Kjo, për faktin se ishte ndeshje miqësore dhe të dy trajnerët do të shihnin në veprim lojtarët e tyre, duke bërë edhe eksperimente të karakterit taktik. Shqipëria e nisi ndeshjen me Gjeorgjinë me një modul taktik 4-1-4-1, ku prioritet kishte mesfusha dhe mbrojtja. Dy reparte që duhej të funksiononin në fleksibiltet të plotë, në mënyrë që të ndihmonin njëri-tjetrin. Por, nëse vëren elementët e përfshirë në mesfushën kuqezi, konstaton lehtësisht potencialin ofensiv të tyre. Çka do të thoshte se lojtarë të tillë krahu, si Roshi dhe Muzaka, apo edhe Hyka, i vendosur në rolin e një fantazisti pas Edgar Çanit, do të përbënin manovrën sulmuese të Shqipërisë, në momentin kur topi do të ishte në zotërimin tonë dhe vështrimi drejt portës gjeorgjiane. Në këtë rast do të kalohej në modulin 4-3-3, ku mesfusha dhe sulmi sulmojnë bashkarisht. Një mënyrë të tillë loje De Biazi e ka justifikuar me faktin se kështu mbrohemi më mirë dhe sulmojmë me shumë forca. Në mungesë të dyshes së zakonshme të qendrës së mbrojtjes kuqezi Cana-Curri, De Biazi eksperimenton me duetin Dallku-Veliu. Mbrojtësi i Vorskla Poltavës, në fakt ka luajtur zakonisht në të djathtë të mbrojtjes, kështu që ishte një “meremetim” i prapavijës së kombëtares sonë zhvendosja e tij në qendër, ku pati partner, në rolin e tij natyral, Franc Veliun e Flamurtarit. Mungesa e Vangjelit në të majtë kishte spostuar në mbrojtje, në këtë krah, Ansi Agollin, që në kushte normale luan si mesfushor i këtij krahu. Por, në këtë rol, ai është zëvendësuar nga Muzaka, i cili do ka bërë “krahët” e Shqipërisë, së bashku me Roshin. Ervin Bulku, një “digë” para prapavijës sonë, i jepte një “dorë” edhe mesfushës. Ai luajti i vendosur si një “filtër” mes këtyre dy reparteve, mesfushës dhe mbrojtjes. Ndërsa para tij, me detyra organizative, dyshen e qendrës së mesfushës kuqezi e përbënte Vila dhe Hyka. Dy ekstremet e kombëtares sonë në startin e kësaj miqësoreje ishin: në portë Ujkani dhe në sulm, Edgar Çani.
De Biazi, pas ndeshjes: Pjesa e parë, shumë e mirë
Pas ndeshjes, trajneri italian i Kombëtares së Shqipërisë, De Biazi, duke analizuar miqësoren me Gjeorgjinë, që ishte edhe debutimi i tij me kuqezinjtë, tha: “Nga kjo ndeshje të mbetet shija e keqe e rezultatit, por dua të them se këtu pati ndikimin e tij edhe arbitri, vendimet e të cilit ishin të dyshmita. Madje, edhe falë tij, ne e humbën këtë ndeshje. Në pjesën e parë lojtarët i zbatuan me përpikmëri detyrat që u kisha ngarkuar, funksionuam mjaft mirë të organizuar si skuadër, ndërsa në të dytën vuajtëm disi, sidomos në 20 minutat e para. Për mua ka pak rëndësi rezultati në këtë ndeshje, por ajo çka dua të evidentoj për mirë është karakteri që treguam në pjesën e parë, ndërsa si defekt, që duhet rregulluar, menaxhimi i rezultatit, kur jemi në erpërsi. Edgar Cani bëri një ndeshje shumë të mirë, edhe pse në debutim. Ai e nisi me gol përfaqësimin me Shqipërinë, madje shënoi shumë shpejt, duke na ndihmuar të rriteshim psikologjikisht. Edhe debutuesit e tjerë, për aq minuta sa patën në dispozicion, u munduan ta justifikojnë veten. Rëndësi ka fakti që tashmë e njoh edhe më shumë skuadrën, kam pikasur problemet, me të cilat do të merremi hap pas hapi, që t’i minimizojmë sa më shumë të jetë e mundur.”
Cani: Shumë i lumtur nga debumtimi me gol
Tepër i lumtur është shfaqur Edgar Cani pas ndeshjes, edhe pse kombëtarja jonë kuqezi, në radhët e të cilës ai debutonte, e humbi miqësoren në Tbilisi. Sulmuesi në fjalë, mes të tjerash, pas ndeshjes, deklaroi: “Jam shumë i kënaqur për golin dhe debutimin që bëra me kombëtaren e Shqipërisë. Vecse, dua të them se luajtëm një ndeshje me dy tablo. Një pjesë të parë shumë të mirë, ndërsa në të dytën e nisëm keq, shumë të ndrojtur, ndaj edhe pësuam golin e barazimit shumë shpejt. Gjithsesi, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të rritemi ndeshje pas ndeshjeje. Në fakt, kisha shumë emocione që para se të niste loja, duke qenë se kisha debutimin tim me Shqipërinë. Por, fatmirësisht, gjithcka shkoi mirë, sepse shënova gol që në minutën e tretë. Kjo më ndihmoi ta përballoja presionin e ndeshjes së parë me kombëtaren. Mund të bënim më shumë dhe më mirë në pjesën e dytë, e përsëris, por duke qenë se ishte një ndeshje miqësore, nuk kemi pse hidhërohemi nga humbja. Duhet të nxjerrim mësimet e duhura dhe të shohim përpara.”
Ujkani: Goli i dytë ishte i parregullt
Ka qenë padiskutim një hero në miqësoren me Gjeorgjinë, edhe pse pësoi dy gola. Që të dy, jo për faj të tij. Samir Ujkani ka pritur dy penallti në Tblisi, duke u bërë makthi i gjeorgjianëve në këtë miqësore. Pas ndeshjes, kosovari i portës kuqezi do të deklaronte: “Jam shumë i kënaqur me lojën tonë. Sidomos në pjesën e parë ishim super. Në 20 minutat e para të pjesës së dytë vuajtëm presionin e Gjeorgjisë, e cila ushtroi presing të madh. Në këtë moment pësuam edhe golin e parë. Goli i dytë i gjeorgjianëve ishte i parregullt, sepse në momentin kur e goditi topin lojtari vendës, e preku fillimisht me dorë. Prandaj protestova edhe tek gjyqtari, por ai vendosi të vazhdonte lojën. Duhet të dimë se luanim në një fushë të vështirë, ndaj paraqitja e kombëtares në këtë miqësore, në total, duhet konsideruar pozitive. Me De Biazin trajner do të përfitojmë shumë në aspektin taktik. Falë punës së tij do të përmirësohemi edhe më, duke u rritur nga ndeshja në ndeshje. Personalisht, jam i kënaqur që prita dy penallti, edhe pse nuk e evitova dot humbjen. Po punoj shumë te Novara, ndërsa po mundohem të përparoj edhe me kombëtaren. Në të shkuarën kam bërë ndonjë gabim, por më duhet të fitoj edhe pak eksperiencë. Sa i takon ardhjes së një portieri tjetër kosovar në kombëtare, Etrit Berishës, unë nuk e njoh personalisht, por e di se është një portier shumë i mirë. Ai është i mirëpritur nga unë, sepse të gjithë kemi një qëllim, të ecim sa më përpara me kombëtaren. Dhe konkurrenca, edhe në portë, e siguron këtë gjë në kombëtare. Këtu nuk kanë përparësi interesat personalë të miat apo të ndokujt tjetër, por përfaqësimi sa më dinjitoz i Shqipërisë.”
Ervin Bulku: Arbitri u bë personazh
Ervin Bulku ka provuar të bënte kapitenin e kombëtares kuqezi në Tbilisi. Në miqësoren me Gjeorgjinë, ai ka qenë një lider në mesfushë, vecanërisht në shkatërrimin e manovrës sulmuese të vendësve. Duke analizuar lojën e zhvilluar në miqësoren e së mërkurës, Ervin Bulku do të shprehej: “Kishim shumë të rinj në lojë, të cilët dhanë më të mirën e tyre, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë ishim disi të ndrojtur, pësuam edhe golin e barazimit, pastaj arritëm të rivendosnim ekulibrat. Nuk dua të flas për arbitrimin, që në fakt u bë personazh në këtë miqësore. Djemtë e rinj, që janë afruar në kombëtare, kanë perspektivë dhe do të na ndihmojnë të rritemi si ekip, por u duhet njëfarë kohe që të përshtaten dhe t’i zëvendësojnë si duhet veteranët e larguar. Duhet njëfarë kohe për këtë. Në fushë, kur luan me kombëtaren, ndien lodhjen dhe emocionin e vecantë të përfaqësimit të kombit tënd, ndaj reaguam ashtu ndaj gjyqtarit, që gaboi në momentin e golit të dytë të Gjeorgjisë. I kuptueshëm nervozizimi ynë në atë rast, po të mos harroni edhe karakterin e shqiptarit. U munduam të japim më të mirën në këtë miqësore dhe mendoj se pjesa e parë duhet marrë si shembull.”
De Biazi para ndeshjes
“Shpresoj ta nisim me këmbën e mbarë. Kemi punuar kryesisht në aspektin taktik dhe psikologjik të lojtarëve, sepse nuk kemi pasur shumë kohë pë gjëra të tujera në dispozicion. Para ndeshjes u kam bërë një letër futbollistëve, me të cilën kam dashur t’u transmetoj atyre emocionet e mia. Ata duhet ta vlerësojnë maksimalisht veshjen e fanellës së kombëtares, ndaj pres në çdo ndeshje 110 përqind të tyre”.
Smalji mbetet jashtë 18-shes
Ka shprehur keqardhjen e tij trajneri De Biazi për mbetjen jashtë 18-shes së Shqipërisë për këtë ndeshje të mbrojtësit lezhjan të Vllaznisë, Dritan Smajli. I thirrur “in extremis” , si zëvendësues i Kristi Vangjelit, që pësoi dëmtim në momentet e fundit, Smajlit i ka rënë ta përcjellë nga tribuna këtë miqësore, që është edhe thirrja e tij e parë me kombëtaren kuqezi. Zgjidhje e stafit teknik kjo, e marrë me shumë keqardhje, sikurse tha vetë De Biazit para nisjes së sfidës në Tbilisi.
Panorama Sport
Ruaj Lidhjet