Kush beson e mbështet shpresën në Zotin, ai njeri nuk ka pse të brengoset!
Në Meshën e së dielës, të orës 11:00, të udhëhequr nga ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, pos besimtarëve të famullisë së Kishës së sh. Ndou në Prishtinë, si zakonisht, në Meshën e Shenjt morën pjesë edhe shef i EULEX-it Xavier de Marnhac dhe Komandanti KFOR-it Gjenerali gjerman, Markus Bentler dhe ushtar te KFOR-it. Mesha u ndihmua edhe nga don Shani, don Rroku si dhe një prift Gjerman nga KFOR-i
U lexua Ungjilli i së dielës ku liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele foli për kujdesin e përdëllimin që Hyji ka për jetën e njerëzimit. Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi nënvizon pikërisht vëmendjen e përkujdesjen e Zotit për jetën tonë njerëzore e tokësore. Leximet biblike të kësaj së diele e në mënyrë të veçantë pjesa e Ungjillit, në antitezë, zhvillojnë temën e besimit e të mbështetjes sonë në Zotin, një mbështetje e plotë, e lirë, e qetë, bindëse dhe e hareshme, sepse kush beson e mbështet shpresën në Zotin, ai njeri nuk ka pse të brengoset. Të mirat tokësore janë mjete e jo qëllimi i jetës, e në perspektivën dhe ndritën e fesë, duhen ti konsiderojmë gjërat tokësore, të mirat e përkohshme, e mos të harrojmë se këto mira janë dhuratë e Provanisë së Zotit.
Angazhimi ynë për ato vlera që nuk perëndojnë e janë të përjetshme, dëshmohet mu më kërkimin e mbretërisë së Zotit e të drejtësisë së tij në jetën e përditshme. Në leximet biblike të kësaj së diele, u shfaq pothuajse së një teofani e madhe, fytyra përdëllyese e Zotit atë e nënë. Ai në Jezu Krishtin dëshmon dashurinë e tij të pakufishme e të pakushtëzuar për ne. Ai zbret ndër ne gati “në fshehtësi, në mënyrë të padukshme” për të bërë të shkëlqejë dashuria e tij. Liturgjia e Fjalës Zotit e kësaj së diele na siguron se Zoti nuk na harron e nuk na braktis kurrë, por Ai na fton të mbështetemi në Të, na thotë të mos shqetësohemi vetëm për të mirat materiale e tokësore, por para së gjithash e mbi të gjitha të kërkojmë dashurinë e mbretërinë e Tij Hyjnore.
Ti shikojmë disa foto nga çastet e kremtimit të Meshës së Shenjt në kishën katolike në Prishtinë.
Krijoni Kontakt