Papunësia mbi 45 për qind
Shkalla e papunësisë në Kosovë nuk është ajo sipas statistikave, domethënë 45 për qind, por është edhe më e lartë në këtë moment. Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në Ditën Ndërkombëtare të Punës – 1 Majit.
“Besoj se në këtë drejtim bashkërisht jemi gjithmonë duke punuar, që ky numër i madh nga statistika e të papunëve, të shkohet drejt zvogëlimi. Por, megjithatë duhet të bëjmë punë më të madhe në këtë drejtim, në mënyrë që të arrijmë ta zvogëlojmë shkallën e papunësisë”, ka thënë kreu i BSPK-së.
Arifi ka potencuar se BSPK-ja është duke bërë një punë - si detyrë që e ka për t’i mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe liritë sindikale, por të drejtat e tyre dhe liritë sindikale në një mënyrë janë të kushtëzuara nga ajo se si vepron edhe shteti.
“Megjithatë, ne, si BSPK, mendoj se jemi duke e kryer një detyrë, një punë ashtu siç parashihet edhe me programin tonë, me kërkesat që gjithmonë ia parashtrojmë Qeverisë. Mendoj se disa prej kërkesave që i kemi pasur më herët, me sukses i kemi realizuar përmes dialogut, që e kemi pasur si moto ‘Ne jemi për dialog’”, ka thënë Arifi.
Sipas kreut sindikalist ka shkelje të të drejtave të punëtorëve në sektorit publik dhe privat, por me një theks të veçantë është sektori privat, sepse deri më tani nuk ka pasur ligj për punë.
“Në sektorin privat nuk ka pasur kontrata të punës, nuk ka pasur orar të punës, nuk ka mbrojtje në punë, nuk ka mbrojtje shëndetësore; të gjitha këto kanë qenë ato shkelje, të cilat ne i kemi quajtur si krime që bëhen ndaj punëtorëve. Por, ky sektor është me theks të veçantë, por mendoj se tashmë me zbatimin Ligjit të punës, ata të cilët do të bëjnë shkelje në këtë drejtim për punëtorin që mos të ketë mbrojtje në punë, të mos ketë të gjitha ato të drejta që i parash ligji, atëherë ata edhe do të dënohen nga inspektorati, i cili duhet të punojë edhe ne do të jemi krah i djathtë i tyre, t’i paraqesim të gjitha problemet që janë nëpër ndërmarrjet private”, ka thënë Arifi.
Edhe pse në shumë vende të botës 1 Maji shënohet me protesta dhe manifestime nga më të ndryshmet, që organizohen nga mekanizmat sindikalë, kjo gjë në vendin tonë nuk po ndodhë, me gjithë pakënaqësitë që ekzistojnë. Arifi thotë se motoja e BSPK-së është se “ne jemi për dialog dhe me anë të dialogut t’i zgjidhim problemet”.
“Por, nëse kërkohet që të përdorim edhe mekanizmat që i lejon Kushtetuta e sindikatës, statuti, janë edhe protestat dhe grevat. Në dy vjetët e fundit kemi organizuar protesta, kemi pasur edhe kërkesa”, ka deklaruar Arifi, duke shtuar se në protestën e fundit “i kemi pasur dhjetë kërkesa që të plotësohen dhe në këtë drejtim, brenda protestës së një majit të vitit të kaluar, nga dhjetë kërkesat, shtatë janë përmbushur dhe ne si BSPK, konsiderojmë se ka qenë sukses në atë drejtim”.
ZËRI
Krijoni Kontakt