Lituani, Kosova shembull për përfaqësimin e femrave në Kuvend





LITUANI- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga është kthyer sot nga vizita në Lituani, ku mori pjesë në konferencën ‘Gratë përforcojnë demokracinë, praktikat më të mira’, e organizuar nga presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite dhe presidentja e Finlandës, Tarja Halonen, në kuadër të Forumit për Demokraci, në të cilin përfaqësohen një numër i madh shtetesh.

Jahjaga ishte e ftuar në panelin në sesionin “Luftimi i dhunës kundër grave dhe trafikimit me qenie njerëzore”, ndërsa paraqitja e saj u prit me shumë interesim nga pjesëmarrësit e konferencës.

Në konkluzionet e konferencës, Kosova u përmend si shembull i mirë për përfaqësimin e femrave në Kuvendin e Kosovës, si dhe për legjislacionin për luftën e dhunës kundër femrës dhe kundër trafikimit me qeniet njerëzore.

Gjatë qëndrimit në Lituani presidentja Jahjaga u takua me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, presidenten e Finlandës, Tarja Halonen, presidenten e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, përfaqësuesen e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, kryetaren e Kuvendit të Letonisë, Salvita Aboltina, presidentin e Mongolisë, Elbegdorj Tsakhia dhe shumë përfaqësuese shtetesh që morën pjesë në konferencën e Vilniusit.
(e.m/tg/BalkanWeb)