Topi u bë president, pranon dhunimin e shtetit më 21 janar
Tv Klan 23.02.2011
Presidenti i Republikës, Bamir Topi u ka dërguar një letër partive politike parlamentare, ku shpreh shqetësimin për situaten e krijuar pas ngjarjeve të dhunshme të 21 janarit.
Dhe për herë të parë që pas 1 muaji, kreu i shtetit pranon zyrtarisht se më 21 janar u shënuan akte dhune ndaj institucioneve të shtetit.
Në deklaratat e tij të mëparshme, presidenti i Republikës e ka quajtur sulmin ndaj kryeministrisë si “ngjarje në boulevard” apo në rastin më të mirë, si “ngjarje tragjike”.
Kjo letër e presidentit vjen menjëherë pas publikimit të njoftimit se dy zyrtarë të lartë amerikanë do të vizitojnë Shqipërinë në përpjekje për të ndihmuar në kapërcimin e situatës.
Për koincidencë apo jo, edhe kjo deklaratë e presidentit Topi përkon me vizitën e zëvëndësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, Thomas Countryman.
Edhe në vizitën e tij të parë, 1 orë para mbërritjes se Countryman në Tiranë, presidenti doli në konferencë për shtyp dhe foli për ngjarjet e 21 janarit, por pa përmendur këtu dhunën ndaj institucioneve kushtetuese.
Në këtë letër presidenti Topi thotë se institucionet përfaqësuese nuk janë tërësisht funksionale për kapërcimin e situatës.
Ai u ka kërkuar gjithashtu partive politike pjesëmarrje dhe jetë aktive parlamentare, për përmbushjen e detyrimeve ligjore ndaj procesit zgjedhor të datës 8 maj, si dhe për realizimin në kohë të të gjitha kërkesave të parashtruara nga Komisioni Europian.
Në këtë kontekst, presidenti ka shprehur gatishmërinë të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik midis palëve politike, si dhe të mirëprese dhe të mbështetese propozime konkrete që bëjnë të mundur jetësimin e këtij dialogu institucional.
Partia Demokratike ka reaguar pas ftesës së presidentit të Republikës. Deputeti Aldo Bumçi tha se ftesa të tilla nuk janë të nevojshme dhe i kërkoi kreut të shtetit të respektojë detyrimet kushtetuese.
Krijoni Kontakt