Mashtrimet përmes komunikimeve elektronike kanë hyrë në një tjetër fazë në Shqipëri duke u bërë shumë të rrezikshme për njerëzit që nuk kanë sasinë e duhur të informacionit. Teksa prej vitesh shqiptarët njoftoheshin se kishin fituar lotari të ndryshme ose fonde trashëgimie përmes e-maileve në gjuhën angleze ose franceze, mashtrimet ishin të dukshme. Por kohët e fundit e-mailet mashtruese për përfitime të mëdha financiare kanë nisur të vijnë në shqip.

Përmes një gjuhe jo shumë të saktë në formimin e fjalisë, por të qartë nga ana e përfitimeve financiare, mashtruesit prezantohen si punonjës bankash në Britani. “Shekulli” ka shtënë në dorë disa e-maile të dërguara nga një person që e quan veten “Dr. Michael Williams” dhe ka një adresë e-maili: dr.mw59@yahoo.co.uk. Përmes një personi që prezantohet si Dr Frank Harley, një shtetas britanik, i cili punon në bankën “UBS Investment Bank” në Londër, prezantohet çështja mashtruese.

Dërguesi i e-mailit pretendon se ka zbuluar një shumë marramendëse prej 15.4 milionë paund britanikë, të cilat i përkasin një personi të vdekur. “Në bankën time, kam zbuluar shumën e pesëmbëdhjetë milionë, katërqind mijë paund britanik e Madhe (15,4 milion £ GBP) në një llogari që i takon një fund tonë konsumatorëve të huaj, Z. Stephen Richard. Ai për fat të keq humbi jetën në një aksident ajror, së bashku me atë të gruas së tij dhe vajza e vetme”,- thuhet në e-mail. Më pas mashtruesit paraqesin një histori të gjatë kërkimesh për trashëgimtarë të parave, por pa rezultat. Sipas mashtruesve, në fund të kërkimeve banka është duke hequr dorë nga kjo shumë, e cila do ti kalojë shtetit. “Unë jam duke kërkuar miratimin tuaj, për të paraqitur ju si të afërmit / përfitues të të vdekurit në mënyrë që banka mund të transferojë fondi për ju për të mirën tonë të përbashkët. Unë e di këtë duket të paligjshme, por në qoftë se ju ndiqni udhëzimet e mia dhe procedurat e përcaktuara në mënyrë adekuate pa asnjë hezitim dridhem apo dhe duke i dhënë arsyet e bankës për të dyshuar ju, ne do të arrijmë suksesin e kësaj njëqind për qind transaksion pa probleme apo rrezik”,- thuhet në e-mail.

Sipas tij, të gjitha dokumentet janë bërë gati tashmë dhe thjesht duhet leja e personit që ka marrë e-mailin. Më pas fondi do të ndahet përmes punonjësit të bankës Dr Frank Harley dhe përfituesit shqiptar në kuotën 60 me 40%. Në fund kërkohen disa të dhëna të përfituesit si emri, adresa e plotë, numri i telefonit dhe mosha. Deri në këtë pikë e-maili mashtrues nuk duket sikur përmban ndonjë kërkesë të ekzagjeruar, por pasi të mashtruarit japin këto të dhëna nis faza e dytë. Dërguesit e e-mailit i kërkojnë përfituesve që ti ndihmojnë me disa pagesa të vogla financiare, të cilat janë të domosdoshme për të nisur procedurat. Me pretekstin se pagesat nuk mund të bëhet nga Britania pasi do të zbulohet mashtrimi, ato duhet të bëhen nga përfituesi shqiptar. Pasi bëhen këto pagesa, dërguesi i e-mailit zhduket ndërsa i mashtruari humb paratë përgjithmonë. Mashtruesit premtojnë se e gjithë historia do të mbyllet brenda shtatë ditësh, por në realitet ajo mbyllet vetëm pasi shtetasi shqiptar ka dërguar paratë tek mashtruesit.



Policia: Kujdes nga lotaritë mashtruese në e-mail

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, dhjetëra shqiptarë kanë rënë viktima të mashtrimeve të tilla. Ata kanë humbur paratë dhe më pas i janë drejtuar policisë që ti ndihmojë në gjetjen e mashtruesve. Kjo ka detyruar policinë që të paralajmërojë për rrezikun dhe të tregojë disa raste konkrete. “Nga hetimet rezulton se mashtruesit i gënjejnë qytetarët nëpërmjet mesazheve telefonike dhe postës elektronike në adresat e internetit, duke i bërë të besojnë se janë fitues të çmimeve të ndryshme të organizuara nga kompani të mëdha. Për të qenë sa më të besueshëm për viktimat e tyre, ata dërgojnë në adresat e postës elektronike fotografi dhe të dhëna personale të personave të ndryshëm, duke i bërë qytetarët të besojnë se janë presidentë të fuqishëm të kompanive të mëdha. Menjëherë sapo kryhet kontakti me këto persona, mashtruesit bindin viktimat e tyre se duhet të japin një shumë parash paraprakisht në forma dhe mënyra të ndryshme, gjoja për të paguar taksa të llojeve të ndryshme, si DHL për dërgesa apo dhe shërbime. Me këto mashtrime ata kanë arritur në disa raste të përfitojnë shuma të mëdha parash nga qytetarët. Për këto raste, nga Sektori kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë marrë kallëzimet nga qytetarët e mashtruar dhe po kryhen hetimet përkatëse për veprën penale të mashtrimit kompjuterik”,- tha policia e Tiranës.

Si dallohet mashtrimi

Teksti i e-mailit nis me shprehjen “Miku im i dashur”, por më pas gjuha e përdorur tradhton dërguesin. “Si ju dhe familjen tuaj duke bërë? Ju lutem me mirësi arsyetim ndërhyrjen time, pa pëlqimin e duhur duke shpresuar se ju gjen mail im në shpirt të mirë…”,- vazhdon teksti i e-mailit. Që në këtë pikë dallohet shumë lehtë se shkruesi i e-mailit ka përdorur “google translate” për të kthyer tekstin në gjuhën shqipe dhe pasojat janë të dukshme. Në disa raste përkthimi kompjuterik ka lënë fjalë të tëra pa përkthyer ose i ka dhënë fjalisë kuptime të çuditshme.



Mashtrimi me lotarinë amerikane

Pak muaj më parë një skemë mashtruese e shtrirë në të gjithë botën solli anulimin e lotarisë amerikane. Mashtruesit kishin hyrë në sistemin e lotarisë dhe kishin siguruar të dhënat e sakta të persona që kishin aplikuar. Më pas u ishte komunikuar se ishin fitues, por duhet të paguanin një shumë nga 679 deri në 847 dollarë amerikanë ose ekuivalentin e tyre në lek. Organizatoret e skemës mashtruese udhëzojnë fituesit e rremë që të dërgojnë paratë përmes një transferte me Uester Union, dhe me pas do i kalojnë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

Për këtë ka reaguar edhe konsullja amerikane në Tiranë, Lyra Carr, e cila ka thënë se është e gjitha një mashtrim. “Nëse keni marrë posëe elektronike (e-mail) që ju lajmëron se aplikimi juaj për programin e DV-së ka qenë i suksesshëm dhe ju kërkohet që të dërgoni para në emër të një individi apo biznesi, ju mund të bëheni viktimë e një mashtrimi nëse i përgjigjeni atij e-maili”,- tha konsullja amerikane.Shekulli



http://imageshack.us/photo/my-images...ashtrues.jpg/#