-
Zhduken eshtrat e Fishtës e Mjedës,Dom Nik Ukgjini jep alarmin
Zhduken eshtrat e Fishtës e Mjedës,Dom Nik Ukgjini jep alarmin
SHKODER- Eshtrat e emrave të mëdhenj të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar si Fishta, Mjeda, Zadeja, Shantoja, Harapi etj, mund të jenë zhdukur pas '90-ës, ndërsa ka lulëzuar shitja e varreve. Në Shkodër, prej vitesh vazhdon tregtia e zezë e varreve. 300 mijë lekë kushton vendi për një varr trekatësh në varrezat e Rrmajit. Në kohë krizash dhe mungese të mallrave në treg jemi mësuar të dëgjojmë për tregti të zezë të bukës. Tashmë në Shkodër vazhdon një tjetër tregti e zezë. Bëhet fjalë për tregtinë e shëmtuar të varreve në varrezat katolike të Rrmajit. Mungesa e sipërfaqes për varre të reja nga njëra anë, dhe dëshira e madhe e familjarëve që në këto varreza të prehen të afërmit e tyre, ka bërë që të lulëzojë masakra e madhe; dhunimi i varreve ekzistuese, prishja e varreve të vjetra, hedhja në lumin Kir e eshtrave të të tjerëve dhe shitja e tokës për varr të ri. Jo vetëm kaq, por bëhet edhe mbivendosja e varreve. Mbi eshtrat e varreve të vjetra vendosen varret e rinj, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin dhe pa asnjë lloj simetrie. Një fakt, një gjest të tillë makabër dhe çnjerëzor e bën publike Dom Nik Ukgjini, klerik dhe studiues i njohur në Shkodër dhe më gjerë. Sipas tij, e gjithë kjo masakër që po ndodh në varrezat e Rrmajit, bëhet edhe tani kur ato janë të shpallura 'Monument Kulture'. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", Dom Nik Ukgjini kërkon që duke e bërë publike një fakt të tillë, të ndërgjegjësojë institucionet përkatëse, të cilat me ligj duhet ta mbrojnë këtë vlerë të qytetërimit perëndimor. Ai deklaron se varrezat janë kujtesa e një zhvillimi civilizimi njerëzor.
Kush e bën tregtinë e varreve në varrezat katolike të Rrmajit?
Tregtinë e varreve e bëjnë ata që merren me ndërtimin dhe meremetimin e varrezave. E bëjnë privatisht apo në mënyrë indirekte, të lidhur me një grup tjetër interesi. Sigurisht, pa asnjë rrugë ligjore, pa asnjë autorizim. Është i pafalshëm ky veprim barbarie. Keqbërësit kanë shkelur mbi një pjesë të historisë së kombit, sa të dhimbshme aq dhe të lavdishme, sepse varrezat e Rrmajit janë një dëshmi e një gjëje të tillë.
Si bëhet kjo tregti varresh? Cili është mekanizmi që vepron?
Ajo që ndodh tek këto varreza është çnjerëzore. Për çudi më është bërë edhe mua një ofertë për të blerë një varr. Isha bashkë me studiuesin e njohur, Mentor Qukun, Engjëll Çekajn dhe Anton Benusin, mes Varrezave të Rrmajit duke kontrolluar për varrin e Ndre Mjedës. Mu afruan një grup djelmoça dhe më pyetën "A don varr?". Nisa të bisedoja me ta dhe unë bëra sikur interesohesha, sepse doja të dija edhe më shumë për tregtinë e varreve.
Sa është çmimi për një varr? Sa kushton të blesh një varr?
Nga informacionet që kam marrë mund të them se tashmë çmimi për një varr tre katesh është 3 milion lekë të vjetra.
Tregtia e varreve vazhdon, ndërkohë që sipërfaqja tek Varrezat e Rrmajit është e kufizuar. Ku gjenden sipërfaqet për varret e rinj?
Në varrezat e Rrmajit është duke u bërë një masakër. Po vendosen varre mbi varre. Shkatërrimi po bëhet në disa drejtime. Njerëz të papërgjegjshëm kanë dhunuar varret e vjetra, për të cilat nuk është interesuar kush, apo dhe varre që kanë qenë me pllaka pa emra. Këta individë nuk kanë nguruar të heqin eshtrat e të vdekurve e t'i hedhin në lumin Kir, për ta shitur tokën e zënë prej varrit të fatkeqit. Ka edhe raste kur janë vendosur varre mbi varre. Të interesuarve iu është reklamuar si tokë e lirë dhe është shitur, ndërkohë që në të ndodhet edhe një varr i mëparshëm. Raste të tilla janë të shumta. Ka pasur raste kur familjarë që jetojnë në Tiranë apo dhe jashtë vendit, kanë ardhur tek varrezat për të parë varret e të afërmeve dhe nuk i kanë gjetur. Ka qenë një situatë e jashtëzakonshme dhimbjeje. Me lot në sy dhe me shumë dhimbje ata kërkonin varret e prindërve, të cilët nuk i gjenin më dhe në vendin e tyre ishin varre të rinj. Në atë kohë është bërë dhe denoncim prej tyre. Ka edhe raste kur në brendësi të varrezave janë gjetur mbi sipërfaqe të tokës pjesë nga eshtra e njerëzve të hequra nga varret.
Pse bëhet kjo lloj tregtie në varrezat e Rrmajit?
Tregtia makabre me varret bëhet për arsye përfitimi. Mund të themi se kemi të bëjmë me një korrupsion. Këta njerëz pa moral dhe besim kërkojnë të përfitojnë ekonomikisht nga dëshira e njerëzve, që njerëzit e tyre të afërt t'i varrosin në këtë vend. Varrezat e Rrmajit janë tashmë simbol i qytetit të Shkodrës, i lashtësisë dhe kulturës së tij. Në këto kushte edhe familjet që kanë ardhur vonë në qytetin e Shkodrës, duan që familjarët e tyre të jenë mes këtyre emrave të mëdhenj dhe familjeve të mëdha shkodrane që ndodhen në këto varreza, dhe për këtë arsye ata blejnë tokën për varr. Kjo dëshirë ka nxitur dhe tregtinë e zezë të varreve.
Sa janë dëmtuar realisht varrezat e Rrmajit nga kjo tregti e zezë?
Dëmtimet që janë bërë në këto varreza janë të pallogaritshme. Unë mendoj se rrënimi është më i madh se në kohën e komunizmit. Tashmë kemi me qindra varre të reja. Ana e djathtë e varrezave nuk është dëmtuar. Në këtë zonë janë varreza të familjeve të mëdha shkodrane, të vjetra dhe të pasura. Varret e tyre janë dhe të veçanta nga ana e ndërtimit, janë si monumente kulturore. Këto janë arsyet që kjo pjesë ka ruajtur formën e saj. Ndërkohë që pjesa e dëmtuar plotësisht është ana e majtë. Në këtë zonë kanë qenë kryesisht varre të familjeve të thjeshta, të familjeve shkodrane katolike. Këto varre kanë qenë të thjeshta edhe nga ana e ndërtimit. Jo vetëm kaq, por në këtë zonë kishte dhe varre të viktimave të komunizmit, të cilët, pasi janë persekutuar nga regjimi komunist janë varrosur aty, me pllaka pa emra. Aty është edhe Çinari, vendi ku janë bërë pushkatime në masë në vitet '45-'46, '71 etj, nga rrëgjimi komunist. Këta varre, në anën e majtë pa emra, me pllaka bosh janë shkatërruar të parët. Krimi më i madh është se mes këtyre varreve pa emra, kam përshtypjen se mund të kenë qenë dhe varret e Ndre Mjedës, Fishtës së madh, Shantojës, Zadejës, Harapit etj. Në këtë zonë tani ka kaq shumë varre sa është e pamundur të kalosh. Duhet të ecësh mbi varre.
Ju mendoni se eshtrat e këtyre emrave të mëdhenj janë zhdukur pas '90-ës, edhe pasi i kanë shpëtuar regjimit komunist?
Po. Fatkeqësisht kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Atë që nuk e ka bërë regjimi komunist, e kanë bërë këta njerëz pas '90-ës. Regjimi komunist ka bërë masakra të paimagjinueshme, por ama ka pasur dhe njerëz të mirë që kanë besuar heshtazi në një Zot, në vlerat njerëzore dhe që nuk kanë pasur zemrën aq pa ndjenja që të hedhin në lumin Kir këta njerëz të mëdhenj të kombit tonë. Ne kemi grumbulluar fakte dhe dëshmi të mjaftueshme që të kemi bindjen se eshtrat e këtyre emrave të mëdhenj nuk janë asgjësuar, por janë vendosur në varrezat e Rrmajit në pllaka pa emra. Në favor të këtij argumenti flet dhe fakti se në kohën kur u mbyllën kishat, eshtrat e Kryeipeshkvit të Durrësit, Pjetër Gjurës, vdekur më 1939 dhe Vinçenc Prenndushit, vdekur më 1949, janë transportuar nga Kisha Katedrale e Durrësit në varrezat e qytetit pa ndonjë shënim përkatës. Dhe falë dëshmitarit z. Karlos, i cili ka pasur njohuri për vendvendosjen e tyre, eshtrat e tyre pas vitit 1991 janë kthyer përsëri dhe tani gjenden në Katedralen e Durrësit. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me eshtrat e ipeshkvit të Lezhës, Imzot Luigj Brumçit, vdekur në vitin 1945. Eshtrat e tij pushojnë në kishën e Kallmetit. Pra në kohën e komunizmit nuk janë zhdukur eshtrat e tyre.
Si shpëtuan nga shkatërrimi i komunizmit këto varreza?
Sipas studiuesit Lec Zadeja, merita për ruajtjen e këtyre varrezave i takon Gjon Kamsit. Sipas Zadejës, Gjon Kamsi pati guximin që t'i shkruajë Enver Hoxhës një letër, në të cilën ai i kërkonte që të mos shkatërroheshin këto varreza. "Të mbrohen varret katolike të qytetit, sepse ato janë varre patriotësh", shkruhej mes të tjerash në letrën drejtuar Enver Hoxhës. Çuditërisht, kërkesa e tij u pranuan dhe varrezat nuk u prishën.
A ka ndërmarrë kisha si institucion ndonjë iniciativë për t'i thënë ndal këtij fenomeni?
Kisha e Shkodrës, për sa unë kam dijeni, është përpjekur që nga viti 1992 e në vazhdim të ndalojë këtë fenomen, por e ka pasur të pamundur të ndalojë këtë lloj shkatërrimi të pakthyeshëm. Njerëzit sikur e kanë humbur logjikën! Kemi përçudnim të njerëzve; nuk respektohet i vdekuri. Gjëja më e shenjtë sipas edukatës familjare, fetare dhe traditës shqiptare është njeriu i vdekur.
Varrezat e Rrmajit janë shpallur 'Monument Kulture', çfarë është bërë konkretisht nga ky institucion për mbrojtjen e tyre?
Varrezat e Rrmajit janë shpallur 'Monument Kulture' në vitin 2007, pas kërkesës së bërë nga Famullia e Shkodrës. Realisht nuk është bërë asgjë për mbrojtjen e tyre, sepse Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës në Shkodër, krahas dëshirës së mirë nuk ka fonde të veta, ato duhet të vijnë nga Ministria e Kulturës, nga Tirana zyrtare. Sipas meje, varrezat e qytetit pra edhe ato të Rrmajit duhet të ishin bërë që nga viti 1992 pronë e Bashkisë së Shkodrës, siç ndodh në tërë botën e qytetëruar. Por, meqenëse kjo nuk ka ndodhur, tani jemi duke vuajtur pasojat e asaj neglizhence. Në këto varreza është një pjesë e kulturës së vendit tonë, janë aty emra të njohur dhe një pjesë e historisë së qytetit të Shkodrës.
(Intervista e Dom Nik Ukgjinit e marre nga gazetarja Brikena Shllaku eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)
(/BalkanWeb)
-
-
titull idiot i gazetarve idiote te g.sh. nji hipoteze kote te kti ukgjinit e bajn fakt
titulli: Zhduken eshtrat e Fishtës e Mjedës,Dom Nik Ukgjini jep alarmin
ukgjini: kam përshtypjen se mund të kenë qenë dhe varret e Ndre Mjedës, Fishtës së madh, Shantojës, Zadejës, Harapit
mjeda me sa di un e ka vorrin te vorrezat e deshmorve. fishtes ia hupen eshtnat kanibalt e kuq. shantojen e kan egzekutu e gropose n'tirane. as harapin nuk dihet ku e kan gropos
-
-
NUK KANE HUMBUR ESHTRAT JO, POR NUK PO RUHEN !!
Shkruan: Admirina Peçi Gazeta Shqiptare” Reportazh nga Shkodra
AT GJERGJ FISHTA
Në Kishën e Fretënve Françeskanë zotëron heshtja këtë mesditë. S‘ka kurrfarë lëvizje. Asnjë pipëtime. Zëri ynë kumbon. Hapësira e sallës së madhe plotësohet veç prej stolave të drunjtë, të cilat në kohë meshe me siguri janë të mbushur plot me besimtarë. Është mbresëlënëse arkitektura e kësaj ndërtese. At Vitori, na shoqëron për tek ai vend që shumë kush sot e quan varri simbolik i At Gjergj Fishtës. Ecim drejt tij dhe ndeshim një kryq në mur, një flamur i kuq përbri tij dhe dy pllaka të errëta mermeri në dysheme. "Ky është vorri i Fishtës, - thotë At Vitori, ndërsa na rrëfen historinë e ndërtimit të tij. Historia është e njohur për shumëkënd. Në vitin 1995, aty në atë cep të kishës janë kryer gërmime. Të gjithë e dinin se aty ishte varrosur Fishta, varri i të cilit në vitin 1967 u hap, dhe prej andej u nxorën eshtrat e poetit të madh. Kjo ngjarje përkonte me kthimin e kishës në kinema për qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi me sulmet e ashpra ndaj çdo subjekti të klerit katolik. Ai që i kishte zhvarrosur eshtrat e poetit në 1967 nuk kishte menduar ta pastronte deri në detajet më të imta varrin. Pjesë të vogla eshtrash dhe dëshmi të tjera kishin mbetur në vend. Në vitin 1995 aty u kryen gërmime, ku u gjendën disa eshtra të poetit. Dëshmi që i kishin rezistuar kohës, janë ende aty poshtë njërës prej pllakave të errëta prej mermeri. Pjesa tjetër e eshtrave? Ajo pjesë e historisë është e zotëruar prej hipotezave. Dje në Gazetë botuam një letër të hapur të studiuesit shkodran, Fritz Radovani, i cili dëshmon mbi një amanet që i kishte lënë në vitin 1980 ish-roja i varrezës së Rëmajt, i quajtur Gjon Gjergji. Në dëshminë e tij, Radovani tregon se si ish-drejtori i Ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema "Punëtori" (ish-Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, i kishte shkruar në shtëpi Gjon Gjergjit një pasdite rreth orës 15:00 dhe pasi e kishte marrë në makinën e tij, ishin drejtuar kah varreza e Rëmajt. Atje, në afërsi të varrit të Motrave Stigmatine, fare branë murit të varrezës pranë një selvie, kishin hapur një gropë të thellë rreth 50-60 cm dhe kishin futur brenda një thes çimentoje me eshtrat e Fishtës. Shyqyri Rrjolli sipas gjasave e kishte kryer këtë veprim në kundërshtim me urdhrin që i kishin dhënë. Ish-roja i varrezës ia ka treguar këtë sekret Fritz Radovanit në vitin 1980, duke iu lutur ta mbante të fshehtë deri kur të vinte momenti i duhur për ta publikuar. Dje, kjo dëshmia e publicistit Radovani u publikua në faqet e "Gazetës Shqiptare". Ishte pikërisht kjo histori që na solli në Shkodër. Jemi fillimisht këtu, në Kishën e Fretënve Françeskanë, sepse këtu nis historia. Nga biblioteka e Françeskanëve kemi marrë procesverbalin e gërmimeve të vitit 1995, ku jepet me hollësi se ç‘pjesë të eshtrave kishin mbetur në varrin e Fishtës. Pjesa tjetër, e marrë që aty, nëse nuk janë hedhur në lumin Drin, sikurse është besuar deri më sot, duhet të jetë diku në Shkodër. Mbase pikërisht në varrezën e Rëmajt, në vendin e skicuar me hollësi nga Fritz Radovani.
At Gjergj Fisha i fotografuar nga Marubi në shtrat pak orë pas vdekjes
Varreza e Rëmajt ndodhet jo më shumë se 10 minuta me makinë nga Kisha e Fretënve Françeskanë. Nisemi bashkë me At Vitorin. Në të vërtetë ai nuk arrin të besojë se eshtrat e Fishtës mund të jenë fshehur atje. Padër Zefi (Pllumi) duhet të ketë mësuar diçka mbi këtë fakt, e nëse e ka ditur, me siguri do të kërkonte. Por ai s‘e ka përmendur kurrë këtë fakt", - thotë At Vitori. Megjithëkëtë, nisemi drejt varrezës së Rëmajt. Pas 10 minutash gjendemi përballë portës kryesore të varrezës. Ecim përgjatë rrugës që na përball me kapelën. Zumë pozicionin që përmend Fritz Radovani në letrën e tij, pra anën e majtë të kapelës, ecim dhe mandej kthehemi për tek varri i Motrave Stigmatine. Për atje na drejtojnë dy persona që punojnë në atë varrezë. Njëri prej tyre, një burrë rreth të ‘60-tave, thotë se varri i tyre është i dukshëm, edhe pse moria e varreve të reja hapur pas viteve ‘90-të, ku s‘ka mbetur asnjë pëllëmbë vend ku të hedhësh këmbët, nuk të lejon të gjesh lehtë një varr që nuk e di ku ndodhet me saktësi. Pasi kemi mbërritur para varrit të Motrave Stigmatine, ashtu sikurse thotë Fritzi në letrën e tij, e kalojmë pak dhe kërkojmë me sy katër selvitë që ka numëruar në vitin 1980 ish-roja i varrezës, Gjon Gjergji. Është e vështirë të përputhësh imazhin e atëhershëm të varrezës me imazhin e sotëm. Aty zotëron kaosi. Sidoqoftë, punonjësi i moshuar na tregon se dy selvi aty pranë murit ku ne kërkojmë me sy janë prerë këto vite. Njërës prej tyre nuk i ka mbetur asnjë gjurmë. Tjetra ka ende trungun e saj të dukshëm mbi tokë. Ndërsa dy të tjerat vijojnë me një largësi të njëtrajtshme me dy të parat. I numërojmë selvitë dhe ndalojmë tek e katërta. I afrohemi murit siç kishte bërë dikur Gjoni dhe kërkojmë ndonjë shenjë. Në të vërtetë nuk ka asnjë shenjë aty, nuk ka asnjë pëllëmbë vend ku mund të hamendësosh se është vendi ku dikur janë fshehur eshtrat e At Gjergj Fishtës. Në rrëzë të pemës së selvisë, siç e përshkruan Radovani, gjendet varri i Pjetër Arbnorit. Është një varr i ri. Të paktën kështu besojnë fillimisht. Pas një komunikimi në telefon me Suzanën, bashkëshorten e të ndjerit Pjetër Arbnori mësojmë se aty ku sot gjendet varri i Pjetrit dikur kanë qenë varret e prindërve të tij dhe tashmë janë të gjithë bashkë në një vend. Suzana thotë se nuk ka dëgjuar të flitet për eshtra të Padër Gjergjit aty. Madje thotë se as Pjetri s‘ka pasur dijeni. Sidoqoftë, ky udhëtim sipas orientimeve që jep Fritz Radovani në letrën e tij, nuk ka qëllim zbulimin. Ky proces i mbetet autoriteteve përkatëse. Qëllimi i vërtetë është për të krijuar një panoramë sipas gjurmëve që gjenden sot në atë varrezë. Punonjësi i moshuar i varrezës na thotë se nuk ka dëgjuar deri më sot që gjatë gërmimeve për varre të reja të jetë hasur në eshtra. Në rast të tillë gjithmonë njoftohen autoritetet përkatëse. Pra, nëse eshtrat e Padër Gjergjit janë fshehur vërtet aty, pranë murit te selvia e katërt në radhë, siç shpjegon Radovani, dhe nëse nuk janë nxjerrë asnjëherë prej aty, atëherë eshtrat duhet të jenë në po atë vend ku u fshehën në vitin 1967. Fjala e fundit për këtë hipotezë i takon hetimit, nëse një ditë do të hapet një hetim i tillë, dhe vizitës së Fritz Radovanit në varrezën Rëmajt. Vetëm ai mund ta gjejë me saktësi vendin që i ka treguar në konfidencë të plotë ish-roja i varreve, Gjon Gjergji në vitin 1980. Pasi kemi fotografuar vendin hipotetik, dy selvitë e mbetura në këmbë, si dhe varrin e motrave stigmatine, marrim rrugën e kthimit. Fotografitë mund të sjellin ndonjë detaj në kujtesën e ndokujt, mbase për Fritz Radovanin ose ndonjë person tjetër që ka dijeni mbi këtë ngjarje. Gjatë kthimit për në Tiranë, ndeshemi me një tjetër informacion. Na njoftojnë se në redaksi ka marrë në telefon studiuesi Isa Alibali, dhëndri i Shyqyri Rrjollit, i cili i kishte mbajtur eshtrat e Fishtës tre ditë në zyrën e tij e pas tre ditësh kishte vendosur t‘i rivarroste në fshehtësi të plotë. Alibali thotë se vjehrri i tij nuk ka folur kurrë për këtë ngjarje, megjithatë ai pohon se duke u nisur nga karakteri i Shyqyriut, si një person me shpirt të madh ka shumë mundësi që ai ta ketë kryer atë veprim. Alibali pohon se sipas rrëfimeve të At Konrrad Gjolajt, familjarët e Fishtës bashkë me ato të dy fretënve të tjerë, ishin njoftuar që të vinin t‘i merrnin eshtrat e të afërmve të tyre që ishin hequr nga varret e Kishës së Fretënve. Sipas Gjolajt, familjarët e dy etërnve të tjerë kishin shkuar dhe i kishin marrë eshtrat, ndërsa familjarët e Fishtës jo. Arsyet mund të lidhen sot me dhjetëra pikëpyetje e dyshime, sikurse është edhe çështja kryesore, "a ekzistojnë ende diku eshtrat e At Gjergj Fishtës, apo ato janë hedhur vërtet në lumin "Drin"? Kjo ditë e lagësh dhe e vrenjtur në Shkodër nuk na ofroi asnjë fakt më shumë. Mbase ditët në vijim sjellin detaje të reja të kësaj historie.
Procesverbali
ÇFARE U GJET NE ISH-VARRIN E FISHTES?
Procesverbal i mbajtur për gjetjen e eshtrave të Patër Gjergj Fishtës Sot, më datën 13.11.1995, ditën e hënë rreth orës 14 e 30 minuta, në praninë time si notere, në Kishën e Fretënve françeskanë, Gjuhadol-Shkodër u bënë kërkime lidhur me gjetjen e eshtrave të P. Gjergj Fishtës. Gjatë kërkimit të eshtrave u konstatuan këto gjëra: Rreth orës 18 e 30 minuta të datës 13.11.1995, në prani të P.Flavio Cavallinit, të përgjegjësit të punimeve të Kishës së Fretënve Françeskanë Shkodër, të quajturit Tonç Topalli, të motrës Enza Ferrara, mjeke; të P.Prelë Gjurashajt, të Fr.Vincenzo Foca, të punëtorit Ferdinand Topalli dhe të Ludovik Luigjit, si dhe në praninë time, të quajturës Violeta Sulkaj, si notere, filloi gërmimi i varrit ceremonia të varrit të P. Gjergj Fishtës, në vendin ku dëshmitari Ferdinand Topalli kishte dijeni se ndodheshin eshtnat e të ndjerit P. Gjergj Fishta, mbasi këto njohuri mbi këtë vend që dëshmitari i lartpërmendur i lidh me kohën e prishjes së Kishës së Fretënve Françeskanë në vitin 1967 dhe me kthimin e kësaj kishe në kinema për qytetin e Shkodrës, në këtë vend ku përcakton dëshmitari ishin hedhur më përpara eshtnat e të ndjerit P.Gjergj Fishta. Nga gërmimet e fundit në pjesën fundore të varrit, në mes të gjitha materialeve të mbetura dallohen elemente konkrete që i përkasin trupit të një ish-të varrosuri.
Eshtrat klasifikohen:
1. Eshtrat e gishtave që quhen falange, karpe dhe metakarpe, që përbëjnë pëllëmbën e dorës, gjithsej 20,
2. Dy vertebra të qafës;
3. Dy vertebra të pjesës qendrore të shtyllës kurrizore;
4. Pjesa fundore e brezit të legenit;
5. Një brinjë komplete në të djathtë dhe dy copa të vogla të një brinje tjetër;
6. Një fragment i peroneut;
7. Elementë të thembrës dhe të shputës së këmbës, tarse gjithsej 11 copë.
8. Majë e kupës së gjurit;
9. Dy dhëmbë (një prerës anësor, një dhëmballë e të parave);
10. Një fragment tjetër është ende i panjohur; Element i rëndësishëm për dallimin e një meshtari katolik dhe veçantinë e këtij personi nga të tjerët është "stola". Stola u gjend në ngjyrë vjollcë, që i përshtatet ceremonisë mortore, dhe e rrethuar me bordurë jeshile. Është i ruajtur i plotë konturi anësor, me kryqet tre dhe me mbarimin me thakë, në të dyja skajet.
Një element tjetër i rëndësishëm është edhe kurora prej gjethesh metalike, e vendosur mbi varrin ceremonial. U gjet një fletë gjethe e ngjyrosur me jeshil dhe nga oksidimi e kthyer pjesërisht në ngjyrë të verdhë.
Element tjetër i rëndësishëm janë copat e drurit të arkës (të pjesës fundore të saj) dhe copat e tjera të pjesës anësore, të stolisura të gjitha me lule me shkëlqim ngjyrë ari dhe me material sibil ari.
Duke u mbështetur në të gjitha elementet e mësipërme dhe duke u shtuar këtyre dhunimin e varrit, duke hequr eshtrat më të mëdha dhe duke mos i dhënë rëndësi mbledhjes së eshtrave të vogla dhe pastrimit deri në fund të varrit, si dhe duke u mbështetur edhe në dëshmitë e fretënve të vjetër të cilët kanë marrë pjesë në varrimin e poetit, ku edhe sot këta fretën jetojnë si dhe të shumicës së njerëzve që e mbajnë mend mirë atë vend, pasi në atë varr nuk është varrosë asnjëherë asnjë person tjetër, del determinuese prova se gjithçka që u gjet në këtë varr i përket P. Gjergj Fishtës. Si provë e këtij procesverbali i shtohet vërtetimi me shkrim i doktoreshës, motër Enza Ferrara.
Ky procesverbal, pasi iu lexua me zë të lartë të paraqiturve para meje, palëve pjesëmarrëse në këtë procesverbal, të cilët duke u gjetur konform kërkimit dhe vullnetit të tyre të plotë në prezencën time si notere e pranuan këtë procesverbal dhe e nënshkruan atë rregullisht si më poshtë rezulton...
AT ZEF PLLUMI: KY PROCESVERBAL RRËFEN DHUNIMIN E VARRIT TË FISHTËS
...Ky procesverbal skjaron me vërtetsi dhunimin e vorrit, nga i cili kanë teprue vetëm disa pak eshtna, që dhunuesve nuk u kanë ra në sy kur i kanë nxjerrë të tjerat për t‘i hjedhë në Drin. Kështu sot, prej trupit të Poetit, kemi vetëm këtë grusht relikesh.
Kur diq Fishta, na françeskanët patëm thirrë nji jezuit italjan, Fr.A. Sala, që ishte skulptor;ai i nxuer maskën mortuore, të cilën na e pruni në dy kopje allçije. Prej tyne, nji ish-nxanës i Liceut tonë, Tomë Leci, pat nxjerrë kallepin nga i cili punoi edhe gjashtë copa të tjera, të cilat i shpërndamë ndër miq e dashamirë për t‘i ruejtë, mbasi pushteti "i ri" përpiqej me zhduke çdo gjurmë të Fishtës, e jo ma maskën e fytyrës së tij. Nji prej këtyne kopjeve ia pata dërgue edhe skulptorit në za shqiptar Odise paskali, me të cilin Poeti kishte pasë miqsi.Kur ia dorëzova Odiseut, e puthi në ballë dhe më tha: "Këtij burri ia kam borxh një monument, por sot nuk mund t‘ia bëj. Besoj se do t‘i vijë koha". Në vjetin 1991 u vuna në kërkim të tyne; gjeta vetëm nji, të cilën e dorëzova në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. T. Leci kishte ruejtë kallepin e vjetër, me të cilin nxori dhe katër të tjera për kuvendet françeskane. Tash,ndër këto ditë, e mora njanën nga kopjet me ia çue skulptorit shkodran Ferit Kola. Kur hina në studion e tij, u çudita: në mur ai kishte të varun maskën e Fishtës.
-Ku e ke marrë?-e pyeta.
M‘u përgjegj se e kishte gjetë para shumë vjetësh në Tiranë, në nji magazinë të shkollës së skulpturës; ishte ajo që dikur ia kishem dhanë O. Paskalit..."
“HYLLI I DRITËS” Numër i posaçëm Tiranë 1996
-
Regullat e Postimit
- Ju nuk mund të hapni tema të reja.
- Ju nuk mund të postoni në tema.
- Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
- Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
-
Rregullat e Forumit
Krijoni Kontakt