http://www.panorama.com.al/kronike/%...armon-policine

Kronike
e Mërkurë, Maj 18th, 2011

http://www.panorama.com.al/wp-conten...11/05/lopa.jpg

Komisariati i Policisë Nr. 2 në Tiranë duket se është alarmuar nga një pengmarrje e ndodhur në fshatin Mat-Selitë.Menjëherë pas denoncimit të bërë në lidhje me këtë ngjarje në organet e policisë, dosja penale është referuar në Prokurorinë e Tiranës për kryerjen e veprimeve të nevojshme hetimore me qëllim zbardhjen e ngjarjes. Materiali referues i mbërritur dje në Prokurorinë e Tiranës është përcjellë nga një oficer i policisë. Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur më 4 maj 2011, ndërsa tri ditë më parë i dëmtuari është paraqitur në polici. Ai ka thënë se bën kallëzim penal dhe kërkon ndërhyrjen e policisë, pasi gjatë përpjekjeve të tij nuk ka arritur ta lirojë pengun. Pengmarrjet apo rrëmbimi i personave zakonisht konsiderohen ngjarje me rrezikshmëri dhe marrin interesin maksimal të policisë dhe prokurorisë, por në këtë rast pengu është një lopë. Pikërisht për “pengmarrjen” e kësaj lope, Komisariati Nr. 2 i Policisë ka referuar në Prokurori dosjen penale me klasifikimin, me sa duket të gabuar, “rrëmbim i kafshës njëthundrake, LOPE”, ndërkohë që kafsha në fjalë klasifikohet në fakt si dythundrake. Kallëzuesi, që është bërë shkak për gjithë këtë alarm në Komisariatin Nr. 2, është shtetasi Nazmi Deliu. Ai ka bërë denoncim në polici për “marrjen peng” të lopës dhe ka theksuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Mat-Selitë, në periferi të Tiranës, ku banon kallëzuesi. Sipas denoncimit, lopa është marrë peng në datën 4 maj dhe në denoncim thuhet se autor i kësaj ngjarjeje është shtetasi Neki Fejza. Autori i denoncimit akuzon të dyshuarin se i ka marrë dhe mbajtur peng lopën në pronësi të tij, duke pohuar se shkak i ngjarjes ka qenë fakti se autori i ngjarjes e ka gjetur lopën në kopshtin pranë banesës së vet, pasi kishte thyer gardhin dhe po i dëmtonte qepët e mbjella aty. Gjithsesi, çështja duket më e ndërlikuar pasi autori i kallëzimit pretendon se dëmtimi i qepëve është një sebep për “pengmarrjen e lopës”. Kjo për shkak se pronari i “pengut” ka shpjeguar se ka pasur konflikt me rrëmbyesin e lopës në lidhje me arrestimin e një të afërmi nga policia për armëmbajtje pa leje. Burime nga organi i akuzës thanë dje se kanë tentuar të kontaktojnë me pronarin e lopës për të marrë dëshminë e tij, por ai ka qenë i padisponueshëm.

Hetimi

Organi i akuzës, me sa duket, do të verifikojë edhe njëherë rrethanat e ngjarjes, pasi klasifikimi juridik që ka bërë policia duket se nuk ka bazë ligjore. Kjo pasi bagëtitë konsiderohen pasuri dhe në rrethanat në fjalë ngjarja mund të konsiderohet përvetësim apo pushtim prone, por jo rrëmbim apo pengmarrje, pasi veprat penale në fjalë janë kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke qenë se konsiderohen ngjarje serioze.

Denoncuesi

Nuk dihet për çfarë shkaqesh, denoncuesi i kësaj ngjarjeje “të rëndë” dje ka qenë i padisponueshëm për grupin e hetimit. Strukturat hetimore pranë Prokurorisë së Tiranës kanë tentuar dje të lidhen me autorin e denoncimit për ta ftuar të japë shpjegime, por në numrin e telefonit të shënuar në kallëzim ka qenë e pamundur të kontaktohej me pronarin e lopës. Njoftohet se për këtë çështje ka ndërhyrë edhe policia e Komisariatit Nr. 2, me qëllim zgjidhjen e konfliktit.