Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2

Tema: Durim Çaça

  1. #1
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    31-03-2011
    Postime
    9

    Durim Çaça

    Durim Çaça ka lindur në Synej të rrethit Kavajë. Diplomuar e specializuar me studime pasuniversitare për filologji në Universitetin e Tiranës. Autor i përmledhjeve poetike”Poezi njerëzimi” dhe “Fytyr’ pafundësie”,botuar nga Ombra GVG,nga ku është përzgjedhur ky cikël etydesh meditative, plotësuar me krijime të reja..Poezia e tij ngjan, siç thonë studiuesit, me formula ritualesh të magjishme e tekste të gdhendura parabolash e litanish të shenjta, në një art etydesh meditative e iluminacionesh lirike, në një vallëzim me fjalën, e melodi me vargun e shpirtin poetik.
    Për kontakt: durim.caca@yahoo.com

    iluminacione lirike

    etyd

    ah, të kisha një zemër në vend të zemrës
    të kisha në vend të zjarrit një zjarr
    sikur një dhembje në vend të dhembjes
    e buzët të kisha në vend të buzëve
    një ëndërr sikur në vend të ëndrrës

    në vend të botës të kisha një botë
    sikur në vend të fjalës një fjalë

    të kisha një zemër në vend të zemrës
    në vend të zjarrit të kisha një zjarr…

    arie

    flaka plagoset veç nga një tjetër flakë
    si plagoset koha nga një tjetër kohë
    si drita veç nga një tjetër dritë, si loti
    veç nga një tjetër lot, ah, si fjala
    plagoset veç nga një tjetër fjalë, ëndrra
    nga një tjetër ëndërr, si puthja nga një tjetër
    puthje, malli nga një tjetër mall

    si koha veç nga një tjetër kohë, si flaka
    plagoset veç nga një tjetër flakë…


    melodi

    jan’ qeniet që thërrasin qeniet
    ujërat gjither’ që thërrasin ujërat
    erërat që thërrasin erërat, puthjet
    që thërrasin puthjet e tjera
    jan’ zjarret që thërrasin zjarret, qiejt
    që thërrasin qiejt, lotët në shpirt
    që thërrasin lotët e tjerë
    bliret jan’që thërrasin n’lulim bliret, ëndrrat
    që thërrasin në frym’ ëndrrat, kometat
    që thërrasin kometat e tjera
    jan’ buzët që thërrasin buzët, gazelat
    në agim gazelat, jaseminët
    n’kundërmim jaseminët e tjerë, fjalët

    jan’ që thërrasin në mall fjalët, qeniet
    që thërrasin në drit’ qeniet, yjet
    që thërrasin në ndriçim yjet e tjerë…

    dalai lama

    derën e shtëpisë
    e lë hapur
    kur shkoj larg

    të çlodhet udhëtari
    vizitori i kapitur
    i rrugës së gjatë

    ah, se derën e lumit, derën e zjarrit
    derën e qiellit, derën e botës
    e të lotit, e të fjalës
    e lë hapur

    derën e pyllit
    derën e pulëbardhës
    të së dashurës

    ah se derën e njerëzimit
    e lë hapur
    kur shkoj larg

    të çlodhet udhëtari
    vizitori i kapitur
    i rrugës së gjatë…

    kantilenë

    ç’ësht’ valë kalon si vala
    ç’jan’ sy seç shkojn’ si sytë
    mall ç’është kalon si malli
    duar ç’janë si duart ikin
    po ç’ësht’ flakë ikën si flaka
    e lot ç’është seç shkon si loti

    ç’ësht’ e dashur, ah, si e dashura

    buzë ç’janë si buzët shkojnë
    ç’është valë kalon si vala
    e po qe qiell ikën si qielli
    ëndërr ikën ç’është si ëndrra
    jasemin ç’ësht’ si jasemini
    ç’është poemë shkon si poema…


    këngë universale
    (për janosh dernavshek*)

    i tretur në gjithësi
    i tretur në tokë
    në mall e dritë
    lot, meteor
    pjelm, ëndërr
    në seks e shpirt tretur

    energjin’ kozmike jetoj

    i tretur jetë
    shkulm, agshol
    dhembje, energji
    afsh e atdhe tretur
    buzë, ekstazë
    manxuranë, poemë

    jetoj vetëdijen kozmike

    i tretur tokë
    i tretur gjithësi
    lot, meteor
    mall, dritë…

    ---------
    *eseist i shquar dhe burrë shteti slloven.

    okazion, hard porno

    ka rënë çmimi i lotit me lazer
    o zot sa lir’ çmimi i ëndrrës me printer
    çmimi i zjarrit në gjinjt’ e së dashurës
    lirë krejt çmimi i perëndimit të diellit
    çmimi i penisit në bankat e spermës
    çmimi i duartrokitësve me pages’, sa lirë
    çmimi i orkidesë në buzët e seksit
    ka rën’ çmimi i puthjes në plazhet e hënës
    ereksionit n’akujt e gjelbër të jupiterit

    o zot sa lir’ çmimi i brohoritësve me pagesë

    çmimi i qeshjes së fëmijës, puthjes së nënës
    i flakës së fjalës, i dritës së mallit
    çmimi i lotit me lazer sa lirë…


    motiv popullor çam

    se në të putha e çë të bëra
    veçse zemrën time dogja

    ata gjinj,- t’vakët si dy pëllumba
    syt’ e mi seç verbova

    e në të putha se çë të bëra
    veç zemrën time
    që dogja…


    upanishada

    kush beson te urrejtja
    hyn në bukurin’ e verbër
    në një bukuri më të errët
    ai që beson te dashuria

    ah, kush beson te padija
    hyn në errësirën e verbër
    në një errësirë më të thellë
    ai që beson te dija

    kush beson te ëndrra
    hyn në dritën e verbër
    në një drit’ më të errët
    ai që beson te zgjimi

    kush beson te dashuria…


    pesoa

    jan’ më të bukur detet e largët
    se detet e afërt
    ah, më të bukur zjarret e largët
    se zjarret e afërt
    buzët e largëta më të bukura
    se buzët e afërta
    më të bukur herojt’ e largët
    se herojtë e afërt
    se lotët e afërt
    më të bukurse lotët e largët

    o zot më të bukur
    zjarret tan’ të largët
    nëpër atë mall të largët

    jan’ më të bukur se malet e afërt
    malet e largët…


    mahmud darvish

    tani ësht’ koha për udhë
    të shkoni të dashuroni
    ku t’ju duket më bukur
    veç mos dashuroni mes nesh

    ësht’ çasti tani për t’u nisur
    për të shkuar të vdisni
    ku t’ju pëlqejë më shumë
    veç mos vdisni mes nesh

    gati tani për udhë
    të shkoni të ëndërroni
    ku t’ju duket më bukur
    veç mos ëndërroni mes nesh

    refugjatë të dhembjes…


    në vdekjen e vathes

    s’ësht’ më agimi që do qe
    e mbrëmja që do qe s’është
    jasemini që do qe, loti që do qe
    atdheu që do qe
    më s’është

    as malli që do qe
    me motrën, me jargavanin
    në dritare

    gazmimi që do qe
    trishtimi që do qe, ah,
    më s’është

    as drita që do qe
    e bota që do qe

    seç ishte më e bukur
    me motrën dhembja…


    osho

    ah, qaj dhe ke për të qarë
    dashuro dhe ke për t’dashuruar
    dhemb dhe ke për të dhembur
    ëndërro dhe ke për t’ëndërruar
    çmallu dhe ke për t’u çmallur

    ndriço dhe ke për të ndriçuar

    po qaj dhe ke për të qarë
    dashuro dhe ke për t’dashuruar…


    in memoriam

    falenderoj majakovskin
    për artin e vet-
    vrasjes së tij
    të përsosur

    më gjëmimshëm se himnet
    e më hovshëm se odet
    për herojtë
    kolkozet e partisë
    revolucionet

    ajo shungëllimë krisme
    njerëzore, revolveri
    plumbi kokës

    i lindur vetëm
    për këtë vdekje
    e asnjë tjetër

    o poezi e ndershme e dhembjes
    që hyre gjer thellë
    në tru ku vetëtijn’
    vetëtimat e rimave
    gurgullojn’ shkulmet e metaforave

    për t’i ndalur
    përgjithmonë

    falenderoj poetin
    për poemën e përkryer
    të vetvrasjes së vet

    të shenjtë…


    spille’ , korrik 2010

    shtëpi me mure prej agimi
    shtëpi me frymë yjesh
    me zemër krahësh e poleni
    kurm flauti e kundërmimi të pishave
    me duar valëzuese deti
    me atdhe drite buzësh
    ndriçimi gjinjsh

    shtëpi me karkalecë lodrues
    me mjegullimë mistike

    shtëpi me shi pjalmues burrëror
    me zjarre perëndish malli
    e shi pjalmues të dashure

    besoj te gjunjët
    besoj te sytë

    dal, eci lumturisht, pa ëndrra
    shkulm i kulluar e i kthjellët
    nëpër dunat e rërës
    gjer larg në grethin e madh
    pa brenga, hareshëm

    qoft’ gjithçka e bukur para meje
    qoft’ gjithçka e bukur pas meje
    e bukur gjithçka posht’ meje
    e sipër meje
    e me bukuri u përmbylltë…


    nderim poetëve
    (për y.xhaferrin)

    se flaka e borës
    ësht’ më e bukur se flaka

    fluturimi i qershis’ së egër
    më i bukur se fluturimi

    lumi i fluturës në verë
    më i bukur se lumi

    e puthja në varr rubini
    më e bukur se puthja

    gishtat e trëndafilt’ të lilakëve

    më të bukur se lilakët
    o ujvar’ gjinjsh në ag
    qysh je më e bukur se gjinjtë

    ah, se metafora e zotit
    më e bukur se zoti

    hëna, këpucëz e humbur
    më e bukur se hëna

    rrëkezat e buronjave
    si gjarpërinj me perla
    më të bukura se rrëkezat

    ari i tigrave të borhesit
    më i bukur se ari

    se flaka e borës
    më e bukur se flaka

    fluturimi i qershis’ së egër…

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    31-03-2011
    Postime
    9
    DURIM ÇAÇA etyde meditative


    mesiu i prishtinës

    ah, ç‘m’u thye pasqyra e ëndrrës
    një mij’ çopëza
    e seçila ka shkuar
    pas bukurisë
    që ka pasqyruar

    por m’u thye pasqyra e flakës
    një mij’ çopëza
    e shkoi çdo njëra
    pas bukurisë
    që mbante mbi vete

    seç m’u thye pasqyra e lotit
    një mij’ çopëza
    e seçila ka shkuar
    pas bukurisë
    që ka pasqyruar

    ah, ç’m’u thye pasqyra e ëndrrës…



    krijim

    frymëzoj një poezi
    e ritmin e lë pambaruar
    ah, se më e bukur është
    e pambaruara

    seç ndërtoj një shtëpi
    ëndrrën e lë pa en sosur
    seç është më e bukur
    e papërsosura

    dhe puth një mall të ri
    zjarrin e lë pa e kryer
    ah se më e bukur është
    e papërkryera

    më kufizojn’ gjërat e plota

    frymëzoj një poezi
    e ritmin e lë pa mbaruar…

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •