Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e flor1
    Anëtarësuar
    05-02-2009
    Postime
    198

    Gracka e përgjegjësisë së përbashkët

    NgaNO BOZDO

    Jo vetëm duke marrë shkas nga një artikull i z. Lubonja botuar në këtë gazetë disa ditë më parë, por edhe nga një frymë e hasur rëndom së fundmi në media dhe opinionin publik, në deklaratat e disa OJF-ve, por edhe në gjuhën e disa prej aktorëve politikë e socialë, do të desha të trajtoj temën e përgjegjësisë kolektive dhe shpërndarjes simetrike të fajit, veçanërisht në kontekstin politik shqiptar të muajve të fundit. Në shumë artikuj apo prononcime publike për atë çfarë po ngjet sot në Shqipëri, në qëndrime të analistëve, por edhe të figurave të njohura apo relativisht të njohura për opinionin publik, duke filluar që nga çështja e “kutive të pahapura” deri tek dhuna e pashembullt e 21 janarit, shprehet mendimi “grackë” se përgjegjësia është e palëve (e të dy krahëve të politikës) dhe se të gjithë janë fajtorë pak a shumë në mënyrë të barabartë.
    Kjo logjikë paralizuese tenton ta përçojë përgjegjësinë si një të plotë e të pandashme tek e gjithë klasa politike, tek pozita dhe opozita, tek deputetët pa dallim ngjyre, tek qeveria, dhe përfundimisht tek të gjithë të marrë së bashku. Në këtë mënyrë, të majtë e të djathtë, pa asnjë përjashtim, janë përgjegjës për çfarë po ndodh në Shqipëri prej kohësh! Fajin na e paska klasa politike en block, dhe si rrjedhim logjik, PD-ja dhe PS-ja janë thjesht dy anë të së njëjtës medalje: të medaljes së konfliktualitetit politik të zgjatur, të paaftësisë për të ndërtuar një shtet normal mbi bazat dhe filozofinë e Europës së bashkuar!
    Duket mos dashur që ky artikull të tingëllojë sadopak polemizues, nuk mund sidoqoftë të mungoj të jap argumentimet e mia për disa ndër fenomenet e vërejtura në artikullin e z.Lubonja (dhe jo vetëm në këtë artikull), përsa i përket sjelljes parlamentare të dy partive të mëdha, si dhe akuzave të ndërsjella për korrupsion.
    Së pari, ajo çfarë po ndodh (sherrnaja) në Parlamentin shqiptar është një përpjekje e mirëmenduar e grupit parlamentar të Partisë Socialiste për të paralizuar punimet e Parlamentit. Kjo është më se e qartë për të gjithë ata që ndjekin me vëmendje punimet e Parlamentit nëpërmjet ekranit të televizorit. Nuk është e rastit që parlamentarët socialistë thërrasin, shqelmojnë, grushtojnë kundërshtarët e tyre politikë sapo u jepet urdhri për të bërë diçka të tillë. Deputetët dëshmitarë të këtyre seancave të “tërbimit opozitar” tregojnë për fjalorin rrugaç të përdorur me qëllim provokimin e ministrave të ulur një radhë më lart. Në këtë klimë tensioni, kur njëra palë godet pa pushim dhe tjetra tenton të procedojë normalisht me rendin e ditës, është e pamundur të mos ketë konflikte, madje edhe personale, por është thellësisht pa vend të barazosh dhunuesin me ata që e pësojnë dhunën.
    Së dyti, përsa i përket çështjes së korrupsionit dhe raporteve ndërkombëtare që e faktojnë këtë gjë. Është më se e vërtetë se Shqipëria sipas raportit Doing Business të Bankës Botërore, renditet në vendin e 170 në botë përsa i përket çështjes së lejeve të ndërtimit. Në këtë indikator ka tre nënindikatorë, të cilët përllogariten sipas peshës së tyre specifike: numri i procedurave për të marrë një leje ndërtimi, koha e shprehur në ditë si dhe kosto e pagesave të ligjshme shprehur si përqindje mbi të ardhurat për kapital të vendit përkatës. Por nga ana tjetër, po të lexohet me kujdes metodologjia e matjes së këtij indikatori, do të vërehet se ai llogaritet mbi një rast studimor në kryeqytetin e vendit respektiv, pra në rastin tonë në Tiranë. Me pak fjalë dhe përfundimisht, Tirana renditet e 170 në botë, apo e 12 nga fundi përsa i përket transparencës në lejet e ndërtimit. Indikator më të fortë për korrupsionin nuk mund të ketë! Së treti, tashmë mund të hapim një diskutim edhe më të gjerë për nivelin e korrupsionit të Bashkisë së Tiranës dhe rrjedhimisht të kryetarit të saj. Faktet tregojnë se 60 për qind e tenderave të rikonstruksioneve apo të punimeve në veprat publike në Tiranë fitohen nga një kompani, presidenti i të cilit është mik i ngushtë i z. Rama dhe se gazeta e përditshme e tij është kthyer thuajse në “traktin” personal të kryetarit të bashkisë. Është një rastësi kjo? Sigurisht që jo! Po kështu, edhe hartimi i studimeve arkitektonike dominohen në 80 për qind të rasteve nga 3 studio shumë të afërta me deputetët socialistë dhe vetë z. Rama. E njëjta gjë edhe për shpërndarjen e lejeve të ndërtimit. Ata që marrin leje ndërtimi në Tiranë nuk mund veçse të jenë të lidhur ngushtë me z. Rama apo deputetë të Partisë Socialiste!
    Ky është standardi i transparencës që ofron z.Rama si kryetar bashkie. Tani le të heqim një paralele: supozojmë se të gjitha këto fakte do të ndodhnin në nivelin e qeverisjes qendrore. Është e tepërt të komentojmë më tej se çfarë reagimi mediatik, por edhe opozitar, do të kishim në këtë rast. Por për fatin tonë të mirë, asgjë e tillë nuk ndodh: në nivelin qendror aplikohet 100 për qind procedura e tenderimit elektronik, ku mundësia për manipulim është thuajse zero; lejet dhe licencat janë liberalizuar deri ku s’mban më, si dhe tenderat fitohen nga një numër shumë i madh dhe i ndryshëm i kompanive të huaja dhe vendase. Kjo është e vërteta. Në këtë pikë le të kthehemi përsëri në argumentin tone: është e pamundur të barazohen përpjekjet e maxhorancës dhe opozitës, të pushtetit qendror dhe atij vendor në Tiranë, për të siguruar transparencën e fondeve publike si dhe për të luftuar korrupsionin. Kush tenton ta shpërndajë në mënyrë kolektive damkën e “të korruptuarit”, duke barazuar të gjitha palët, ose është miop në rastin me të mirë, ose thjesht thotë të pavërteta.
    Së fundmi, dy fjalë për 21 janarin: kjo ngjarje e rëndë, ndoshta më e rënda e ndodhur deri më sot në këto vite, tutje çdo polemike partiake, ka dy palë: ata që punonin në zyrat e shtetit dhe ata që sulmonin zyrat e shtetit. Koncepti i të drejtës njeh në bazën e tij shkakun dhe pasojën: çfarë ndodhi, ndodhi sepse opozita provokoi, sulmoi dhe dhunoi. Nëse opozita dhe drejtuesi i saj, z. Rama, nuk do ta kishin bërë këtë, atëherë as të plagosur, as viktima dhe as dëmtim të imazhit të Shqipërisë nuk do të kishim. Në këtë pikë, nuk mund të barazohet kurrë viktima me agresorin. Besoj se këtu biem të gjithë dakord, të majtë dhe të djathtë! Çdo përpjekje për të nxjerrë njëlloj me faj palët, është një shtytje në grackën paralizuese të fajit kolektiv.
    Duke dashur të kthehem përsëri në temën e këtij shkrimi, do të theksoja se koncepti i “përgjegjësisë kolektive” është një koncept i trajtuar dhe i debatuar jo pak në Europën e përpara luftës, por edhe të pas Luftës së Dytë Botërore. Veçanërisht, tragjedia e Europës së pasluftës nuk mund të mos nxiste nevojën për një debat të tillë publik, i cili për hir të së vërtetës u mbajt në harkun kohor të disa brezave. Megjithëse praktika e të drejtës botërore nuk e njeh konceptin juridik të “përgjegjësisë kolektive”, po kaq e vërtetë është që e drejta morale, së paku e njeh si argument (me pro dhe kundër) këtë koncept.
    Në veprën e tij “Ekonomia dhe Shoqëria”, Ëeber argumenton se “koncepti i përgjegjësisë kolektive është i pakuptimtë sepse ne nuk mund t`i dallojmë veprimet e vërteta kolektive nga veprimet identike të shumë personave, dhe për shkak se grupet, ndryshe nga individët që u përkasin atyre, nuk mund të mendojnë si grupe apo të formulojnë qëllime, të cilat normalisht çojnë (janë të nevojshme) për veprimet e mëtejshme”.
    Po kështu, filozofi anglez H.D. Lewis shtyhet edhe më tej në argumentimin e tij. Lewis shkruan: “Vlera i takon individit dhe është individi, i cili është bartës i vetëm i përgjegjësisë morale. Askush nuk është fajtor, përveç moralisht në raport me disa sjellje, të cilën ai vetë konsiderohet të jetë i gabuar. Përgjegjësia kolektive është barbare (Lewis 1948)”.
    Duke abstraguar në realitetin shqiptar, kuptohet qartë se secili (lexo: të dyja palët) duhet të peshohet dhe të vlerësohet për atë që ka bërë, që bën dhe që mund të bëjë, dhe në asnjë palët mënyrë nuk mund të fajësohen en block, apo me të njëjtin emërues.
    Duke u kthyer në temën tonë dhe duke marrë shkas jo vetëm nga artikulli në fjalë, mendoj se dëmi më i madh që ne mund t‘i shkaktojmë tesutit delikat social shqiptar është përpjekja për të kolektivizuar fajin. Me anë të kësaj përpjekjeje, jo thjesht stigmatizohen të gjithë, në mënyrë të drejtë dhe të padrejtë, por rrënohet besimi (sado i brishtë qofte ai) tek klasa politike, tek lidershipi dhe mbi të gjitha, tek aftësia e shqiptarëve për të ndërtuar një shoqëri me vlera të qarta europiane dhe institucione që do t‘i rezistojnë kohës. Duke fajësuar të tërë, jepet mesazhi hipokrit dhe i gënjeshtërt se individi shqiptar është zënë në kurth, se ai nuk mund të zgjedhë sepse zgjedhja e tij bie gjithmonë në njërën nga dy anët e medaljes problematike. Argumentimet e mësipërme në këtë artikull tregojnë qartazi që kjo gjë nuk është e vërtetë: palët janë dukshëm të ndryshme nga njëra-tjetra!
    Si përfundim, kjo frymë duhet përfundimisht të marrë fund: roli i mediave, por edhe i opinionbërësve, është të tregojnë vlerat pozitive të arritura dhe jo t‘i fajësojnë të gjithë dhe kurdoherë.

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    flor..

    meqe eno bozo permend lubonjen mir eshte me sjell dhe cfar ka then lubonja..

    keshtu qe gjykojme me drejt muhabetin..

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •