Fshati Hoçë e Madhe së shpejti mund të bëhet një lloj mini komune brenda Rahovecit. Për këtë fshat të banuar me serbë, po përgatitet një ligj me të cilin i jepen kompetenca të veçanta. Kryetari i Rahovecit dhe KMDLNJ e kundërshtojnë statusin e ri për fshatin, por zyrtarët e Qeverisë thonë se kjo parashihet në Pakon e Ahtisaarit.

Nga Nexhmije Ahmeti më 30 maj 2011 në ora 08:32
Hoçë e Madhe, Rahovec, 29 maj - Një manastir i vogël, afro njëqind shtëpi me rreth 350 banorë janë krejt çfarë ka në fshatin e vogël të Rahovecit, i banuar krejtësisht me serbë. Kjo është Hoça e Madhe. Por, banorët e saj së shpejti mund të ndihen të privilegjuar. Për ta është duke u përgatitur një projektligj nga Qeveria e Kosovës, me të cilin Hoça e Madhe bëhet një minikomunë përbrenda komunës së Rahovecit.

Sipas projektligjit, ky fshat përfiton kompetenca në fushat e administrimit politik dhe publik. Në fakt, ky status është i paraparë me Pakon e Ahtisaarit, dokument i miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

Disa nga banorët e këtij fshati ende nuk kanë dëgjuar për këtë gjë, por disa të tjerë po. Ndërkohë, kjo ide duket se do t’i zemërojë shumë shqiptarët në Rahovec, të cilët fuqishëm e kundërshtojnë projektligjin.

Serbët që dinë për projektligjin, e mirëpresin këtë lajm. Ata ndihen të gëzuar se do të jenë të pavarur nga komuna dhe do ta kenë buxhetin e vet.

Marko Drelic, igumen në manastirin e vogël, për të cilin pretendon se i takon shekullit XIV dhe është trashëgimi krejtësisht ortodokse, mendon se kjo ide do të ishte më e mira për banorët që jetojnë këtu. “Natyrisht do ta kishin buxhetin e vet dhe fondet e ndara për komunë, do të investoheshin këtu”, thotë Drelic për Express.

Mirëpo para kësaj, ai do t’i ndërronte njerëzit që janë në krye të fshatit . “Me këta njerëz jo. Nuk janë të mirë. Mendojnë vetëm për interesa të veta”, thotë ky prijës fetar.

Megjithatë, serbët në Hoçë nuk jetojnë keq. Igumeni Marko thotë se njerëzit këtu bëjnë jetë të qetë dhe pa probleme. Sipas tij, e vetmja brengë është papunësia. Maje, ai nuk mund të përmend ndonjë ekces ndëretnik, pasi atij nuk i kujtohet të ketë ndodhur ndonjë gjë e tillë viteve të fundit. Edhe banorët lokalë e thonë të njëjtën gjë. Nuk kanë probleme ndëretnike, i njohin institucionet e Kosovës, i njohin dokumentet e shtetit dhe pranojnë ndihmat e ofruara nga ky shtet. Mirëpo, të gjithë i gëzohen lajmit se fshati i tyre i vogël do të bëhet një mini komunë.

Vera Djuricic thotë për Express se nuk ka dëgjuar për një projektligj të tillë të Qeverisë, mirëpo do të bëhej mirë nëse ajo do të ndodhte. “Ne mirë jemi edhe kështu, por bën që të jemi edhe më mirë”, thotë ajo.

Tregon se situata është shumë më e mirë sesa që ishte menjëherë pas luftës, mirëpo ka shumë prej banorëve që e kanë lëshuar fshatin dhe kanë ikur në Serbi. “Ndoshta po t’u ndërtoheshin shtëpitë e reja, do të ktheheshin”, thotë ajo.

Njësoj mendon edhe një i ri i këtij fshati. Kur dëgjon lajmin për projektligjin, Milan Zivkovic ekzaltohet. “Ouuu, ky është lajm i shkëlqyeshëm për ne”, thotë ai.

Komuna kundër

Përkundër gëzimit të banorëve serbë të Hoçës së Madhe, dikush në Rahovec kundërshton fuqishëm këtë propozim të Qeverisë dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO). Smajl Latifi, kryetar i Komunës, thotë se nuk do të lejojë që projektligji të kalojë në Kuvend. Kjo për Latifin paraqet shkelje të ligjit dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe cenim të integritetit territorial të Komunës.

“Ne do t’i përdorim të gjitha metodat që ta bllokojmë atë që është nisur”, thotë Latifi për Express. Kryetari përmend disa arsye pse, sipas tij, ai fshat nuk mund të bëhet ashtu siç po mendojnë Qeveria dhe ICO-ja.

“Ky projektligj është edhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Rahovecit dhe bie ndesh me interesat e qytetarëve serbë që jetojnë këtu, sepse ata i dezintegron dhe nuk jemi të interesuar për këtë”, thotë i bindur Latifi.

I pari i Komunës tregon se me këtë në Rahovec hapen plagë të reja dhe rihapen ato të vjetrat, pasi kthehen në kujtesë ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur gjatë luftës. “Ne nuk jemi të interesuar që t’ua komplikojmë jetën qytetarëve të komunës sonë”, shprehet Latifi.

Ai iu bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në asnjë mënyrë mos ta miratojnë projektligjin në fjalë. Latifi thotë të mos kenë qenë në dijeni se për atë projektligj është duke u punuar që dy vjet dhe askush nuk ka raportuar për këtë gjë, edhe pse në grupin punues ka marrë pjesë përfaqësuesi i minoriteteve nga Komuna. Por, në këtë kundërshtim, Latifi duket se nuk është i vetmi.

Edhe KMDLNJ kundër

Projektligjin për Hoçën e Madhe e kundërshton edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. KMDLNJ-ja mendon se projektligji për Hoçën e Madhe në mënyrë të kundërligjshme dhe kundërkushtetuese e shndërron këtë fshat në komunë të pastër etnike.

Sipas Këshillit, bazuar në nenin 22 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, kompetenca të zgjeruara u jepen komunave me shumicë serbe për trashëgiminë kulturore. Sipas kësaj logjike, ky fshat në mënyrë joligjore shndërrohet në një komunë faktike.

KMDLNJ mendon se nëse ky ligj miratohet si i tillë, ai duhet patjetër të shpallet antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese, në të kundërtën, do të krijohet një rast unik i cili do të mund të shfrytëzohej edhe nga fshatra dhe vendbanime të tjera që të kërkojnë të krijohen lokacione të pastra etnike.

“U bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës si Kuvendit, Qeverisë, Ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Kulturës që gjatë hartimit të projektligjeve të kenë parasysh sistemin kushtetues të Kosovës”, thuhet në reagimin e këtij këshilli.
KMDLNJ përkrah fuqishëm integrimin e pakicave, ndërsa gjithashtu e kundërshton fuqishëm enklavizimin dhe krijimin e lokacioneve etnikisht të pastra.

E parasheh Ahtisaari

Sipas zyrtarëve të ekzekutivit, Qeveria nuk ka çka të bëjë në këtë rast, pasi që vetëm po zbaton vendimet që kanë dalë nga Pakoja e Ahtisaarit. Dardan Gashi, ministër i Ambientit, ka thënë për media se Projektligji për Hoçën e Madhe është i paraparë me Pakon e Ahtisaarit, e miratuar edhe në Kuvendin e Kosovës.

http://www.gazetaexpress.com/?cid=1,15,54764