Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 8
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767

    Ohri: Si i shpëtuam 60 marinarët flotës së NATO-s

    Ohri: Si i shpëtuam me 60 marinarët flotës së NATO-s kur lundronim me nëndetëse nëpër brigjet e Italisë


    Nga Fatos Veliu
    Rrëfen ish-komandanti i bazës detare të Pashalimanit në periudhën e konfliktit të madh me sovjetikët, Dashamir Ohri. Si bëmë me nëndetësen shqiptare lundrimin sekret për 22 ditë nëpër ujërat e fqinjëve tanë, të cilat ruheshin me fanatizëm nga anijet e tyre luftarake
    Thatë nga numrat e kaluar, zoti Dashamir, se nëse diktoheshit duke udhëtuar me nëndetësen shqiptare në ujërat e shteteve fqinje do të shkatërroheshit, apo jo?
    Do të bëhej hataja. Do na lëshoheshin me të gjitha mjetet e tyre, le që mjaftonte një luftanije, që të na binte mbi vete dhe ne ktheheshin në viktima. Jo vetëm kjo, por sikur të kishin sinjal italianët se anija shqiptare ishte në ujërat e tyre, do të thoshte që të na zbulonin menjëherë.

    Dhe si ia bënit të lundronit në kushtet e sekretit ekstrem që të mos ju ndodhte gjë?
    Ne ishim në gjendje nën ujë për të konstatuar menjëherë zhurmat që kishim mbi ujë, si për shembull, anije të ndryshme, duke marrë masa në këtë mënyrë për të manovruar. Mirëpo, po të kishin thjesht një sinjal që ne ishim nën ujë, italianët do të dërgonin menjëherë avionët dhe do të na zbulonin. Kjo gjë nga avionët bëhej shumë lehtë, sepse ata nuk dëgjohen nga nëndetësja, dhe kështu kanë mundësi me anë të valëve të të përcaktojnë vendndodhjen.
    Por këtë lloj udhëtimi e bënim gjatë natës për të kursyer energji dhe për të karikuar bateritë, por që na kushtonte shumë në drejtim të stresit dhe të lodhjes, ndërsa ditën as që mund të bëhej fjalë për të ecur me atë thellësi. Ne udhëtonim normalisht me thellësinë e 50-60 metrave. Mirëpo, ki parasysh, që ne lëviznim nën ujërat e mbikëqyrura nga shumë anije dhe mjete të tjera luftarake, të cilave nuk ishte e lehta për t'u shpëtuar zbulimit.


    Dhe si ia dilnit mbanë pa u diktuar?
    Po ja, për shembull, udhëtonim anash brigjeve të Italisë në thellësinë e 60 metrave. Pastaj ndalonim për të kontrolluar, nëse ishin në gjendje pune radarët dhe pikat e tjera të zbulimit radiolokativ të bregdetit italian. Për këtë, ngrinim ngadalë mbi ujë antenën, për të vënë në punë mjetet tona sinjalizuese. Me shumë kujdes konstatonim nëse ishin në punë mjetet radiolokative italiane, në qoftë se punonin, ne me kujdes të madh ulnim antenën dhe pas kësaj ndalonim shpejtësinë dhe qëndronim në një pozicion pa lëvizur. Kështu rrinim jo një orë e dy, por edhe një ditë, apo dhe dy e tri ditë. Herë pas here ngrinim antenën lart dhe me kujdes bënim kontrollin, derisa konstatonim se nuk kishte rrezik dekonspirimi. Pas kësaj ndiznim motorët dhe vazhdonim lundrimin me kujdes, që të bëhej e mundur kryerja e detyrës së ngarkuar.

    Çfarë detyre kryenit konkretisht, përveç asaj që më treguat në fillim të intervistës së parë, kur ishte fjala për të sfiduar Hrushovin?
    Detyra zbulimi.

    Deri tani treguat për sukseset dhe lehtësitë e detyrës që kryeni. A u rrezikuat ndonjëherë?
    Ishin dy herë, që ne e kemi ndier veten shumë keq, madje ishim në një rrezik të madh, po të zbuloheshim.

    Mund t'i përshkruani?
    Patjetër. Rasti i parë është sa i tmerrshëm, aq edhe komik, që vetëm kur kemi ardhur në Shqipëri kemi qeshur me të madhe, se sa ishim aty kur na ndodhi, jemi bërë dyllë, duke na ikur gjaku fare nga fytyra. Konkretisht historia ishte kështu: Ndërsa vazhdonim udhëtimin gjatë një mesnate, anash brigjeve italiane, me drejtim të Dubrovnikut (Jugosllavi), ngadalë, në lartësinë e periskopit, siç të thashë edhe më parë, aty nga ora 03:00, kemi arritur pikërisht traversën e Otrantos. Në një moment, dëgjojmë një zhurmë karakteristike që po na shqetësonte së tepërmi. Të them të drejtën, kujtova se kishte diçka nëndetësja dhe dhashë urdhër të bëheshin kontrollet fizike të të gjitha pajisjeve, sipas organikave të detyrave që kryenin anëtarët e ekuipazhit. Mirëpo, as kjo nuk solli ndonjë rezultat. Dhamë komandën që të ulej nëndetësja më në thellësi, ndërkohë që pas diferencimit të peshave, vazhdoi sërish udhëtimin. Mirëpo, sërish zhurmat ishin, por të një forme tjetër.

    Me periskop nuk dallonit dot gjë?
    Në fillim periskopi kishte kënd më të gjerë shikimi, ndërsa më pas ne u zhytëm më poshtë. Dhashë sërish urdhër që të ngjitej lart, duke bërë të mundur ngritjen fare pak lart të periskopit. Por, çfarë kishte ndodhur thua ti!? Aty na paskësh qenë një fushë detare, rreth 500 m katrore a dhe më shumë, e shfrytëzuar nga peshkatarët. Ata kishin hedhur grepat apo parangallët si i thonë, për të kapur peshk, dhe njërin skaj te fildispanjës e kishin kapur në një bidon që ishte i taposur për të mos u zhytur në ujë. Pas kësaj, peshkatarët kur ktheheshin dhe merrnin parangallët, i konstatonin kollaj nga bidonët që ishin mbi sipërfaqen e ujit. Mirëpo s'ishin një e dy, por me qindra. Pikërisht, kur shkoi nëndetësja, ndeshi në grepat që rrinin të varur nën ujë, duke pritur peshkun. Ata ngelën në trupin e nëndetëses, duke u futur në vrimat e sipërfaqes së saj. Kështu, ndërsa nëndetësja ecte mbi të, ecte dhe parcela me bidonë që mbante grepat e kapur tashmë në vrimat e trupit të saj. Pikërisht, përplasja e bidonëve ishte zhurma që dëgjuam ne, madje dhe kur shtuam thellësinë e lundrimit nën ujë, bidonët të tërhequr nga filli u zhytën poshtë, duke bërë sërish një zhurmë tjetër. Pastaj i pamë kur çuam periskopin në lartësinë e saktë. Nuk mund ta merrni me mend sa u shokuam dhe u befasuam njëherësh. Mirë që ishte pa zbardhur akoma, se do të na kishin kuptuar menjëherë dhe një bombë donim mbi kokë, pastaj merrte fund çdo gjë. Si thonë shaka, kur ti kujton se ecën i fshehtë dhe mbi ty, një parcelë e tërë me bidonë, u tregon të gjithëve se çfarë mund të ketë poshtë detit.


    Çfarë bëtë?
    I premë një nga një me sëpatë të gjithë.

    Po me ngadalë, t'i marrim me radhë, se pikërisht këtu është meseleja. Ju ishit nën ujë disa metra. Si dolët mbi sipërfaqe për të prerë bidonët, kur mund të diktoheshit nga rojet bregdetare italiane?
    Dëgjo! Ne dolëm në një lartësi që e quajmë "gjendje pozicionale e nëndetëses", që do të thotë se nëndetësja çohet deri në gjysmë metër apo dhe një metër nën ujë. Mirëpo kapaku në këtë pozicion është mbi ujë dhe mund të hapet nga ekuipazhi, pa frikë se hyn ujë brenda. Kështu, ndërsa s'kishte zbardhur akoma, dolëm mbi trupin e nëndetëses dhe me një sëpatë i premë të gjithë grepat, duke i lënë të lirë bidonët nëpër det.

    Po rasti i dytë?
    Ky ishte rast më i rrezikshëm, që na kushtoi shumë shtrenjtë nga gjendja psikologjike, në ato çaste që neve na u dukën orë të tëra. Ka qenë rasti kur ne lundronim në gjirin e Garganës. Pikërisht pamë me mjetet tona se mbi nëndetëse po afrohej një luftanije e madhe italiane, që mund të na shuante fare. Mendimi ynë ishte se mund të na kishin diktuar dhe tani po na asgjësonin fare.

    Çfarë bëtë?
    Nuk e humba toruan. Por me të gjithë shokët, që për mua ishin jo dosido, po heronj të vërtetë, u mobilizuam dhe në çast po ulnim nëndetësen poshtë, duke i dhënë thellësi të konsiderueshme. Mirëpo luftanija italiane vazhdonte të vinte drejt nesh, sikur dikush t'i kishte përcaktuar aq mirë koordinatat, sa që nuk linte as një gjë për të dyshuar. Ndërkaq ne po arrinim në thellësinë mbi 100 metra dhe menjëherë morëm drejtimin e lëvizjes për t'ju shmangur pozicionit nga vinte zhurma, pra për t'iu shmangur anijes.

    Çfarë ndodhi?
    Anija italiane kaloi mbi ne dhe u largua në drejtimin nga kishte marrë urdhër, por nuk kishte dijeni për vendndodhjen tonë. Mirëpo ato çaste neve na u dukën jo minuta, por orë. Ishte një ankth i jashtëzakonshëm që nuk ia vlen të zgjatesh më tej, se kuptohet.

    Me bazën kishit ndërlidhje?
    Absolutisht jo. Nuk ishte e lejueshme asnjë kontakt me radio, pasi kjo do të dekonspirohej menjëherë nga dhjetëra e dhjetëra radio, të cilat rrinin në përgjim në të njëjtat valë, si në ato që kishin avionët, ashtu dhe në ato të marinës detare, apo pikat radiolokative që ishin të instaluara gjatë gjithë bregdetit nga kalonim. Mjafton të bëje një pikë-vijë dhe i kishe të gjithë avionët mbi kokë.

    Gjendja e efektivit ishte e kënaqshme?
    Tani mund të flasim pak për ta, se po ta nisim me hollësi, nuk mund të mbarosh dot. Të gjithë treguan vlera të atilla patriotike që i arrinte një njeri hero. Ishin të gjithë të papërtuar dhe të gjithë kishin marrë parasysh vdekjen, e cila mund t'u ndodhte nga momenti në moment, mjafton që të diktoheshe sadopak. Të gjithë ishin të sfilitur dhe të rraskapitur që nuk pyesnin orar dhe sakrificë. Ishin të pagjumë dhe të sëmurë. Brenda ishte temperatura deri në 43 gradë. Të vjellat dhe sfilitjet fizike, erdhi një moment dhe u bë i papërballueshëm. Të gjithë rrinin me të mbathura, nga temperatura që kishte mbytur gjithçka. Më pas ishte më e keqja se u sëmurën dhe nga sëmundja e lëkurës, aq sa nuk mund të duronin dot. Kjo ndodhte se nuk kishim ujë për t'u larë. Kështu sa preknin doreza të ndryshkura aty-këtu, pastaj kruanin fytyrën e trupin apo fshinin djersët. Situata ishte tepër kritike. Ishim 60 veta që rrinim në ato pak metra kub ajër në fund të detit, për 22 ditë me radhë, ku po na mbyste vapa dhe papastërtia.

    Por ju kishit ujë?
    Secilit i takonte 4 litra në 24 orë. Çfarë do të bëje më parë me ta. Ne ishim të gjithë me mjekra të parruara, për të mos u infektuar. Mirëpo, kur erdhi një moment akoma më i vështirë, ishte e çfarë ishte. Të gjithë i zuri një bark i papërmbajtshëm. Ishte një infeksion i brendshëm që kapi shumicën e tyre. Nuk mund të rrinim më as me të mbathura. të gjithë të rrënuar, madje pa të mbathura fare, mbanim drejtimin e nëndetëses për të arritur në bazë me detyrë të realizuar. Kështu pas 22 ditësh, nëndetësja e parë shqiptare arriti në gjirin e Durrësit, pas 22 ditësh lundrim nën detet ku vigjilonin dhjetëra anije (dhe flota) të "Traktatit të Varshavës" dhe të NATOS. Kjo vuri një gur të rëndë në historinë e nderuar të flotës luftarake detare të Shqipërisë.Standard


    (Vijon nesër)
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga fegi : 03-10-2011 më 06:00

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    feg.. na i sill po mujte krejt kujtimet e admiralit dash ohri..
    jan kuriozitete..

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Ohri: Ushtarakët e lartë shqiptarë në ’58-n i kanë lënë në mes të Moskës për katër ditë pa ngrënë
    Nga Fatos Veliu
    Madhesia e germave:

    Komandanti i bazës së Pashalimanit të periudhës me sovjetikët, Dashamir Ohri tregon për ditët kur sipas marrëveshjes shkuan në bazën e Balltikut për të sjellë katër nëndetëset e para. Si ngelën në mes të aeroportit sovjetik pa i pritur kush dhe situata e krijuar kur pa asnjë monedhë në xhep nuk dinin ku të ankoheshin
    Kush është dashamir Ohri
    Dashamir Ohri është një nga veteranët e veçantë që njeh historia e Flotës Luftarake Detare e vendit tonë. Ai është komandanti i bazës së nëndetëseve të Pashalimanit, pikërisht në periudhën që ishte krijuar konflikti i madh me aleatin e hershëm, Bashkimin Sovjetik. Figurën e Dashamir Ohrit e ndeshim në rolin e spikatur të komandantit shqiptar të bazës së Pashalimanit, të luajtur me aq mjeshtëri nga aktori i famshëm Bujar Lako, te filmi artistik, kushtuar atyre momenteve, "Ballë për Ballë". Por Dashamir Ohri është dhe një nga 17 oficerët e parë shqiptarë që ka mbaruar studimet në vitin 1947 në ish-Jugosllavi, ashtu siç është dhe një nga specialistët e parë të përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më pas, një ndër personat e parë, i përgatitur për nëndetëse po në ish-Bashkimin Sovjetik.(Ka dalë në pesëshen e tretë të shkollës së nëndetëseve). Kështu, ai me begraundin e tij historik shënon dhe një të dhënë tjetër, pasi ka qenë pikërisht dhe komandanti i nëndetëses së parë shqiptare, të ardhur me një katërshe nga Bashkimi Sovjetik. Dashamiri ka drejtuar detyra të tilla, që nga komandant i një nëndetëseje dhe deri të komandant i grupit të tyre, apo zv. komandant i brigadës së nëndetëseve dhe më pas komandant, si dhe detyrën tepër të lartë të zv. komandant i Flotës Luftarake të Shqipërisë. Më pas me mospërfillje, ai, si dhe shumë shokë bashkëkohës, është hedhur poshtë nga shteti i tij, pikërisht në moshën 52-vjeçare, kur kishte mundësitë më të mira fizike dhe profesionale për t'i shërbyer shtetit të vet.
    Dashamir Ohri ka ndërruar jetë vetëm pak muaj më parë duke lënë në dorën time për opinionin e gjerë një grumbull dëshmish tepër interesante.

    HYRJE
    Si ndodhi ngjarja e pabesueshme
    Në vitin 1958, sipas një marrëveshjeje më qeverinë komuniste të Bashkimit Sovjetik duhej që në Shqipëri të vinin katër nëndetëse dhe një bazë e madhe lundruese që të ishte për ekuipazhet e këtyre nëndetëseve. Do të ndërtohej dhe pajisej që të funksiononte me efiçencë të plotë baza ushtarake e nëndetëseve në Pashaliman të Vlorës. Një vit më mbrapa në atë bazë erdhën edhe 8 nëndetëse të tjera, gjë që e plotësoi atë me 12 nëndetëse dhe një bazë lundruese e cila mbante në dhomat përbërëse me të gjitha kushtet mbi 450 marinarë.
    Por nga dëshmia e çuditshme dhe tepër interesante e komandantit shqiptar të bazës së nëndetëseve Dashamir Ohrit, bëhet fjalë për një ngjarje të pabesueshme.
    Ushtarakët shqiptarë kur kanë shkuar për të marrë nëndetëset, kanë ngelur në aeroportin e Moskës si lypsarë të pangrënë dhe të vetëm.
    Ka qenë një situatë dramatike. Ishte pikërisht nëntori i vitit 1958. Ushtarakët e lartë të flotës luftarake të Shqipërisë sipas urdhrit që kishin marrë i cili ishte dhënë në bazë të marrëveshjes së dy qeverive, do të paraqiteshim në bazën ushtarake detare të Balltikut, në Kaleningrad (ish-Kinizberg). Aty ishin bazuar nëndetëset që do t’i kalonin bazës shqiptare. Por për çudinë e gjithkujt ushtarakët si kanë zbritur në aeroportin e Moskës kanë ngelur të vetëm dhe pa as një mbështetje. Askush nuk i priti dhe askush nuk u interesua për ta. Ata ishin të pangrënë dhe pa as një të hollë në xhep, pasi monedha shqiptare nuk vlente. Jo vetëm kaq, por ata nuk kishin të holla as të lidheshin as me ambasadën tonë. Ishin gjashtë orë të tmerrshme në mes të Moskës ku pas interesimeve këmbëngulëse të tyre ka shkuar një person i dorës së fundit dhe i ka çuar në një hotel të zakonshëm në mes të Moskës. Të nesërmen ata duke vazhduar të ishin të pangrënë veç me diçka që mund ta lypnin kameriereve të hotelit, hipën në tren për të shkuar në destinacion. Në tren do t’ju duhej të udhëtonin dhe tri ditë e tri net ku sërish nuk do të mund të kishin mundësi të ushqeheshin, sepse askush nuk u interesua për ta edhe pas hipjes në tren. Personi që i dërgoi në hotel u mjaftua me dhënien e biletave dhe çuarjes në stacion. Por në tren duhej të paguaje që të të jepnin dhoma dhe të të sillnin mbulesa për të fjetur. Por këtë shans nuk e kishin ushtarakët tanë të cilët u detyruan të flinin vetëm në dysheme të korridoreve të trenit dhe të ushqeheshin vetëm me nga një çaj pa sheqer që ua sillnin shërbyeset e trenit për mëshirë.
    Kjo ngjarje s’është as ekzagjerim dhe as përrallë, por një ngjarje e jetuar nga vetë ata që ne i njihnim si autoritetet më të larta të flotës luftarake detare dhe pikërisht nga ish-komandanti i brigadës së nëndetëseve Dashamir Ohri i cili është përjetësuar në filmin “Ballë për Ballë” nëpërmjet aktorit Bujar Lako. Madje nga ai udhëtim u kthye së bashku me ekuipazhin sovjetik i cili kryesohej nga komandanti i vet i quajtur Jegorov dhe që në filmin “Ballë për Ballë” ne e njohim si admiralin Zheleznov të luajtur me aq mjeshtëri nga aktori i madh Sulejman Pitarka.
    Gjithsesi për më hollësisht lexuesi ynë këtë ngjarje të pabesueshme do ta ndjekë në vijim të intervistës të vetë zotit Ohri të dhënë vetëm pak kohë para vdekjes, pasi ai ka pak muaj që është ndarë nga jeta dhe që unë personalisht pata rastin të bëja një takim të fundit me të kur mësova se jetonte ditët e fundit të jetës. Ndjeva dhimbje kur pash gjendjen e tij fizike të shkatërruar. Ndërsa e shikoja dhe i mbaja dorën mendoja për sa e sa situata që ai kishte drejtuar me nëndetëset shqiptare aq sa kushedi sa herë ka qenë shumë afër vdekjes.
    Për më tepër të ndjekim intervistën e tij.

    Zoti Ohri sa nëndetëse ka pasur baza e shumëpërfolur e Pashalimanit në kohën që ishte e përbashkët me sovjetikët?
    Në Shqipëri ka pasur gjithsej 12 nëndetëse. Flasim këtu për periudhën që nuk ishin prishur marrëdhëniet më ish-Bashkimin Sovjetik. Katër nëndetëse erdhën pikërisht në vitin 1958 dhe tetë të tjera erdhën në vitin 1959. Faktikisht, pas ikjes që bënë sovjetikët nga baza e Pashalimanit, Shqipëria ka pasur vetëm katër nëndetëset e mbetura.

    Si mund ta kuptojmë këtë?
    Këtë ta kuptosh kështu, që ne megjithëse kishim nëndetëset në Pashaliman, juridikisht ato figuronin në pronësi të shtetit shqiptar dhe i komandonin rusët, ndërsa ne dublonim detyrat e tyre. Kjo do të thotë që për çfarëdo detyrë të ekuipazhit apo deri te komandantët e nëndetëseve ishin kompetent sovjetikët, ndërsa ne ishim thjesht në “stol të rezervës” dhe kjo ishte me pasoja të mëdha për Shqipërinë.

    Mund ta shpjegojmë?
    Shumë thjesht. Erdhën nëndetëset në Shqipëri me një ceremoni që çfarë të të them! U bë nënshkrimi i dorëzimit dhe kalimit në pronësi. Pastaj, po me të njëjtin solemnitet, u bë ulja e flamurit sovjetik dhe ngritja e flamurit kombëtar të Shqipërisë. Pikërisht, këtu ishte gjithë hileja.

    Pse?
    Sepse ardhja e nëndetëseve në bazën e Vlorës ka qenë vetëm për interesa të mëdha të Bashkimit Sovjetik. Vetëm baza e Vlorës i siguronte atij mundësi optimale për të dalë në Mesdhe, për vetë faktin se nga bregdeti i vet pengohej nga flota turke. Por çfarë ndodhte tani? Ata erdhën dhe komandonin, ndërkohë që ne ngroheshim në diell. Dhe jo vetëm kaq, por kishin të drejtë të dilnin në det për manovra të ndryshme apo për operacione të veçanta sekrete dhe të gjitha kusuret i paguante Shqipëria. Kjo ndodhte se i gjithë ekuipazhi ishte sovjetik dhe të gjitha detyrat e daljes në det ishin për qëllime sovjetike, vetëm flamuri që valëvitej në binarët e saj ishte shqiptar. Pra, për çfarëdo note proteste, apo kundërvënie që mund të bëhej në lidhje me thyerjet e rregullave të nëndetëseve gjatë lundrimeve stërvitore apo me misione të caktuara në det të hapur, do t'i adresohej Shqipërisë, le të mos kishte dijeni fare shteti ynë. Pa le pastaj, kostot ekonomike, që të përballohej mbajtja në këmbë dhe në gatishmëri e një nëndetëseje dhe jo më katër apo dymbëdhjetë.

    I rëndonte shtetit tonë vetëm një bazë nëndetëseje, kur ai kishte mbushur gjithë territorin me reparte?
    Si rëndonte?! Po e di ti, se sa njerëz vihen në dispozicion të saj, që ta thashë dhe në intervistën e kaluar? Njëherë numri i ekuipazhit është te 54 personat. Po e di ti çdo të thoshte të hiqje nga prodhimi e nga puna, dhjetëra e dhjetëra djem të rinj në moshë për të punuar dhe t'i mbaje katër vjet në nëndetëse? Se një nëndetëse kishte deri në 24 detarë, le pastaj të numëroje për të gjitha anijet, llogarit dhe që aty rrinin për katër vjet. Ndërsa ana tjetër, megjithëse ta shpjegova njëherë që në numrin e kaluar, po e them prapë, që një nëndetëse të jetë në gatishmëri, do të ketë të paktën këto rezerva: 124 tonë naftë, 14 tonë vaj, 100 tonë bateri, 9 tonë ujë dhe aty te 2 tonë ushqime. Lëre pastaj kompleti me 12 silura, ku vetëm njëra peshon një ton dhe është 7 metra e gjatë, ndërkohë ka 200 kg eksploziv.

    Në një farë mënyre, nuk mund të thuash se nuk kishim mbrojtje të garantuar?
    Ashtu shitej ajo gjë, si forcim i mbrojtjes, por që nuk i shërbente aspak asaj.

    Si ta kuptoj këtë, se po më befasoni?
    Mos u çuditni fare. Ne me politikën e mbrojtjes sonë si shtet, kishim një ushtri që luante rolin mbrojtës të atdheut. Ndërsa nëndetëset që ne kishim nuk i shërbenin fare mbrojtjes, se nuk kishin asnjë rol në detyrat mbrojtëse si shtet. Detyrat që ato mund të zgjidhnin nuk i përkisnin shumë rolit të ushtrisë sonë, por i shërbenin asaj sovjetike, vetëm se ne, siç të thashë, duhej të mbanim rrisqet që do të na faturoheshin për gafat që ata mund të bënin në det të hapur apo më tej. Por mos harro, që ishte krijuar dhe një brigadë e posaçme e mbrojtjes rajonale të ujërave, e cila ishte për të siguruar nëndetëset. Ç'të të them.

    Nuk e kuptoj si mund të ishin sovjetikët zotë të nëndetëseve, kur ne i kishim marrë në dorëzim!
    Këtu u luajt një djallëzi, e cila u sajua kështu. Ne që kishim mbaruar në vitin 1957 shkollën e marinës në Baku (Azerbajxhan), ku ishim aftësuar si mbiujësa, u emëruam në Vlorë, në brigadën e nëndetëseve të porsakrijuar, ndërkohë që vetëm njëri nga grupi ynë, (se nga grupi i tretë që isha unë, mbaruam 5 veta atë vit) u emërua në brigadën e mbrojtjes së ujërave, që ishte në interes të nëndetëseve. Pas kësaj, për këtë ndryshim të destinacionit të shërbimit, që u emëruam si nënujësa, na dilte detyrë imediate të zhvillonim kursin special në shkollën e instruksionit të nënujësave në Sevasatopul të Bashkimit Sovjetik, se unë po flas me termat e asaj kohe.
    Aty shkoi e gjithë brigada e nëndetëseve të porsakrijuara. Ka qenë viti 1957. Mirëpo, në brigadën tonë, ne kishim jo vetëm nga specialiteti i mbiujësave, por edhe këmbësorë dhe specialitete të tjera, ku do të na duhej të gjithëve të përgatiteshim për nëndetëse. Sipas programit të detyrueshëm të shkollës, duhej tu nënshtroheshim studimeve në dy faza përgatitore. Faza e parë zgjaste 8.4 muaj, ndërsa faza e dytë do të zgjaste 9,8 muaj. Pra, ne ishim përgatitur për të ndenjur plot 18,2 muaj. Mirëpo çfarë ndodhi aty nga muaji i pestë a i gjashtë i kursit, na u dha urdhri që të ktheheshim në atdhe. Pra, kur nuk kishim mbaruar as fazën e parë të tij, pasi na duhej dhe 2,4 muaj, jo më të flitej për fazë të dytë.

    Pse ndodhte një gjë e tillë, nuk u ankuat?
    E ku të ankoheshe? Ne e kuptuam më mbrapa këtë manovër të tyre. Qëllimi ishte që kur të vinin nëndetëset në Shqipëri, ata të mund të justifikonin përdorimin e tyre me pretekstin se ne ishim të paaftësuar tamam për këtë gjë. Dhe kështu ndodhi vërtet.

    U kthyet në Shqipëri?
    Patjetër. Meqenëse nuk kishin ardhur nëndetëset, ne na caktuan në punë të rëndomta, si hapje kanalesh në repart, apo bërje lulishtesh etj. Merre me mend, të mbaroje si specialist nëndetësesh dhe të hapje kanale, një mediokritet i papranueshëm.

    Kur erdhën nëndetëset në Shqipëri?
    Ajo është historia më e bukur, më e dhimbshme dhe më komike njëherësh. Ne nuk e dinim që kishte filluar një çarje e madhe mes shtetit tonë dhe Bashkimit Sovjetik, por që dalëngadalë po e konstatonim përditë. Këtë e përjetuam kur shkuam për të marrë nëndetëset në bazën ushtarake detare të Balltikut, në Kaleningrad (ish-Kininzberg). Ishte nëntori i vitit 1958. Ne kishim vetëm disa muaj që ishim kthyer nga Sevastopuli, kur na vjen urdhri që 9 veta do të niseshin në Bashkimin Sovjetik për të shoqëruar nëndetëset e para, që do të vinin në Shqipëri. U gëzuam sa më s'bëhet.

    Shkuat?
    Po. Ishte, siç thashë, nëntori i vitit 1958. U nisëm për në Bashkimin Sovjetik, nëntë persona kryesorë të brigadës së nëndetëseve. Sipas urdhrit do të paraqiteshim në bazën ushtarake detare të Balltikut, në Kaleningrad (ish-Kinizberg). Arritëm ditën e parë në Moskë. Atje filloi çudia më e madhe, se nuk po shikonim njeri që të na priste. Sipas urdhrit duhej të na prisnin përfaqësues të Drejtorisë së Dhjetë, siç quhej drejtoria e posaçme e Ministrisë së Jashtme sovjetike. Mirëpo nuk po dukej njeri, as në atë çast dhe as për gjashtë orë të tjera. Ishim të uritur dhe nuk kishim as një monedhë në xhep, madje s'kishim as për të folur me telefon. Ngelëm gjashtë orë në mes të aerodromit, kuadrot kryesorë të flotës shqiptare, të pa ngrënë, të pa pirë dhe të stërlodhur, sikur të ishim dokushdo dhe jo ushtarakë. Na mëshironin punonjësit e aerodromit, duke na dhënë ndonjë monedhë për të folur në telefon me ambasadën tonë apo me Drejtorinë e Dhjetë.

    E çfarë përgjigje u jepnin?
    Ia linin njëri-tjetrit në dorë punën e shoqëruesit. Ç’ta zgjas atë turp që s’ishte vetëm për ne, por për gjithë shtetin për mënyrën se si na fyenin sovjetikët. Megjithatë pas gjashtë orësh u kandisën të dërgonin një përfaqësues për të na çuar në një hotel të zakonshëm i cili ndodhej pikërisht në qendër të Moskës afër ekspozitës bujqësore.

    Ju dhanë për të ngrënë?
    Ç'të ngrënë more. As atë ditë dhe as tre ditë të tjera, sa arritëm në destinacion. Që ta dish, pikërisht të nesërmen na nisën me tren, që nga stacioni i Moskës në atë të Kaleningradit. Pa ngrënë dhe pa pirë. Ishim kthyer në njerëz të përvuajtur. Mirëpo dhe në tren nuk do të rrinim pak, por tri ditë e tri net, dhe ne sërish s'kishim asnjë grosh në xhep. Flinim në dyshemenë e trenit, kur të gjithë me paret që kishin, siguronin nga shërbyeset e trenit dyshekë, batanije dhe çdo gjë tjetër që u nevojitej, po kështu siguronin për të ngrënë dhe për të pirë. kështu pra, ushtarakët e lartë të marinës shqiptare rrinin të shtrirë si të rraskapitur dhe siguronin vetëm ndonjë gotë çaj pa sheqer, dhuratë nga shërbyeset e trenit. Gjithsesi, pas tri ditësh kemi arritur në Kaleningrad, ku na priste në stacion vetë komandanti i nëndetëses së parë, që ishte kapiteni i rangut të tretë, Kazllovi.

    Pas kësaj u rregullua gjendja?
    Patjetër. Por ishte shumë vonë. Kishte kaluar katër ditë qëkurse ishim unë tokën sovjetike dhe siç ta përshkrova u sfilitëm dhe u përdhosëm sit ë ishim endacakë rrugësh dhe jo personalitetet të larta të ushtrisë së një shteti. Kushdo të ishte ai shtet sado që mund t’i kishte të ftohta marrëdhëniet madje mund të ishe edhe në gjendje lufte me të sërish përfaqësuesit do t’ia prisje me rregulla dhe jo t’ia braktisje. Pastaj unë flas për një moment që ne nuk i kishim ftohur shumë marrëdhëniet pasi flitet për vitin 1958 kur ata po na jepnin 4 nëndetëse dhe një Bazë Lundruese që ata e quanin me emrin “Njemçinov” ndërsa neve e pagëzuam me emrin “Tomorri”. Pra, që të dal në fillim të pyetjes është se ne vetëm tashmë pas katër ditësh mundëm të uleshim në tavolinë dhe të hanim siç duhej.

    Më bëre shumë kurioz zoti Dashamir, me faktin se baza lundruese të cilën e përmendët shpesh, madje edhe u ndalët goxha te pagëzimet aty dhe këtu etj. Dua të di se çfarë ishte kjo dhe për çfarë shërbente?
    Bëre mirë që ma bëre këtë pyetje se është një detaj interesant për arsyen se baza lundruese kishte aq rëndësi dhe vlerë për të mos thënë më shumë se sa nëndetësja. Ajo është si të thuash shtëpia apo pallati lëvizës. Është në interes të nëndetëseve, prandaj edhe sovjetikët kur na sollën katër nëndetëset e vitit 1958 për të cilat ju fola më lartë, na dhanë edhe bazën lundruese. Ajo peshon plot 5 200 tonë dhe sistemon brenda me të gjitha kushtet dhe komoditetet në dhoma shumë luksoze plot 450 persona.
    Merreni me mend sa luksoze ishte qëkurse Hurshovi kur erdhi në Shqipëri dhe bëri një vizitë me Emver Hoxhën në Pashaliman ata që të dy fjetën në dhomat e bazës lundruese. Besoj se me këtë shembull e kupton më mirë rëndësinë e saj.

    (Vijon nesër)

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e fegi
    Anëtarësuar
    29-05-2009
    Postime
    5,767
    Dashamir Ohri: Në bazën e nëndetëseve të Pashalimanit oficerët shqiptarë kanë qenë vetëm shërbëtorë të sovjetikëve
    Nga Fatos Veliu
    Madhesia e germave:

    Historinë e rrallë e tregon vetë ish-komandanti i asaj baze, i cili hedh dritë edhe për djallëzitë si na e punuan sovjetikët për të drejtuar vetë nëndetëset që sollën gjoja për ne
    HYRJE
    Dashamir Ohri është një nga veteranët e veçantë që njeh historia e Flotës Luftarake Detare e vendit tonë. Ai është komandanti i bazës së nëndetëseve të Pashalimanit, pikërisht në periudhën që ishte krijuar konflikti i madh me aleatin e hershëm, Bashkimin Sovjetik. Figurën e Dashamir Ohrit e ndeshim në rolin e spikatur të komandantit shqiptar të bazës së Pashalimanit, të luajtur me aq mjeshtëri nga aktori i famshëm Bujar Lako, te filmi artistik, kushtuar atyre momenteve, "Ballë për Ballë". Por Dashamir Ohri është dhe një nga 17 oficerët e parë shqiptarë që ka mbaruar studimet në vitin 1947 në ish-Jugosllavi, ashtu siç është dhe një nga specialistët e parë të përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe më pas, një ndër personat e parë, i përgatitur për nëndetëse po në ish-Bashkimin Sovjetik. (Ka dalë në pesëshen e tretë të shkollës së nëndetëseve) Kështu, ai me begraundin e tij historik shënon dhe një të dhënë tjetër, pasi ka qenë pikërisht dhe komandanti i nëndetëses së parë shqiptare, të ardhur me një katërshe nga Bashkimi Sovjetik. Dashamiri ka drejtuar detyra të tilla, që nga komandant i një nëndetëseje dhe deri të komandant i grupit të tyre apo zv. komandant i brigadës së nëndetëseve dhe më pas komandant, si dhe detyrën tepër të lartë të zv. komandant i Flotës Luftarake të Shqipërisë. Më pas me mospërfillje, ai, si dhe shumë shokë bashkëkohës, është hedhur poshtë nga shteti i tij, pikërisht në moshën 52-vjeçare, kur kishte mundësitë më të mira fizike dhe profesionale për t'i shërbyer shtetit të vet.
    Dashamir Ohri ka ndërruar jetë vetëm pak muaj më parë duke lënë në dorën time për opinionin e gjerë një grumbull dëshmish tepër interesante nga të cilat që kur ai jetonte unë kam bërë të njohura për publikun shumë prej këtyre detajeve. Ndërkohë që sot nëpërmjet faqeve të gazetës “Standard” po bëj të njohura për opinionin, shumë histori interesante të treguara me shumë pasion dhe profesionalizëm prej specialisti nëndetësesh.
    Sot që ai nuk jeton më unë si gazetar ndjehem mirë që çoj në dritën e botimit çdo detaj të jetës së tij prej ushtaraku lundruesish nëndetarë, për vetë faktin se i konsideroj si një moment amaneti aq më shumë që personalisht munda të bëj edhe një kontakt të fundit me të për ta takuar edhe njëherë kur mësova se jetonte orët e fundit të jetës.
    Por çfarë ai më ka treguar personalisht për ditët e nxehta të përplasjeve me sovjetikët, vetëm pak kohë si të ndërronte jetë?
    * * *
    Ndërsa ka treguar shumë detaje të cilat do të preferoja tepër enciklopedikë për nga befasia me të cilën na prezantohen, sot ai po sjell një tjetër histori të pabesueshme, por që fatkeqësisht është e vërtetë.
    Në një kohë që shqiptarët paskan menduar se ne kishim një bazë tepër të fuqishme nëndetësesh të përbashkët me ushtrinë e Bashkimit Sovjetik paska qenë vetëm një fasadë. Ajo bazë dhe nëndetëset e saja u drejtuakëshin vetëm nga sovjetikët, ndërsa shqiptarët ishin veç shërbëtorë të tyre. Jo vetëm kaq, por të guxonte një oficer shqiptar të bënte fjalë me një sovjetik, shqiptari pushohej menjëherë nga puna. Këto dhe të tjera ngjarje të panjohura lexuesi i “Standardit” do t’i mësojë pikërisht në intervistën e mëposhtme të zotit Ohri, i cili i dha shumë pak kohë para se të ndërronte jetë.

    Zoti Ohri, ndërsa folëm ditën e kaluar për gjithë ato peripeci që kaluat kur ngelët pa ngrënë katër ditë rrugëve të Moskës ndërsa kishit shkuar të merrnit nëndetëset, më bëre shumë kurioz zoti Dashamir, me faktin e Bazës Lundruese të cilën e përmendët shpesh madje edhe u ndalët goxha te pagëzimet aty dhe këtu etj. Dua të di se çfarë ishte kjo dhe për çfarë shërbente?
    Bëre mirë që ma bëre këtë pyetje se është një detaj interesant për arsyen se Baza Lundruese kishte aq rëndësi dhe vlerë për të mos thënë më shumë se sa nëndetësja. Ajo është si të thuash shtëpia apo pallati lëvizës. Është në interes të nëndetëseve, prandaj edhe sovjetikët kur na sollën katër nëndetëset e vitit 1958 për të cilat ju fola më lartë na dhanë edhe bazën lundruese. Ajo peshonte plot 5 200 tonë dhe
    sistemonte brenda me të gjitha kushtet dhe komoditetet në dhoma shumë luksoze plot 450 persona.
    Merreni me mend sa luksoze ishte qëkurse Hurshovi kur erdhi në Shqipëri dhe bëri një vizitë me Emver Hoxhën në Pashaliman ata që të dy fjetën në dhomat e bazës lundruese. Besoj se me këtë shembull e kupton më mirë të rëndësinë e saj.

    Kur u kthyet?
    Pas tri ditësh. U bënë gati katër nëndetëset dhe një bazë lundruese. Fillimisht nisja u bë me dy grupe, të cilët kaluan në itinerare të ndryshme dhe së fundmi u takuam në detin e Veriut, që ishte dhe pika e diferencimit të nëndetëseve(balancimi i peshave). Grupi i parë drejtohej nga komandanti i brigadës sovjetike, Jegorovi, personazhi i të cilit jepet nëpërmjet figurës së Zheleznovit, luajtur me aq mjeshtëri nga aktori i mirënjohur Sulejman Pitarka. Ai grup përbëhej nga nëndetësja e parë dhe e katërt, si dhe baza lundruese "Njemçinov"(më pas u quajt Tomori). Ato kaluan nga Baltiku në Kil-Kanal dhe dolën në pikën e takimit në detin e Veriut. Grupin i dytë që përbëhej nga nëndetësja e dytë dhe e tretë, drejtohej nga shefi i shtabit sovjetik, kapiteni i rangut të dytë, Kastromov. Në atë grup isha dhe unë. Pas dy-tri ditësh, si kaluam në jug të ishullit Bërholm, mes Suedisë - Danimarkës, Kadigad - Skadigad, arritëm në pikën e takimit. Aty u dha urdhri që të lëviznin në njësh-kolonë të katërt nëndetëset dhe baza lundruese, të cilat morën rrugën për në drejtim të Shqipërisë.

    E bëtë lehtë rrugën?
    S'kam parë ndonjëherë në jetën time aq furtunë dhe shtrëngatë. Çohej nëndetësja si fletë arre në oqean dhe nuk merrej vesh si binte poshtë. Nuk shikonim njërën nga tjetra. Ishte nxirë çdo gjë nga shtrëngata dhe malet e dallgëve dukej sikur të binte Dajti mbi vete.

    Ju udhëtonit në sipërfaqe?
    Nuk lejohej poshtë, pasi dyshohej për manovra luftarake. Sipas lejes së marrë nga shtetet që kalonim, kishim detyrë dhe të kontrolloheshim prej tyre. Të shikoje avionët si na lëshoheshin mbi kokë, duke na shoqëruar.

    Cili ishte itinerari që përshkuat?
    Gjirin e Londrës, Lamansh, Atlantik, Gjirin e Biskajës (që quhet ndryshe dhe varreza e anijeve), Gjibraltar, Mesdhe, kthyem drejtim nga Siçilia dhe dolëm në detin Jon, pastaj u futëm në gjirin e Vlorës dhe përfunduam pas 16 ditësh në Pashaliman.

    I morët pastaj në dorëzim nëndetëset?
    Këtu rinisi meseleja e lënë në mes, që kur ishim për specializim. Kështu, si filluam që t'i merrnim në dorëzim, sipas procedurave, madje pas ndërrimit të flamujve shtetërorë me ceremoni, na erdhi një urdhër që u ndërpre çdo gjë në vend. Nëndetëset do të komandoheshin dhe do të drejtoheshin nga ekuipazhet ruse, ndërsa shqiptarët do të ishin vetëm dublantë, që do të thoshte "të ngroheshim në diell".

    Ç’u bë me nëndetëset që sollët nga Bashkimi Sovjetik?
    Kishte rreth dy muaj që kishin ardhur katër nëndetëset dhe baza lundruese në Pashaliman, ndërsa të gjithë ne kuadrot dhe marinarët që ishim përgatitur për t’i marrë në dorëzim nuk po i preknim me dorë. Këtu, preteksti ishte siç ta thashë më parë, që ne nuk kishim përfunduar përgatitjen e plotë teorike në Sevastopulos. Mirëpo gjatë këtyre dy muajve, sovjetikët rrinin dhe punonin në nëndetëse, ndërsa ne shqiptarët pastronim territorin dhe hapnim kanale. Me një fjalë, merreshim me punë të rëndomta. Në këtë kohë me ardhjen e nëndetëseve në Shqipëri, kudo trumbetohej se u shtua aftësia mbrojtëse e atdheut dhe tani kishim një arsye më shumë me se të mburreshim.

    Pse nuk ishte e vërtetë?
    Deri në këtë kohë që po të tregoj ne ishim shumë naivë, pasi mendonim që me të vërtetë këta kishin ardhur për t’ju dorëzuar shqiptarëve nëndetëset dhe do të iknin. Mirëpo ndodhi e kundërta, ata po bëheshin zotër të bazës. Ana tjetër ishte se nëndetëset, që unë ta kam përsëritur disa herë, nuk i shërbenin mbrojtjes, por kanë detyra të tjera dhe sovjetikët për këtë i kishin dërguar këtu, për qëllimet e veta.

    Vazhdoi gjatë kjo gjendje?
    Katër vite, sa i hoqëm qafe, këtë punë kishim me ta. U bënë të padurueshëm, dukej hapur që nuk e kishte njeri mendjen te ne. Situatat, në çdo kohë që kalonte, bëheshin më të komplikuara. Ishim kudo inferiorë dhe nuk guxonte të matej njeri me Jegorovin, se e pakta shkarkoheshe menjëherë.

    Gjatë kohës që ndenjën sovjetikët, mësuat diçka në përvetësimin e nëndetëseve?
    Këtu flitet si ekuipazh, pasi detyrat në nëndetëse janë të përbashkëta. Por, që të jem shumë i saktë, gjatë katër viteve përgatitëm efektivat tanë në masën më minimale, që po të ta shpjegoj më mirë do të të them që u kualifikuam vetëm në shkallën e detyrës së parë, kur kishim dhe tri detyra të tjera për të mësuar.

    Thatë në fillim se situatat erdhën duke u acaruar?
    Po. Ishin disa momente që u bënë të padurueshme. Ata mblidheshin herë pas here në prezencën e një elementi të poshtër, siç ta thashë edhe në fillim, i cili vinte nga Ambasada Sovjetike në Tiranë dhe që ishte admirali Zagrebe. Ai trazonte dhe krijonte gjithë ato konflikte. Sa qetësoheshin pak situatat, vinte ai dhe jepte direktiva të reja, të cilat nxisnin në një nxehtësi të mëtejshme. Kështu, për shembull, në një rast, ndërsa ai i kishte mbledhur të gjithë në një takim, po ju thoshte me zë të lartë që të dëgjonim dhe ne: Duhet ta dini, se sado afrimitet që të kihet nga profesori me nxënësin nuk mund të bëhen njëlloj, prandaj ju këshilloj që të kini kujdes në marrëdhënie me ta. Kështu, ai bënte thirrje që të distancoheshin fare nga ne. Në këtë kohë, u ndërrua dhe komandanti sovjetik i bazës, Jegorovi, dhe në vend të tij erdhi Rriballkoja. Mirëpo në radhët e marinarëve dhe të oficerëve filloi një konflikt i nëndheshëm, si fillim, se në atë kohë Shqipëria kishte filluar të dilte jashtë influencës sovjetike dhe interesohej të afrohej me Kinën.

    Si pasqyrohej ky acarim në radhët e vartësve tuaj?
    Një marinar, oficer a nënë oficeri sovjetik, a çfarëdo që të ishte prej tyre, thoshte: “nëndetëset janë tonat dhe ju duhet të rrini urtë, ose: ne ju mbajmë me bukë dhe me çfarëdo gjëje, ku keni ju mundësi për të ecur pa ne etj., etj.”. Mirëpo sa vinte "rrufeja" nga Tirana, se kështu i thonim ne me epitetin që i kishim vënë Zagrebes, ndizej çdo gjë dhe bëhej në shumë raste, situata e elementëve të caktuar, gati për grusht. Katër vite kemi qenë të përçmuar dhe të përdhosur nga sovjetikët në bazën e Pashalimanit, deri sa në fund e morëm situatën në dorë. Na kishte ardhur të gjithëve në majë të hundës. Në këto situata dhe më tej, arriti një moment që ne të mos u besonim më fare, por ta konsideronim njëri-tjetrin si armiq. Çdo gjë e ruanim nga sovjetikët dhe ata nga ne. Ndamë shërbimet dhe forcuam gatishmëritë. Tensionimi ynë kishte arritur në kulm. Në këtë periudhë të heshtur bëri vizitën e tij Nikita Hrushovi, të cilit unë i paraqita forcën, por që në qëndrimin e mbajtur aty me Enver Hoxhën, ne po kuptonim më shumë për atë që do të ngjiste, jo shumë më vonë. Gjithsesi kishim filluar të flinim me këpucë dhe unë me komandantin sovjetik të bazës kishim filluar të shkëmbenim protestat e para të dokumentuara.

    NËNDETËSJA

    Nëndetëset tona, sipas tipit, ishin të mesme,
    të projektit “613”.
    Është 75 m e gjatë,
    6,3 m e gjerë
    dhe lartësi 14 m.
    Në ujë, kur rri në sipërfaqe, pluskon deri në 5 m thellësi.
    * * *
    Një nëndetëse mbante këto furnizime:
    * 124 tonë naftë,
    * 14 tonë vaj,
    * 100 tonë bateri, e cila kishte plot 124 elementë me një peshë prej 600 kg secili,
    *9 tonë ujë,
    deri në dy tonë ushqime,
    * si dhe kompletin e plotë prej 12 silurësh.

    * * *
    Ekuipazhi i nëndetëses ishte:

    * 8 oficerë
    * 22 nënoficerë
    * 60 ushtarë

    * * *
    Siluri i nëndetëses

    *Gjatësi 7 m
    *Pasha 1 ton
    *Distance maksimale e hedhjes 10 km
    * * *
    Baza Lundruese

    Baza jonë lundruese e kishte emrin "Tomori".
    ** Ajo peshonte 5200 tonë dhe…,
    ** sistemonte brenda, me të gjitha kushtet,
    një kontingjent prej 450 personash.
    (Vijon Nesër)

  5. #5
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Ish-komandanti i bazës së Pashalimanit dhe personazhi i vërtetë i filmit artistik “Ballë për Ballë”, Dashamir Ohri tregon ngjarjen e panjohur. Çfarë ndodhi që Enver Hoxha dërgoi atje me urgjencë Beqir Ballukun

    Hyrje
    Një urdhër urgjent i Enver Hoxhës shkon në bazën e përbashkët shqiptaro-sovjetike të Pashalimanit, i cili kërkon me çdo kusht ruajtjen e nëndetëseve dhe marrjen e tyre pa asnjë lloj incidenti. Në fund ai saktëson: “Çdo gjë në atë bazë duhet të bëhet pa derdhur as një pikë gjaku sovjetik”.
    Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht në vitin 1961, kur Shqipëria kishte kaluar në pozicion luftarak përballë miqve të saj të hershëm, sovjetikëve. Është ajo ngjarje, së cilës i referohet Ismail Kadareja në kapitullin e librit të tij të famshëm “Dimri i Madh”. Pikërisht ajo ngjarje e përshkruar nga Kadareja nëpërmjet regjisorit Pirro Milkami u zhvendos në filmin artistik “Ballë për Ballë”.
    Sot për lexuesit e gazetës sonë jepet dëshmia e ish-komandantit të asaj baze, Dashamir Ohri, rolin e të cilit e luan aktori i mirënjohur, Bujar Lako. Çfarë ndodhi në të vërtetë në atë bazë, kur ushtarakët shqiptarë u urdhëruan të marrin nëndetëset nga duart e sovjetikëve, të cilët i kishin mbajtur deri atë moment. Si evoluoi situata që filluan provokimet mes radhëve të ushtarakëve. Ngjarja e ndodhur natën e fundit kur do të largoheshin sovjetikët, ndërkohë që ushtarët e tyre filluan të shpartallonin çdo gjë në repart dhe reagimi i komandant Ohrit, i cili i dha admiralit sovjetik, Jegorov vetëm 30 minuta kohë për të rivendosur gjendjen. Janë këto disa nga detajet që rrëfen pikërisht zoti Ohri në intervistën e tij të mëposhtme.



    Historia e filmit “Ballë për Ballë”
    Ngjarjet e filmit artistik shqiptar, i cili i kushtohet tërësisht divorcit përfundimtar me sovjetikët, janë të zhvendosura pikërisht në ish-bazën e përbashkët të nëndetëseve në Pashaliman.
    Autori i tij, Ismail Kadare, historinë e konflikteve dhe situatat e krijuara në atë bazë, ku jetonin ushtarët e të dy shteteve që befasisht ishin shndërruar në armiq, e ka përmbledhur në një kapitull të posaçëm në romanin e tij të famshëm “Dimri i Madh”. Ai kapitull ka shërbyer si bazë për tekstin e ardhshëm të filmit.
    Në periudhën ku zhvendosen ngjarjet e filmit, komandant i brigadës së nëndetëseve apo komandant i bazës, siç quhej zakonisht, ka qenë Dashamir Ohri. Pikërisht figurën e tij, aktori Bujar Lako nëpërmjet regjizurës së Pirro Milkanit e ka ngritur në rangun e një oficeri që përjeton momentet më luftarake për atdheun e vet. Ndërkohë aktori tjetër i famshëm, Sulejman Pitarka përjeton në atë film pikërisht figurën e komandantit sovjetik, i cili në të vërtetë quhej Jogorov.
    Mësohet se gjatë xhirimit të atij filmi, i cili ka pasur një kosto të jashtëzakonshme për shtetin e atëhershëm është vënë në dispozicion e gjithë baza e nëndetëseve si dhe reparte të tjera të marinës luftarake. Vetë personazhi real i asaj historie, Dashamir Ohri, i cili personifikohet nëpërmjet figurës së luajtur nga Bujar Lako ka qenë konsulent i filmit. Për këtë gjë ai ka qenë plot gjashtë muaj mes aktorëve dhe regjisorëve të tij.
    Vetë zoti Ohri tregon se subjektet kryesore të atij filmi janë pasqyruar siç kanë ndodhur në realitet, ndërsa kujton se detaje të tilla si përplasje të rëndomta dhe nxjerrje pistolete të ushtarëve të të dy palëve janë improvizime artistike





    (Vijon nga numri i kaluar)

    Zoti Ohri, si e ndienit veten në rolin e komandantit kur bazën e kishit të përbashkët me sovjetikët?
    E vërteta e pamohueshme është se në kohën që baza ushtarake e nëndetëseve në Pashaliman ishte së bashku me sovjetikët, ne ishim nënshtruar krejt para tyre. Ne megjithëse ishim në bazën ushtarake të shtetit tonë, kishim të drejta shumë të pakta mbi mjetet luftarake që disponoheshin aty, për të mos thënë që nuk kishim fare. Kjo situatë vazhdoi jo një e dy ditë, por për katër vjet sa qëndruan në bazën tonë. Këtë gjë e tha hapur edhe komandanti sovjetik, Jegorov, i cili në një moment pa kurrfarë druajtje u shpreh: “Unë nuk marr urdhra nga njeri, por varem vetëm nga komanda ime në “Detin e Zi”. Kështu, shqiptarët po paguanin në mënyrë të rregullt këto haraçe që po i kushtonin kaq shumë ekonomikisht, saqë ty s'ta merr mendja.

    Mund ta shpjegoni më mirë haraçin që paguante populli?
    Është fare e thjeshtë për t’u kuptuar. Për të mbrojtur nëndetëset, të cilat ishin nën komandën sovjetike, kishim krijuar brigadën e mbrojtjes së ujërave, që ishte tërësisht në interes të nëndetëseve dhe që ishte e kompletuar vetëm nga shqiptarë. Kështu, i binte që ata dilnin deri në Mesdhe për detyrat luftarake në interes të shtetit të tyre, ndërsa ne i mbronim. Vitet kalonin dhe situata bëhej shumë e rëndë në lidhje me ta.

    Ju e dinit në ato momente për çarjen që kishte filluar midis krerëve të dy udhëheqjeve?
    Atë ç’po ndodhte në të vërtetë midis tyre nuk e kuptonim shumë, se gjithçka mbahej sekret. Por gjithsesi dinim që diçka po ndodhte, pasi ajo po reflektohej në mënyrën më të pastër, në radhë të parë në Pashaliman. Kështu, befasisht filluan të na vinin sinjale që deri te marinarët kishte nisur një debat politik, që sillte konflikte jo të vogla. Më mbrapa këtë situatë e pamë me sytë tanë edhe te marrëdhëniet e krerëve më të lartë të shteteve tona, pra mes Enverit dhe Hrushovit, kur bënë vizitën në bazën tonë. Ajo na çuditi aq sa dhe na befasoi. Atëherë, ata qëndruan në bazë, një ditë dhe një natë, por ne pamë dhe kuptuam fare qartë se çfarë marrëdhëniesh ekzistonin mes tyre. Të nesërmen i shoqëruam për në Sarandë.

    Çfarë konstatuat?
    Ka qenë viti 1959, që tashmë dihet nga të gjithë, Nikita Hrushovi bëri një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai erdhi edhe në Pashaliman, ku shoqërohej nga Enver Hoxha dhe Liri Belishova. Dy brigadat tona, ajo sovjetike dhe shqiptare, ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës, në të dy krahët e oborrit, ku do të hynte Hrushovi. Unë i paraqita forcën. Atë natë do të flinin të gjithë në bazën lundruese “Tomorri”. Vumë re se në dhomën më luksoze që ishte e komandantit të bazës sovjetike, u vendos Hrushovi, ndërsa në dhomën e shefit të shtabit të bazës po të palës sovjetike (se ishim dublantë), që ishte e dyta për nga komoditeti, u vendos të rrinin truprojat e Hrushovit, ndërsa Enveri apo Liri Belishova u vendosën në dhoma të një kategorie më të ulët se të truprojave të Hrushovit. Në ato momente vumë re menjëherë se ekzistonte një ftohje e madhe dhe e dukshme mes Enverit dhe Hrushovit. Kështu, për shembull, gjatë qëndrimit të tyre në të njëjtin vend, ata të dy nuk u bënë asnjëherë bashkë për të kaluar kohën e lirë. Vetëm kur shkonte orari për të ngrënë, Enveri i bënte ftesën si i zoti i shtëpisë që ishte. Të nesërmen, sipas programit, u nisën për në Sarandë po me bazën lundruese, ku fjetën të shoqëruar dhe nga anijet luftarake të mbrojtjes së ujërave.

    U reflektua ajo klimë dhe në marrëdhëniet tuaja me sovjetikët në bazë?
    Është e vërtetë. Por për të qenë më i saktë po ju them se ka qenë fundi i vitit 1959 kur ne, në mënyrën më të dukshme po e shihnim njëri-tjetrin jo më si aleatë, por si armiq të vërtetë. Mbanim doreza komunikimi sa për sy e faqe, por që nga të dy palët kishte një urrejtje të madhe. Në ato momente dihet se si u zhvillua takimi i Bukureshtit dhe të gjitha takimet e tjera deri në mbledhjen e 81 partive në Moskë. Të gjitha ato pasqyroheshin në mënyrën më të zellshme në bazën e përbashkët, i thënçin. Aty herë pas here vinte nga ambasada admirali Zagrebe dhe çorodiste dynjanë. Po të vinte ai, dihej që kishim një shkallë distancimi më të madh se herët e tjera. Kështu, si ka ikur Hrushovi, nuk kaluan shumë ditë dhe Zagrebe erdhi tepër i karikuar në bazë, duke u thënë sovjetikëve (të vetëve) që ju jeni profesorët dhe shqiptarët janë kursantët tuaj, prandaj kujdes në marrëdhëniet me ta, nuk duhet të bëhet profesori me nxënësin një i vetëm.

    Po ju si reagonit?
    E vuanim sa më s'bëhet. Le kur e dinim që njerëzit, pra shqiptarët, nuk kishin dijeni se çfarë po mbanin në kurrizin e tyre. Madje e konsideronin si fitore bazën që na e çoi ekonominë përtokë, pasi vetëm naftë një nëndetëse do jo më pak se 124 ton e le më të tjerat, ata qindra djem që rrinin në dispozicion të rusëve dhe këta të fundit thoshin, jemi profesorët.

    Ju nuk kishit lundruar asnjëherë në nëndetëse vetëm?
    Ne nuk kishim mësuar fare dhe ata nuk kishin dorëzuar asgjë. Kishim përvetësuar vetëm detyrën e parë, kur kishim kaluar dhe tri të tjera. Mirëpo kishin kaluar katër vjet, kështu që ne në nëndetëse lundronim kur donin ata. Kur vinte ndonjë ekip ndërkombëtar për inspektim, se ashtu u bë aty, vend pelegrinazhi për këdo që vinte në Shqipëri, ne pastronim territorin dhe fjetoret, ndërsa sovjetikët merreshin me nëndetëset.
    E dinim që nuk do na mundësonin kurrë, prandaj dhe ne po merrnim masat tona që të mos tregoheshim kaq të nënshtruar, por që, gjithsesi, aty nga viti 1960 filloi një konflikt i papërballueshëm. Po na vinin provokime nga të gjitha drejtimet.

    Çfarë provokimesh?
    Që nga marinarët, nënoficerët dhe deri tek oficerët rusë, në të gjitha kontaktet që kishin me njerëzit tanë, u thoshin, për shembull: “Ne ju mbajmë me bukë; nëndetëset janë tonat; ju do ta pësoni po u matët me ne; ju jeni mijëra, ne jemi miliona etj.”.

    E si vepronit ju si komandant i bazës në këto momente?
    Vepronim vetëm me protesta te njëri-tjetri, ne komandantët e dy palëve.

    Si protestonit?
    Duhet ta kesh parasysh, besoj, filmin artistik “Ballë për ballë”. Kishim si vend takimi një kabinë, për shembull, të komandantit të bazës sovjetike në bazën lundruese. Kur më vinte një informacion i tillë, që kishte pasur një provokacion, unë bëja regjistrimin në librin përkatës dhe ftoja në takim, në kabinën e përcaktuar, admiralin sovjetik Rribillko (sepse Jegorovi u zëvendësua me Rrabillkon). Ai, sipas ftesës, më priste madje dhe me pije apo me ndonjë gjë tjetër. Si bënim përshëndetjet e rastit, i thoja pastaj qëllimin e takimit, për shembull: “Shoku admiral, unë kam ardhur të denoncoj një veprim të marinarit tuaj, i quajtur … që në një takim që ka pasur me marinarin tonë … , e ka kërcënuar këtë të fundit, duke i thënë … , për këtë ne mendojmë se është bërë me një qëllim të caktuar”. Ndërsa ai, përgjithësisht, gjithçka që i thosha i mbante shënim dhe ndërkohë përgjigjej: Nuk kam dijeni, do të interesohem të marr informacionin në rrugët e mia dhe do të takohemi prapë për këtë problem. Më mbrapa ndodhte që s’informohej, më ftonte mua në takim, ku në përgjithësi varionte biseda me formulën e njohur: “Po, është e vërtetë që ka ndodhur një incident i tillë me dy marinarët tanë, por vetëm se nuk ishte ashtu si na thatë ju. Problemi ka qenë te marinari juaj ka qenë shkaktari i asaj që ka ndodhur, prandaj jemi ne ata, që po protestojmë me forcë për sa ka ndodhur, me dëshirën e madhe që mos të përsëriten më raste të tilla”. Dhe kështu, herë unë e herë admirali Rrabillkon loznim si kungulli me kungulleshkën. Mirëpo këto gjëra po vinin drejt kulmit të pashmangshëm, derisa në momente të caktuara po vëreheshin dhe konflikte fizike. Pas shumë ditësh, si kishte ardhur kjo situatë, kujtojmë këtu që ishte viti 1961, më vjen porosia e veçantë nga Enver Hoxha.

    Çfarë urdhri ju dërgoi Enver Hoxha?
    Ishte fillimi i vitit 1961. Më thërrasin në komandën qendrore të Flotës Luftarake Detare, komandant i së cilës, pas arrestimit të Teme Seikos, kishte ardhur vetë ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Fare shkurt dhe pa shumë ceremoni, Beqir Balluku u shpreh: “Po vij i dërguar direkt nga shoku Enver, i cili ju urdhëron në mënyrën më të prerë dhe të padiskutueshme që: Gjak sovjetiku, këtu nuk do të pikojë në asnjë mënyrë. Ndërkohë, duhet të merrni të gjitha masat të ruhen nëndetëset nga çdo gjë, sidomos nga sabotimet. Duhet të bëni kujdes që të mos ndodhë ndonjë rrëmbim nëndetëseje nga ana e sovjetikëve. Që sot, shoku Dashamir Ohri, shoku Enver ju urdhëron që ju dhe forcat që drejtoni nuk do të jeni më dublantë, por marinarë të vërtetë në teknikën, që është dislokuar në bazën tonë. Pra, në një përmbledhje, po të them që të administroni me nerva të tendosura bazën, duke e bërë pronë tuajën dhe duke mos lejuar që të ndodhë asnjë incident”.

    ( vijon nesër )
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    kush e di me saktesi se.. cfar jan mes vedi.. Dashamir Ohri me Edip Ohrin?

    Mos jan djem xhaxhallaresh?
    Appo vllezer?

    Ne inagurimin e anijes se re ne pasha liman.. ministri Imami kishte ftuar te bijen e Dashamir Ohrit..
    Shum mire ka bere..

    Pra.. i ngrati beqir i con Dashit porosite e enverit..
    pra me ane te "mutimutit" beqir..Enveri jep porosi si te mbronet Pasha Limani..

    lol

    e mbajti 40 vjet minister te mbrotjes pastaj e quajti m.ut m,.uti.. e i futi plumbin..

    po ashtu dhe te ngratin kadri..

    pun m.uti..o shokëni..


    .
    Thx ju qe sollet kujtimet e admiralit..

    ..

  7. #7
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046
    Ju tregoj natën e përgjakshme në Pashaliman kur u përleshëm me grushte me sovjetikët


    Ish-komandanti historik i bazës së nëndetëseve shqiptare për herë të parë tregon detajet e shumëpërfolura të natës së 4 qershorit të vitit 1961 kur ushtarët sovjetikë vendosën të shkatërronin nëndetëset që do të mbeteshin në Vlorë. Cilat qenë debatet e bëra në mesnatë nga dy admiralët dhe urdhri që morën ushtarët tanë.



    Hyrje

    Një urdhër urgjent i Enver Hoxhës shkon në bazën e përbashkët shqiptaro-sovjetike të Pashalimanit, i cili kërkon me çdo kusht ruajtjen e nëndetëseve dhe marrjen e tyre pa asnjë lloj incidenti. Në fund ai saktëson: “Çdo gjë në atë bazë duhet të bëhet pa derdhur as një pikë gjaku sovjetik”.
    Kjo ngjarje ka ndodhur pikërisht në vitin 1961, kur Shqipëria kishte kaluar në pozicion luftarak përballë miqve të saj të hershëm, sovjetikëve. Është ajo ngjarje, së cilës i referohet Ismail Kadareja në kapitullin e librit të tij të famshëm “Dimri i Madh”. Pikërisht ajo ngjarje e përshkruar nga Kadareja nëpërmjet regjisorit Pirro Milkami u zhvendos në filmin artistik “Ballë për Ballë”.

    Sot për lexuesit e gazetës sonë jepet dëshmia e ish- komandantit të asaj baze, Dashamir Ohri, rolin e të cilit e luan aktori i mirënjohur, Bujar Lako. Çfarë ndodhi në të vërtetë në atë bazë, kur ushtarakët shqiptarë u urdhëruan të marrin nëndetëset nga duart e sovjetikëve, të cilët i kishin mbajtur deri atë moment. Si evoluoi situata që filluan provokimet mes radhëve të ushtarakëve. Ngjarja e ndodhur natën e fundit kur do të largoheshin sovjetikët, ndërkohë që ushtarët e tyre filluan të shpartallonin çdo gjë në repart dhe reagimi i komandant Ohrit, i cili i dha admiralit sovjetik, Jegorov vetëm 30 minuta kohë për të rivendosur gjendjen. Janë këto disa nga detajet që rrëfen pikërisht zoti Ohri në intervistën e tij të mëposhtme.



    Sovjetikët filluan katrahurën
    Ishte ora 23.00 e datës 4 qershor. Më bie dera e dhomës, ku më së shumti rrija pa fjetur dhe njoftohem që situata me marinarët sovjetikë po dilte nga kontrolli, ata po shkatërronin gjithçka, sidomos dokumente.
    Dola nxitimthi dhe çfarë të shikoja…?!
    Ishte provokimi më i madh që mund të na bënin, kishte ardhur momenti, nuk mund të prisnim më. Në ato çaste jam ndodhur vetëm fare dhe s'më ngelej gjë tjetër, veçse të veproja me iniciativë.

    Ohri i jep ultimatum admiralit sovjetik
    Pas katrahurës që ushtarët sovjetikë po bënin në bazë, shkova me shpejtësi suferine në zyrën e admiralit sovjetik dhe tërë tërsëllimë i thashë: “Shoku admiral, njerëzit tuaj na kanë shkatërruar gjithçka, kjo është diçka e qëllimshme, por edhe ne nuk do ju japim mundësinë që të mund të luani kaq lehtë. Unë si komandanti shqiptar i bazës, që ju e dini se ndodhet në Shqipëri, po ju deklaroj që brenda 30 minutash, në qoftë se nuk merrni masa që të rivendosni situatën, atëherë do të përgjigjeni për atë çka do të ndodhë këtu”.






    (Vijon nga numri i kaluar)

    Zoti Ohri, megjithëse e theksuam disi momentin kur nëpërmjet Beqir Ballukut ju erdhi në bazën e nëndetëseve ku ju ishit komandant urdhri i Enver Hoxhës. Për ta rikujtuar disi dhe për të vijuar këtë intervistë të fundit me ju doja të ritheksonit edhe një herë se cili ishte urdhri që ju dërgoi Enver Hoxha?
    Ishte fillimi i vitit 1961. Më thërrasin në komandën qendrore të Flotës Luftarake Detare, komandant i së cilës, pas arrestimit të Teme Seikos, kishte ardhur vetë ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku. Fare shkurt dhe pa shumë ceremoni, Beqir Balluku u shpreh: Po vij i dërguar direkt nga shoku Enver, i cili ju urdhëron në mënyrën më të prerë dhe të padiskutueshme që: Gjak sovjetiku, këtu nuk do të pikojë në asnjë mënyrë. Ndërkohë, duhet të merrni të gjitha masat të ruhen nëndetëset nga çdo gjë, sidomos nga sabotimet. Duhet të bëni kujdes që të mos ndodhë ndonjë rrëmbim nëndetëseje nga ana e sovjetikëve. Që sot, shoku Dashamir Ohri, shoku Enver ju urdhëron që ju dhe forcat që drejtoni nuk do të jeni më dublantë, por marinarë të vërtetë në teknikën, që është dislokuar në bazën tonë. Pra, në një përmbledhje, po të them që të administroni me nerva të tendosura bazën, duke e bërë pronë tuajën dhe duke mos lejuar që të ndodhë asnjë incident.

    Si e ndjetë veten pas kësaj?
    Kjo ishte situata që dhe mund të vdisje, momenti nuk dihej se çfarë sillte. Mendjen e ndamë përfundimisht që asaj situate do t'i përgjigjeshim me të gjitha mundësitë. Këtu mund të them se falë atyre njerëzve të mrekullueshëm, me të cilët kam punuar, duke filluar që nga marinarët e thjeshtë, te nënoficerët, oficerët, përfshi këtu sidomos komandantët e nëndetëseve, shefat e shtabit të brigadës, komisarët e të gjithë të tjerët që tani nuk po i përmend, por që ndërsa i kujtoj, më bëjnë që të ndjehem i mallëngjyer (befasisht përlotet dhe kërkon falje). A e di çfarë situatash kanë ardhur në ato momente!? Vetëm me shokë të mirë dhe njerëz që të kuptojnë mund të përballoje gjithë atë stuhi që të mos dilja i turpëruar para popullit tim, i cili më kishte besuar komandën e bazës më të rëndësishme në Shqipëri në atë kohë. Ishin të gjithë njerëz të mrekullueshëm dhe të përkushtuar në maksimum dhe më e veçanta ishte se të gjithë nuk pyesnin për jetën përballë çështjeve kombëtare. Ishim përgatitur të luftonim me çfarë të kishim, por vetëm me armë kurrsesi, se ata shkak kërkonin, madje po na provokonin çdo ditë. Megjithatë, pas thirrjes së Enver Hoxhës se ishim zotër të nëndetëseve, na kishte inkurajuar mjaft. Nuk duroheshin më ata.

    Po nëndetëset, a nuk ishin sovjetike?
    Dëgjo, shumë është abuzuar me këto thënie, madje dhe në filmin “Ballë për ballë” është lënë të kuptohet se gjithçka u vendos në Vlorë. Mirëpo, situata dhe çdo gjë u diskutua në Tiranë. Për këtë erdhi pikërisht zv. ministri i Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik, Firubi (i shoqi i anëtares së Byrosë Politike të B. S., Furcevës), i komanduar direkt nga Hrushovi, i cili shoqërohej nga komandanti i flotës së Detit të Zi, Kasatonov. Nga pala shqiptare, i autorizuar direkt nga Enver Hoxha, merrte pjesë në takim zv. ministri i Punëve të Jashtme Halim Budo, bashkë me zëvendësin e tij, Hito Çakon. Aty pas debatesh, argumentesh dhe kundër argumentesh, për dy ditë u vendos si përfundim që katër nëndetëset e para dhe baza lundruese “Tomorri”, prej 450 vendesh të na ngeleshin neve, ndërkohë baza tjetër lundruese prej 700 vendesh dhe 8 nëndetëset e tjera të mbeteshin të sovjetikëve.

    Ishit në dijeni se mbi çfarë kriteresh u morën këto vendime?
    Nuk e di dhe as u interesova, pasi unë isha ushtarak dhe ato ishin probleme qeveritare.

    Zoti Ohri, ju lutem mund të na përshkruani natën e fundit që ikën sovjetikët përfundimisht nga Shqipëria?
    Kur sovjetikët ikën përfundimisht, ka qenë data 6 qershor 1961. Që në fillim të marsit, ne kishim kaluar në gatishmëri zjarri numër një. Të gjithë flinim në repart me rroba veshur. Askush prej muajsh nuk takonte dot familjen, megjithëse i kishim vetëm gjysmë ore larg që nga reparti. Mua ma kishte përsëritur edhe një herë Hysni Kapo porosinë që na kishte dërguar Enver Hoxha. Ai më tha prerë: “Dashamir, po qe se je gjaknxehtë, mos e merr armën me vete. Nuk duhet të ketë pikë gjaku sovjetik, se ata këtë kërkojnë. Le të ktheheni të vdekur, por ta dini se gjakftohtësia juaj do t'i shërbejë shumë popullit”. Ai më la të kuptoja se kush nuk ishte i aftë t'i bënte ballë asaj situate, le të largohej pa problem. Kështu që ne i kishim të gjitha armët pa fishekë dhe të gjithë njerëzit tanë janë treguar shumë të duruar dhe tepër modernë. Kështu po kalonin ditët dhe tensioni ynë rritej. Frika se mos na rrëmbehej ndonjë nëndetëse, nuk ishte diçka e kotë. Ata dukeshin që po merrnin masa për gjithçka. Vetë marinarët e tyre u thoshin tanëve që nëndetëset janë tonat dhe nuk ka pse t'jua lëmë juve. Mirëpo këtë e tha dhe vetë admirali, i cili në një takim të zakonshëm që unë pata me të, për t'i thënë se kështu ishte shprehur marinari i tyre, më tha: “Këtë ju duhet ta kuptoni, që ato tonat janë dhe s'ka si të bëhen tuajat dhe aty ku kapeni ju për mbledhjen e Tiranës, që u takuan zv. ministrat tanë të jashtëm, nuk është argument”. Ju duhet ta dini që ajo ishte propagandë qeveritare etj., etj., biseda të kësaj natyre, që binin sinjale për diçka serioze që mund të ndodhte.

    Po ju si u përgjigjët?
    U përgjigja me të njëjtat tone: “Ato janë tonat dhe do të ngelen tonat, se ka disa marrëveshje që dhe ju keni përfituar nga ne, prandaj shoku admiral po ju këshilloj të mos ndërmerrni aventura”.

    Kur erdhi ndarja përfundimtare?
    Kështu kaluan tre muaj, deri në orën 23.00 të datës 4 qershor, duke u gdhirë dita e 5 qershorit. Më bie dera e dhomës, ku rrija me një sy fjetur dhe një sy zgjuar. Njoftohem se situata me marinarët sovjetikë po dilte nga kontrolli, ata po shkatërronin gjithçka, sidomos dokumentet. Dola nxitimthi dhe çfarë të shikoja, kudo letra dhe dokumentet sekrete që kishim ne. Ishte provokimi më i madh që mund të na bënin. Kishte ardhur momenti, nuk mund të prisnim më. Në ato çaste jam ndodhur vetëm fare dhe s'më ngelej gjë tjetër, veçse të veproja me iniciativë.


    Pse, ku i kishit kolegët e tjerë?
    Komisari i bazës, kapiteni i rangut të dytë, Pal Carapuli, me kompaninë e sigurimit ishte te shtëpitë e ushtarakëve dhe për të siguruar depot e rezervave, shefi i shtabit, Pirro Kola (kapiten i klasit të dytë) ishte me efektivët në gatishmëri në bazën lundruese për të marrë situatën në çdo tentativë për rrëmbim nëndetësesh. Ndërsa unë rrija në anijet tona diku afër, që në çdo moment të ndërhyja me forca të freskëta.

    Si vepruat në atë situatë kur patë sovjetikët?
    Nuk pyeta më për protokolle apo për ceremonira kortezie. Ashtu tërë nerva siç isha, shkova menjëherë, jo vetëm pa njoftuar por edhe pa trokitur, duke i thënë: “Shoku admiral, njerëzit tuaj na kanë shkatërruar gjithçka. Kjo është diçka e qëllimshme, por edhe ne nuk do ju japim mundësinë që të mund të luani kaq lehtë. Unë si komandanti shqiptar i bazës, që ti e di se ndodhet në Shqipëri, po të deklaroj që brenda 30 minutash, në qoftë se nuk merr masa që të rivendosësh situatën, atëherë do të përgjigjeni për atë që do të ndodhë këtu”. Pastaj dola duke tërhequr derën me furi dhe menjëherë mora grupin e gatshëm të brigadës dhe caktova kudo shërbimet e rojeve me shqiptarë. Këtë e nisa që nga oficeri i rojës deri te rojet, madje të dubluara. Sovjetikët u shokuan nga kjo ndërhyrje e menjëhershme dhe kaq energjike. Ushtarët tanë po fluturonin nëpër territor për të zbatuar detyrat e marra. Kudo dëgjoheshin vetëm komandat tona. Ishte situatë emocionale, por tepër e nevojshme. Ndërkohë u dha urdhri nga shefi i shtabit të bazës, që efektivët e katër nëndetëseve të zinin nëndetëset. Në kampin tonë u bë një mobilizim i jashtëzakonshëm dhe ishim në pritje të asaj që do të ndërmerrnin ata. Gjithsesi, ne i kishim zënë nëndetëset dhe bazën tonë lundruese dhe tani na ngelej që t'i ruanim me gjak po të qe nevoja. Kishim të dhëna që në kodrat përreth, artileria dhe këmbësoria jonë ishte dislokuar në gatishmëri për të hapur zjarr.

    Çfarë bëri admirali?
    Kur pa se gjithçka ishte e kotë dhe se ne ishim aq të vendosur, madje edhe të vdisnim, më thirri vetëm pas 20 minutash si kisha filluar nga këto veprime. Ai më tha: “Shoku Ohri, për të shmangur çdo incident mes njerëzve, që unë dhe ti komandojmë, urdhërova që të gjithë marinarët dhe të gjithë efektivët tanë të tërhiqen në kazermë dhe të mos kenë asnjë kontakt me tuajt. Kështu besoj se i shërbejmë më mirë qetësisë dhe situatës normale midis nesh, që të ndahemi me respekt”. E kuptova që ishte e vetmja rrugë, që i kishte ngelur Rriballkos, por gjithsesi e përshëndeta që më në fund arriti të na kuptonte. Kështu, të nesërmen në datën 5 qershor, gjithçka ishte shqiptare. Kudo shikohej entuziazëm. Në çdo vendroje ishte marinari ynë dhe në nëndetëse ishin njerëzit tanë, që kishin pritur për katër vjet mafiozët sovjetikë për të na i dhënë. Megjithatë, ajo ditë që prisnim, erdhi. Ne morëm nëndetëset, të cilat janë trashëguar deri sot.
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  8. #8
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    kola thoshte..

    dal ne mjes ne kafe te madhe e i fus i rren..
    kur vi ne dark ma tregon gruja e i besoj dhe vet..

    pra rrena merr dhen e ndryshon ne koh e hapsir e arrin dhe vet te zotin ta sugjestionoje..

    dhe me libra-pallavrat e kadares ka ndodhur kjo..

    vet ushtaraket duke u matufepsur nga pordhollogjia e ppsh-se qe kadare i sofistikonte artistikishto-mutavisht.. jan influencuar.. e kan harru te verteten duke perpunuar ne koke pallavren zyrtare..

    megjithate Dash Ohri nuku e ka pesuar shume nga kjo.. industri..
    psh nuku e fsheh se ishte hito cakua atje ne ato bisedimet..

    pra filmi perballimi ishte nje pallaver sikurse cdo film shqiptar i asaj kohe..

    pak a shum ngjarjet jan sic i thot dashi.. por per ti marr vesh tahmëm duhen lexuar dhe kujtimet e zyrtarve te lart sovietik te asaj kohe sidomos sekretaret e stalinit hrushovit etj..

    shkurt enveri tallte bithen me te gjithe..tepke si edvini tani.. qe i sjell te gjith rrotull..

    ..

    ushtaraket tan ishin legena.. si gjithe zyrtaret e larte te asaj kohe..
    sapo e kan arrestuar teme sejkon.. e asnji ushtarak nuk cohet ti thot dulles.. boll more qen i cove gjith njerzit birucave..

    joo.. mezallah..

    e hengri x..pun e madhe..

    mirpo..

    u tuten athere te gjithe.. e pastaj u a kerru karabelane nje nga nje enveri te gjithve..

    psh vite me vone nga kjo kohe vate ne biruc..dhe gjenerali i aviacionit.. edip ohri.. kushua i dashamirit..

    tmerr..
    kan bere sehir..
    vate hitua ne biruc..
    nuku folen..
    e keshtu me radhe..

    ..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •