Salih Kabashi
Që nga trokitja e parë skënderbegiane në Kosovë është dëshmuar se ku ka skënderbegë, aty ka edhe ngatrresa.


Marrëdhënia ime dhe kujtimet e mia me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun janë shumë të veçanta. Fillimisht, gjë që është normale, ne të dy nuk njiheshim ndërmjetveti. Në fëmijërinë dhe rininë time të hershme send në dynja të Zotit nuk dija për të. Ai nuk më shfaqej as në librat dhe çuditërisht as në këngët që baba im i këndonte me lahutë. Kështu rezulton se im atë, ndoshta edhe gjyshi im kishin dekë e shku pa ditë gjë se jo fort larg Puke(t) ka qenë një sundimtar me emrin Gjergj e mbiemrin Kastriot. Ata të dy gjatë gjithë shekullit të tyre dhe unë deri më 1966 kemis shku dam pa dijtë gjë as për Skënderbeun as për bëmat e tij.

Duhet kujtuar se librat e shkollimit tim të hershëm ende botoheshin në Beligrad dhe ndonjë nga ato edhe nëse ishte në shqip, ato vinin të përkthyera nga serbishtja. Atje unë bashkë me shokët dhe shoqet e mia mësoja se kush ishte Car Dushani, cila ishte Carica Milica, me kend kishte pirë verë të kuqe Marko Kraleviqi, kujt i kishte këputur kokën Millosh Obiliqi, kush e tradhtoi Car Llazarin në Kosovo Polje..., si martoheshin e bëheshin pjesë e haremit të sulltanëve princeshat serbe me shtatet selvi e sytë e tyre rrush të zi...

Historia serbe, asokohe, ishte edhe historia jonë. Pasiqë ne, shqiptarët e mëvonshëm nuk kishim as histori as gjeografi. Dhe nuk kishim as Sali Berishë për t’i ndrruar e rrudhur ato... Dhe dukej sikur as kishin nevojë për to. Serbët mbase mendonin se për shqiptarët historia ishte e panevojshme. Sepse ata ishin popull johistorik... Kështu thonin serbët për shqiptarët, ndërkohë që këtë defekt nacional Englesi ua kishte atribuar edhe me shkrim jo shqiptarëve po vetë serbëve...

Shqiptarët mbas LDB u shtypën egër dhe u vunë nën administrim brutal ushtarak. Pas shuarjes së kryengritjes së Shaban Polluzhës kundër Titos e Fadil Hoxhës, pas vrasjeve më shumë pa se sa me gjyq të rreth 46.000 shqiptarëve të Kosovës..., shqiptarët dukej të ishin shtruar e rehatuar dhe vetëm rrallë e tek e në grupe të vogla e individualisht rebeloheshin. Shqiptarët mjaftoheshin me copën e bukës misërnike për familjet e tyre dhe falënderonin të Madhin nëse mëngjezi i gjente të gjithë në numër. Dhe nuk u binte në mend për kurrëfarë Skënderbeu.

Në këto kushte të rënda për shqiptarët e Kosovës Skënderbeu i Krujës as nuk po dukej askund as vetë as me kalë as me trimat e tij. Ai nuk po kryente misionin e tij të frikësimit e të mposhtjes së armikut. Ai nuk gjendej në frymëzimet tona djaloshare. As në këngët tona. As në hartimet tona shkollore. Skënderbeut ose nuk i kishin dhënë vizë të hynte në Kosovë. Se nuk e lejonin Tito e Rankoviqi. Ose një gjë të tillë për të nuk e kishin kërkuar as Enveri as Mehmeti.

Kështu unë e Kosova po jetonim me heronj të rinj e me ngjarje të reja të stërhiperbolizuara të historisë së partizanëve jugosllavë: Sutjeska, Kozara, Sava Kovaçeviqi, Majka Knjezhopoljka, Boshko Buha, Ivo Lola Ribar… Tito po se po. Dukej se Kosovës në atë vakt të Serbisë, duke i pasur ato serbe e jugosllave, nuk i duheshin bash për asgjë as historia as lavdia shqiptare.

Kur Tito zbuloi komplotin e numrit dy të regjimit, Rankoviqit dhe kur në një mbledhje të udhëheqësve më të lartë komunistë jugosllavë në ishullin Brione më 1962, ky i fundit u shkarkua nga të gjitha funksionet, shqiptarët e Kosovës që gati se kishin harruar t’i jipnin rëndësi të qenmes së tyre shqiptarë, zunë të lëvizin në drejtim të një krenarie kombëtare. Edhe prijësit komunistë shqiptarë të Kosovës që deri atëherë kishin qenë sa me Titon aq edhe me Rankoviqin, ndoshta në shtypjen e bashkëkombasve të vet më të lidhur e bashkëpunues me serbin, zunë të kërkojnë elemente që do të ekzaltojnë shqiptarët për ditë e bukura që po u sillte Tito e Partia. Kështu filloi ndërtimi i kultit të Fadil Hoxhës, e vetë Fadil Hoxha iu vu me vlug ndërtimit të imazhit të ri të Luftës së (pothuajse të pazhvilluar) Nacional Çlirimtare, e cila thuhej se kishte vënë themelet e barazisë së kombeve e kombësive të Jugosllavisë dhe të vëllazërim-bashkimit si e arritura më madhe e Revolucionit të Titos. Këto nuk zinin rrënjë aq lehtë, sepse Fadil Hoxha kishte tradhtuar Shaban Polluzhën, ndërsa Titoja e kishte mbajtur Kosovën në gjendje lufte edhe 7-8 vjet pas mbarimit të LDB. Të gjitha këto nuk kishin ndodhur kaherë, kështuqë njerëzit nuk i kishin harruar…

Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë në Kosovë shihte se duhej diçka më joshëse për popullin apatik shqiptar. Duhej diçka që do të ndizte. Ky zjarr që do të ngrohte zemrat kosovare mund të vinte vetëm nga Shqipëria, sepse shqiptarët e Jugosllavisë, këtë e dinte shumë mirë udhëheqja e Beogradit, gjithmonë mendjet e zemrat i kishin të drejtuara kah Shqipëria. Kështu një akull i trashur për mbi një dekadë në marrëdhënie midis Jugosllavisë e Shqipërisë po shkrihej në atë masë sa nëpër shtigjet e parrahur të maleve të Shqipërisë të mund të depërtonte e të përvidhej ndonjë libër nga Tirana dhe njëherë i trafikuar e pastaj legalisht edhe distinktivi i vogël me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kosovës romantizmi dhe rilindja kombëtare po i vinte nga Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Në Kosovë erdhi Skënderbeu. Shkroi gazeta e vetme e përditshme “Rilindja”, shkrojti javorja “Zani i Rinisë” u fol në radio… U mbajt një simpozium. Gjergj Kastrioti Skënderbeu qe bërë ylli që shndriste qiellin e tokën kosovare. Historianët edhepse deshën shumë, megjithatë nuk mundën të gjejnë bile një dëshmi se Skënderbeu kishte bërë së paku një natë në ndonjë konak të Kosovës….

Njerëzit, megjithatë, nuk bën shumë yrysh që të ngjisnin në cepat e kapotave të tyre shenjën e Skënderbeut. Por dalëngadalë kjo u bë si domosdo kohe. Modë. Po ende disa kalkulues distinktivin e Skënderbeut e mbanin ngjitur në pjesën e padukshme të jakës së setrave... që të mos provokonin serbët dhe UDB-në.

Kah erdh ky Skënderbeg tash ? Ku ishte më parë ? Pse edhe më parë nuk na kishin folur për të... Serbët që ishin sundimtarët e vërtetë të Kosovës, në shumicën e tyre i shikonin shqiptarët e ngazëllyer me ardhjen e vonuar të heroit të tyre me një dozë habie, edhe me një lloj frike po, por edhe me një nënqeshje misterioze. Pa vonuar shumë serbët nuk u duruan dhe prishën bukur fort festivitetin skenderbegian të Kosovës. Pesëdhjetë e kusur vjet para Olivier Schmittit serbët u patën thënë shqiptarëve se Skënderbeu juaj është serb dhe ai quhet Djuradj, ndërsa baba i tij Jovan ! Eu ! Një pjesë jo e vogël e shqiptarëve këtë e morën për të vërtetë duke thënë se ky farë heroi paska qenë has shka (serb tamam), prandaj si i tillë ai atyre nuk u hynte në punë as nuk u duhej gjë. Por historianët e Kosovës të asaj kohe kundërshtuan me zjarr e si gjithmonë pa argumenta shkencorë këtë « provokim » serb. Ata njësoj si akademiku dhe historiani i sotëm Hakif Bajrami qysh atëherë patën thënë fjalën e madhe e të patundur: Jetën e japim, Skënderbeun nuk e japim. Nuk pati nevojë që askush të jipte jetën për Skënderbeun, ndërsa shumë të posalindurve të tyre shqiptarët u dhanë emrat Kastriot. Serbët u tërhoqën nga beteja me shqiptarët për Skënderbeun. Lidhja Komuniste e Kosovës, lexo edhe ajo e Jugosllavisë dhe e Serbisë nuk kishin asgjë kundër Skënderbeut, pos që kërkonin nga anëtarësia e saj dhe nga populli punonjës që dashuria ndaj tij të respektonte limitet e domosdoshëm, tejkalimi i të cilëve rrezikon që ai të keqpërdoret nga irredentizmi e nacionalizmi shqiptar që dihet, thihej në kumtesa e rezoluta, ka për synim Shqipërinë e Pastër Etnike...

Skënderbeu në Kosovë jo veç në kohë të Serbisë po edhe më pastaj nuk ka mundë asnjëherë të rehatohet. Ai prej fillimi ka gëzuar edhe lavdinë e kryeheroit, po jo rrallë mbi të kanë rënë dyshime mbi (pa)pastërtinë e gjakut të tij, mbi ngatërresat e tij me Lekë Dukagjinin, mbi allishverishet e tij me Papën, mbi kreditë e tij të pamiratuara në Raguzë... Kështu delte se ku ka skënderbegë, aty ka edhe ngatrresa. Ngatrresa kanë shkaktuar edhe bustet e Gjergj Kastriotit në Kosovë dhe Diasporë.

I vetmi Skënderbeg që gëzon reputacion të pamëdyshëm ndër shqiptarët e Kosovës është skenderbegu i grilleve kosovare. Për dreq edhe ai ka haslin (turq. origjinën, prejardhjen) në kulinarikën serbe...

http://kosovapress.com/ks/beta/?cid=1,8,134115