Kryeministri Berisha është takuar sot me kryetarin e Knesset-it izraelit, Reuven Rivlin, në Jeruzalem, për t’i shpjeguar këtij që kërkesa për njohjen e Palestinës në OKB “saboton procesin e paqes” dhe se “paqja mes Izraelit dhe palestinezëve mund të arrihet vetëm nëpërmjet negociatave të drejtpërdrejta dhe sigurisë së garantuar për të dy shtetet.”
Rivlin-i, nga ana e vet, paska deklaruar se “Shqipëria është model dhe shembull parësor i një shteti mysliman shekullar, të moderuar dhe demokratik.”
Si, Shqipëria shtet mysliman? Jo kaq shpejt, z. Rivlin!
Dikush herët a vonë duhet t’ua shpjegojë këtyre izraelitëve dhe hebrenjve, përndryshe ndoshta dashamirës, se Shqipëria nuk është shtet mysliman, por shtet laik (shekullar) ku bashkëjetojnë komunitete të tri feve të ndryshme.
Atributi i Shqipërisë si shtet mysliman mund t’u pëlqejë qarqeve të caktuara në ShBA dhe në Izrael, që kanë nevojë të ngutshme për një kundërshembull ndaj fanatizmit dhe të fundamentalizmit islamist; por nuk besoj se do të gjendeshin shumë shqiptarë që të entuziazmoheshin me këtë vitrinë ku duan t’ua nxjerrin shtetin; dhe aq më pak shqiptarët e besimit të krishterë dhe shqiptarët agnostikë ose indiferentë ndaj fesë, të cilët përbëjnë në Shqipëri, shumicën, përkundrejt bashkëkombasve të tyre të besimit mysliman.
Krijoni Kontakt