Të fundit në Europë edhe për arsimin
18/12/2010Adri Nurellari
Gjatë viteve të fundit, me rritjen e beftë të një sektori privat të arsimit të lartë, ku vërtiten sasi të mëdha parash për xhepat e zyrtarëve dhe njerëzve afër pushtetit, është bërë që vëmendja ndaj arsimit parauniversitar të zvogëlohet edhe më shumë se më parë. Kuptohet që fryrja e sektorit privat, kombinuar me shqyerjen e portave të universiteteve publike, është bërë edhe për qëllime politike, pasi studentët kanë të drejtë vote dhe përveç kësaj, futja e tyre në shkolla të larta, pavarësisht nga cilësia e tyre, shërben si një valvul sigurese për të maskuar mungesën e vendeve të reja të punës për një popullsi që vazhdon të mbajë një nivel të lartë të rritjes demografike. Qeveria aktualisht tatëpjetën e arsimit tonë e ka mbuluar duke përdorur në mënyrë pompoze rritje të mëdha në shifrat e studentëve të futur në shkolla, pa e vrarë mendjen që kjo sasi vjen tërësisht në kurriz të cilësisë dhe se shumica e shkollave të larta nxjerrin thjesht injorantë me diploma. Kjo taktikë e bombardimit të publikut me shifra të dyshimta, të pasakta, të pakonfirmueshme, kontradiktore dhe jopërmbajtësore të lë të kuptohet se qeveritarët po e ndjekin me besnikëri parullën e Harry Truman-it. Ky i fundit thoshte që “nëse nuk mund ta bindësh publikun atëherë ngatërroje” (if you can't convince them, confuse them).
Mirëpo në kuadrin e ngatërresës së gjithë këtyre statistikave jo të besueshme apo jo domethënëse të nxjerra nga burimet tona zyrtare, fatmirësisht ka mbërritur një studim krahasimor ndërkombëtar shumë cilësor që e krahason shkollimin tonë me atë të shumë vendeve të tjera, duke nxjerrë një panoramë më të vërtetë dhe të qartë mbi gjendjen ku jemi zhytur. Bëhet fjalë për një studim me autoritetin e pakundërshtueshëm ndërkombëtar të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) i titulluar “Programi për vlerësimin ndërkombëtar të studentëve” (Programme for International Student Assessment PISA), i cili hedh poshtë të gjitha lëvdatat boshe dhe të paqena të qeveritarëve tanë lidhur me arritjet e politikave arsimore duke na nxjerrë të fundit në Europë dhe më keq se shumë vende të prapambetura të Azisë e Afrikës. Ky studim gjithashtu e shemb keq mitin që vërtitet prej kohësh mes shqiptarëve se ne mbahemi për popull arsimdashës, se ne kemi sistemin arsimor e në mënyrë të veçantë shkollën e mesme të fortë apo se maturantët tanë kinse shkëlqejnë kur shkojnë në universitetet e huaja. Në të tria fushat fatkeqësisht Shqipëria gjendet në fund të vendeve europiane e madje shumë mbrapa edhe krahasuar me 31 vendet partnere të OECD-së që janë në zhvillim dhe që janë përfshirë në studim.
PISA është një test i standardizuar ndërkombëtar, i zhvilluar prej vendeve anëtare të OECD-së dhe të cilit i nënshtrohen çdo tre vjet nxënësit pesëmbëdhjetëvjeçarë nëpër shkolla të vendeve të ndryshme. Ky sondazh ka nisur fillimisht në vitin 2000 në 43 shtete dhe në ciklin e katërt të vitit 2009 është përfshirë edhe Shqipëria. Nëpër çdo vend përzgjidhet një kampion studentësh prej 4500 deri në 1000 syresh, të cilëve u bëhet i njëjti test me letër e lapës që zgjat rreth dy orë dhe që shtrihet në fushën e të lexuarit, matematikës e shkencës. Ky test nuk synon që nxënësit të riprodhojnë në mënyrë të thatë të dhënat e një fushe, por që të tregojnë se informacionin e marrë ata mund ta aplikojnë në rrethana apo situata të ndryshme. Konkretisht pjesa e leximit në test s'merret me aftësinë e nxënësve për të lexuar rrjedhshëm, por synon të masë aftësitë e nxënësit për të kuptuar, përdorur, reflektuar, sintetizuar dhe vlerësuar një tekst. Pjesa matematikore kërkon nga nxënësit që të aplikojnë njohuritë e tyre matematikore në kontekste të ndryshme të botës reale, ndërsa pjesa shkencore ka për qëllim që të masë njohurinë individuale shkencore dhe aftësia për të shfrytëzuar atë njohuri për të ngritur pyetje, për të përvetësuar njohuri të reja, për të shpjeguar fenomene apo për të nxjerrë konkluzione të mbështetura në fakte lidhur me çështje shkencore.
Fjala pikëlluese është e vakët për të përshkruar gjendjen e arsimit që tregon ky studim. Në fushën e të lexuarit kritik, që ishte edhe fokusi kryesor i PISA 2009, Shqipëria gjendet në renditje në vendin e 60 me 385 pikë, ndërkohë që vendin e parë e mban zona kineze e Shangait me 556 pikë dhe mesatarja e OECD-së është 493. Prapa kemi lënë Katarin, Panamanë, Perunë, Azerbajxhanin dhe Kirgistanin, ndërkohë që më mirë se ne janë vende si Tunizia, Jordania, Indonezia e Tajlanda. Padyshim fqinjët tanë, Mali Zi (408) dhe Serbia (442) janë goxha më lartë jo vetëm në lexim, por në të gjitha fushat. E njëjta situatë vihet re në fushat e tjera, ku në rastin e fushës së matematikës, Shqipëria është e fundit në Europë me 377 pikë dhe e 60 në listën me 65 shtete. Ndërkohë që mesatarja e OECD-së në matematikë është 496 pikë dhe vendin e fundit në listë e mban Kirgistani me 330 pikë, pra vetëm 47 pikë më pak se ne. Ky rezultat demistifikon gjithashtu iluzionin se gjasme falë trashëgimisë së sistemit sovjetik, nxënësit shqiptarë pajisen me njohuri të shëndosha të matematikës. Po ashtu, në testin për njohuritë shkencore nxënësit shqiptarë janë sërish tejet të lodhur, duke dalë sërish të 59-t me 391 pikë, që është shumë ulët krahasuar me 501 pikë që ka mesatarja e OECD-së.
Duhet pasur parasysh që vendeve të OECD-së ia ul ndjeshëm mesataren fakti që kanë anëtarë si Turqia, Kili dhe Meksika me mesatare goxha më të ulët se vendet e Europës Perëndimore dhe Amerikës Veriore. Kështu për shembull, kur bëhet fjalë për mesataren e rezultateve të nxënësve të OECD-së në fushën e matematikës ajo është 501 pikë, mirëpo mesatarja e rezultateve të nxënësve turq është 454, e nxënësve kilianë 447 dhe e nxënësve meksikanë është 416.
Këto fakte flasin vetë dhe nxjerrin një portret shumë të zymtë të kapaciteteve intelektuale të brezave që vijnë te ne e që flasin për një regres të mirëfilltë. Po për ta nxjerrë më mirë në pah gravitetin e situatës ia vlen që të zbërthehen rezultatet në kategori e të shihet përqindja e studenteve që i përket secilës kategori. Rezultatet janë të grupuara në 6 nivele, ku niveli i parë përfaqëson nxënësit fillestarë, kurse niveli i gjashtë më të talentuarit. Një tjetër mit që vërtitet te ne është se edhe kur bëhet fjalë se arsimi ynë në përgjithësi nuk është cilësor te ne ka talente të hatashme, sidomos në shkenca ekzakte, që lënë mbresa në nivel ndërkombëtar. Nxënësit mediokër që marrin më pak se niveli i parë, pra më pak se 334.94 pikë nga testi matematikor janë vetëm 5% të nxënësve të OECD-së, kurse nga Shqipëria mbi 26% e nxënësve nuk e arrijnë dot nivelin bazik (334.94-409.54 pikë) ku janë të përqendruar 31% e nxënësve shqiptarë të testuar. Pra mbi gjysma e nxënësve tanë i njohin pak ose aspak shkencat. Nga ana tjetër, në nivelin e gjashtë Shqipëria del me 0%, pra s’ka talente të spikatura, ndërkohë që mesatarja e OECD-së është 1.1%, dhe në nivelin e 5 të nxënësve mbi mesataren ne dalim me 0.1%, kurse OECD-ja me 7.4%. Situata përkeqësohet akoma më shumë kur shqyrtohen rezultatet e matematikës, nxënësit që janë më poshtë se niveli i parë në Shqipëri janë 40.5%, ndërsa ata që futen në kategorinë e nivelit të parë janë 27.2%, pra mbi 2/3-at e gjimnazistëve tanë janë në ose nën nivelin bazik të njohurive matematikore, ndërkohë që në nivelin e gjashtë prapë kemi 0 për qind kur OECD-ja ka mesatarisht 3.1% të nxënësve.
Studimi PISA 2009 prej kur është bërë publik më 7 dhjetor, ka mbushur faqet e mediave europiane dhe amerikane me komente, kritika e sugjerime lidhur me rezultatet, duke ngjallur një garë e xhelozi të madhe mes shteteve të ndryshme të analizuara. Ky studim është padyshim shumë i vlefshëm. Prej analizës së të dhënave mund të nxirren shumë konkluzione dhe mësime interesante e të dobishme që kanë të bëjnë me politikat arsimore, mënyrën e organizimit të programeve mësimore, administrimin e shkollave e të tjera, megjithatë në rastin tonë ky studim duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për të hequr tutje veladonin e retorikës së zbrazet dhe populiste të qeveritarëve shqiptarë dhe për të parë me kurajë e sinqeritet gjendjen dramatike ku është katandisur arsimi ynë, sepse nuk mund të gjendet kura po nuk u pranua se jemi të sëmurë dhe po nuk u bë diagnoza e saktë. Po qe se vazhdohet me mite të rreme, duke zhytur kokën në rërë si struci, gjërat kanë për të vazhduar në rënie të lirë drejt skutave më të errëta të errësirës, duke u shndërruar në vrimë të zezë të injorancës në Europë.
Krijoni Kontakt