Konferencë ndërkombëtare “MO drejt anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO”
Tetovë – Sot në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë filloi konferenca ndërkombëtare dyditore e titulluar “Marrëveshja e Ohrit drejt anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO”.
Organizatorë të saj janë Universiteti i EJL-së, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti “Shën Cirili dhe Metodi” nga Shkupi dhe Universiteti Kolumbia nga SHBA-ja.
Nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në konferencë morën pjesë ambasadori amerikan Filip Riker, ambasadori i Hungarisë e cila momentalisht kryeson me BE-në Ferenc Kekeshi, ambasadori suedez Lars Valhud, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Kristofer Ivon dhe Aleksandros Janiz nga BE-ja.
Sipas ambasadori amerikan Riker, në fillim të vitit 2001 Maqedonia ka qenë në prag të luftës civile, ndërsa dhjetë vite më vonë në pjesën më të madhe, siç thotë, falë Marrëveshjes së Ohrit ajo është shtet stabil, multikulturor, multietnik dhe multireligjioz.
“Si partnerë në krijimin e saj SHBA-ja dhe aleatët tanë evropianë vazhdojnë të tregojnë interesim të ndikueshëm për sukses së marrëveshjes si shumë të rëndësishëm për paqe dhe përparim afatgjatë të Maqedonisë dhe më gjërë në Ballkan”, tha Riker.
Për Xhejms Perdjun, i cili është njëri prej nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues në negociatat e vitit 2001 zbatimi i marrëveshjes është çdoherë pjesa më e vështirë.
“Ishte shumë e vështirë gjatë negociatave, por realizimi është ajo që kërkon më shumë kohë dhe energji. Jam i kënaqur nga përparimi që është bërë, por kuptohet se mundet edhe më mirë. Marrëveshja e Ohrit e parandaloi luftën që do të kishte pasoja të rënda për vendin. Shpëtoi jetën e mijëra njerëzve dhe i mundësoi shtetit të vazhdojë të ekzistojë në formën e tanishme. Pa këtë marrëveshje Maqedonia do të ishte shumë më ndryshe dhe me siguri vend shumë tragjik. Jam i kënaqur që isha pjesë e nënshkrimit të saj së bashku me kolegun tim nga BE-ja Fransoa Letoar”, tha Perdju.
Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit bazohet në dy parime – i pari është zhvillimi i demokracisë dhe respektimi i plotë i të drejtave të çdo qytetari, i dyti – njohje e traditave kulturore dhe etnike të njerëzve të ndryshëm që jetojnë këtu. Deri sa këto parime zbatohen në Maqedoni, gjegjësisht ka zhvillim të përhershëm të demokracisë dhe pranohen kontributi kulturor dhe etnik i grupeve të ndryshme Marrëveshja e Ohrit është e pranishme dhe e gjallë”, vlerëson Perdju.
Të pranishmëve iu drejtua edhe zëvendëskryeministri i angazhuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit Abdilaqim Ademi, sipas të cilit marrëveshja e Ohrit është akt me të cilin sigurohet ardhmëria, demokracia e shtetit, u ndal lufta, u vendos zgjidhje paqesore e konfliktit ndëretnik dhe se mund të quhet edhe marrëveshje paqesore me të cilën u mbrojtën interesat dhe të drejtat e të gjithë qytetarëve.
“Zbatimi i marrëveshjes është arritje e rëndësishme e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë e arritur me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe shembull se si të zgjidhen problemet ndëretnike”, tha Ademi.
Në kuadër të panelit të titulluar “Historia diplomatike” me fjalime të tyre u prezantuan edhe nënshkruesit e atëhershëm lideri i atëhershëm i UÇK-së, ndërsa tani kryetar i BDI-së Ali Ahmeti, Lubço Georgievski dhe Branko Cërvenkovski.
Sipas Ali Ahmetit, Marrëveshja e Ohrit e ka ndërprerë skenarin kosovar dhe boshnjak.
“Kërkesat tona ishte publike në një komunikatë të UÇK-së ku kërkonim barazi të plotë midis dy bashkësive më të mëdha, se Maqedonia është vendi ynë dhe se nuk do të bëjmë kompromis rreth kësaj”, tha Ahmeti.
Sipas Georgievskit, Marrëveshja e Ohrit i është nevojitur Maqedonisë edhe më parë, ndoshta jo nën këtë emër, por si pako e reformave dhe masave për përmirësim të pozitës dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni.
“Marrëveshja e Ohrit është reforma më e madhe në Maqedoni për shkak se kaluam një konflikt lufte, bëmë shumë reforma dhe me të vërtetë është dëm të mos bëjmë edhe një hap drejt anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. Mendoj se raporti është pesë me një në peshën kur u nënshkruan Marrëveshja e Ohrit dhe mundësia për gjetje të kompromisit rreth emrit me Greqinë që duhet të bëhet gjatë periudhës së ardhshme”, tha Georgievski.
Për Branko Cërvenkovskin, Marrëveshja e Ohrit është arritur me dy parakushte lidership politik që e ndërmori rrezikun për zgjidhje politike të konfliktit dhe reagim i koordinuar dhe me kohë i bashkësisë ndërkombëtare, gjegjësisht Brukselit dhe Uashingtonit. “Marrëveshjen e Ohrit e nënshkruam, e negociuam dhe e zbatuam ne në Maqedoni pa dallim të rolit të madh të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo është një prej parakushteve kyçe për integrimin e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO-s”, tha Cërvenkovski.
Konferenca vazhdon nesër në Universitetin “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup.
Shqipmedia
Krijoni Kontakt