Në këtë pikë, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima, nuk bën kompromis. Sapo ka shpallur projektet e 6–mujorit të parë të vitit, të cilat reduktohen deri në 5. Flitet për emra si Gazmend Leka, Gjelosh Gjokaj, Ali Oseku, Adem Kastrati dhe fotografi anglez, Martin Parr, i cili do të na sjellë në Tiranë kujtimet e një Shqipërie të 20 viteve më parë. Peizazhe, portrete, monumente, që ndoshta i kemi harruar. Kur e pyet për ata 35, apo 45 artistë të tjerë që kanë mbetur jashtë përzgjedhjes, Shima thotë prerë, se kjo është mundësia e GKA-së dhe se nuk në mend të kthejë historinë mbrapa, atëherë kur në galeri mund të ekspozonte kushdo. Ai u lëshon edhe një apel artistëve që të mos bëjnë presion mbi Galerinë e Arteve, por mbi Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Bashkinë e Tiranës, për të krijuar hapësira të reja ekspozimi. Madje, u kërkon të heqin dorë nga letrat e dërguara qeverisë dhe thotë se politika nuk duhet të ndërhyjë më në punët e galerisë.
Bashkë me vitin e ri hapet edhe një sezon i ri artistik.

Çfarë do t’i ofrojë publikut Galeria Kombëtare e Arteve, gjatë vitit 2011?

Galeria Kombëtare e Arteve ka në dispozicion të ekspozitave vetëm një sallë dhe me këtë kapacitet, nuk mund të kemi më shumë se 8-9 projekte serioze, përgjatë një viti. Ne kemi shpallur projektet e 6-mujorit të parë. Janë bërë dy mbledhje të Këshillit Shkencor të Galerisë, ku mes 40-50 kërkesave drejtuar institucionit tonë, janë përzgjedhur 5 ekspozita të para. Janë të gjitha personale. Pas mbylljes së “Onufrit”, do të çelë sezonin e 2011-ës ekspozita personale e një artisti të rëndësishëm të skenës së artit kombëtar, Gjelosh Gjokaj. Një autor që i takon diasporës, shqiptar i Malit të Zi, me një karrierë dinamike në kërkimin e tij artistik. Një artist shumë interesant, jo vetëm në skenën e artit shqiptar, por edhe në atë të ish-Jugosllavisë. Në vitet ’70-’80 u shpërngul në Gjermani dhe e ndan jetës me Gjermanisë dhe Tuzit të Malit të Zi. Kjo është hera e parë që ai vjen në GKA me një ekspozitë personale. Ne kemi vendosur ta quajmë “Shejzat”, për nder të revistës me të njëjtin titull, që Ernest Koliqi ka botuar në Romë dhe Gjelosh Gjokaj ka qenë dizenjuesi i saj. Duke marrë parasysh natyrën e veprave të Gjelosh Gjokajt, bëmë një lidhje mes tyre dhe “Shejzave”. Do të vijojë një seri ekspozitash të artistëve shqiptarë, pavarësisht këtej, apo andej kufijve. Do të vijojë një ekspozitë e piktorit Gazmend Leka, më pas një ekspozitë e një artisti që nuk jeton më, Adem Kastrati, shqiptar i Maqedonisë, që e ka zhvilluar krijimtarinë e tij mes Shkupit dhe Prishtinës. Një autor naiv, shumë interesant për vizitorin e GKA-së. Do të vijojë më tej ekspozita e një autori shumë të njohur, profesor i Akademisë së Arteve, Ali Oseku. Duhet thënë që është e para e këtij autori në GKA. Do të jetë një ekspozitë e plotë dhe interesi është për ta shfaqur me të gjithë dinamikën dhe kërkimin artistik të këtij autori.

Do të ketë vetëm artistë shqiptarë?

Në muajin qershor do të vijë si një bashkëpunim me Këshillin Britanik ekspozita e një fotografi, ndër më të njohurit e skenës ndërkombëtare, Martin Parr, një autor që rreth viteve ’90 ka bërë një fotoreportazh në Shqipërinë e atyre viteve dhe ishte shumë interesante e befasuese të shihje imazhin e vendit tonë, të shqiptarëve, peizazhin, mënyrën e jetesës, qytetet, mënyrën e veshjeve, portretet, ish-monumentet... Dhe të gjitha këto kujtime, që gati janë harruar nga ne, do t’i kemi të prezantuara në këtë ekspozitë, që do të jetë një kujtesë për Shqipërinë e viteve ’90.

Përse kjo zgjedhje artistësh?

Përveç fotografit anglez, Martin Parr, katër piktorët shqiptarë janë artistë, të cilët i takojnë pa dyshim eksperimentit modernist të fillimviteve ’90, të përcaktuar tashmë si artistë modernë dhe që kanë krijuar një strukturë individuale. Vepra e tyre karakterizohet nga një këmbëngulje, brenda një estetike moderniste. Mendoj se ka ardhur momenti që GKA të shohë me interes dhe këto kërkime të vazhdueshme brenda skenës artistike dhe t’i shfaqë të plota. Këta artistë mbartin në vetvete edhe historinë e zhvillimit të artit shqiptar në këto dy dekada të fundit. Ndaj dhe nuk ka pasur asnjë lloj kundërshtie nga ana e Këshillit Artistik të Galerisë për të pranuar këto ekspozita, si pjesë e kalendarit.

Keni publikuar vetëm një pjesë të kalendarit, çdo të ketë më tej?

Sa i takon pjesës së dytë të kalendarit, jemi ende në proces koordinimi, pavarësisht se këshilli e ka miratuar të plotë kalendarin e propozuar nga galeria për vitin 2011. E pamë të arsyeshme të publikonim aktivitetet vetëm për 6-mujorin e parë, pasi jemi ende në koordinim për shumë aktivitete të tjera. Pas zhvillimeve të fundit politike, disa aktivitete që kishin të bënin me ekspozimin e disa koleksioneve private ose publike të rëndësishme të artit ndërkombëtar, kryesisht atij europian, kanë marrë një pikëpyetje. Dhe për aq kohë sa ky proces bashkëpunimi dhe sqarimi të përfundojë, ne e pamë të udhës ta shtynim publikimin e 6-mujorit të dytë. Ndoshta ndonjë nga ato aktivitete që ne kishim për vite që punonim, mundet që edhe të dështojë.

Hapësirat ekspozuese janë shumë të pakta, projekti i Piramidës dështoi, ju mund të pranoni vetëm 8, ndërsa kërkesat janë shumë të mëdha, si do të zgjidhet ky problem?

Është i vërtetë fakti që hapësirat në Tiranë janë kufizuar dhe salla e ekspozimit të përkohshëm në GKA është e vetmja që plotëson standardet e detyrueshme për ekspozita. Në këtë mjedis ku operon komuniteti artistik, hapësirat pothuajse nuk ekzistojnë. Ishte një ide që anekset e galerisë të zhvendoseshin tek Piramida, projekt që me sa duket nuk do të realizohet. Presioni i artistëve mbi GKA-në është i gabuar. Askush nuk fiton, as artisti dhe aq më tepër GKA, nëse ushtrohet presion për të shpartalluar dyert e këtij institucioni, për ta kthyer në një galeri pa porta. E kemi provuar një herë këtë gjë. Dua t’ia rikujtoj të gjithë artistëve që kemi pasur një galeri të tillë, ku hapeshin edhe 4 ekspozita në ditë dhe ajo çka ndodhi konkludoi me rrënimin e plotë të GKA-së, duke e kthyer në një institucion pa identitet, pa fizionomi, derisa e katandisën në një institucion qesharak, ku logoja e saj kishte më pak vlerë se logoja e një shkrepëseje. Nga ajo kohë mësimet dolën jo vetëm për GKA-në, por dhe komunitetin artistik. Kështu që ka ardhur koha, që nëse artistët kërkojnë hapësira për të ekspozuar, presioni duhet adresuar në MTKRS dhe në Bashkinë e Tiranës. Jemi i vetmi kryeqytet i botës, ku nuk ka një hapësirë publike nga bashkia, ku nuk ka një skulpturë parku. Jemi ndoshta një ndër popullatat më të prapambetura kulturalisht dhe nuk ka asnjë lloj platforme, koncepti, tendence, apo iniciative, për të krijuar një hapësirë të re, por vazhdon presioni për të shkulur derën e GKA-së për të hapur ekspozita. Kjo nuk është zgjidhje, nuk të çon askund, ndaj u them artistëve t’u drejtohen këtyre institucioneve për të hapur galeri dhe jo të çojnë letra lart e poshtë në qeveri, për të hapur dyert e GKA-së. Këto janë kushtet e Galerisë së Arteve dhe e kam thënë e do të vazhdoj ta them, se GKA ka kapacitet vetëm për 8 ekspozita në vit. Shtimi i numrit do të thotë fillim i skarcove, ndaj kërkoj mirëkuptimin e politikës dhe artistëve, të mos ndërhyjnë në axhendën e GKA-së.

Këto ditë është njoftuar pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias, në ç’fazë janë përgatitjet?

Pas mungesës së vitit 2009, Shqipëria, përmes MTKRS-së ka rikonfirmuar pjesëmarrjen e saj në edicionin e 54-t të Bienales së Venecias, ose më saktë dëshirën për pjesëmarrje. Gjithçka është në një fazë përgatitore, ku ajo që është më e rëndësishmja dhe që mundëson këtë iniciativë, është buxheti. Deri tani nuk kemi ende një buxhet të përcaktuar për këtë aktivitet, por jemi ende në kohë për ta siguruar atë. MTKRS-së i është propozuar nga GKA emri i Ricardo Caldurës si kurator dhe i Parid Teferiçit si komisioner i pavijonit.

Përse pikërisht Caldura si kurator i pavijonit shqiptar?

Ai është një personalitet me influencë në qytetin e Venecias, që ka bashkëpunuar me bienalen në disa aktivitete kolaterale të saj dhe mendoj se do të jetë një ndihmë e madhe për ngritjen e pavijonit. Nga ana tjetër është njohës shumë i mirë i artit bashkëkohor shqiptar. Mund të përmendim disa bashkëpunime prej vitit 2007: si hapja e një pjese të “Onufrit 2007” (“Nuk ka si shtëpia”) në galerinë “Conteporanea” në Venecia, ekspozitën me foto të Marubit, për të vijuar me kurimin e “Onufrit 2008” dhe disa ekspozita të tjera personale, apo kolektive të artistëve shqiptarë, hapur në Itali. Pra, kemi përballë një njohës shumë të mirë të klimës artistike shqiptare dhe mendoj se vizita që ai do të bëjë në Tiranë nga data 3-6, do të ndihmojë në krijimin e konceptit të ekspozitës, si dhe artistëve pjesëmarrës. Ndërkohë, GKA ka vetëm rolin e konsulencës, pasi ky është një organizim shumë kompleks, i cili ka disa procedura strikte, të cilat personalisht i kam kaluar në 2007-ën dhe kjo eksperiencë mund të ndihmojë komisionarin e ri. Roli i dytë është ai i koordinimit dhe pjesa tjetër e organizimit, nëse do të realizohet, i takon Ricardo Caldurës dhe Parid Teferiçit.

6-mujori i parë

Ekspozita “Onufri 2010”
8 – 27 shkurt
Artisti Gjelosh Gjokaj. Ekspozitë Vetjake
Mars 2011
Artisti Gazmend Leka. Ekspozitë Vetjake.
Prill 2011
Artisti Adem Kastrati. Ekspozitë Vetjake
Maj 2011
Artisti Ali Oseku.
Ekspozitë Vetjake
Qershor 2011
Artisti Martin Parr. Ekspozitë vetjake.
(Në bashkëpunim me B.Council).

ALMA MILE