Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    Bujar Kapexhiu: Do të rikthehem në kinematografi

    Agjensia e Lajmeve SOT - Kulture

    Bujar Kapexhiu:

    Do të rikthehem në kinematografi si detyrim ndaj spektatorit

    Publikuar te Dielen, 18 Shtator 2011 Shkruar nga SOT NEWS

    Bujar Kapexhiu një emër i njohur në shumë talente, por njëra i përmbledh të gjitha humori e satira. Për vite me radhë ai ka sjellë tek publiku komedi, të cilat janë duartrokitur nga publiku, por mes tyre janë dhe filmat e animuar, si dhe karikatura aq e suksesshme në jetën e tij artistike. I nderuar me titullin “Artisti i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”, Kapexhiu në intervistën dhënë për gazetën “SOT” rrëfen rrugëtimin e tij të gjatë artistik nga filmi deri tek karikatura. Pak kush e di që filmi komedi “Dy herë mat”, që mban autorësinë e Bujar Kapexhiut, fillimisht ka qenë ideuar për “Tre herë mat”.

    Ndërsa flet për komeditë që ka realizuar në vite, ai tregon se në përgjithësi spektatori e pëlqen komedinë, aq më tepër kur një komedi është e ndërtuar natyrshëm, kur thotë diçka, kur është artistikisht me nivel. Jeta artistike për dekada me radhë i ka falur shumë momente emocionuese, por nuk kanë qenë të pakta dhe vështirësitë që ka kaluar. Për artistin që i solli aq shumë të qeshura tek publikut, sot është e papranueshme që investohet kaq pak në filmin shqiptar. Ndërsa e kujton me nostalgji prodhimin e filmit shqiptar ndër vite, Bujar Kapexhiu pohon se arti duhet të ketë më shumë vëmendje.

    -Një jetë e gjatë artistike, por si i kujtoni fillimet tuaja?

    Që në gjimnaz unë jam marrë me teatrin dhe me vizatimin. Kryesisht në vitet e fundit të gjimnazit jam marrë dhe me karikaturën, duke i botuar në gazetën “Muri”, apo duke i vizatuar dhe në dërrasën e zezë. Në gazetë kishte artikuj të ndryshëm për shkollën dhe aty vizatoja dhe unë për probleme të ndryshme. Ajo që realizoi ëndrrën time ishte konkursi që fitova për të vazhduar studimet për aktor. Kur isha me studime në vitin e katërt, pata ofertën për të interpretuar në filmin “Dueli i heshtur” nga regjisor Dhimitër Anagnosti. Kur mbarova Akademinë e Arteve u emërova regjisor pranë Estradës së Tiranës. Këtu filloi dhe karriera ime artistike profesioniste, por jam marrë dhe me skenografi, njëkohësisht jam marrë shumë dhe me libretet, ku një pjesë të tyre i kam shkruar vetë. Gjatë këtyre vite puna ime artistike është shpërblyer dhe me çmime dhe tituj të ndryshëm.

    -Pas Festivalit të 11 në RTSH, ju u dërguat të punonit në punë prodhuese?

    Në Festivali e 11 në RTSH, unë isha konferencier dhe autor i libretit dhe dihej se ai festival u kritikua për tendencën moderniste dhe liberale, dhe së bashku me disa të tjera që unë i kisha pësuar në estradë, u mblodhën të gjitha të sëbashku dhe unë u përjashtova nga puna dhe u dënova pa kufizim të punoja punë të sforcuar, riedukim në prodhim. Më dërguan në kombinatin “Josif Pashko”, ku kam punuar beton etj. Krejt ndryshe nga autoritetet e partisë që më shikonin vëngër, sepse unë isha i dënuar nga partia, punëtorët më kanë mirëpritur. Edhe unë vija nga një familje e thjeshtë, të dy prindërit e mi punëtorë, dhe kjo ishte një vazhdimësi e punës së prindërve të mi. Gjatë asaj kohe jam marrë dhe me prodhime artistike, ku ata filluan të merrnin dhe çmime.

    -Më pas si vijoi jeta juaj artistike?

    Në vitin 1975 u vendos që të ngrihej studio e filmit vizatimor, pra për herë të parë në Shqipëri do të prodhoheshin filmat vizatimorë, ose ndryshe të animuar dhe kryesisht për fëmijë. Atje duhej një regjisor dhe meqë unë merresha me pikturë, me filmin dhe teatrin, menduan që unë mund të isha regjisor i filmit vizatimor. Në nëntor të vitit 1975 unë fillova punë në Kinostudio si regjisor, por fillova të bëja pikturë dhe skenar. Në filmat e mi unë jam regjisor dhe piktor i filmit të animuar. Unë kam fituar disa çmime, ku në një festival kam fituar çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

    -Nuk jeton dot pa humorin, jeni marrë shumë me të dhe në filma, ndërsa keni qenë dhe aktor?

    Pjesëmarrja ime si protagonist në filma qe e paparashikuar. Unë kisha menduar që rolin e Ilo Pincit që e luaja unë në film do ta luante aktori Agim Qirjaqi, një aktor brilant të cilin e vlerësoja shumë. Në atë kohë ai ishte i angazhuar me një film tjetër, kështu që u vendos që atë rol ta luaja unë. Unë isha regjisori, skenaristi dhe aktori protagonist i filmit “Dy herë mat”. Në fillim ai ishte me titull ‘Tre herë mat” dhe më pas u bë “Dy herë mat”, sepse ishte një skenar shumë i gjatë dhe u shkurtua. Unë e kam pasur gjithmonë pasion humorin dhe prandaj jam marrë me estradën, karikaturat, libretet dhe më vonë unë realizova dhe filmin “Tela për violinë” me skenar të Pëllumb Kullës dhe “Stola në park”, më vona shkrova skenarin e filmit “Edhe ashtu edhe kështu” ku isha dhe regjisor. Këtu përfundon krijimtaria ime në Kinostudio, sepse pas vajtjes për një specializim në Itali unë u ktheva dhe u emërova rektor në Akademinë e Arteve.

    -Cili ka qenë roli që ju mendoni se keni goditur publikun?

    Të them të drejtën nuk mund ta përcaktoj saktë se në cilin film kam qenë më i pëlqyer nga publiku. Njerëzit në përgjithësi e pëlqejnë komedinë, kanë dëshirë të shohin filma të tillë, sepse është një argëtim, aq më tepër kur ato janë me problemet e ditës. Spektatori kënaqet kur shikon të tillë filma. Në të vërtetë unë kam lozur role dhe në dramë, apo dhe në filma të tjerë. Kam lozur në filmin “I teti në bronz”, “Gjurma”, “Dueli i heshtur”, që janë prodhime dramatike. Nëse një rol më pëlqen dhe më përshtatet mua e ndjej të këndshme, që ta interpretoj duke ju përshtatur kërkesave artistike të një regjisori.

    -Jeni i njohur dhe me karikaturën, çfarë përcillini tek publiku?

    Unë prej vitesh merrem me karikaturën dhe kam botuar në shtypin e përditshëm. Në kohën e diktaturës kam bërë për shumë probleme që kritikoheshin në atë kohë, por natyrisht shumë të kujdesshme, sepse kritika duhej të ishte deri në një farë mase, mund të ishte deri tek drejtori ose tek kryetari i kooperativës. Nuk mund të bëje kritikë për ministra apo të tjerë zyrtarë të lartë. Pas diktaturës, edhe në karikaturë filluan të hyjnë presidenti, kryeministri, ministrat, etj, nga ata të cilët më parë ne i shikonim si idhuj, por në karikaturë ata janë më të suksesshmit. Nëse bën një karikaturë për një njeri të zakonshëm vetëm mund të buzëqeshin, ndërsa kur bën një karikaturë për një njeri si kryeministri, ministri, presidenti, kanë një tjetër ndjesi, qëndrim dhe reagim. Unë jam marrë më shumë me karikaturën politike, më vjen keq që sot jam i vetmi që merrem me këtë dhe nuk ka të tjerë. Unë doja të ishim një grup i madh që të ishim i fuqishëm ndaj një politike jo të drejtë, dhe ndaj personazheve zyrtarë, të cilët nuk janë në rregull me politikën e vërtetë. Unë duke e ndjerë këtë si mision të një qytetari në artin tim unë kritikoj, godas atë që mua më duket jo e saktë. Për mua në karikaturë nuk ka tabu, ndoshta jam i pari që i kam bërë karikatura presidentit, kryeministrit, ministrave. Karikatura politike nuk duhet të jetë denigruese, nuk duhet të jetë fyese. E bukura është që nëse atë e shikon ministri ose kryeministri, mundësisht do të ishte me vlerë nëse edhe ai do ta ndjente goditjen, por kënaqësia do të ishte nëse ai buzëqeshte.

    -Keni pasur reagime me karikaturat tuaja në drejtim të politikanëve?

    Fillimisht ka pasur edhe ndonjë reagim, por sot dhe politikanët tanë e kanë kuptuar që të jesh në karikaturë do të thotë të jesh dikush, sepse ajo është si reklamë. Po të shikosh punimet e mia, unë i ndaj politikanët në të vërtetë dhe ata sezonalë. Unë nuk merrem me këta politikanë sezonalë, sepse unë i vlerësoj të parëndësishëm. Unë e konsideroj karikaturën vepër arti, dhe kur merrem me të unë e shikoj me shumë seriozitet. Kur unë bëj karikatura nuk është se unë i kam inat ata, përkundrazi i kam miq dhe shokë dhe i vlerësoj. Ndoshta në një moment të caktuar atyre mund tu vijë dhe keq, por ky është misioni i karikaturës.

    -Ju pëlqen të merreni me politikë?

    Nuk e kam menduar asnjëherë se unë duhet të angazhohem me ndonjë parti dhe këtu unë kam qenë i paangazhuar. Motoja ime në jetë është, që jam me të gjithë dhe kundra të gjithëve. Unë e ndjek politikën, sepse duhet të nxjerr temat, fenomenet dhe dukuritë.

    -Ju vjen keq që sot nuk është më estrada?

    A të vjen keq, kjo për mua është fare pak. Kam dhimbje për braktisjen, që i bënë në përgjithësi zhanrit të humorit. Estrada ishte një vend ku kultivohej, një vend ku prodhohej dhe shpërndahej e qeshura. Më vjen shumë keq që edhe sallën e shkatërruan. Për mua është një kanibalizëm, është një sulm nga njerëzit që për të përfituar për vete prishën një art të mrekullueshëm. Më vjen keq, sepse është arti më i kërkuar nga spektatorët.

    -Çfarë mendoni sot për kinemanë shqiptare?

    Fillimisht mua më vjen keq që nuk ka kinema, e dyta ka të bëjë me faktin se nuk kemi dhe filma. Unë mendoj që kaq pak filma, jo vetëm që mezi arrihen të shikohen, por dhe harrohen, edhe nuk dihet se sa filma janë prodhuar. Më vjen keq për këtë, por kjo nuk ndodh për shkak të artistëve, pasi mendoj se vjen sepse nuk ekzistojnë fondet, prandaj dhe nuk ka filma. Përballë këtyre problemeve, kemi dhe shumë artistë të rinj të cilët diplomohen. Shkollat nxjerrin artistë dhe do të ishte shumë bukur, që këta artistë të debutonin nëpër filma, ashtu si në teatër, por ja që këto filma janë kaq të paktë dhe ata nuk lançohen. Më vjen keq, sepse edhe ata që ndërmarrin nisma për të bërë filma me autorë të huaj, akoma vijojnë të bëhen filma vetëm për të kaluarën, vetëm për gjakmarrjen, sikur në Shqipëri ka vetëm gjakmarrje.

    -Çfarë kërkoni nga kineastët shqiptarë?

    Tematika e filmave duhet të jetë sot ashtu siç është Shqipëria, edhe e bukur, edhe e këndshme, edhe e dashur, prandaj dhe ne në krijimtarinë tonë duhet të jemi për Shqipërinë më të guximshëm. Kjo për të treguar bukurinë e saj, rritjen e saj dhe dashurinë e saj. Unë nuk arrij ta kuptoj se përse këta skenaristë, regjisorë shikojnë vetëm të kaluarën, shikojnë vetëm gjëra të zymta, shikon gjëra që edhe kanë kaluar. Natyrisht edhe nuk duhet ta harrojmë atë, por duhet ta lartësojmë dhe të gëzojmë të sotmen, duke qenë akoma më optimistë për të ardhmen. Këto tema do të ishin më të dashura për spektatorin tonë, dhe unë e ndjej këtë dhe si artist. Nuk duhet të merremi më me vrasje, me gjakmarrjen.

    -Sipas jush pse pëlqehen akoma filmat para viteve ’90?

    Gjithçka fillon nga themelet dhe për mua themelet janë të ngritura, themelet e shoqërisë shqiptare janë të forta dhe të suksesshme. Regjisorët e rinj vazhdojnë të mbështeten në këto themele dhe ti shikojnë këto filma me tematikën e bukur dhe këtë art që kanë bërë regjisorët dhe këta skenaristë. Ata mund të ndërtojnë rrugën e tyre të re, por nuk duhet ta harrojmë asnjëherë se me anë të eksperiencës së regjisorëve dhe skenaristëve të vjetër, të rinjtë mund të fitojnë dhe të arrijnë rezultatet e tyre të mira.

    -Më parë ka pasur më shumë filma shqiptarë?

    Mbi të gjitha ne duhet të ndryshojmë atë që ka të bëjë me problemet ideologjike të asaj kohe, problemet që partia shtet në atë kohë i kishte shumë vëmendje. Sot ne kemi një sistem krejt tjetër, i cili nuk drejtohet me një parti, por natyrisht që është qeveria që duhet të kujdeset në mënyrë të veçantë për kinematografinë. Pra sa më shumë fonde, që të kemi sa më shumë filma.

    -Ju vetë si i kujtoni ato vite kur ju interpretonit në filma?

    E kujtoj me shumë pasion, sepse kemi punuar me shumë përkushtim dhe kemi arritur rezultate të cilat mendoj se nuk janë të pakta, sepse ato filma akoma po shikohen nga spektatorët, edhe nga të rinjtë të cilët i pëlqejnë këto filma dhe thonë sa të bukur paskan qenë ata filma.

    -Meqë po flisni për aktorët, sipas jush a kemi sot emra të talentuar?

    Ka aktorë shumë të mirë, ka djem dhe vajza të reja, që janë shumë të talentuar. Ka dhe regjisorë të rinj, për të cilët akoma nuk ka një terren artistik. Nuk ka kinema, nuk ka skenarë dhe fonde për të realizuar filma.

    -Pak më lart pohuat se në kryeqytet ndihet mungesa e kinemave?

    Kjo nuk është një gjë e mirë, por mendoj se kjo gjë do të rregullohet. Me sa jam në dijeni janë duke u ndërtuar dhe kinema të tjera, të cilat do ta plotësojnë këtë mungesë. Duke u shtuar kinematë dhe filmat pa dyshim që ne do të kemi më shumë gjallëri në jetën artistike, një jetë e cila do ta kënaqë spektatorin shqiptar.

    -E ndërkohë, po juve a do t’ju shohim me ndonjë projekt artistik?

    Të them të drejtën dhe unë kam një plan. Kam shkruar dhe po rishikoj dhe njëherë për tu hedhur në kinematografi, sigurisht nëse do të na jepen mundësitë dhe nëse na jepen fondet. Kam detyrime ndaj spektatorit të mrekullueshëm dhe artdashës shqiptarë.

    -Një karrierë, që ka nisur dekada më parë, por sot ku e gjejmë Bujar Kapexhiun?

    Gjithmonë kohën e kaloj me art. Punoj çdo ditë, merrem me karikaturë në gazeta, kemi një studio ku punojmë një grup shokësh me krijimtarinë artistike, me ilustrime librash. Veç kësaj unë jam dhe pedagog i brendshëm në Universitetin Europian të Tiranës. Aty unë jap lëndët, Komunikim pamor dhe Arti i të Folurit në Publik. Janë lëndë, të cilat i duhen gjithkujt. Lënda e Artit të të Folurit në Publik, gjithashtu mendoj se ju shërben shumë politikanëve tanë, të cilët kanë nevojë për këtë lëndë.

    Jeta artistike

    Bujar Kapexhiu më 1968 filloi punë si regjisor në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku shkroi shumë skeçe, parodi, kuplete si edhe u mor me karikaturë për organet e shtypit. Pas një periudhe 2 vjeçare largimi nga Tirana, për shkak të "shfaqjeve liberale dhe moderniste" në Festivalin e 11 të Këngës në RTSH, ku ishte autor teksti dhe konferencier, u rikthye më 1975 si regjisor dhe piktor në sektorin e sapo ngritur të filmit vizatimor pranë Kinostudios "Shqipëria e re". Filmi "Zhgarravinat" (1977), ku Kapexhiu krijoi vizatimet, skenarin dhe regjinë u vlerësua me çmimin e Parë të Festivalit të III-të të filmit Ballkanik të organizuar në Stamboll,Turqi1979; me Kupën e Festivalit të III të Filmit Shqiptar, 21-28 prill 1979 si dhe me çmim në Napoli të Italisë në 1984. Deri në vitin 1985 xhiroi rreth 20 filma vizatimorë në shumicën e të cilëve është skenarist ose bashkëskenarist, regjisor dhe piktor; mes tyre spikat edhe Pipiruku, personazhi i dashur për fëmijët i ndërtuar prej tij. "Pipiruku pret 2 miq" u vlerësua me çmim të dytë në Festivalin e VI të filmit dokumentar e vizatimor. Pas vitit '85 iu përkushtua zhanrit të kinokomedisë duke u shquar për individualitetin e spikatur. Në një kohë mjaft të shkurtër xhiroi katër filma artistikë: "Dy herë mat", 1986, "Tela për violinë", 1987, "Stolat në park", 1988, "Edhe ashtu, edhe kështu", 1989. Është nderuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

    Intervistoi: Julia Vrapi

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    14-12-2011
    Postime
    2
    Bujar Kapexhiu eshte shume i talentuar. Si skenarist dhe si aktor.

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Bujar Kapexhiu: Do të rikthehem në kinematografi



    Ora 5 PM - Bujar Kapexhiu
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 17-01-2021 më 21:03

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Bujar Kapexhiu: Do të rikthehem në kinematografi



    Ora 5 PM - Bujar Kapexhiu / Pjesa 2
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 17-01-2021 më 21:05

  5. #5
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Bujar Kapexhiu: Do të rikthehem në kinematografi



    Ora 5 PM - Bujar Kapexhiu / Pjesa 3

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •