Në 12 vjetorin e tmerrit e lemerisë (20 prill 1999)
Atë ditë nuk dëgjuam: Ju flet ” Kosova e lirë ”…
Dielli kaherë kishte kaluar zenitin, por ende ishte larg të prekte majat e jeshiluara të Kosmaçit Plak në këtë fillimpranverë. Nga dritarja vështroja lëvizjet e rralla të bashkëqytetarëve të mi, edhe pse qyteti ishte i stërmbushur me ikanakë nga të gjitha anët e Drenicës dhe të rretheve të tjera. Duhej të ishte qetësi, por kjo nuk po ndodhte… këtë qetësi e prishte krokatja monotone e korit të sorrave, që me fluturimin e shfrenuar të tyre nxinin kaltërsinë e qiellit. Një plakë, së cilës vitet dhe vuajtjet ia kishin shtuar rrudhat në fytyrë belbëzoi diçka:”S’më pëlqen ky fluturim i sorrave të zeza, moj loke. Këto ndjellin kob. Luftë do të bëhet”. Unë i dëgjoja me mospërfillje fjalët e saj, ndonëse, s’e di nëse u besoja a jo atyre fjalëve. Ç’është e vërteta ne në luftë ishim. Herëpashere dëgjoheshin rafale armësh nga Gryka e Llapushnikut, nga Gjergjica, Arllati, Tërsteniku e Palluzha, më pastaj gjëmonin topat. Tani vështronim se ku do të dale tym: në Baicë po digjej diçka, në Tërstenik po del tym, po digjet lagjja e kukajve dhe e spahijajve. Tek kthen kokën nga e majta sheh një shtëpi tjetër duke u djegur në Korroticë. Qartë duket flaka, se kjo është afër qytetit…O zot, o zot, ç’lemeri!
Dhe tek bënim lëvizje të qeta nëpër dhomë, këtë qetësi mortore e prishi një grua:” Po vijnë, po vijnë paramilitarët! Sapo ndaluan traktorin. Janë drejtuar kah soliteri ynë!”.
Ne harruam radion, në të cilën ishim bërë gati të dëgjonim lajmet e orës gjashtëmbëdhjetë. “Nesër ndoshta...”, dhe brof m’u rrënqeth trupi kur më erdhi mendimi se në lajmet e orës 16 mund të flitej për ne...
Tani u qartësua se ata ndodheshin vërtet në hyrjen tonë. Ne nga kati i katërt dëgjonim rrapëllimat e dyerve. Në ndërkohë u dëgjua një e shtënë, edhe një, edhe një… S’dinim se ç’po ngjiste në këto çaste ankthi e lemerie.
Mundoheshim për të qetësuar fëmijët.
-Fshihni gjësendet me vlerë,-urdhëroi kryeplaku. Gatitni të hollat që do t’i jepni! Mos kini frikë, se këta para duan dhe sa t’i marrin ato ikin.
Ashtu vepruam, ani se unë e dija mirë që kryeplaku mundohej të na jepte zemër, sepse në shumë vende edhe i kishin marrë paratë edhe kish bërë krime.
Tani paramilitarët u ngjiten në katin e tretë.
- Hapeni derën që kur të vijnë ata të mos qëllojë dera e kyçur,-urdhëroi dikush.
Tani qartë dëgjoheshin trokitjet e çizmeve të tyre. Kjo qartësonte se ata ndodheshin pikërisht në korridorin e katit tonë. Përnjëherësh u dëgjua një e rënë e fortë çizmeje në derën e banesës sonë. Dera u hap me tërsëllëmë. Në derë u dukën dy paramilitarë që mbanin në duar armët gati për të shtënë. Ne qëndronim ulur dhe mendonim për skena të filmave kriminalistikë.
- ( Ima li ovde UÇK-a?) A ka këtu UÇK-a, - pyetën po thuajse njëzërit.
- A keni armë?-pyeti njëri me ten lëkure të zezë në të verdhë.
Cigan duhet të jetë, mendova me vete, tek shikoja atë surratsëz. Por, këto mendime m’i ndërpreu një krismë. Çdo gjë u qartësua. Ishte krismë pushke. Në tavanin e sallonit ku po rrinim, afër abazhurit, mbeti gjurma e plumbit, ndërsa sipërfaqen e tavolinës e mbuloi zalli i suvasë.
- Para, marka ( monedha gjermane ), ar e gjësende me vlerë ç’të keni m’i dorëzoni,-tha zioshi. ”Edhe këtë” iu drejtua vëllait tim, duke i prekur me tytën e automatikut orën që kishte harruar. ”Edhe atë”,- m’u drejtua mua duke bërë me tytën e pushkës drejt rrethit të artë të fejesës që e mbaja në gisht këtu e njëzet vjet. Mua më kapën mornicat në fillim, se mu kujtua që sa herë kam dashur ta hiqja rrethin e kam hequr me shumë mundim, duke përdorur sapun, por për fat e hoqa shumë lehtë, me siguri meqë kisha rënë nga pesha.
Në banesën tjetër, pranë nesh u dëgjua një krimë. Paramilitarët shikuan njëri-tjetrin. Nodshta mendonin edhe ata të bënin atë më të keqen, meqë në dhomë ishim shtatë veta që i “hante” plumbi, ani se ata nuk mëshironin as fëmijët, por këtë s’e bënë. Paramilitarët pasi kontrolluan nëpër çdo dhomë urdhëruan:
- Mos lëvizni vendit, as derën mos e hapni!
Ne të nemitur qëndronim në vend.
- E kryen me ne,-thamë, por, vallë, çdo të jetë bërë në katin e pestë?!
Një krismë theu qetësinë. Më pas u dëgjuan edhe dy të tjera…
Epilogu i kësaj ekspedite mortore qe: dy të vrarë(Brahim Shala dhe Hysen Morina).
Pas pak minutash, nga dritarja u dukën një grup i vogël njerëzish me dy karroca dore që bartnin dy të vrarë, sigurisht me trup ende të ngrohtë. Sipas urdhërit të paramilitarëve brenda njëzet minutash duhej të bëhej varrimi i të vrarëve. Dhe, vërtet ky varrim u bë me një kortezh fare të paktë e pa ceremoni mortore.
Kështu atë ditë nuk dëgjuam:
Ju flet ”Kosova e lirë”, Ju flet ”Kosova e lirë”, Ju flet ”Koso…” . Eh!…
Ruaj Lidhjet