Tre persona janë lënduar të hënën pas ndërhyrjes së Njësisë Speciale të Policisë ndaj protestuesve në fshatin Polac, të cilët kërkonin asfaltimin e rrugës së fshatit. Në fakt pas bllokimit të rrugës nga banorët e këtij fshati, policia ka ndërhyrë, duke rrahur disa prej banorëve, ndërsa ka arrestuar edhe tetë persona.
Protestuesit, të cilët ankohen se tash e sa vjet kanë mbetur pa rrugë të kalueshme, janë sugjeruar nga kryetari i komunës Sami Lushtaku që të mos protestojnë dhe të mos e pengojnë realizimin e projektit për rrugën.
Ndërkaq protestuesit kanë thënë se po protestojnë sepse kjo është një rrugë e pakalueshme sidomos gjatë dimrit derisa kanë akuzuar kryetarin e Skenderajt se në lagjen e tij ka ndërtuar edhe rreth rrotullim dhe se ka qasje në tri rrugë të asfaltuara, ndërsa fshatin Polac me 700 banorë e ka lënë në gjendje të mjerueshme.
Rruga të cilën banorët e Polacit kërkojnë të ndërtohet, ka gjashtë vjet që ka nisur së ndërtuari, nisjen e të cilave e kishte përuruar ish- kryeministri Agim Çeku, por ato nuk përfunduan kurrë.
Gjatë protestës janë arrestuar tetë persona, tre prej të cilëve të lënduar dhe më pas disa banorë të Polacit kanë shkuar para stacionit të Policisë në Skënderaj për të kërkuar lirimin e të arrestuarve dhe sqarime për veprimet e tyre.
Në Polac kanë intervenuar 10 automjete me rreth 50-60 policë, por edhe pas kësaj rruga që lidh Vushtrrinë me Skënderajn vazhdon të jetë e bllokuar nga banorët. /kp/
http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,15,65722
Krijoni Kontakt