Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 5
  1. #1
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466

    HIVZI ISLAMI - Dështimi i pritur i regjistrimit të popullsisë

    HIVZI ISLAMI, Publikuar: 30.06.2011 - 16:27

    Ky regjistrim do të sjell dëme të mëdha dhe në rrafshin politik, çfarë janë krijimi i dhunshëm i dimensionit multietnik të Kosovës, ku do të del një çelës i ri i zgjidhjes së raporteve politike në dëm të shqiptarëve! Edhe me regjistrimin e popullsisë, shtyerjen dhe mosmenaxhimin e tij në veri të Kosovës, kjo Qeveri e hapi rrugën legale për ndarjen e Kosovës dhe rrjedhimisht për krijimin e një entiteti të veçantë territorial-etnik për serbët në veri të Republikës.

    Kosova është vendi me specifika më të mëdha demografike në Evropë, rast sui generis dhe në planin statistiko-demografik, veçanërisht sa i përket shkaqeve të shpërnguljes sistematike dhe deportimit me masa të ndryshme të presionit dhe të dhunës deri te ndërmarrjet e hapëta gjenocidale.

    Nevoja për njohjen e realitetit etniko-demografik, social dhe ekonomik të Kosovës pas luftës u bë më se e domosdoshme jo vetëm pse nuk kishte pasur regjistrim të popullsisë që nga viti 1981, por pse lufta e fundit e kishte ndryshuar radikalisht gjendjen në terren, duke sjellë pasoja të mëdha, të drejtpërdrejta dhe indirekte, demografike dhe socioekonomike.

    Suksesi i çdo regjistrimi të përgjithshëm të popullsisë matet me dimensionin gjithëpërfshirës dhe cilësor të tij. Mjerisht, pikërisht në këtë rrafsh në rastin e regjistrimit të prillit të këtij viti në Kosovë doli ajo që edhe pritej: dështimi! Dështimi u kumtua pardje me shpalljen e rezultateve preliminare, kur u bë e ditur nga Enti Statistikor i Kosovës se në Kosovë u regjistruan vetëm 1.733.872 banorë dhe në Prishtinë 198.214 banorë! Rezultatet e shumëpritura të ”Listës suplementare”, mashtruese për bashkatdhetarët në botën e jashtme, nuk u kumtuan, ndërsa shpjegime nuk u dhanë! Të përkujtojmë se Enti Statistikor i ish-Federats Jugosllave në vitin 1991 e vlerësoi numrin e popullsisë së Kosovës në 1.956.196 banorë dhe në periudhën 1991-2000 shtimi natyror i evidentuar në Kosovë, sipas statistikës zyrtare serbe, mesatarisht në vit ishte rreth 38.000 veta, që do të thotë për 10 vjet janë shtuar rreth 380.000 banorë. Ndërkaq, në periudhën 2001-2011 ky shtim, sipas statistikave vitale të Kosovës, është mesatarisht në vit rreth 28.000 veta, me gjithë defektet në dëm të gjendjes reale (nënregjistrimi), që nënkupton se për këtë periudhë kemi pasur një shtim natyror për rreth 280.000 veta. Mbi bazë të këtij treguesi vital, si argumenti më i fuqishëm i gjendjes reale demografike, Kosova ka të paktën 500.000-600.000 banorë më shumë se rezultati i shpallur zyrtarisht nga Enti Statistikor. Shpjegimi i vëllimit demografik të Prishtinës, por edhe i qendrave tjera mezorajonale, mbesin çështje në vete.

    Shkaqet e dështimit të operacionit
    Lidhur me shkaqet e dështimit të operacionit, të shkojmë radhazi:

    - Pas vitit 2002 u bënë përpjekje për organizimin e regjistrimit të popullsisë, por dolën një varg pengesash dhe dobësishë, që flasin qartë për mosgadishmërinë për të hyrë në këtë operacion të ndërlikuar;

    - që në nismë, nga instancat politike, ndërkombëtare dhe vendore, projekti u konceptua ashtu që të shkonte në dëm të komponentit gjithëpërfshirës dhe kualitativ, veçanërisht të popullatës shumicë;

    - paaftësia dhe neglizhenca e institucioneve të Kosovës, nga ato të përkohshmet deri te këto të sotmet, interferimet politike të Serbisë zyrtare dhe faktorit ndërkombëtar, që i pranonte dhe vazhdon t’i pranojë pa rezervë kërkesat e Beogradit;

    - mungesa e infrastrukturës ligjore dhe e kapaciteteve profesionale, organizative-teknike dhe menaxhuese të Entit Statistikor të Kosovës si bartës i organizimit dhe realizimit të operacionit, i cili për më se 10 vjet nuk bëri gjë për ndërtimin e tyre;

    - dështimi i tri regjistrimeve provuese (më 2005, 2006 dhe 2009), kur ditën që mbaronin, pa u mbledhur asnjë material, nga zyrtarët e Qeverisë shpalleshin të suksesshëm, me notë dhjetëshe!;

    - Për çdo projekt, sidomos ata që kanë karakter shtetëror, donacionet janë të mirëseardhura, por nuk duhet lejuar që të jenë edhe imponuese në çështjet thelbësore të Kosovës, si ndodhi me regjistrimin, ku rreth 70% të mjeteve janë donacione;

    - në emër të disa standardeve ndërkombëtare tash e 12 vjet po eksperimentohet me Kosovën në të gjitha fushat, ndërsa në rastin e regjistrimit, dëshirohet dhunshëm të krahasohet zhvillimi demografik i Kosovës me Evropën, por jo edhe me vetveten;

    - ndërrimi i koncepcionit, pa u analizuar mirë efektet e tij, si dhe prerja e paparë mekanike e ndryshimit të definicioneve dhe klasifikimeve në çështjet esenciale, si p.sh. me popullsinë rezidente, ka si pasojë lëndimin e rëndë të realitetit demografik, social, etnik etj. të Kosovës;

    - angazhimi i strukturave qendrore pushtetore në dy operacione masive njikohësisht apo brenda një harku të shkurtër kohor, në zgjedhje dhe regjistrim, dhe preokupimi i tyre vetëm me zgjedhjet parlamentare e komunale e pastaj edhe me ato të presidentit, nuk është e lejueshme;

    - regjistrimi ndonëse është komponent i ndërlikuar profesional-teknik, mjerisht, bartësit e operativës dhe të menaxhimit nuk ishin profesionistët, pjesëtarët e trajnuar mirë dhe kuadrot me njohuri nga fusha e statistikës dhe të shkencave shoqërore, por njerëzit e partisë në pushtet, të klaneve, të familjarëve, të farefisit, dhe projekti i shtrenjtë dhe i komplikuar rrëshqiti nga terreni profesional në terrenin familjar e klanor-partiak;

    - paaftësia e Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë dhe e udhëheqësit të saj, i cili nuk posedon asfarë përgatitje menaxhuese dhe profesionale, me mungësë njohurie dhe për operacionin më elementar, nxjerrjen e përqindjeve, por me mbështetje të fuqishme politike e të tjera;

    - dorëheqja e u. d. të drejtorit të Entit Statistikor vetëm disa ditë para se të fillonte operacioni ishte një argument më tepër se suksesi i këtij regjistrimi vëhej në pikëpyetje, si dhe largimi i ushtruesit tjetër të detyrës së këtij Enti këto ditë, vetëm një muaj para se të kumtoheshin rezultatet e para të regjistrimit;

    - paaftësia e institucioneve qendrore politike dhe statistike që operacionin ta realizonin në të njëjtin interval kohor dhe në tërë territorin e Republikës si obligim kushtetues, çfarë është rasti me veriun e Kosovës, tregon për dështimin e gjithë operacionit;

    - fakti që u shtye regjistrimi për 5 ditë për disa komuna, pa pasur asnjë arsye të veçantë, përveç pse doli keq gjendja numerike, flet për dështimin e tij;

    - dështimin e ndërmarrjes e konfirmojnë edhe njohuritë që i posedojnë ekspertët jashtë operativës, raportimet nga terreni gjatë fazës së realizimit të operacionit dhe pas tij, përfshirë deklaratat e personave të papërfshirë në regjistrim, kumtimi i disa të dhënave kundërthënëse nga vetë zyrtarët e MAP dhe të ESK etj.

    - nuk u përfill fare mendimi i ekspertëve dhe i institucioneve shkencore, madje as i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, e cila, me kohë u sugjeroi instancave vendimmarrëse (qysh më 2006 dhe pastaj në maj të vitit 2010) që, për të pasur një regjistrim objektiv, gjithëpërfshirës dhe cilësor, të merret operacioni me shumë seriozitet, duke marrë parasysh edhe vendimin për shtyrjen e tij dhe për rishqyrtimin e tërë çështjeve kontestuese, përfshirë edhe Ligjin për Regjistrimin e popullsisë.

    Standardet dhe pushteti
    Në rastin e regjistrimit, të huajt u imponuan fuqimisht në çështjen strukturore dhe fundamentale të tij, në koncepcionin, ku “popullsi rezidente” nuk mund të konsiderohen ata banorë që mungonin mbi një vit, sikundër që të tillët nuk mund të përfshihen në popullsinë e përgjithshme. Në vend se të analizohej me shumë kujdes zgjedhja e koncepcionit dhe realiteti sociodemografik kosovar në terren, u shqiptua diktati dhe ai u pranua pa hezitim nga instancat tona qeveritare dhe Enti Statistikor. Nuk ishte preokupim i të huajve komponenti gjithëpërfshirës dhe ana cilësore e të dhënave, por vetëm përfshirja e disa indikatorëve, në radhë të parë numri i përgjithshëm dhe përbërja etnike e tij.

    Një varg rrethanash e bëjnë edhe regjistrimin e popullsisë në Kosovë të veçantë dhe të pakrahasueshëm me vendet tjera të rajonit dhe të Evropës. Lufta politike sot, bile në hapësirat tona, po bëhet edhe me shifra, ku qarqe të ndryshme ndërkombëtare po përpiqen që Kosovës dhunshëm t’i japin dimension multietnik me qëllim që ta zvogëlojnë numrin e shqiptarëve dhe ta rrisin numrin e të tjerëve, para së gjithash të serbëve! Pranimi i vlerësimit se Kosova është rast i veçantë edhe në segmentin statistik-demografik është në përputhje të plotë me realitetin në terren dhe të vërtetën shkencore.

    Në emër të zbatimit të standardeve ndërkombëtare, nuk mund të largohemi krejtësisht nga specifikat tona, sikundër që nuk mund të pajtohemi që të eksperimentohet me Kosovën edhe në çështjet madhore. Fundja, në rastin e veçantë të Kosovës, ka mundur të gjendej një model i pranueshëm i regjistrimit, por gjithnjë më afër kriterit tradicional dhe të vërtetës shkencore dhe më larg një fiksioni. Nuk mund të bëhemi robë të disa standardeve derisa ato nuk gjejnë zbatim në terrenin tonë. Na kujtohen 8 standardet e famshme në fund të vitit 2003, kur i solli një zyrtar i lartë amerikan, Mark Grosman, si detyra për Kosovën, ndërsa zyrtari tjetër, poashtu amerikan, M. Abramovich, anëtar i ICG, i cili na ndihmoi shumë në Rambuje në vitin 1999, tha se ”vetëm Danimarka dhe Norvegjia në këtë botë mund t’i përmbushin këto standarde”! Dhe 8 standardet shpejt u harruan.

    Pushtetarët tanë, që në çdo situatë janë inferiorë ndaj të huajve, në momente të caktuara ”trimërohen” dhe kundërshtojnë, por kjo ndodhë vetëm në rastin e marrjes së pushtetit! Numri dy i partisë në pushtet, anëtari i Qeverisë, Enver Hoxhaj, më 13 janar 2011 tha se ”zgjedhjet janë kryekput çështje e brendshme e Kosovës”, duke injoruar këtu edhe OSBE-në dhe instancat e tjera. Kjo deklaratë e Hoxhajt na përkujton deklaratat e parreshtura famëkeqe të një ministreje për Pakica dhe të Drejta të Njeriut në Serbi, në kohën e Millosheviqit, Margit Savoviq, që thoshte se ”problemi i të drejtave të njeriut është çështje e brendshme e Serbisë” (!), që do të thoshte se regjimi serb kishte të drejtë t’i rrahte, t’i burgoste arbitrarisht, t’i shpërngulte, t’i vriste etj. shqiptarët, ndërsa OSBE-ja dhe bota demokratike nuk mund të përziheshin në punët e brendshme të Serbisë! Ose, në paralajmërimin e ICO-së se do ta anulojë vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për kategori të caktuara që tërheqin vota, njeriu tjetër, poashtu numër dy i partisë në pushtet dhe në vet pushtetin (zv.kryeministër), Hajredin Kuçi, më 2 shkurt 2011, deklaroi: ”Le ta harrojë dikush që në Kosovë mund të shfuqizohen vendimet e institucioneve legjitime të pavarura”, pa llogaritur pasojat e konfliktit Kosovë-FMN, pastaj investimet e huaja dhe sigurinë e tyre në Kosovë etj.

    Nëse instancat politike në luftën e paskrupullt për pushtet këtu dalin ”autonome”, pse të mos jenë autonome edhe në përzgjedhjen e koncepcionit të regjistrimit të popullsisë, që pasqyron realitetin etnodemografik dhe shoqëror të Kosovës dhe rjedhimisht interesin madhor të saj.

    Specifikat e popullatës shqiptare
    Një numër shumë i madh i shqiptarëve (qindra mijëra) sot gjendet në botën e jashtme, kryesisht mbi 12 muaj, por shumë prej tyre pa status të rregulluar të qëndrimit, çfarë janë refugjatët, të zhvendosurit, azilantët, punëtorët sezonalë, të punësuarit në “të zezë”, studentët dhe kategoritë e tjera që kanë ndonjë mbrojtje të përkohshme e të pasigurtë etj., që pritet të riatdhesohen, që është edhe kusht për liberalizimin e vizave. Të dhënat për pjesëtarët e të gjitha këtyre kategorive, që përkohësisht qëndrojnë në kurbet, duhet të mblidhen gjatë regjistrimit përmes pyetësorit individual dhe jo përmes “listës suplementare” si një mashtrim ordiner, që e bëri ESK. Të dhënat duhet t’i ofrojnë familjarët, të afërmit dhe fqinjët e tyre në Kosovë. Në anën tjetër, pse u themeluan bërthamat diplomatike e konzulare? Për ta afirmuar Kosovën dhe për t’i mbrojtur të drejtat dhe interesat e bashkatdhetarëve, përfshirë dhe të drejtën për t’u regjistruar, për të votuar etj.

    Një specifikë e veçantë te popullata shqiptare kudo që gjendet është lidhja e fuqishme emocionale e saj për truallin gjeoetnik, për pronën e paluajtshme, për shtëpinë, tokën, farefisin dhe të afërmit. Bashkatdhetarët tanë, në forma të ndryshme, në vit sjellin miliona euro në Kosovë, në vendlindjet e tyre, duke investuar në ndërtimin e shtëpive, në bujqësi, në biznese të ndryshme, i ndihmojnë familjarët dhe të afërmit e tyre me të holla dhe në mënyra të tjera. Për këto arsye ekzistojnë supozimet objektive që një numër i konsiderueshëm i punëtorëve “përkohësisht” të punësuar që nga fillimi i viteve të 70-ta të shek. XX në vendet evropiane do të kthehet në vendin e lindjes, përkatësisht në vendin e përhershëm të banimit pasi ta përfundojnë karrierën e punës dhe të pensionohet. Këta edhe janë tashmë në përfundim të kësaj karriere.

    Në fillim të viteve të 70-ta, bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme, veçanërisht në Evropë, zyrtarisht cilësoheshin si kategori ”punëtorë përkohësisht të punësuar në botën e jashtme”, më vonë si ”qytetarë me qëndrim të përkohshëm në botën e jashtme”, nga vitet e 90-ta si diasporë apo edhe si mërgatë, ndërsa pas luftës si ”qytetarë jorezidentë”! Rreth konceptimit të këtyre kategorive ka dallime. Ende mbetet dilemë e hapur a mund të konsiderohen bashkatdhetarët tanë në Evropë si diasporë në kuptimin e plotë të fjalës, me shumë specifika, që nuk është shkëputur nga trualli gjeoetnik, siç ka ndodhur me shumë popuj të tjerë dhe me bashkatdhetarët tanë të shpërngulur në periudhat e hershme. Por kjo është temë për një debat tjetër.

    Pasojat e dështimit të operacionit
    Rezultatet e para që dolën nga regjistrimi i prillit 2011, të konceptuar dhe realizuar keq, do të shtrembërojnë gjendjen në shumë indikatorë të zhvillimit shoqëror, mbi të cilën bazë duhet të bëhet revidimi i një varg çështjeve të rëndësishme në shumë fusha, çfarë janë politikat e planifikimit hapësinor, urban dhe shoqëror, buxheti dhe BPV/GDP, shkalla e varfërisë, kontingjentet e punës dhe norma e papunësisë, raportet dhe çështjet kyçe politike, hulumtimet shkencore etj. Por shumë më keq për Kosovën dhe shqiptarët është lëndimi i anës cilësore të regjistrimit. Sa do të pësojë Kosova si tërësi, edhe më tepër do të dëmtohen njësitë më të vogla territoriale-administrative, çfarë janë komunat, kryeqendra Prishtina dhe gjashtë qendrat tjera mezorajonale dhe selitë komunale, të cilat financohen nga buxheti i Kosovës, por sipas numrit të banorëve. Nëse të dhënat e tilla, as kuantitativisht e as kualitativisht, nuk janë të vlefshme për ata që u destinohen atëherë kujt do t’i shërbejnë ato?!

    Ky regjistrim do të sjell dëme të mëdha dhe në rrafshin politik, çfarë janë krijimi i dhunshëm i dimensionit multietnik të Kosovës, ku do të del një çelës i ri i zgjidhjes së raporteve politike në dëm të shqiptarëve! Edhe me regjistrimin e popullsisë, shtyerjen dhe mosmenaxhimin e tij në veri të Kosovës, kjo Qeveri e hapi rrugën legale për ndarjen e Kosovës dhe rrjedhimisht për krijimin e një entiteti të veçantë territorial-etnik për serbët në veri të Republikës.

    Çfarë është logjika që në listat e votuesve (1.630.636 votues në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 ndaj absurdit që Kosova ka rreth 1.733.872 banorë, kur dihet se rreth 45% e popullatës i përket kontingjentit votues, mbi 18 vjet) të figurojnë emrat e njerëzve në diasporë, ndërsa ata të mos përfshihen në regjistrim dhe të mos u mundësohet që të hedhin votën e tyre legjitime në Kosovë?! Në këtë numër të përgjithshëm prej 1.733.872 banorëve nuk mund të ketë më shumë se 800.000 votues, ose sipas këtij numri të votuesve ajo duhet t’i ketë së paku 3.100.000 banorë. Këto janë absurde, sikundër që është e pakuptueshme që në shumë komuna numri i votuesve të jetë sa numri i banorëve! Qeveria duhet t’u jep shpjegime qytetarëve të Kosovës si dhe pse ndodhi kjo, sepse përmes kontingjentit kontestues votues prej 1.630.636 vetave ka ardhur në pushtet!

    Ose, si të kuptohet fakti se Enti Statistikor i ish-Federats Jugosllave në vitin 1991 e vlerësoi numrin e popullsisë së Kosovës në 1.956.196 banorë, që për ekspertët e statistikës dhe demografët e Kosovës ishte i pranueshëm. Për periudhën 1991-2000 shtimi natyror i evidentuar në Kosovë, sipas statistikës zyrtare serbe, mesatarisht në vit ishte rreth 38.000 veta, që do të thotë për 10 vjet janë shtuar rreth 380.000 banorë, dhe në periudhën 2001-2011 ky shtim, sipas statistikave të Kosovës, është mesatarisht në vit rreth 28.000 veta, me gjithë defektet në dëm të gjendjes reale (që në statistikën demografike njihet si nënregjistrim), që nënkupton se për këtë periudhë kemi pasur një shtim natyror për rreth 280.000 veta. Kur të kalkulohen këto shifra, çfarë rezultati del, le ta llogarisë vetë lexuesi mesatar i Kosovës.

    Regjistrimi i popullsisë në veri të Kosovës dhe numri i banorëve që do të dilte atje, nëse do të mbahej operacioni, nuk e ndërron shumë gjendjen në totalin demografik të Kosovës, të bërë të ditur pardje nga ESK. Sepse, sipas regjistrimit të vitit 1991 tri komunat (Leposaviqi, Zveçani dhe Z. Potoku) kishin 34.884 banorë, ndërsa komuna e Mitrovicës kishte 104.855 banorë, ku rreth 26.000 banorë ose rreth ¼ ishin serbë, sot jashtë procesit të regjistrimit. Pra numri i banorëve në këto katër komuna sot mund të jetë jo më shumë se 60.000 banorë. Nga statistikat vitale shihet se shtimi natyror i serbëve për këto vite në këto hapësira është stagnant ose shumë pak mbi të. Edhe Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) para pak kohe ka dhënë shifrën se në Kosovë jetojnë rreth 130.000 serbë, prej të cilëve rreth 75.000 në pjesën në jug të lumit Ibër, ndërsa afër 55.000 në veri të tij. Numri prej 55.000 banorëve dhe numri prej 1.733.872 banorëve përbëjnë totalin prej 1.788.753 banorëve të Kosovës. Shifra prej 1.733.872 banorëve zyrtarisht e shpallur dhe shifra prej 1.788.753 është e njëjta gjë, që tumir faktin se regjistrimi kuantitativisht është i dështuar. As rezultatet definitive që do të shpallen pas një viti nuk mund ta ndërrojnë fare situatën.

    Çështja e riatdhesimit dhe regjistrimi i serbëve
    Ministri ynë i brendshëm këto ditë nënshkroi një marrëveshje me vendet e Beneluksit për t’i kthyer njerëzit tanë nga këto vende, të cilët nuk janë pjesë e popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës, sepse në regjistrim nuk ishin përfshirë. Nesër do të nënshkruajë marrëveshje me vendet e tjera, p.sh. me Gjermaninë, Zvicrrën, ku kemi shumë kosovarë. Qeveritarët tanë këto ditë po bisedojnë me udhëheqjet komunale për t’i riatdhesuar qytetarët e Kosovës që gjenden në kurbet, të cilët gjithashtu mbetën jashtë numrit preliminar prej 1.733.872 banorëve!

    Për shkak të redistribuimit të madh të popullatës dhe migrimeve fshat-qytet (shtëpitë e diegura, zonat e minuara, uzurpimet etj.), edhe brenda Kosovës një numër i njerëzve ka mbetur i papërfshirë në regjistrim, sikundër që personat me dy vende të banimit (edhe në fshat, edhe në qytet), kanë mundur të përfshihen dy herë, gjë që e shtrembëron gjendjen demografike në vendbanime dhe komuna dhe rrjedhimisht sjell probleme dhe në planifikimin hapësinor dhe social në këto njësi.

    Dalja e serbëve të Kosovës në regjistrim mbetet çështje e hapur dhe komplekse. Pjesa më e madhe e tyre as sot e gjithë ditën nuk i pranojnë institucionet qendrore të Kosovës, pra as sistemin e statistikave vitale dhe shoqërore. Në anën tjetër që nga viti 2005 ekziston plani i UNMIK-ut për formimin e qendrave të posaçme në Serbi dhe në Mal të Zi, që do ta organizonin regjistrimin e serbëve të Kosovës kurdo që ai të mbahej sipas koncepcionit të popullsisë rezidente, që nënkupton përfshirjen e të gjithë serbëve që janë shpërngulur nga Kosova në Serbi e Mal të Zi që nga viti 1999 dhe më herët. Edhe me Planin e Ahtisarit, që është pjesë përbërëse e sistemit tonë juridiko-politik, është paraparë që serbët të regjistrohen nën mbikëqyrjen e një komisioni të veçantë ndërkombëtar, ku Kosova nuk do të ketë asnjë qasje.

    Serbia kishte planifikuar ta mbante regjistrimin e popullsisë në prill të vitit 2011, por pastaj ka vendosur ta shtyjë për tetor të këtij viti. Të gjitha supozimet flasin se shtyrja është bërë për shkak të serbëve të Kosovës. Përmes të ashtuquajtur “listë suplementare” të Entit tonë të Statistikës, me një mjeshtëri tinzare tentohet që të përfshihen në regjistrim serbët e shpërngulur nga Kosova para 12 vjetëve e më shumë, përfshirë edhe ata të cilët tashmë i kanë shitur pronat e tyre në Kosovë dhe definitivisht e kanë braktisur atë. Edhe në çështjen e operacionit të regjistrimit të serbëve të Kosovës, Beogradi luajti rol vendimtar. Shefi i ICO-së Pieter Feith më 28. 04. 2010 kishte deklaruar se “regjistrimi është një çështje që do të kërkojë bashkëpunim me Beogradin”. Mundësitë e manipulimeve me numrin e serbëve të Kosovës mbesin të mëdha, gjë që do të dihet pas regjistrimit të popullsisë në Serbi, pra dhe në veri të Kosovës, por edhe në brendi të saj, në fund të tetorit të këtij viti.

    (Autori është ekspert i demografisë dhe nënkryetar i ASHAK-ut)
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e safinator
    Anëtarësuar
    29-06-2011
    Postime
    711
    Une jam vetem per regjistrim fetar dhe jo etnik.

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e skipetar
    Anëtarësuar
    07-12-2006
    Postime
    719
    a e ka dvet najkush ket Hivzen: "a muj u qove?"

    ku osht kon ky Hivz akademiki pej t'1981-tes si nuk dul me plan për regjistrim t'popullsisë në Kosovë?

    ky Hivz akademiki, tuj i ditë planet e akademis t'shkive per shfarosjen e Shqiptarve nga Kosova, pse nuk e boni naj plan se qysh me u vetmbrojtë popullata Shqiptare në Kosovë?

  4. #4
    i/e regjistruar Maska e Drenica 97
    Anëtarësuar
    19-07-2009
    Vendndodhja
    KOSOVE
    Postime
    1,092
    Hivzi Islami po ben politike e nuk e ofron asnje argumet shkencore per "deshtimin"e regjistrimit te popullsise.
    Pse Hivzi Islami i konsideron si te sakta regjistrimet e vitit 1981 dhe 1991,ne regjistrimin e 1991 shqiptaret nuk kan marre pjese fare.
    CIA ka vlersu ne vitin 2008 se Kosova ka rreth 1.800.000 banore
    Hivzi Islami ka vlersu ne vitin 2006 se Kosova ka mbi 2.100.000 banore,sipas Islamit te gjithe kan deshtu veq ky e ka mire!

  5. #5
    he he hee... Maska e halla mine
    Anëtarësuar
    05-01-2011
    Vendndodhja
    brojë
    Postime
    1,466
    Regjistrimi me rezultate absurde

    Prishtinë, 2 korrik - Sipas rezultateve preliminare, 1.7 milion është numri i banorëve, por në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në fund të vitit të kaluar, në listat e votuesve kanë qenë të regjistruar 1.6 milion banorë me të drejtë vote. Cila nga këto shifra mund të jetë e saktë? Njohës të procesit zgjedhor dhe të regjistrimit, japin vlerësime të ndryshme, raporton Radio Evropa e Lirë.
    A është i saktë numri i përgjithshëm i popullatës së Kosovës apo lista e votuesve për zgjedhjet e përgjithshme që janë mbajtur në fund të vitit të kaluar?! Këto dyshime janë ngritur pas publikimit të rezultateve preliminare të regjistrimit të popullsisë. Sipas statistikave zyrtare, 1.733.872 është numri i banorëve që jetojnë brenda vendit, duke përjashtuar pjesën veriore të Mitrovicës dhe diasporën. Por, 1.630.636 ishte numri në listat e votuesve për zgjedhjet e 12 dhjetorit, pa përfshirjen e personave nën moshën 18 vjeç.
    Asnjë kompromis, kurr asnjëher.. deri n'apokalips!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •