Petrit Sherifi | 21-05-2011 11:20 CET Kompania “Viva Print”, e cila i ka bërë fushatën zgjedhore kryetarit të komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, e kontraktuar nga PDK-ja, ka fituar një tender prej mbi 132 mijë euro në këtë komunë, edhe pse për të njëjtin tender ka pasur ofertë me çmim më të ulët. Kjo kompani ka fituar tenderin për “Unifikimin e mbishkrimeve mbi emërimet e lagjeve, rrugëve dhe shesheve” me 13 maj të këtij viti.

Sipas dokumentacioneve që ka siguruar gazeta “Zeri”, në këtë tender kanë ofertuar edhe katër kompani të tjera. Çmimin më të ulët e ka ofruar kompania “Oreal” me çmimin prej 115 mijë e 125 euro. Por, kjo ofertë është eliminuar nën arsyetimin se kishte mungesë dokumentacioni (taksa komunale, vërtetimi i ATK, licenca, TVSH), duke i dhënë tenderin “Viva Print”, me ofertën prej 132 mijë 610 euro.

Hatixhe Daku, menaxhere e prokurimit në komunë të Gjilanit, ka thënë se gjithçka ka qenë përmes tenderit dhe kriterit të këtij tenderi. “Procedura e tenderimit ka qenë hapur dhe me çmimin më të ulët dhe ne ju kemi përmbajtur këtyre kritereve”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Hasan Preteni, ka thënë se dhënia e këtij tenderi mund të shihet si konflikt interesi, nëse ka qenë i rregullt sipas procedurës. Sipas tij, kjo konsiderohet si rast më i lehtë, por gjithsesi duhet të hetohet, pasi që e njëjta kompani ka bërë edhe fushatën dhe tani ka fituar tenderin.

“Kjo duhet të shikohet nga ana e konfliktit të interesit dhe të shikohet se kush është pronari dhe cilat mund të jenë lidhjet”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Gjilanit, Qemaj Mustafa, thotë se nuk është konflikt interesi dhënia e tenderit kompanisë që i ka bërë fushatën.

Ai tha se nuk ka ndikim në zyrën e prokurimit për të favorizuar kompani. “Nëse ka fakte për ndonjë lloj kontrate për ndonjë favorizim të bërë, atëherë unë ndërpres të gjitha kontratat dhe jo vetëm të kësaj kompanie, por të të gjitha kompanive tjera”, ka thënë ai.

Edhe pronari i “Viva Print”, Skender Imeri, ka mohuar të jetë favorizuar, edhe pse vetë e pranon se ka qenë i kontraktuar nga PDK-ja për të bërë fushatën në Gjilan. “Edhe tenderin për fushatë e kam fituar duke plotësuar kriteret dhe nuk kam qenë i favorizuar”, ka thënë për “Zërin” pronari i kompanisë ”Viva print”.

Sipas tij, tenderi i fundit ka qenë i hapur dhe kompania e ka fituar atë sipas kritereve të tenderit me çmimin më të ulët. “Ne kemi fituar përmes prokurimit dhe ky ka qenë tender i hapur dhe me kritere”, ka thënë ai.

Avni Zogiani, drejtues i organizatës “Qohu”, ka thënë se ka dhjetëra raste të kompanive që paguhen me tenderë publikë nga PDK-ja, kompani të cilat kanë bërë fushatën e kësaj partie. Sipas tij, kjo është shkelje e ligjit që parandalon këto shkelje dhe dëmton apo diskriminon kompanitë tjera. “Kjo ka bazë të fortë për t’u hetuar dhe konsiderohet si konflikt interesi”, ka theksuar ai.

ÇOHU: “Të hetohet rasti”

Avni Zogiani, drejtues i organizatës “Çohu”, ka thënë se ka dhjetëra raste të kompanive që paguhen me tenderë publikë nga PDK-ja, kompani të cilat kanë bërë fushatën e kësaj partie. Sipas tij, kjo është shkelje e ligjit që parandalon këto shkelje dhe dëmton apo diskriminon kompanitë tjera. “Kjo ka bazë të fortë për t’u hetuar dhe konsiderohet si konflikt interesi”, ka theksuar ai.

Çmimet e ofertave

1. Oferta; “Oreal”- 115,125.00

2. Viva Print” 132,610.00

3. “Tecnoing Konsilting” 140,950.00

4. “Euro Trans” 143,880.00


http://www.zeri.info/artikulli/2/8/2...len-me-tender/