Ohri: Si i shpëtuam me 60 marinarët flotës së NATO-s kur lundronim me nëndetëse nëpër brigjet e Italisë
Nga Fatos Veliu
Rrëfen ish-komandanti i bazës detare të Pashalimanit në periudhën e konfliktit të madh me sovjetikët, Dashamir Ohri. Si bëmë me nëndetësen shqiptare lundrimin sekret për 22 ditë nëpër ujërat e fqinjëve tanë, të cilat ruheshin me fanatizëm nga anijet e tyre luftarake
Thatë nga numrat e kaluar, zoti Dashamir, se nëse diktoheshit duke udhëtuar me nëndetësen shqiptare në ujërat e shteteve fqinje do të shkatërroheshit, apo jo?
Do të bëhej hataja. Do na lëshoheshin me të gjitha mjetet e tyre, le që mjaftonte një luftanije, që të na binte mbi vete dhe ne ktheheshin në viktima. Jo vetëm kjo, por sikur të kishin sinjal italianët se anija shqiptare ishte në ujërat e tyre, do të thoshte që të na zbulonin menjëherë.
Dhe si ia bënit të lundronit në kushtet e sekretit ekstrem që të mos ju ndodhte gjë?
Ne ishim në gjendje nën ujë për të konstatuar menjëherë zhurmat që kishim mbi ujë, si për shembull, anije të ndryshme, duke marrë masa në këtë mënyrë për të manovruar. Mirëpo, po të kishin thjesht një sinjal që ne ishim nën ujë, italianët do të dërgonin menjëherë avionët dhe do të na zbulonin. Kjo gjë nga avionët bëhej shumë lehtë, sepse ata nuk dëgjohen nga nëndetësja, dhe kështu kanë mundësi me anë të valëve të të përcaktojnë vendndodhjen.
Por këtë lloj udhëtimi e bënim gjatë natës për të kursyer energji dhe për të karikuar bateritë, por që na kushtonte shumë në drejtim të stresit dhe të lodhjes, ndërsa ditën as që mund të bëhej fjalë për të ecur me atë thellësi. Ne udhëtonim normalisht me thellësinë e 50-60 metrave. Mirëpo, ki parasysh, që ne lëviznim nën ujërat e mbikëqyrura nga shumë anije dhe mjete të tjera luftarake, të cilave nuk ishte e lehta për t'u shpëtuar zbulimit.
Dhe si ia dilnit mbanë pa u diktuar?
Po ja, për shembull, udhëtonim anash brigjeve të Italisë në thellësinë e 60 metrave. Pastaj ndalonim për të kontrolluar, nëse ishin në gjendje pune radarët dhe pikat e tjera të zbulimit radiolokativ të bregdetit italian. Për këtë, ngrinim ngadalë mbi ujë antenën, për të vënë në punë mjetet tona sinjalizuese. Me shumë kujdes konstatonim nëse ishin në punë mjetet radiolokative italiane, në qoftë se punonin, ne me kujdes të madh ulnim antenën dhe pas kësaj ndalonim shpejtësinë dhe qëndronim në një pozicion pa lëvizur. Kështu rrinim jo një orë e dy, por edhe një ditë, apo dhe dy e tri ditë. Herë pas here ngrinim antenën lart dhe me kujdes bënim kontrollin, derisa konstatonim se nuk kishte rrezik dekonspirimi. Pas kësaj ndiznim motorët dhe vazhdonim lundrimin me kujdes, që të bëhej e mundur kryerja e detyrës së ngarkuar.
Çfarë detyre kryenit konkretisht, përveç asaj që më treguat në fillim të intervistës së parë, kur ishte fjala për të sfiduar Hrushovin?
Detyra zbulimi.
Deri tani treguat për sukseset dhe lehtësitë e detyrës që kryeni. A u rrezikuat ndonjëherë?
Ishin dy herë, që ne e kemi ndier veten shumë keq, madje ishim në një rrezik të madh, po të zbuloheshim.
Mund t'i përshkruani?
Patjetër. Rasti i parë është sa i tmerrshëm, aq edhe komik, që vetëm kur kemi ardhur në Shqipëri kemi qeshur me të madhe, se sa ishim aty kur na ndodhi, jemi bërë dyllë, duke na ikur gjaku fare nga fytyra. Konkretisht historia ishte kështu: Ndërsa vazhdonim udhëtimin gjatë një mesnate, anash brigjeve italiane, me drejtim të Dubrovnikut (Jugosllavi), ngadalë, në lartësinë e periskopit, siç të thashë edhe më parë, aty nga ora 03:00, kemi arritur pikërisht traversën e Otrantos. Në një moment, dëgjojmë një zhurmë karakteristike që po na shqetësonte së tepërmi. Të them të drejtën, kujtova se kishte diçka nëndetësja dhe dhashë urdhër të bëheshin kontrollet fizike të të gjitha pajisjeve, sipas organikave të detyrave që kryenin anëtarët e ekuipazhit. Mirëpo, as kjo nuk solli ndonjë rezultat. Dhamë komandën që të ulej nëndetësja më në thellësi, ndërkohë që pas diferencimit të peshave, vazhdoi sërish udhëtimin. Mirëpo, sërish zhurmat ishin, por të një forme tjetër.
Me periskop nuk dallonit dot gjë?
Në fillim periskopi kishte kënd më të gjerë shikimi, ndërsa më pas ne u zhytëm më poshtë. Dhashë sërish urdhër që të ngjitej lart, duke bërë të mundur ngritjen fare pak lart të periskopit. Por, çfarë kishte ndodhur thua ti!? Aty na paskësh qenë një fushë detare, rreth 500 m katrore a dhe më shumë, e shfrytëzuar nga peshkatarët. Ata kishin hedhur grepat apo parangallët si i thonë, për të kapur peshk, dhe njërin skaj te fildispanjës e kishin kapur në një bidon që ishte i taposur për të mos u zhytur në ujë. Pas kësaj, peshkatarët kur ktheheshin dhe merrnin parangallët, i konstatonin kollaj nga bidonët që ishin mbi sipërfaqen e ujit. Mirëpo s'ishin një e dy, por me qindra. Pikërisht, kur shkoi nëndetësja, ndeshi në grepat që rrinin të varur nën ujë, duke pritur peshkun. Ata ngelën në trupin e nëndetëses, duke u futur në vrimat e sipërfaqes së saj. Kështu, ndërsa nëndetësja ecte mbi të, ecte dhe parcela me bidonë që mbante grepat e kapur tashmë në vrimat e trupit të saj. Pikërisht, përplasja e bidonëve ishte zhurma që dëgjuam ne, madje dhe kur shtuam thellësinë e lundrimit nën ujë, bidonët të tërhequr nga filli u zhytën poshtë, duke bërë sërish një zhurmë tjetër. Pastaj i pamë kur çuam periskopin në lartësinë e saktë. Nuk mund ta merrni me mend sa u shokuam dhe u befasuam njëherësh. Mirë që ishte pa zbardhur akoma, se do të na kishin kuptuar menjëherë dhe një bombë donim mbi kokë, pastaj merrte fund çdo gjë. Si thonë shaka, kur ti kujton se ecën i fshehtë dhe mbi ty, një parcelë e tërë me bidonë, u tregon të gjithëve se çfarë mund të ketë poshtë detit.
Çfarë bëtë?
I premë një nga një me sëpatë të gjithë.
Po me ngadalë, t'i marrim me radhë, se pikërisht këtu është meseleja. Ju ishit nën ujë disa metra. Si dolët mbi sipërfaqe për të prerë bidonët, kur mund të diktoheshit nga rojet bregdetare italiane?
Dëgjo! Ne dolëm në një lartësi që e quajmë "gjendje pozicionale e nëndetëses", që do të thotë se nëndetësja çohet deri në gjysmë metër apo dhe një metër nën ujë. Mirëpo kapaku në këtë pozicion është mbi ujë dhe mund të hapet nga ekuipazhi, pa frikë se hyn ujë brenda. Kështu, ndërsa s'kishte zbardhur akoma, dolëm mbi trupin e nëndetëses dhe me një sëpatë i premë të gjithë grepat, duke i lënë të lirë bidonët nëpër det.
Po rasti i dytë?
Ky ishte rast më i rrezikshëm, që na kushtoi shumë shtrenjtë nga gjendja psikologjike, në ato çaste që neve na u dukën orë të tëra. Ka qenë rasti kur ne lundronim në gjirin e Garganës. Pikërisht pamë me mjetet tona se mbi nëndetëse po afrohej një luftanije e madhe italiane, që mund të na shuante fare. Mendimi ynë ishte se mund të na kishin diktuar dhe tani po na asgjësonin fare.
Çfarë bëtë?
Nuk e humba toruan. Por me të gjithë shokët, që për mua ishin jo dosido, po heronj të vërtetë, u mobilizuam dhe në çast po ulnim nëndetësen poshtë, duke i dhënë thellësi të konsiderueshme. Mirëpo luftanija italiane vazhdonte të vinte drejt nesh, sikur dikush t'i kishte përcaktuar aq mirë koordinatat, sa që nuk linte as një gjë për të dyshuar. Ndërkaq ne po arrinim në thellësinë mbi 100 metra dhe menjëherë morëm drejtimin e lëvizjes për t'ju shmangur pozicionit nga vinte zhurma, pra për t'iu shmangur anijes.
Çfarë ndodhi?
Anija italiane kaloi mbi ne dhe u largua në drejtimin nga kishte marrë urdhër, por nuk kishte dijeni për vendndodhjen tonë. Mirëpo ato çaste neve na u dukën jo minuta, por orë. Ishte një ankth i jashtëzakonshëm që nuk ia vlen të zgjatesh më tej, se kuptohet.
Me bazën kishit ndërlidhje?
Absolutisht jo. Nuk ishte e lejueshme asnjë kontakt me radio, pasi kjo do të dekonspirohej menjëherë nga dhjetëra e dhjetëra radio, të cilat rrinin në përgjim në të njëjtat valë, si në ato që kishin avionët, ashtu dhe në ato të marinës detare, apo pikat radiolokative që ishin të instaluara gjatë gjithë bregdetit nga kalonim. Mjafton të bëje një pikë-vijë dhe i kishe të gjithë avionët mbi kokë.
Gjendja e efektivit ishte e kënaqshme?
Tani mund të flasim pak për ta, se po ta nisim me hollësi, nuk mund të mbarosh dot. Të gjithë treguan vlera të atilla patriotike që i arrinte një njeri hero. Ishin të gjithë të papërtuar dhe të gjithë kishin marrë parasysh vdekjen, e cila mund t'u ndodhte nga momenti në moment, mjafton që të diktoheshe sadopak. Të gjithë ishin të sfilitur dhe të rraskapitur që nuk pyesnin orar dhe sakrificë. Ishin të pagjumë dhe të sëmurë. Brenda ishte temperatura deri në 43 gradë. Të vjellat dhe sfilitjet fizike, erdhi një moment dhe u bë i papërballueshëm. Të gjithë rrinin me të mbathura, nga temperatura që kishte mbytur gjithçka. Më pas ishte më e keqja se u sëmurën dhe nga sëmundja e lëkurës, aq sa nuk mund të duronin dot. Kjo ndodhte se nuk kishim ujë për t'u larë. Kështu sa preknin doreza të ndryshkura aty-këtu, pastaj kruanin fytyrën e trupin apo fshinin djersët. Situata ishte tepër kritike. Ishim 60 veta që rrinim në ato pak metra kub ajër në fund të detit, për 22 ditë me radhë, ku po na mbyste vapa dhe papastërtia.
Por ju kishit ujë?
Secilit i takonte 4 litra në 24 orë. Çfarë do të bëje më parë me ta. Ne ishim të gjithë me mjekra të parruara, për të mos u infektuar. Mirëpo, kur erdhi një moment akoma më i vështirë, ishte e çfarë ishte. Të gjithë i zuri një bark i papërmbajtshëm. Ishte një infeksion i brendshëm që kapi shumicën e tyre. Nuk mund të rrinim më as me të mbathura. të gjithë të rrënuar, madje pa të mbathura fare, mbanim drejtimin e nëndetëses për të arritur në bazë me detyrë të realizuar. Kështu pas 22 ditësh, nëndetësja e parë shqiptare arriti në gjirin e Durrësit, pas 22 ditësh lundrim nën detet ku vigjilonin dhjetëra anije (dhe flota) të "Traktatit të Varshavës" dhe të NATOS. Kjo vuri një gur të rëndë në historinë e nderuar të flotës luftarake detare të Shqipërisë.Standard
(Vijon nesër)
Krijoni Kontakt