Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e skipetar
    Anëtarësuar
    07-12-2006
    Postime
    719

    Kuçi: 2 Korriku gurëthemel i pavarësisë së Kosovës

    Bota Sot
    E shtunë, 2 korrik 2011

    Delegatët e Kuvendit të Kosovës, të cilët e shpallën Deklaratën e Pavarësisë më 2 Korrik 1990, sot iu priten në ambientet e Qeverisë nga zv/kryeministri i Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi. Në këtë takim u tha se Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 u shpall në gjendje të jashtëzakonshme të shtetrrethimit ushtarako-policor, që kishte vendosur Beogradi, dhe si kundërpërgjigje e rrënimit kundërkushtetues e me forcë. Ky akt u konsiderua si bazë për shtetin e Kosovës në kuptimin historik, juridik dhe demokratik.

    Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë, po edhe të komuniteteve të tjera të Kuvendit të Kosovës, para dyerve të Kuvendit, të cilat ua kishin mbyllur me urdhër serb nga Beogradi.

    Në përvjejtorin e 21 të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi tha se 2 Korriku i vitit 1990 është gurthemel, mbi bazat e së cilës u ndërtua pavarësia e Kosovës.

    Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, si Kushtetuta e Kaçanikut e 7 shtatorit 1990, Referendumi për pavarësi i shtatorit 1991 dhe zgjedhjet e para parlamentare e prsidenciale të 24 majit 1992 të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, shenojnë kthesën historike në lëvizjen demokratike gjithëpopullore kosovare për liri e pavarësi, të viteve ’80-’90 të shekullit të kaluar.

    Megjithatë në këtë takim u kërkua rregullimi i statusit të delegatëve nga viti 1990.

    Në 21 – vjetorin e Deklaratës Kushtetuese, Kosova e lirë nga 12 qershori 1999, pas luftës së UÇK-s dhe ndërhyrjes së NATO-s, dhe shtet sovran nga 17 shkurti 2008, kur Kuvendi e shpalli pavarësinë, është e njohur nga 76 shtete anëtare të OKB-së. Eshtë anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e skipetar
    Anëtarësuar
    07-12-2006
    Postime
    719

    2 Korriku 1990 –Dita e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi : 2 Korriku 1990 –Dita e shpalljes së Deklaratës Kushtetuese është shembulli më i mirë se si institucionet e një vendi reflektojnë vullnetin e qytetarëve të tij

    Prishtinë, 2 Korrik 2011

    Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, me rastin e 2 Korrikut , Ditës së shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, në emër të kryeministrit Thaçi dhe të Qeverisë së Kosovës ka pritur sot delegatët e Kuvendit të Kosovës të legjislativit të vitit 1990.

    Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se 2 Korriku ka rëndësi jo vetëm në kuptimin historik dhe kombëtar por në kuptimin politik demokratik por edhe juridik për Kosovën.

    “Qeveria e Kosovës, unë dhe gjithë qytetarët e Republikës ndihen krenar me atë ditë dhe ju protagonistët e asaj ngjarje që ka rëndësi për ngjarjet që ndodhën më pas”, theksoi z. Kuçi duke shtuar se data e 2 Korrikut është shembulli më i mirë se si institucionet e një vendi reflektojnë vullnetin e qytetarëve . 2 Korriku shënon shkëputjen institucionale me Serbinë. Natyrisht se kjo nuk ka qenë një gjë e lehtë dhe ky është akti më i lartë demokratik deri në atë kohë.

    “Sot 21 vite pas nga kjo ngjarje ju duhet të ndjeheni krenar . Kosova ka nevojë ende për juve, për kontributin tuaj për ndërtimin e vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës gjithmonë do të jetë mirënjohëse për njerëzit , për individët dhe ngjarjet që kanë bërë protagonizmin e kësaj historie”, pohoi z. Kuçi.

    Në emër të delegatëve të Kuvendit të Kosovës të vitit 1990 ka falënderuar z. Iliaz Ramajli.

    Me këtë rast, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi të pranishmëve u ka dhuruar nga një ekzemplar “Libri i Ditës së Pavarësisë”.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e skipetar
    Anëtarësuar
    07-12-2006
    Postime
    719

    Dita kur u shpall Deklarata e 2 Korrikut

    KOHA
    Publikuar: E premte, më 02 korrik 2010

    Në mbrëmjen e 2 korrikut të vitit 1990 dhjetëra veprimtarë e intelektualë shqiptarë përfunduan para punonjësve të Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, i cili kishte muaj që kontrollohej plotësisht nga Beogradi. Kjo u mor vesh një ditë më vonë. Shkak ishte shpallja e Deklaratës Kushtetuese, tashmë të njohur si Deklarata e 2 Korrikut, me të cilën delegatët, siç quheshin atëherë përfaqësuesit e zgjedhur me votën e popullit, Kosovën e shpallën të barabartë me njësitë e tjera të Federatës jugosllave në zhbërje, përkatësisht të konfederatës së përfolur. Të gjithë ishin kërcënuar me ndëshkime të rënda gjyqësore nëse nuk do të qëndronin larg nga ky projekt.
    Ideatori e arkitekti i këtij akti, që përfundoi në histori si një shtyllë e rëndësishme e shtetndërtimit të Kosovës, pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, ishte akademik Gazmend Zajmi. Njëzetvjetori i shpalljes së saj është rast i mirë që botërisht t’i konfirmohet autorësia, sado që këtë e kam bërë për herë të parë pas vdekjes së tij, si një In memoriam, në vitin 1995.
    Koha kur u shkrua dhe u shpall Deklarata ishte fillimi i fundit të Jugosllavisë. Sllovenia e kishte deklaruar qëllimin, kurse Kroacia po bënte përgatitjet e fundit. Të gjithë kishin pritur që kjo të ndodhte më së pari në Kosovë.
    Një mbrëmje qershori, të vitit 1990, derisa po bënim xhiron e zakonshme me akademik Zajmin në shëtitoren e atëhershme, tash sheshi “Nënë Tereza”, gjatë së cilës shkëmbenim mendime rreth zhvillimeve në Kosovë, shfaqi idenë që t’u sugjerohej delegatëve të shpallnin një deklaratë kushtetuese mbi pozitën e Kosovës në Federatën ose konfederatën jugosllave në rrethanat e reja. Të nesërmen ma diktoi tekstin e përmbajtjes së saj, në gjashtë pika, të cilën ua dorëzova pastaj dy delegatëve – Sabri Hashanit dhe Leonora Binishit – Zajmit, të cilët menjëherë e kishin futur në procedurat parlamentare.
    Zhvillimet brenda institucioneve, atëherë të Krahinës së Kosovës, paralajmëronin qëllimet e shqiptarëve. Delegatët, të cilët ishin quajtur e konsideruar “të Rrahman Morëns”, figurës së urryer nga ata që synonin lirinë në Kosovë, u dëshmuan përfaqësues të denjë të atyre që ua kishin besuar votën. Në seancat e Kuvendit ata provuan disa herë të rikthenin kompetencat që Kosovës i ishin marrë arbitrarisht nga Serbia e Milosheviqit, por d&euDml;shtuan në përpjekje. Ishte Alternativa shqiptare, siç quhej nga opinioni jugosllav i kohës lëvizja që kishte mbledhur rreth vetes gjithë potencialin politik e intelektual të shqiptarëve të Kosovës – partitë politike, organizatat joqeveritare, sindikatën, institucionet shkencore e kulturore, që ua mbante ison, si një presion pozitiv për të bërë hapat e duhur.
    Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, me ideatorë Gazmend Zajmin, Rexhep Qosjen, Fehmi Aganin e të tjerë, më 14 qershor 1990 kishte miratuar Deklaratën mbi Çështjet Kushtetuese, me të cilën shkencërisht argumentohej e drejta e subjektivitetit të barabartë politik të Kosovës në Jugosllavi.
    “1. Kuvendi i KSA të Kosovës lutet që ta përgatisë dhe ta proklamojë Deklaratën Kushtetuese mbi pozitën e re kushtetuese të Kosovës në rregullimin kushtetues të vendit, në drejtim të barazisë së Kosovës në federatë - konfederatë, si Kosovë e të gjithë qytetarëve dhe e nacionaliteteve të barabarta të saj, në të cilën shqiptarët konsiderohen jo pakicë kombëtare, apo kombësi, por KOMB (popull) si në Kosovë, ashtu edhe në Jugosllavi, me subjektivitet të barabartë politik.
    2. Kuvendit të KSA të Kosovës gjithashtu i propozohet që të anulojë vendimin e 23 marsit të vitit 1989 për dhënien e pëlqimit për amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë...”, thuhej pos të tjerash në dokumentin e ASHAK-ut.
    Më 1 korrik 1990 u mbajt edhe tubimi i parë i Forumit Demokratik të Kosovës (përbëhej nga përfaqësues të të gjitha partive politike, sindikata dhe shoqatat, të cilat tubonin shqiptarët dhe që kishin filluar të formoheshin nga fundi i dhjetorit të vitit 1989) po ashtu miratoi njëzëshëm Deklaratën e Forumit Demokratik, në të cilën, ndër të tjera thuhej:
    “1. Është e drejtë e patjetërsueshme e qytetarëve të Kosovës dhe e popujve të saj që të vendosin në mënyrë sovrane për çështjet jetike të rregullimit të brendshëm të Kosovës...”
    Kësaj Deklarate iu shtua edhe amendamenti i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë (të cilën po ashtu e kishte formuluar akademik Gazmend Zajmi dhe më kishte sugjeruar ta prezantoja në Forum):
    "Ftohet Kuvendi i Kosovës... që para përgatitjes së kushtetutës së re të Kosovës të nxjerrë Deklaratën Kushtetuese për pozitë të re kushtetuese të Kosovës... Nëse Kuvendit të Kosovës i bëhen pengesa për vazhdimin e seancës së caktuar për 2 korrik 1990, (...) - ftohen delegatët që votimin e tyre për këtë Deklaratë dhe për shpalljen e saj ta bëjnë nëpërmjet të nënshkrimit të Deklaratës "...
    Teksti i Deklaratës Kushtetuese në fakt ishte në duart e delegatëve disa javë më parë. Të gjitha përgatitjet ishin bërë që ajo të shpallej në sallën e mbledhjeve solemne, por në disa nga seancat paraprake u penguan nga kryetari serb i Kuvendit, kurse më 2 korrik delegatët nuk u lejuan fare të hynin brenda ndërtesës. Ata u mblodhën para hyrjes së Kuvendit, tashmë të rrethuar nga autoblinda e forca jo të pakta policore. Ishin aty edhe gazetarë e vëzhgues të jashtëm.
    KMDLNJ, në saje të Mustafa Jasharit, punonjës në administratën e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, për t’i dhënë ngjarjes legjitimitet solli një grup vëzhguesish të organizatave joqeveritare, të akredituara në Komisionin e KB për të Drejtat e Njeriut. Kishte ardhur edhe Eva Brendli, një këshilltare e ish- kandidatit për president të SHBA, Bob Doll.
    Tekstin e Deklaratës, para delegatëve e lexuan delegatët Bujar Gjurgjiala dhe Muharrem Shabani. Ajo ishte nënshkruar paraprakisht nga 114 delegatë.
    Tri ditë më vonë Kuvendi i Serbisë, i cili arbitrarisht kishte marrë kompetencat e institucioneve të pushtetit në Kosovë, shpërndau Kuvendin dhe mbylli mediat në gjuhën shqipe.
    Në fakt mbi shqiptarët ç'prej kohësh ushtrohej një terror i organizuar shtetëror, në të cilin merrnin pjesë të gjitha republikat e Jugosllavisë së atëhershme. Gjatë vitit 1989 dhe 1990 policia dhe ushtria jugosllave vrau mbi 70 shqiptarë, plagosi rreth 500 të tjerë dhe arrestoi e izoluoi qindra intelektualë e të rinj shqiptarë; në pranverë të 1990-ës u bë helmimi masiv i fëmijëve shqiptarë nëpër shkolla posa u bë ndarja edhe fizike e nxënësve sipas përkatësisë kombëtare; vazhdoi edhe dëbimi masiv nga puna i shqiptarëve.
    Por, përmbajtja e Deklaratës dhe obligimi që dilte prej saj për hartimin e kushtetutës së re, tash të Republikës së Kosovës, mbante gjallë shpresat dhe forcën e njerëzve. Më 7 Shtator, në Kaçanik delegatët e Kuvendit miratuan Kushtetutën e shumëpritur.


    Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990

    Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, por para dyerve të tij, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake dhe tanke. Teksti i plotë i Deklaratës ishte ky:

    "Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës, vullnet ky i sublimuar edhe në Deklaratën e ASHA të Kosovës për pozitë të re kushtetuese të Kosovës, si edhe duke u nisur nga roli dhe pozita e Kuvendit të Kosovës si organ përfaqësues dhe kushtetutëdhënës më i lartë i pushtetit dhe i vetëqeverisjes në Kosovë, Kuvendi i Kosovës solemnisht shpall:
    DEKLARATËN KUSHTETUESE MBI KOSOVËN SI NJËSI TË PAVARUR DHE TË BARABARTË NË KUADËR TË FEDERATËS (KONFEDERATËS) TË JUGOSLLAVISË SI SUBJEKT I BARABARTË ME NJËSITË E TJERA NË FEDERATË (KONFEDERATË)
    1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
    2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
    3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si edhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
    4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç'rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
    5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim,
    duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.

    Prishtinë, më 2 korrik 1990 Delegatët nënshkrues të Deklaratës:"

    (Pasojnë nënshkrimet e 114 delegatëve shqiptarë, myslimanë e turq. Të nesërmen, më 3 korrik, Deklaratën e ka nënshkruar edhe një delegat).

    Teksti burimor, i hartuar nga akademiku Gazmend Zajmi, ka pasur edhe pikën 6, me këtë përmbajtje: "Me këtë Deklaratë abrogohet Rezoluta e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e 10 korrikut të vitit 1945 nga Kuvendi i Prizrenit, e cila u nxor në emër të vullnetit të popullsisë së Kosovës, e pa vullnetin e saj", mirëpo komisionet përkatëse të Kuvendit konsideronin se me vetë miratimin e kësaj Deklarate abrogohej automatikisht edhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit. Me këtë ndryshim u pajtua edhe autori, tash i ndjeri Gazmend Zajmi.

    Shkruan: Zenun Çelaj

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e skipetar
    Anëtarësuar
    07-12-2006
    Postime
    719
    Sot, duke i lexuar lajmet në lidhje me 2 Korrik 1990, e vura re lojën me fjalë që bëhet në shënimin e kësaj dite. Lojën me fjalë, si pjesë e eksperimenteve ç'njerzore që po bëhen me Shqiptarët e Kosovës.

    Pse kjo përpjekje kaq e madhe që të ndërrohet edhe kujtesa kolektive e Shqiptarëve në Kosovë?

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •