Nën flamurin e Shqipërisë së lirë
Publikuar më 15.11.2012 | 12:52

(Vllehtë në Kongresin Kombëtar të Triestes – mars 1913)

Prof. Nasho Jorgaqi

Bashkësia vllahe në Shqipëri është pjesë e pandarë e historisë së këtij vendi. Lidhjet e saj me popullin shqiptar kanë qenë dhe janë aq të ngushta, sa është zhdukur pothuajse çdo kufi mes njëri-tjetrit. Vllehtë kanë qenë përherë faktor emancipimi dhe pajtues, duke dhënë në rastin më të mirë shembullin e vitalitetit të jetës dhe të kulturës në Gadishullin gjithnjë të trazuar. Një fenomen si Voskopoja është mjaft kuptimplotë! Kontributi i vllehve në historinë dhe kulturën shqiptare duket qartë qysh në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare. Mjaftojmë të kujtojmë se pionieri i saj Naum Veqilharxhi ishte vllah. Kjo është arsyeja që pas shpalljes së Pavarësisë, për herë të parë u shtrua në nivelin kombëtar problemi i bashkëjetesës dhe bashkëpunimit vëllazëror. Në marsin e viti 1913 u mblodh në Trieste Kuvendi Kombëtar Shqiptar, i njohur si Kongresi i Triestes. Aty morën pjesë mbi 150 delegatë, nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe përfaqësues nga kolonitë shqiptare. Pjesë e këtij Kongresi qe edhe një grup vllehsh, me të drejtë dhe detyrë delegimi si gjithë të tjerët. Mes pjesëmarrësve në Kuvend dalloheshin figura të shquara të Lëvizjes sonë kombëtare, si F. Konica dhe F. Noli, H. Mosi dhe N. Ivanaj, Asdreni dhe Z. Skiroi, F. Draga dhe B. Daklani, P. Evangjeli dhe Dh. Mole etj. Kongresin e përshëndeti edhe pretendenti i fronit aso kohe, Gjon Kastrioti Skënderbegu, Markezi i Auletës. Kuvendi shqiptar u thirr për t’i bërë ballë rreziqeve që i kanoseshin shtetit të ri dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë. Vllehtë u radhitën menjëherë dhe pa hezitim në krah të vëllezërve të tyre shqiptarë. Prandaj, nuk është rastësi që, në rendin e ditës prej katër pikash të Kongresit, pika e dytë, pas asaj të krijimit të një Shqipërie etnike, u vu çështja vllahe. Kjo çështje, e zbërthyer më gjerë, do të thoshte se tani që Shqipëria u bë, vllehtë, që jetojnë në brendësi dhe në periferi të saj, jo vetëm e përshëndesin vëllazërisht, por ç’është më e rëndësishme, dëshirojnë dhe janë të vendosur të jetojnë në shtetin e lirë shqiptar. Për këtë qëllim madhor kishin ardhur delegatë që përfaqësonin vllehtë e Shqipërisë, të zonave kufitare të Greqisë e Maqedonisë, të Rumanisë e deri të vllehve shqiptarë të SHBA-së. Mund të përmendim me nderim emrat e delegatëve vlleh si Epaminonda dhe Foti Ballamaçi, Dr. Shundi, Vasil Diamanti, Vasil Dogani, Mihal Lehova etj. Që në krye, në komitetin e Pleqësisë së Kongresit, u zgjodh përfaqësuesi i vllehve At Foti Ballamaçi. Pjesëmarrja e tyre në këtë kuvend politik ishte aktive, duke treguar me këtë një ndjenjë të lartë përgjegjësie për të ardhmen e atdheut të përbashkët. Kulmin e vet ajo e arriti në fjalën që mbajti atje princi Albert Gjika, i ardhur nga Rumania. Ai do të renditet në krahun luftarak të atyre që përpiqeshin për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Princ Gjika, pasi deklaroi se “qeveria rumune, për t’i dhënë zhvillim kulturës shqiptare, do të hapte shkolla shqipe”, shpalli me zë të lartë se “në qoftë se duam të jemi pasardhës të denjë të Skënderbeut, duhet të rrokim armët për një Shqipëri brenda katër vilajeteve”. Mes brohoritjeve entuziaste të pjesëmarrësve, ai e mbylli fjalën e tij: “për t’ia arritur këtij qëllimi të lartë lypen flamuri, pushkë dhe fishekë”. Avokat Mihal Lehova, kryeredaktori i gazetës “Atdheu”, që botohej në Rumani, duke përshëndetur Kongresin, ngriti lart kontributin e shqiptarëve, që me luftën e tyre heroike ndihmuan popujt e Ballkanit për çlirimin kombëtar. Publicisti Vasil Diamanti, në emër të vllehve të viseve kufitare me Greqinë, foli për të drejtat etnike që duhet të gëzojnë ata në shtetin shqiptar. Delegati nga Amerika, Dr. Patajo, flet për nevojën e vëllazërimit të vllehve me shqiptarët. Dr. Shundi, i ardhur nga Bukureshti, në diskutimin e tij dëshmon për simpatinë e madhe që ushqejnë rumunët ndaj shqiptarëve. Ai deklaroi: “Fuqitë e Mëdha duhet t’i ndihmojnë vllehtë që të bashkohen nën flamurin shqiptar”. Kongresi në fund miratoi një rezolutë drejtuar Konferencës së Ambasadorëve në Londër, me anën e së cilës, në emër të gjithë shqiptarëve të tre besimeve dhe të gjithë krahinave të Shqipërisë si dhe të vllehve, kërkonte prej kancelarive evropiane largimin e ushtrive të huaja dhe zhvillimin e lirë të shtetit shqiptar shtrirë në katër vilajetet. Kongresi i Triestes qe veç të tjerave edhe një manifestim i fuqishëm i vëllazërimit shqiptaro-vllah, i aspiratave për të jetuar e bashkëpunuar dhe në kushte të reja., në interes dhe në të mirën e përbashkët. Një qëndrim i tillë ishte vazhdim i mëtejshëm i bashkëjetesës së shqiptarëve me vllehtë ndër shekuj. Vetëm kështu mund të kuptohet e shpjegohet entuziazmi dhe vendosmëria që u manifestuan në këtë tubim mbarëkombëtar për të jetuar në një shtet të lirë, nën flamurin e Shqipërisë. Vitet që erdhën treguan më së miri besnikërinë, dashurinë dhe respektin që vllehtë dhe shqiptarët ushqyen dhe ushqejnë për njëri-tjetrin. Në jubileun e Njëqind vjetorit të Pavarësisë është rasti më i mirë të evokojmë dhe të nderojmë edhe kontributin që dhanë vllehtë e Shqipërisë për kauzën e atdheut tonë të përbashkët jo vetëm në momente kritike të historisë sonë, por dhe në përparimin, emancipimin dhe begatimin e shoqërisë shqiptare. Sepse vllehtë më përgjithësi janë, siç i cilëson një antropolog i shquar gjerman, “Njerëz të lartësive dhe largësive”.