Konferencë shkencore: Shqipja në etapën e sotme, politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit
Referat: STANDARDI I NGRIRE PERBALLE GJUHES SE LIRE
Mehmet ELEZI
Pararealitet gjuhësor
Unë besoj se duke hyrë në këtë sallë kemi lënë përjashta tri valixhe.
Në valixhen e parë që kemi lënë jashtë shkruhej ngarkesa politike e ideologjike.
Dihet se gjuha nuk është dukuri politike as ideologjike, por tradita jonë pas Luftës së Dytë edhe në këtë rrafsh ka qenë problematike. Që nga maji 1947 e me pas nëpër foltoret e konferencave gjuhësore janë lëshuar deklarata si “gjuhë e përbashkët kombëtare duhet të jetë ajo e masave të popullit që përfaqësojnë pjesën më progresive të vendit” e të tjera të ngjashme. Kjo politikë udhëhoqi bazat e standardit, e ndau vendin në pjesë “përparimtare” e “reaksionare”, i dha gjuhës karakter klasor, një tezë që formalisht e pati kundërshtuar edhe vetë Stalini. Strategët e standardit po ashtu kanë përsëritur shumë herë me krenari se përzgjedhja e tij përshkohet nga “mësimet” e diktatorit, nga pikëpamjet marksiste për gjuhësinë.
Edhe më vonë çështjet e gjuhës jo rrallë janë parë si llogore të politikës. Në disa reagime që paraprinë këtë takim ndihej kjo frymë, trishtuese për një shoqëri moderne.
Në valixhen e dytë që kemi lënë jashtë shkruhej paragjykime.
Edhe projektin e hapur të kësaj konference e paragjykuan, mbi të dikush ngriti një ngrehinë me arkitekturë që projekti nuk e ka kurrkund, për ta pasur si mulli ere në një dyluftim me shpatë. Kush është njeri i shkencës spikat me vepra shkencore dhe jo duke sajuar konflikte e zhurmë në shtyp, me shpresë me u ba faktor në një fushë ku nuk është faktor.
Kam takuar studiues që shprehin mendime interesante përballë një gote me verë, por në publik përmbahen. Druhen se paragjykohen, se u thonë ju mbroni këtë krahinën a atë dialekt, i cilësojnë kundërkombëtarë.
Paragjykime kësisoj të kujtojnë kohët e roleve të ndara: dikush duhej me folë e të tjerët duhej me heshtë. Ato çojnë në censurë e në vetëcensurë.
Fitoret, qofshin problematike a të përkryera, duhen menaxhuar; vështirë se u rritet vlera duke i arkivuar si tabu. Kjo besoj ka vlerë edhe për standardin.
Në valixhen e tretë që kemi lënë jashtë shkruhej nostalgji. Aty kishte:
-nostalgji për gegërishten me traditë shkrimi rreth pesëqindvjeçare ;
-nostalgji veçanërisht për shkodranishten me autorë të mëdhenj, shtylla të letërsisë e të kulturës kombëtare;
-nostalgji për standardin e Komisisë Letrare, i cili mbijetoi nëpër disa pushtime e regjime me prirje të majta e të djathta, por u fshi brenda ditës si i paqenë, kur edhe për gjuhën shqipe u shpall viti zero. Komisia Letrare e Shkodrës është e para akademi e njëmendtë e shkencave e Shqipërisë. Nuk ishte shtëpi e akademikëve të emëruar nga pushteti, ishte foltore e mendjeve më të ndritura të kombit, nga veriu e nga jugu.
Në valixhen e tretë që kemi lënë jashtë kishte po ashtu nostalgji për zgjidhjet e gatshme e të padiskutueshme, që merrnin trajtë me vendime nga lart. Disa studiues, të përfshirë në këto zgjidhje, ndiheshin të përkëdhelur si pjesëtarë të monopolit zyrtar të së vërtetës.
Këto ndjenja janë plotësisht të kuptueshme e të përligjura si përjetime njerëzore. Por ato nuk mund të shërbejnë:
-as si arsye me marrë rishtazi gurin e Sizifit mbi sup e me rijetue dramën e Kalasë së Rozafës, ndërto e shemb;
-as si arsye me e mbajtë gjuhën nën këmishën e forcës, që ia veshi totalitarizmi.
Duke lënë pas këto tri valixhe me ngarkesa të tejkaluara, unë besoj se në këtë sallë kemi marrë me vete një çantë pune. Në këtë çantë pune janë dy dosje të pastra në shërbim të gjuhës shqipe dhe të vetë shqiptarëve:
1. dosja e intelektualit bashkëkohor me mendje të hapur; dhe:
2. dosja e studiuesit vizionar.
Kësisoj mund të diskutojmë për gjuhën me mjetet e gjuhës.
Realitet i vjetër gjuhësor
Një personazh kalimtar, zonjë paemër, në romanin e T. Manit Mali Magjik, i habit të gjithë me një aftësi të pazakontë: ajo fishkëllon me gojë mbyllur. Në fakt është fishkëllima e mushkërisë së saj të bllokuar me pneumotoraks.
Mund të thuhet se njëra mushkëri e gjuhës shqipe fishkëllon kështu, me gojë mbyllur. Filozofia përjashtuese mbi të cilën u ndërtua standardi 1972 ia bllokoi gjuhës shqipe rreth gjysën e pasurive, ia kufizoi kapacitetet shprehëse shumë nën mundësitë e saj. Fuqia shprehëse e gjuhës u ul artificialisht në:
-sistemin gramatikor;
-në fjalës; dhe
-në sistemin fonetik, ku ka gjëra që mund të shihen.
Nëse ndalemi te sistemi gramatikor, kryqëzimi i mënyrës paskajore është ndër operacionet më varfëruese të kryera në trupin e gjuhës shqipe. Paskajorja si kategori foljore përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatikor në sistemin foljor të një gjuhe, përbën formën më përfaqësuese të foljes. Goditja a saj është goditje e vetisë më të lartë abstraguese të gjuhës. Për më tepër paskajorja përdoret gjallërisht e në shumë mënyra në të folurën e rreth shtatëdhjetë për qind të shqiptarëve, siç përdoret edhe në të gjitha gjuhët latine, në anglisht, në gjermanisht etj.
Gjithkush mund të dëshmojë lehtësisht varfërimin që solli në gjuhën shqipe dëbimi i paskajores. Kurrkush nuk ka mundur të dëshmojë deri sot ndonjë pasurim të sjellë nga përzënia e saj.
Në rrekje me kërkue argumente për këtë përzënie, është shprehur mendimi se paskajorja gegërishte në një standard me bazë toskërishte do të ishte “shartim” i pamundur, pasi një trajtë e gegërishtes, sipas këtij mendimi, nuk përshtatet me “indin” e toskërishtes.
Vetë fjala “shartim” në këtë rast e tradhton argumentin e sajuar. Shartimi kryhet në bimë të ndryshme, që kanë rrënjë të ndryshme, që kanë trup të ndryshëm. Ndërsa gegërishtja e toskërishtja nuk janë dy gjuhë, ato janë një gjuhë, që ushqehet prej së njëjtës rrënjë në të njëjtin dhé e ka vetëm një trup.
Në anën tjetër përvoja kallëzon se ngjizje të tilla me “inde” të dy dialekteve, pra ngjizje dhe jo shartime, kanë ndodhur deri edhe brenda një fjale, madje në drejtim të kundërt: trajta toskërishte është ngjizur në “indin” gegërisht. Thuhet e shkruhet shoqërues, shoqëruesi dhe jo shoqëronjës, shoqëronjësi; thuhet e shkruhet trimërues, trimëruesi; varfërues, varfëruesi; shqipërues, shqipëruesi etj. Vërehet se si brenda së njëjtës fjalë grupi ue i gegërishtes bashkëjeton për bukuri me r-në e toskërishtes të përftuar prej rotacizmit.
Duke shkuar më tej, në ligjërimin e përditshëm e herë-herë edhe në gjuhën e shkruar të përdoruesve të standardit, po vërehen dukuri që dëshmojnë lëvizje të natyrshme të gjuhës së gjallë pikërisht në këtë kahe. Për shembull: përdorimi i një përcjelloreje me pjesëzën duke të toskërishtes dhe pjesoren përkatëse në gegërisht. Fjali si duke ardhë rrugës, duke marrë me vete etj., dëgjohen gjithnjë e më shpesh dhe nuk ia vrasin kujt veshin. Pa folur për ndërfutjen e natyrshme të vetë paskajores nëpër fjali. Do të ishte interesant studimi i këtyre prirjeve.
Nëse ndalemi te fjalësi, përjashtimi nga fjalorët normativë i një sasie shumë të madhe fjalësh është tronditës. Edhe ato që janë përfshirë u janë nënshtruar një përzgjedhjeje me kritere të dyshimta ose të paqarta, si dhe ndërhyrjeve në trajtë e në shtjellimin e kuptimit.
Fjalët e dënuara janë me brumë të pastër shqip ose të burimit indoeuropian të shqipes. Ato gjallojnë prej qinda vjetësh në të folur e të shkruar, janë ngjizur e shkrirë në monumente të krijimtarisë popullore e të shkrimtarëve në zë, në emërvende të lashta e në emra njerëzish. Kur përgatitej Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe 1980, gjuhëtarët në Kosovë kishin botuar disa fjalorë të vegjël prej mijëra fjalësh që përdoren atje dhe jo vetëm atje. Këta fjalorë nuk u bënë kurrë pjesë e bibliografisë së hartuesve të Fjalorit në Tiranë. Ndërkohë shumë prej fjalëve të tyre gjinden në Studimet Etimologjike në Fushë të Shqipes të Çabejt, për shkak të vlerave të mirëfillta shqipe që kanë. Vështirë se nderohet gjuha shqipe me një fjalor normativ të kufizuar artificialisht te 40.000 fjalë, mbi 90 për qind e të cilave nuk janë të brumit të shqipes. Gjuhët e tjera kanë fjalorë dhjetë pesëmbëdhjetë herë më të mëdhenj, deri në gjysë milioni fjalë.
Në një intervistë me rastin e marrjes së çmimit Pena e Argjendtë në Tiranë, Robert Elsie pohonte se ndihej i mërzitur sa herë i duhej me kërkue fjalë të autorëve ose trevave veriore në Fjalorët e Gjuhës Shqipe të Akademisë. Në ata fjalorë, thotë ai, mungon gjysa e pasurive leksikore të shqipes.
Shqipëruesi i Homerit Gjon Shllaku ka pohuar në një intervistë se pas botimit të parë në gegërisht të Iliadës u thirr në shtëpinë botuese me e kthye veprën në standard. “Më kushtoi nëntë vite të tjera punë. Më habiti shumë kur dolën dhe 327 vargje më tepër”, shprehet mjeshtri. I ishte dashtë me dëbue një numër të madh fjalësh e shprehjesh frazeologjike të gegërishtes, shoqet e të cilave nuk i ka standardi. Kishte thirrur në ndihmë parafrazimet.
Te publicistika e Gjeçovit, te Prozë popullore nga Drenica e Anton Çetës e deri te romane të vona si Rrathët e Camajt e të tjera, gjinden me qindra e qindra fjalë shqipe, për të cilat më kot shfleton fjalorët normativë. Ndërkohë në fjalorët normativë gjen shumë fjalë, te të cilat nuk shihet ndonjë arsye bindëse me i pranue si normë gjuhësore.
Para dy-tri vjetësh në shtypin frankofon bëri jehonë botimi Fjalorit të Frankofonisë (Le Vocabulaire de la Francophonie) me 6000 fjalë (Garnier). Përmbledh fjalë që nuk gjinden në Larousse e në Robert, madje që nuk njihen fare në Francë, në Belgjikë, në Zvicër, në Kanada, ku frengjishtja është gjuhë nëne. Fjalët e këtij fjalori janë mbledhur në ish-kolonitë me ngjyrë: në Madagaskar, në Afrikën Qendrore, në Senegal, në Burkina Faso... Anipse këto fjalë nuk janë krijuar në Francë e nuk janë dëgjuar kurrë aty, ato i shërbehen përdoruesit francez si pasuri të gjuhës frenge.
Në vendin tonë ndodhi krejt e kundërta: u qitën në pluhur mijëra e mijëra fjalë të moçme shqipe, burimore, për shkak të gjeografisë së tyre. Lufta e klasave u shtri edhe në gjuhë, edhe kundër fjalëve.
Fuqia shprehëse e origjinaliteti i një gjuhe spikat sidomos në caqet (skaje, terma) abstrakte e kozmogonike, në caqet e mendimit teorik, të teknikës, të artit, të drejtësisë e të shtetformimit. Gjuha shqipe është habitshëm e pasur edhe në këtë terminologji. Martin Camaj thoshte se ishte ndier virtuoz me gjuhën, "d.m.th. jam në gjendje të thom shqip gjithë çka due”.
Fjalorët tanë normativë janë shembull si mund të shpenzohen energji me i përjashtue këto vlera.
Mund të ndalesh te kjo terminologji sipas fushave, me shembuj që nuk sosen. Por ka diçka edhe më interesante që mund të thuhet në këtë auditor. Eshtë koncepti, sipas të cilit gjuha shqipe i ka krijuar këto fjalë. Mekanizmi gjuhësor veproi mbi një përkapje, mbi një shtrat konceptual përnjëmend origjinal.
Shqipja ka katër sinonime për emrin horizont: lëpen, lëbozë, lëpith, mballim syni (përkatësisht te Harapi, te Camaj, te Fjalori Haxhillazi-Ahmeti dhe te Gazulli). Tri të parat vijnë prej lëpé “mjegull e hollë, tis”, përshtypja që të le pafundësia e qiellit. Vetë lëpé lidhet me foljen me u lëpe e kjo me foljen me (u) lëpi. Nëse horizont në gjuhët e vjetra ka pikënisje nocionin “kufi”, në shqip është e kundërta: mungesa e kufizimit. Lëpeja e pafundësisë le gjithçka hapur.
Para fjalëve sahat, orë për veglën që mat kohën, shqipja ka pasur një fjalë të vetën: hanor (prej hanë). Në një nen të Kanunit ku flitet për gjelin, thuhet: “Knduesi asht hanori (sahati) i të vorfnit”. Në frengjisht fjala që tregon orën (la montre) lidhet me foljen montrer “me tregue”, pra send që tregon; në anglisht lidhet me foljen “me pa” (to watch), pra send që këqyret; në italisht prej ku edhe në shqipen e sotme, lidhet me latinishten e me greqishten hora që ka pak a shumë kuptimin e stinës. Ndryshe nga simotrat europiane, fjala hanor në shqip nuk niset subjektivisht prej foljesh që lidhen me shikimin a me kallëzimin, por merr shkas te lëvizja e një trupi qiellor, e Hënës. Matja e kohës me lëvizjen e trupave qiellorë është mënyrë e hershme e njerëzimit, ajo mbetet gjithnjë mënyra më e saktë.
Me logjikë origjinale është ndërtuar caku astronomik rrokulli në kuptimin e orbitës së trupave qiellorë. Krejt ndryshe nga gurra e fjalës orbitë, zanafilla e rrokulli është rrokë, që ka kuptimin spirale. Athue intuita popullore nuhati që lëvizjet e sistemit diellor kryhen në trajtë vezake ose rrethi, dhe njëherësh në trajtë rroke, spiraleje, si sistem në gjithësi? Nëse kjo është vështirë me u pohue, tjetra është krejt e qartë: ky cak i astronomisë është krijim origjinal i gjuhës shqipe. Rrënja rrokë është dëshmuar shumë pjellore me një familje të tërë fjalësh.
Shqipja të habit me aparatin dhe shkathtësinë me të cilën e ka përpunuar gjatë qindvjeçarëve terminologjinë e vet të ekonomisë së tregut.
Për kapitalin ose investimin fillestar Kanuni përdor kryegjâ, pra gjëja e kresë, e fillimit. Në vend të fjalëve reklamë e publicitet, me të cilat ndeshemi sa herë shtypim butonin e ekranit të vogël, shqipja ka të paktën dy fjalë të pastra: pahninë, prej pah, me qitë në pah, dhe dokël, prej foljes me u dokë/me u dukë. Që të dyja përdoren edhe në popull në shprehje të tilla si: ka qef me i ba pahnina (përkatësisht dokla) veti; na mërziti tuj bâ pahnina (dokla) etj. Dokël del shumë e afërt me dukla, fjalë e toskërishtes jugore me kuptimin “përpjekje për t’u dukur, mburrje”. Për fjalën pension gjuha shqipe ka dy fjalë të ndërtuara prej gojë: ngoje dhe mëngoje. Të parën e ka Kanuni, kur bën fjalë për gratë veja që s’kanë fëmijë e s’ka kush me i mbajtë në pleqëri dhe të dytën e ka Gazulli. Edhe për fjalën kompensim shqipja ka ndërtuar dy fjalë të vetat: krahnuer, prej krah, domethënë i shtoj ose i jap një krah; dhe shkanzë, gurra e së cilës do parë, por mund të lidhet me anë, ancë. Të dyja gjinden në Kanunin e Skanderbegut. Për fjalën fajde, me gurrë turke, përdor gjedheshtër, nga gjedh në kuptimin «lopë» e trajtuar kjo si pasuri, ashtu si fjala latinisht lucrum në gjuhët romane. Për fajde në Kanun është edhe një cak tjetër po ashtu krejt shqip, shtojcë fitimi. Dhe për ta mbyllur këtë pjesë, për njeriun që ka aftësinë me ba kompromise është fjala pajetar, sipas gjasash lidhet me foljen me pajtue.
Megjithatë fjalorët normativë të filozofisë përjashtuese nuk e njohën pajtimin. Ua mbyllën derën në turinj këtyre vlerave. Ato u tërhoqën të çmeritura: ç’po ndodh kështu me ne, po shpallemi të huaja në shtëpinë tonë dhe tapinë tonë të shtëpisë ua japin drejtpërdrejt të huajave.
Duke qenë kundër çdo filozofie a prirjeje puriste në gjuhën shqipe, dëshiroj të theksoj:
-e para, duke përjashtuar dhunshëm shumë fjalë, ku spikat edhe laboratori krijues origjinal i gjuhës, përjashtohet e shpërfillet amësia e vetë gjuhës, preket ani, mitra e saj;
-e dyta, po të mos ishin shkelur me këmbë, shumë prej këtyre skajeve (termave) ose fjalëve do të kishin mbetur ose do të kishin hyrë në përdorim në shqipen e sotme dhe tashti do të tingëllonin po aq të natyrshme sa të tjerat; dhe:
-e treta, vështirë mund të gjindet gjuhëtar që të përligjë me argumente gjuhësore mungesën e këtyre termave në fjalorët e akademisë, të paktën në kuadrin e sinonimeve. Po të mos shkelmoheshin, do të krijohej mundësia me i përdorë krahas me të barazvlefshmet me prejardhje nga gjuhë të tjera, ato mund të konkurronin si të barabarta me to.
Realitete të reja
Sot standardi i ngrirë ndihet keq përballë gjuhës së lirë. Xhaketa e ngushtë dhe e ngurtë, e qepur sipas një gjedheje (modeli) të larguar nga skena, ia pengon frymëmarrjen. Disa zhvillime e qesin më fort në pah aneminë e tij.
1. Brenda Republikës së Shqipërisë Liria dhe ekonomia e tregut kanë çliruar energji të ngujuara, dejtë e shoqërisë rrahin prej zjarrmisë së ndryshimit. Një masë e madhe e popullsisë është shpërngulur drejt qendrës dhe zonave të ulëta. Gjuhët e huaja fliten në masë, sidomos prej rinisë. Si kurrë më parë mbi standardin ushtrojnë trysni dialektet e të folmet, slangu e zhargoni, shtypi e politika, tregu e teknika, mendja e rruga.
2. Në hapësirat shqiptare në rajon gjithashtu është realitet krejt tjetër. Pavarësimi i Kosovës, demokratizimi i Maqedonisë, Malit të Zi e Kosovës Lindore mundësojnë që shqiptarët të shkojnë e të vijnë te njëri-tjetri, të këmbejnë mallra, kulturë, vlera. Muret e standardit rrihen prej prurjeve burimore. Betoni i këtyre mureve plasaritet, (s)a do të mbajë?
Bash në Kongresin e Drejtshkrimit 1972 Çabej pati bërë thirrje për “një gjuhë të përbashkët, tej caqeve shtetërore”. Kjo gjuhë, thoshte ai, “mbetet shprehja e një njësie nacionale dhe e një shkalle të caktuar të kulturës së bashkësisë që e flet”. Prandaj në formulim të çdo rregulle ai këshillonte të jetë e pranishme “vetëdija që është puna për një drejtshkrim të caktuar jo për disa mijë veta, po për katër milionë njerëz që e kanë shqipen gjuhë amtare” - aq shqiptarë ishim asokohe në rajon.
Ne jemi një komb e kemi një gjuhë, gjuhën shqipe; jemi shqiptarë dhe jo thjesht shqipfolës, siç thuhet e shkruhet herë-herë. (S)a ndihen të përfaqësuar shqiptarët e të gjitha trojeve me standardin e gjuhës shqipe? Përfundimet e disa vëzhgimeve nuk janë ndjellamira. Disa nga parafolësit e nderuar e trajtuan dhe e argumentuan me shembuj këtë.
Do të ishte parake me e mendue standardin gjuhësor si parlament, ku përfaqësohet çdo zonë; vetëm një mendje e mbyllur hamendëson përqasje të tilla. Por jo më pak parake është t’i trajtosh vlerat gjuhësore si zgjedhësit e zonës tënde, të cilët duhen shpërblyer me që ta japin votën, në kurriz të atyre që nuk ta japin votën dhe që janë shumicë.
1. Hapësirat shqiptare janë përfshirë prej dy prirjeve historike: integrimi dhe globalizmi. Integrimi europian është strategji mbarëkombëtare, globalizmi vepron thuajse me fuqi të verbët.
Si kurrëndonjëherë djem e vajza shqiptare shkollohen në perëndim, zotërojnë shkëlqyeshëm anglishten e gjuhë të tjera. Zotërimi i këtyre gjuhëve pa njohur mirë shqipen e vlerat e saj, pa ndjeshmëri të mjaftueshme për të, e ve gjuhën amtare në pozitë inferiore.
Gjuha e cunguar që përdorin moshat e reja në teknikën e komunikimit, në e-maile e sms, bashkë me fjalët e huaja të panevojshme, janë një lloj brenge edhe në Europë. Por atje bëhen përpjekje me kufizue të keqen. Në takimin e nivelit të lartë të Frankofonisë para dy muajsh në Montreux u fol edhe për “tregun e ri të frengjishtes”: janë qendra, disa prej tyre on line, që ndihmojnë administratën e qytetarët me përmirësue drejtshkrimin. Shtypi i përshkroi këto si qendra kundër “je-m’en-foutisme”-it gjuhësor. Këtij “je-m’en-foutisme”-i, kësaj moskokëçarjeje a shpërfilljeje, u tha, nuk i shpëton asnjë klasë a moshë e shoqërisë.
A është e ndjeshme shoqëria shqiptare, shtypi, institucionet akademike, shkolla, politika, për vlerat dhe rreziqet e gjuhës shqipe?
Në kanalin francez TV 5 është një rubrikë e shkurtë e përditshme Merci professeur. Një gjuhëtar shtjellon aty kuptimin e një fjale a shprehjeje të rrallë, shpesh në përgjigje të pyetjeve të shikuesve. Rubrika të ngjashme do të ishin të mirëpritura në gazetat e televizionet tona. Njerëzit rrallë hapin fjalorë a libra gramatike me pa si shkruhet një fjalë a një trajtë. Por në ua shtjellofsh përditë në ekranin e vogël e në rubrikat e shtypit, me shije e në mënyrë të kapshme, diçka pa tjetër do të ndryshojë.
Kështu media do të ndihmonte edhe veten, me u ba më profesionale, më e kulturuar, më shqiptare.
I duhet dhënë fund bashkëfajësisë së standardit me përdoruesit elitarë të tij, në kushte ku të dy palët ndihen komodë. Njerëzit e letrave e kanë më lehtë me një xhep fjalësh të njohura, siç e ka më lehtë edhe lexuesi i formuar me ngushtësinë e standardit. Disa vetëçensurohen, tuten se me gjuhë të pasur humbin lexues. Para do kohësh më thoshte një mik amerikan se kish nisë me mësue shqip dhe njëherësh kish nisë me përkthye në anglisht një roman shqiptar. Vështrimit tim pyetës iu përgjigj: librat e autorëve tuaj, me përjashtim të Kadaresë e deri diku të ndonjë tjetri, kanë gramatikë të thjeshtësuar dhe vetëm qindra fjalë.
Shkrimtari duhet të sjellë risi edhe në gjuhë. Kur u shua Sollxhenicini, në mediat perëndimore u përmend një fakt i veçantë. Megjithëse gjuha ruse ka fjalorë të mëdhenj me qindamijë fjalë, gjatë qëndrimit në Amerikë Solxhenicini kish hartuar vetë një fjalor me fjalë të vjetra burimore, për ta pasuruar rusishten e librave të tij.
Humbjet në gjuhë përthellohen me zhvendosjet e mëdha të popullsisë; shkallë-shkallë po zbrazen e po dêjen krahinat e thella, ku ende ruhen pasuri të mëdha gjuhësore, etnografike e të kulturës popullore në tërësi. Ndoshta nuk është ende tepër vonë me shpëtue diçka.
Në rrjedhën integrimeve, në furinë e globalizmit, gjithkush fiton por edhe humb. Më të fituar janë fortët, të rryemit, të përgatiturit. Ato që kërcënohen më shumë janë kulturat e pambrojtura. Francën e Gjermaninë nuk i kërcënon kurrfarë asimilimi, megjithatë kanë ndërmarrë reforma në gjuhët e tyre për t’iu përgjigjur sfidave të kohës. Po një vend e një komb si shqiptarët me gjithçka në kapërcyell, përfshi një standard me çështje të hapura, a duhet të vëzhgojnë qetësisht nga bregu, pa bërë asgjë? Sipas librave të shenjtë Zoti ka thënë: ndihmoji vetes pak se të ndihmoj unë shumë.
Realiteti i standardit
Përballë këtyre sfidave standardit i mungon fuqia shprehëse që e ka vetë gjuha shqipe. Aftësia vetëpërtëritëse është e ligështuar. Lidhjet e brishta me gjuhën e gjallë i kanë ngushtuar arteriet që i sjellin gjak të pastër.
Gërryerja rrëzon përditë fjalë të bukura shqipe. Ajo nuk po kursen as strukturën gramatikore. Çdo mëngjes përplasemi me tituj shtypi me strukturë të tjetërsuar: diga rrezikon shembjen, Shqipëria rrezikon Europën, partiturat origjinale rrezikojnë zhdukjen, i sëmuri rrezikon vdekjen. Se si mund të rrezikohet Europa prej Shqipërisë është po aq e vështirë me u kuptue, saç është e vështirë me u kuptue si u rrezikoka vdekja prej një të sëmuri, qoftë ai edhe sa gjithë të gjallët e kësaj bote bashkë. Nën këta tituj vijojnë fjalitë me strukturë shqipe të përmbysur: ka qenë ora pesë kur një makinë fuoristradë që ecte me shpejtësi; ka qenë nipi i vogël që i thirri gjyshit...; ka qenë patrulla e policisë që...
Standardi ndihet i lodhur. Ai lëshon rrugë përballë zyrtarit a shkruesit më të dyshimtë, që s’di mirë shqip as ndonjë gjuhë tjetër. Vajza e ekraneve shqiptare i thotë të dashurit shpirt, sa më ke munguar, kur shoqet e saj në shtëpi a në park thonë më këputi malli, sa fort u mërzita për ty. Kalimtarët nuk ecin rrugës këmbësore por rrugës pedonale. Fëmijët e një shkolle nuk japin shfaqje por përformojnë për fshatin me rastin e festës së abetares. Bashkia performon keq, ndaj plehrat derdhen sheshit. Nuk fillon dhe nuk nis pjesa e dytë e rrugës, por starton loti i dytë i rrugës. Edhe sesioni i Kuvendit starton. Në futboll nuk zhvillohet ndeshja e dy ekipeve në kategorinë e epërme por zhvillohet derbi në kategori superiore. Ekonomia nuk përballet me rreziqe por me rrisqe (kompjuteri s’e ka të regjistruar këtë fjalë dhe automatikisht rrisqet i shndërron në brisqe). Mijëvjeçari kushedi pse bëhet milenium dhe rrugët e kryeqytetit nuk zbukurohen për festat e fundvitit, ato dekorohen. Edhe Bajrami i Madh e Bajrami i Vogël, siç i kanë pasë quajtur besimtarët këto festa fetare, papritmas gdhihen Fiter Bajram dhe Kurban Bajram. Në inervistat e çdo zyrtari sidomos të ekonomisë a njeriu të biznesit s’kanë të mbaruar fjalitë e gatshme me implementime, asete e resurse dhe kalkimet e tipit ndamë të njëjtin interes a mendim. Targeti im është performanca, citonte media një zyrtar, fjali që Fishta do ta quante mushkore. Për të mos u ndalur te gjuha fëminore në media në fjali si: pritet kush parti do të fitojë zgjedhjet; nuk dihet kush deputet i ka telefonuar...
Po ky standard që dorëzohet përballë gjithfarë mediokritetesh gjuhësore të lyera me kremra të lira, s’e ka aftësinë me thithë fjalë prej gjuhës së gjallë të popullit. Kthen mbrapsht edhe ato që patën hyrë deri nëpër tekste shkollore, si ujdhesë e siujdhesë, bujtinë, letërnjoftim...
Standardi nuk po ec me kohën. Nuk po hyn dot në valë me zhvillimet e sotme si standard i gjuhës shqipe dhe jo thjesht si mjet komunikimi. Gjatë gjysës së parë të qindvjetëshit që shkoi, edhe pse vendi ishte i prapambetur keq, gjuha shqipe u bëri ballë me krijimtari disa zhvillimeve që për kohën ishin moderne. Sapo hyri në përdorim biçikleta ajo u quajt vizël, sipas vizës së hollë që lënë rrotat pas, bateria u quajt mbushcë, prej foljes me mbushë, piedestali - kambëcor, prej kambë (të tria këto i dëshmon Gazulli), turbina shajkë, prej fjalës shqipe shekë me diftongim, mozaiku si vepër arti thyezim, për shkak të thyerjeve të ngjyrave të tij.
Sot nuk vërehet prirje a rrekje me marrë a me krijue fjalë shqipe për fusha të dijeve e teknikës bashkëkohore, që nga filozofia e psikanaliza deri te interneti.
Mos po i biem si shumë në qafë standardit, ç’faj ka ai për të gjitha këto, përgjegjësia a nuk është e shoqërisë në radhë të parë, e medias, e politikës, e shkollës?
Pa dyshim përgjegjësia në radhë të parë është e shoqërisë, e medias, e politikës, e shkollës. Por në qoftë se do të kishim një standard më të besueshëm e më te pranueshëm prej të gjithëve, edhe shoqëria do të kishte më shumë ndjeshmëri e vetëdije me e mbrojtë atë. Dhe në qoftë se do të kishim një standard më pak të ngrirë, pa kafazin e rregullave të ideologjizuara sipas gjuhëresë së Orwellit, ai do të ishte më i lakueshëm ndaj goditjeve, pra më i qëndrueshëm.
Standardi e ka bjerrë prestigjin. Atij i mungon autoriteti i duhur moral. Ndaj rrallëkush shqetësohet pse e thyen atë.
Këtë prirje të rrezikshme, largimin e gjuhës “zyrtare” nga gjuha e popullit, e kishte vërejtur Çabej qysh në vitet gjashtëdhjetë, anipse për shumë të tjerë mbase dukej herët me nxjerrë një përfundim të madh. “Sot ka gjer diku dy gjuhë ndër ne, pohon ai në ligjërata për studentët: më një anë gjuha e shkruar e intelektualëve, më anë tjetër gjuha e thjeshtë e popullit...”. Njëzet vjet kishin mjaftuar me krijue një ndarje aq të thellë, sa mjeshtri flet për gjendje të “dy gjuhëve” shqipe!
Nëse kjo mund të thuhej asokohe, kur standardi kishte vetëm rreth një brez njerëzor që përdorej ende i painstitucionalizuar, kur standardi i Komisisë Letrare ishte ende i gjallë në kujtesë e në shprehi e disa autorë vazhdonin me botue gegërisht, kur vargjet e Fishtës e të Mjedës mbaheshin mend edhe në jug, pa folur për librat në Kosovë e në mërgatë, po sot sa është thelluar e çara?
Kanë kaluar mbi katërdhjetë vjet të tjera, dy breza njerëzorë të rritur e të formuar me standardin pa alternativë. Ndërkohë në hapësirat shqiptare ka vazhduar udhën e vet gjuha “tjetër”, gjuha e gjallë shqipe. Jo vetëm Lahuta e Malcis e Kangët e Kreshnikëve janë thuajse të pakuptueshme për lexuesit e edukuar me standardin, por ky lexues ndesh mjaft vështirësi edhe me Koliqin, Anton Pashkun e Martin Camajn, këta të fundit bashkëkohorë.
Kjo çarje dramatike në një kohë kaq të shkurtë është vlerë apo mangësi e standardit? Shpreh gjithëpërfshirje apo fanatizëm përjashtues? Eshtë në të mirë të pasurive të gjuhës shqipe apo është dëm i madh për të?
Brenga nuk është se e pësoi gegërishtja si gegërishte. Para se me qenë vlera të gegërishtes ato janë vlera të gjuhës shqipe. Pasojat e kryqëzimit të tyre ranë mbi krejt gjuhën e kulturën shqipe, pjesë e së cilës është gegërishtja me pasuritë e pazëvendësueshme të saj.
Dëshiroj me ritheksue: në se do të kishim pasur një standard gegërisht, për të cilin Naimi e Konica do të ishin aq të pakuptueshëm sa janë të pakuptueshëm sot Fishta e Mjeda, unë përsëri do të isha këtu, duke e çuar zërin në të njëjtën mënyrë.
Realiteti i diskutimeve
Kam përshtypjen se disa qasje që qarkullojnë, deri tashti më shumë janë endur nëpër ajër. Me ndonjë përjashtim, ende s’kemi një parashtresë të përpunuar të paktën në atë shkallë sa me shërbye si bazë për diskutime të mëtejshme.
1. Qasja e parë: standardi - lule mos më prek.
Kjo shprehet në kundërshtimin për çdo ide reformuese; në retorikat patetike që i shmangin problemet e mbijetesës dhe fuqisë shprehëse të standardit; në thjeshtimin e çështjes te mundësia e ndryshimit të një tingulli te ndonjë fjalë.
Historia mbase nuk fajëson studiuesit për filozofinë që u imponua asokohe në gjuhësi. Por historia mund të fajësojë cilido që mbron edhe sot, në kushtet e lirisë, të njëjtën filozofi.
Standardi nuk mund të mbijetojë i ngrirë në kloroform. Standardi duhet të jetë plot gjak e limfë, plot jetësi. I aftë me u përballë vetë me sfidat.
Trajtimi i standardit si lule mos më prek është bashkëpërgjegjës për problemet e sotme të tij. Fanatizmi ushqen pirjet radikale dhe anarkinë gjuhësore. Në këso rastesh populli thotë: mos e rrok fort, se po ia da frymën.
2. Qasja e dytë: standardi duhet ribërë duke rivënë gegërishten në themel.
Edhe për këtë nuk di të ketë ndonjë parashtresë profesionale. Flitet për gegërishten, por nuk janë sqaruar çështje si:
-Kërkohet standard me bazë gegërisht, i hapur për dy dialektet, diçka si Projekti i Komisisë Letrare?
-Kërkohet me i dhanë gegërishtes statusin e standardit të gjuhës shqipe?
-Eshtë fjala për gegërishten e përgjithshme?
-Apo për ndonjë nëndialekt të saj, si shkodranishtja e kosovarishtja?
Mendoj se ndryshimi i bazës dialektore të standardit, nuk mund të mbështetet të paktën për tri arsye:
1. Askush nuk mund të argumentojë se gegërishtja është krejt eprore ndaj toskërishtes ose e kundërta. Si gegërishtja edhe toskërishtja kanë epërsitë ose mangësitë e veta. Të dyja janë pjesë jetike të gjuhës shqipe, qëndrojnë si barkushet e zemrës.
2. Shqiptarët s’kanë më kohë me derdhë energji në mosmarrëveshje të panevojshme. Energjitë duhen përqendruar te ndërtimi i të ardhmes së përbashkët në Europë.
3. Dhe së fundi, është si është, mbi gjashtëdhjetë vjet me këtë standard është shkruar e jetësuar një kulturë e tërë.
3. Qasja e tretë: rikthimi te dy standarde, përkatësisht toskërisht e gegërisht.
Një qasje të përafërt ka pasur Çabej. Mbase deri diku edhe Riza, në një interpretim disi të lirë të idesë së tij për kokat e shqiponjës.
Asokohe kjo ishte ide moderne, në thelb parashikonte konkurrimin e lirë të dy dialekteve deri sa njëri të fitonte epërsi natyrshëm e jo me imponim të faktorëve jashtëgjuhësorë. Tashti ka rrjedhur shumë ujë, kjo qasje është tejkaluar për shumë arsye. Ndër të tjera, nuk do të ishte konkurrencë nga një pikë nisjeje e barabartë ose e krahasueshme e të dy dialekteve.
4. Qasja e katërt: mësimi i gegërishtes në programet shkollore.
Specialistët e curriculave dhe gjuhëtarët mund ta studiojnë, kjo mund të ndihmonte me kuptue më mirë letërsinë e shkruar e krijimtarinë popullore në këtë dialekt, si dhe me lehtësue komunikimin ndërshqiptar, duke pasur parasysh se dy të tretat janë gegë. Por kjo nuk e zgjidh problemin. Mësimi i gegërishtes është rivlerësim i një dialekti, pra i së pjesshmes, ndërsa reformimi i standardit është rivlerësim i krejt gjuhës shqipe, pra i së tërës. Edhe pse të ndërlidhura, janë dy çështje të ndryshme.
5. Qasja e pestë: rishikimi ose reformimi i standardit, në shërbim të fuqizimit e të pasurimit të tij me vlerat e mohuara të shqipes. Kjo shihet si e vetmja mënyrë që mbron gjuhën, njësinë e saj.
Kjo ide është hedhur mbi dyzet vjet të shkuara nga vetë Çabej. “Midis gjuhës ekzakte të shkrimit dhe gjuhës së gjallë të popullit ne duhet të mbajmë një rrugë të mesme”, thotë ai. Përndryshe, paralajmëronte qysh atëherë, gjuha shqipe mund të bëhet një “gjuhë e pasme (e prapambetur)” ose “një gjuhë artificiale”. Me këto fjalë e mbyll librin Hyrje në Historinë e Gjuhës Shqipe. Për standardin si « gjuhë artificiale » ka folur edhe një personalitet tjetër i letrave shqipe e i gjuhës, Martin Camaj.
Gjuhë artificiale në këtë rast është eufemizëm. Askush nuk mund të përmendë emrin e një gjuhe artificiale që ka mbijetuar. Nga shkëputja prej gjuhës së gjallë latinishtja u shndërrua në gjuhë të vdekur, ndërkohë latinishtja vulgare, gjuha e popullit, polli bijat që gjallojnë plot energji pas dy mijë vjetësh. Askush nuk do ta dëshironte një përvojë të ngjashme me gjuhën shqipe në kohët që do të vijnë.
Gjuha e mesme që këshillon Çabej do të thotë standard i hapur, që thith vlerat qenësore të të dy dialekteve. Këtu qëndron thelbi i reformës gjuhësore, pavarësisht si do të quhet: reformim i standardit, riplanifikim gjuhësor, hapje e normave të ngurta, përmirësim e pasurim etj.
Çështja pra nuk është: toskërishtja a gegërishtja? Çështja është: filozofi përjashtuese apo gjithëpërfshirëse, e zbatuar kjo me kritere shkencore.
Nuk mendoj se zgjidhja gjindet te përmbysja e bazës dialektore. Zgjidhja gjindet te përmbysja e parimeve orwelliane që prodhuan një standard të ngulfatur, të mbyllur, të ngurtë.
Standardi i Komisisë kishte për bazë të folmen e Elbasanit dhe ishte i hapur për të dy dialektet. Standardi i sotëm ka për bazë toskërishten, a nuk mund të jetë edhe ky i hapur për të dy dialektet?
Kongresi i Drejtshkrimit 1972 vështirë mund të quhet kuvend i mirëfilltë shkencor, sa kohë që dijetarët nuk mund t’i shpalonin qasjet e tyre lirshëm. Ata që votuan në kongres ishin aq të lirë sa edhe shqiptarët që votonin 99.99 për qind në zgjedhjet pa opozitë. Aty mungoi mendimi ndryshe. Fizikisht ose me pikëpamjet e tyre munguan Selman Riza, At Zef Valentini, Martin Camaj, Mustafa Kruja, Arshi Pipa, Namik Resuli e të tjerë. Mungoi edhe vetë Çabej, anipse ishte në sallë. Dihet se ai nuk u pajtua kurrë me zgjedhjen që u bë.
Nuk u ftuan as albanologë të huaj, që mendonin ndryshe. Edhe ata ishin të padëshiruar e njëjtësoheshin si agjentë.
I përmbahem mendimit që kam shprehur se edhe studiuesit që erdhën prej hapësirave shqiptare në ish-Jugosllavi e mbështetën projektin e 1972-shit më shumë si atdhetarë e intelektualë se sa si njerëz të shkencës. E mbështetën të vendosur me pengue strategjinë copëtimit të mëtejshëm të shqiptarëve, duke i ndarë në dy “kombe”.
Sot shoqëritë shqiptare janë në reformim në gjithçka, pse vetëm gjuhës shqipe t’i mohohen mundësitë që i krijon Liria?
Realiteti i rrugëdaljes
Rrugëdalja lyp veprim. Me veprim kam parasysh:
-Plotësimin e studimeve të përimtuara për çështjet kryesore ku standardi hyn në konflikt me gjuhën e gjallë, të rrjedhshme, dhe me rrethanat për të cilat folëm;
-Plotësimin e studimeve me mendime të përimtuara çka dhe si duhet ndryshuar, që standardi të hapet, t’i rritet frymëmarrja dhe fuqia shprehëse.
Them plotësimi, sepse studime të tilla ka dhe disa kumtesa e referate të mbajtura në këtë konferencë përbëjnë ndihmesë veçanërisht të çmueshme.
-Mbi këtë bazë, përgatitja në mënyrë shkencore e një projekti reformues. Vetë kjo konferencë me drejtimet që do të përcaktojë, mendoj se shenon një hap me rëndësi.
Mirëkuptimi është i mundshëm. Si mbështetësit e standardit të pareformuar, edhe mbështetësit e reformimit, bashkohen në pikën thelbësore: të dy palët
1. duan standard; dhe:
2. nuk duan përmbysje.
Vetëm lypet më shumë nacionalizëm qytetar, me të cilin filozofët e sotëm kuptojnë ambicien dhe sinergjinë e një kombi për t’u zhvilluar në rrjedhat e qytetërimit bashkëkohor, duke ruajtur vetvetësinë dhe vlerat kombëtare.
Faleminderit.
(Durrës, 16 dhjetor 2010)
http://www.facebook.com/#!/pages/Mehmet-Elezi/140697019292245
Krijoni Kontakt