Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    ...dhe jeta ime u fal Maska e Peniel
    Anëtarësuar
    10-03-2003
    Vendndodhja
    -|- Atje ku njeriu takohet me Perëndinë
    Postime
    1,258

    Literaturë e Krishterë

    Përshëndetje në Krishtin.

    Ekzistojnë tema me libra të krishterë të përkthyer nga motra dhe vëllezër në Krishtin brenda Komunitetit Protestant. Qëllimi i kësaj teme është prezantimi i librave të krishterë në qarkullim në gjuhën shqipe. Me një fjalë, secili prej nesh mund të propozojë një libër ose disa prej tyre për të cilët mendon se kontribuojnë në ndërtimin frymor të një besimtari të krishterë. Sigurisht që edhe librat e përkthyer brenda Komunitetit Protestant nuk do të mungojnë dhe përveç prezantimit të tyre, do të shtohen edhe lidhjet përkatëse. Një falenderim të veçantë për të gjithë ata që kanë kontribuar në lidhje me këtë çështje por edhe për të gjithë ata që do të kontribuojnë në të ardhmen. Komentet le të ngelen jashtë kësaj teme dhe do t'ju lutesha që të mos e prishni me komente qoftë edhe për të komentuar shkrimet që do të sillen nga librat e ndryshëm. Çdo postim që nuk ka për qëllim prezantimin e një libri do të fshihen pa asnjë lloj paralajmërimi. Komentet në privat.


    Nën Hirin e Tij,

    ns



    Lista e librave të botuar në Komunitetin Protestant:


    Betania
    Cila Është Vepra e Perëndisë
    Çlirimi i Frymës
    E shtrenjta Liliana
    I kryqëzuar nga të Krishterë
    Jeta Normale e krishterë
    Kur kisha drejtohej veç nga amatorët
    Krishti, përmbledhja e gjithçkaje frymore
    Letra të krishtera frymërore
    Letra Drejtuar Filemonit!
    Ortodoksia e Kishës
    Qëllimi i përjetshëm i Zotit për njeriun
    Rrëfim Për Tre Mbretër
    Të Përjetosh Thellësitë e Jezu Krishtit!
    Të praktikosh Praninë e Perëndisë
    Vuajtjet
    Ndryshuar për herë të fundit nga Peniel : 24-10-2010 më 16:09
    קָדֹושׁ קָדֹושׁ קָדֹושׁ יְהוָה צְבָאֹ


    I Shenjtë I Shenjtë...

  2. #2
    ...dhe jeta ime u fal Maska e Peniel
    Anëtarësuar
    10-03-2003
    Vendndodhja
    -|- Atje ku njeriu takohet me Perëndinë
    Postime
    1,258

    Ata që thanë JO!

    MOISIU


    Moisiu nuk bëri pazar. Moisiu nuk i peshonte gjërat. Moisiu nuk bënte kompromise __


    Nuk është vendi këtu për biografi dhe pena e këtij që po shkruan këto pak radhë, nuk është e denjë që të përshkruajë një Moisi. Historia njerëzore e ka vendosur tashmë në vendin që i takon. Gjendet në panteonin e prijësve të mëdhenj të botës.

    Moisiu është një personalitet që bëri të merren me të historianë, juristë, sociologë, ushtarakë, shkrimtarë, arkeologë.

    Të paktë qenë ata persona me të cilët u mor literatura e krishterë ashtu sikurse me Moisiun. U shkruan shumë për diturinë, fuqinë, zgjuarsinë dhe karakterin e Moisiut.

    Por, sikurse në një fabrikë, diku - ndoshta pas një porte të humbur e të panjohur - gjendet leva, të cilën duke e tërhequr vë në lëvizje e i jep jetë gjithë kompleksit - ndërsa i transmeton energji elektrike - pikërisht kështu edhe në jetën e Moisiut ekziston një levë e fshehur, një pikë, një ngjarje që mbeti si më unikja në jetën e tij, në historinë e popullit të Izraelit dhe në faqet e historisë së gjithë botës.

    Dhe kjo, është "Jo!"-ja spontane e plot çiltërsi, e lidhur me lirinë absolute, që Moisiu i tha Egjiptit, thesarëve të tij, gradave, ofiqeve, pozitave, ndereve, duartrokitjeve dhe lavdeve të vendit të Nilit. S'pranoi të quhet bir i bijës së faraonit. Dhe pse jo, ndoshta s'pranoi më vonë, të bëhej dhe faraon.

    Gjithmonë do të hapen tri rrugë në jetën dhe ecurinë tonë. Rruga e prirjes së pranimit, e cila dalngadalë e vë vulën me një "Po!".

    Rruga e kompromisit, e konformizmit, ku të gjtha janë në rregull, të gjitha janë mirë. Edhe kjo mirë...

    Dhe këtë tjetrën le ta shikojmë... Dhe rruga e tretë: e prerë. Një e vetme: shpatë dhe zjarr.

    - Jo!

    - Por e di çfarë?! Ta shikojmë, ta diskutojmë. Mos ji absolut. Ta kompromentojmë gjënë.

    - Jo!

    - Mos ji fanatik. Ç'të keqe shikon të shikosh dikë edhe jude edhe egjiptian? Apo s'janë edhe torturuese ato përndjekjet...

    - Jo!

    Sa herë do të vijë harresa, me dashje, të pikojë mendime helmuese. Se mos ndoshta do të ndihmosh qoftë dhe i shtirur? T'u shërbesh, t'u qëndrosh pranë atyre që vuajnë, kanë dhimbje, qajnë?

    - Jo. Asnjë fjalë. As mos e mendo. Mos e diskuto. Asnjë dialog.

    Vjen dikush dhe të pyet:

    - A i shet dy sytë e djalit tënd?

    - Pa hiqmu sysh!

    - Por do të bëjmë pazar të mirë.

    - Më lër, o njeri. U çmende?

    - Jam një klient me sedër...

    Do t'i tregosh derën? Vetëm kaq? Dhe sa xhentil që je... Dhe nëse dikush të pyet për pazarin e frikshëm, do t'i thuash se nuk ratë dakord? Do t'i thuash - dhe me të drejtë - se nuk e diskutuat fare. S'kishte vend për kuvend. As edhe për gjysmë fjale...

    Po kështu Moisiu nuk bëri pazar. Moisiu nuk i peshonte gjërat. Moisiu nuk bënte kompromise. U hapën para tij dy rrugë: mëkati dhe Perëndia; errësira dhe drita; gënjeshta dhe e vërteta; Egjipti dhe vizioni i Sionit.

    Nuk u gjend ngushtë, s'u rrëzua, nuk dyshoi, s'mendoi gjë. Kundërshtoi, i shkelmoi të gjitha, të gjitha. U tha të gjithëve dhe për të gjitha: "Jo!". Atë çast tërhoqi levën e historisë. Atë çast ngjeu penën në bojën e përjetësisë, dhe historia e shkroi ndër të mëdhenjtë.

    Historia e madhështisë së Moisiut filloi pikërisht atë çast. Me një "Jo!". Po që ende nuk mbaron. Dhe nuk do të mbarojë kurrë lavdia e Moisiut, veç për atë fjalë:

    - Jo!









    ©Prezantimi i librit është bërë me lejen e botuesit. Libri është i rregjistruar nga Bibloteka Kombëtare e Shqipërisë. ISBN 978-9928-4010-0-7 Një pjesë e librit mund të lexohet edhe në Google Books
    Ndryshuar për herë të fundit nga Peniel : 25-10-2010 më 01:55
    קָדֹושׁ קָדֹושׁ קָדֹושׁ יְהוָה צְבָאֹ


    I Shenjtë I Shenjtë...

  3. #3
    ...dhe jeta ime u fal Maska e Peniel
    Anëtarësuar
    10-03-2003
    Vendndodhja
    -|- Atje ku njeriu takohet me Perëndinë
    Postime
    1,258
    JOZEFI

    Kur ndërgjegjja lakohet, lulëzojnë fuqishëm dhe pallogaritshëm rezultatet e kompromisit që bëjmë __


    Biri më i dashur i të atit; i përndjekuri nga vëllezërit, i cili përfundimisht u shpëtoi jetën atyre; i shituri tek të huajt dhe i burgosuroi në burgjet e Nilit. Tablo të mbushura me fuqi, simbole frymore. Por kjo ishte një shprehje tjetër e jetës së Jozefit.



    Nëse jeta e Moisiut është e mbushur me fuqi, jeta e Jozefit karakterizohet nga një mahnitje dhe madhështi e veçantë. Nëse Perëndia marshonte me të vërtetë ngjitur me Moisiun, në jetën e Jozefit mund të themi se Perëndia e mbajti fort për dore. I riu me rrobën shumëngjyrëshe e cila u bë shkas për urrejtje dhe armiqësi nga vëllezërit e tij, do të veshë rrobën e sundimtarit të Egjiptit, e të parit pas faraonit.

    Ku qëndron e fshehta e madhe e të riut çifut? Në një njohje të drejtë të gjërave të Perëndisë, do të thotë dikush. Është e drejtë. S'ka dyshim se bëhet fjalë për një karakter të diamanttë. Një njeri durimi, bindjeje dhe respekti. Madje është e sigurt se bëhet fjalë për një person me një zgjuarsi të rrallë, me mundësi të marrë vazhdimisht elemente të reja, t'i përvetësojë dhe t'i shndërrojë në vendime, politikë dhe pozita të duhura.

    Truri i Jozefit punonte si kompjuter. Jeta dhe karakteri i këtij të riu ngjason me një thes të vogël të mbushur me gurë të çmueshëm, ku ndërmjet të cilëve ekziston dhe një, guri më i çmueshëm. Vetëm një, por që duhet gjetur.

    Sikurse edhe në jetën e Moisiut ashtu edhe në atë të Jozefit ekziston çasti historik nga i cili fillon gjithë ajo madhështi e mëvonshme. Është tashmë i njohur shtjellimi i kësaj historie të veçantë e tragjike e këtij të riu.

    Jozefi gjendet në shtëpinë e Potifarit. Nuk do të vonojë dhe do të marrë në duart e tij të gjithë administrimin e pasurisë, e të mirave dhe ndërmarrjeve. Dhe të shtëpisë.

    Do të përsëritet fije e për pe historia e burgut: skllavi shumë shpejt bëhet i besuari, administruesi, ekonomisti i pakontrolluar. Potifari nuk di më se sa ka dhe çfarë ka. I mjafton që e di Jozefi. Sepse ky i ri hebre nuk është vetëm një vegël e ndershme administrimi, por njëkohësisht edhe një burim misterioz bekimi.

    Të mirat shtohen nën administrimin e zgjuar të Jozefit. Pasuritë çuditërisht shumohen nën shkopin e dirigjimit të këtij dirigjenti besnik. Të mirat materiale tashmë janë të tijat.

    Liria mbeti vetëm një dëshirë e vogël e tij. Skllavi mund të ketë skllevër; i huaji drejton Egjiptin. Të gjitha rrugët janë të hapura për një karrierë të suksesshme. Ç'gjë më shumë do të ishte e mundur të ëndërronte, të dëshironte dhe të mos e kishte? I kishte të gjitha. Dhe ishte në dorën e tij që të fitonte edhe më shumë.

    Kur, në rrugën e sheshtë dhe në shtjellimin e pa pengesa të planeve të Jozefit hyri madam Potifari. Djalli me madamën dhe madama me djallin. Jozefi u gjend në kryqëzimin e njohur. Do të mjaftonte një buzëqeshje dhe do të hapej plotësisht rruga për një pakt.

    Kur ndërgjegjja lakohet, lulëzojnë fuqishëm dhe pallogaritshëm rezultatet e kompromisit që bëjmë. Dhe Jozefi do të kishte edhe më pozitë, fitime, fuqi dhe autoritet dhe natyrisht zonjën e re të aristokracisë. Dhe një zonjë e tillë me lidhje, me ndikim dhe me të njohur në instancat më të larta të sferës së drejtimit egjiptian dhe pushtetit, duhej të dukej shumë e nevojshme për çifutin me bukurinë e mahnitshme.

    Mos vallë oferta e cila bëhet kaq e qartë prej saj është shtegu që do ta çonte në ditë ende më të mira Jozefin? A mund ta përjashtojë kush? Nëse po, me ç'kriter bazë?

    Është gabim që të shikojmë këtu ekskluzivisht tundimin. Këtu gjendet interesi që ndërsa hapet një portë e tillë, askush s'e di se ku çon. Llogaritë thonë "Po!". Dhe mishi ofron një "Po!" të dytë. Në propozimin e kësaj bashkëshorteje të mrekullueshme duhet të dallojmë zotimin të nuk e di se kujt shpërblimi. Lirim? Pse jo?! Ngjitje në mekanizmin e Egjiptit? Ndoshta. Me të tilla veti si ato të Jozefit, çdo propozim dhe zotim për ngritje mbështetet mbi baza të forta.

    Dhe madje kush mund ta përjashtojë forcën e një kërcënimi, që artistikisht la të zbulohej, kjo zonjë e zjarrtë?! Jozefi e njeh mirë karakterin e madam Potifarit, fuqinë e saj, dinamikën e saj të veçantë, dhe do të dijë ende më mirë, sesa ndikim ushtronte kjo grua mbi bashkëshortin e saj. Jozefi duhet të dinte edhe shumë incidente, në të cilat madam Potifari ia kishte arritur qëllimeve të saj, duke i plotësuar dëshirat e saj, cilatdo qofshin ato.

    Jozefi nuk duhet t'i ketë llogaritur dhe as marrë para sysh mendimet e mësipërme. Nuk duhet t'i ketë lënë të bëheshin elemente krize për krahasim.

    Jozefi nuk i vendoste në kandar gjërat. Nuk zuri vend aty ku dy anët e peshores gjejnë ekuilibrin. Duhet ta ketë parë me sytë e tij të zinj zonjën Potifar, të ketë tundur lehtë kokën, i skuqur, dhe t'i ketë thënë me zë të qetë, të vendosur:

    - Jo!

    Ajo do të këmbëngulë, do të mobilizojë dëshirat, do të lutet, do të kërcënojë, ndoshta do të qajë, do të premtojë shumë dhe do të tregojë se e ka fuqinë, për të gjitha ato sa premton, t'i realizojë. Jozefi e di mirë këtë. Koka e të riut hebre do të lëvizë përsëri mohueshëm, serioz dhe i vendosur:

    - Jo!

    E dinte se ç'do të thonte ajo "Jo!". Dhe e dinte mirë sepse para pak kohësh kishte pasur përvojën e skllavit të shitur. E njihte mirë madam Potifarin. Dhe e njihte mirë karakterin e burrit të saj. Por kjo nuk e pengoi të thotë duke buzëqeshur, guximshëm:

    - Jo.

    Që nga këtu fillon rruga për humbjen e të gjitha sa kishte: rruga për në burg, varrosja e tij e gjallë, dhe ndoshta vdekja. Një skllav më pak... Veçse që nga këtu, pikërisht nga këtu fillon rruga drejt ngjitjes, madhështisë, lavdisë, pasurisë, pushtetit. Rrugët e Perëndisë përfundojnë përhere me triumf, pavarësisht se nga ku kalojnë.

    Jozefi shpëton një popull; Jozefi ruan flakën e një shprese njerëzore që po dridhet. Nuk ekzistojnë kompromise, as llogari. Një sekondë i pozicionuar drejt, vlen aq sa një përjetësi.

    Ky për Jozefin nuk ishte fundi, ishte, dhe do të jetë gjithmonë, fillimi i lavdisë që do të fillonte me një;

    - Jo!


    ©
    Ndryshuar për herë të fundit nga Peniel : 20-10-2010 më 13:18
    קָדֹושׁ קָדֹושׁ קָדֹושׁ יְהוָה צְבָאֹ


    I Shenjtë I Shenjtë...

  4. #4
    ...dhe jeta ime u fal Maska e Peniel
    Anëtarësuar
    10-03-2003
    Vendndodhja
    -|- Atje ku njeriu takohet me Perëndinë
    Postime
    1,258
    SEKRETI I DREJTIMIT



    Shumë bij të Perëndisë janë kaq thellë të përfshirë në çështjen e drejtimit, saqë do ishte e udhës të jepja disa sugjerime përsa i përket njohjes së rrugës nëpër të cilën Ati ynë na kërkon të ecim, si dhe në punën që Ai do të dëshironte të bëjmë. Rëndësia e kësaj çështjeje nuk mund të quhet e ekzagjeruar; sepse fuqia dhe paqja jonë varen kaq shumë nga njohja e faktit se ku do të dëshironte Perëndia që ne të ishim, si dhe në të qenurit pikërisht atje.

    Mana bie vetëm atje ku kolona e resë shfaqet; por është e sigurt se gjendet po ashtu në rërën, e cila disa orë më parë shkëlqente nën dritën flakëritëse të zjarrit qiellor por që tani është mbuluar nga hije resh si shtëllungë. Nëse gjendemi pikërisht atje ku Ati qiellor do të donte të ishim, ne jemi krejt të sigurt se Ai do sigurojë ushqimin, veshjen dhe gjithçka tjetër. Kur Ai i dërgon shërbëtorët e Tij në Kerith, Ai do të mundësojë që t’u çojnë ushqim madje edhe korbat.

    Sa shumë nga puna jonë e krishterë ka dështuar, sepse kemi këmbëngulur që ta fillonim atë për vetveten, në vend që të siguroheshim se çfarë Perëndia po bënte dhe se ku donte Ai që ne të ishim! Ne shohim ëndrra të shndritshme suksesi. Ne përpiqemi t’i bëjmë ato të ndodhin e thërrasim në ndihmë gjithëfarësoj mjetesh të volitshme, të diskutueshme apo jo. Më në fund kthehemi pas, të shkurajuar dhe të turpëruar, si fëmijë të çjerrë dhe të gërrvishtur nëpër shkurre dhe të baltosur në moçale. Asgjë e tillë s’do të kishte ndodhur nëse do kishim qenë që në fillim, nën drejtimin e pagabueshëm të Perëndisë. Ai mund të na sprovonte, por nuk do të na lejonte të gabonim.

    Natyrisht, fëmija i Perëndisë që dëshiron me gjithë zemër të njohë vullnetin e Atit, i drejtohet Librit të Shenjtë dhe e rifreskon sigurinë e tij duke vënë re se si ndër shekuj Zoti i ka drejtuar ata që guxuan t’i besoheshin Atij plotësisht, por që në atë kohë kanë qenë po aq në mëdyshje sa edhe ne jemi shpesh ne tani.

    E dimë se si Abrahami la farefisin dhe vendin e tij dhe u nis, pa udhërrëfim tjetër përveç Perëndisë, përmes shkretëtirës së pashkelur drejt një toke të panjohur për të. E dimë se si për dyzet vjet izraelitët u drejtuan përmes gadishullit Sinai, me labirintet e tij të gurëve të kuq ranorë dhe humbëtirave të rërës. E dimë se si Jozueu, teksa hyri në Tokën e Premtuar, mundi t’ia dilte mbanë vështirësive të një vendi të panjohur dhe të dilte fitimtar ndaj kombeve të mëdha dhe luftëtare, sepse ai e mbajti vështrimin drejt Komandantit të ushtrive të Zotit, i cili të çon drejt fitores.

    E dimë se si në Kishën e parë, apostujve iu dha mundësia të çanin rrugën përmes vështirësive më të mëdha dhe të zgjidhnin problemet e tyre më të ngatërruara, duke themeluar parime të cilat do ta drejtojnë Kishën deri në fund të kohërave; dhe kjo për shkak se atyre iu zbulua se çfarë duhet të bënin dhe çfarë të thoshin, nga vetë Fryma e Shenjtë.





    © Prezantimi i librit është bërë me lejen e botuesit. Libri është i rregjistruar nga Bibloteka Kombëtare e Shqipërisë. ISBN 978-9928-4010-1-4. Një pjesë e librit mund të lexohet edhe në Google Books
    Ndryshuar për herë të fundit nga Peniel : 25-10-2010 më 01:57
    קָדֹושׁ קָדֹושׁ קָדֹושׁ יְהוָה צְבָאֹ


    I Shenjtë I Shenjtë...

  5. #5
    ...dhe jeta ime u fal Maska e Peniel
    Anëtarësuar
    10-03-2003
    Vendndodhja
    -|- Atje ku njeriu takohet me Perëndinë
    Postime
    1,258
    PREMTIMET PËR DREJTIM JANË TË PAGABUESHME




    "Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën nëpër të cilën duhet të ecësh”.

    Psalmi 32:8


    Kjo është siguria e qartë e Perëndisë për ata të cilëve u janë falur mëkatet dhe u janë fshirë paudhësitë dhe që janë më të shpejtë për të vënë re shfaqjen më të vogël të vullnetit të Tij, se sa kali apo mushka të ndiejnë shpimin e hostenit.

    Fjalët e urta 3:6: "Pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe Ai do të drejtojë shtigjet e tua”. Fjalë të sigurta, në të cilat mund të mbështetemi vetëm nëse përmbushim kushtet e mëparshme të të besuarit me gjithë zemër dhe të mos mbështeturit në gjykimin tonë.

    Isaia 58:11: "Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht”. Është e pamundur të mendojmë se Zoti do mund të na udhëheqë ndonjëherë, nëse Ai nuk na ka udhëhequr gjithmonë. Sepse ngjarjet më të mëdha në jetë, sikur shkëmbinjtë viganë në perëndim të Anglisë, rrotullohen rreth pikave më të vogla. Një guriçkë mund të ndryshojë rrjedhën e një përroi. Rritja e një kokrre fare sinapi mund të bëjë të bjerë shi në një kontinent. Po kështu, ne duhet të kërkojmë Drejtimin, i cili do përfshijë gjithë jetën me tërë morinë e nevojave të saj.

    Gjoni 8:12: "Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.” Duket se këtu referimi i bëhet sorrollatjeve nëpër shkretëtirë dhe Mësuesi premton se Ai do të jetë për të gjithë shpirtrat besnikë në shtegtimin e tyre për në Qytetin e Perëndisë çfarë ishte kolona e resë për bijtë e Izraelit në shtegtimin e tyre për në Tokën e Premtuar.

    Këta janë veçse disa shembuj. Qilari i Shkrimeve është i mbushur plot me mijëra të tillë, që në përmasat e tyre shkëlqejnë si yjet të cilët i tregojnë shtegtarit rrugën për në thellësi. Profeti e ka përshkruar bukur trashëgiminë e shërbëtorëve të Zotit duke thënë për Qytetin Qiellor: “Të gjithë fëmijët e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe do të jetë paqja e fëmijëve të tu.”

    E megjithatë, atyre zemrave të sprovuara dhe të ndrojtura mund t’u duket se të gjithë ata që përmenden në Fjalën e Zotit janë ndihmuar, kurse ata vetë janë lënë pa ndihmë. Duket se ata janë përballur me probleme të ndërlikuara, janë vënë përballë mistereve të jetës, duke dëshiruar me zjarr të dinin se çfarë duhet të bënin, por asnjë engjëll nuk erdhi t’u tregonte çfarë të bënin dhe asnjë portë e hekurt nuk u hap për ta në burgun e rrethanave të jetës.

    Disa ia hedhin fajin mendjes së tyre të plogët e të fjetur. Ata s’mund të kapin dot se çfarë Zoti dëshiron të thotë, gjë që për të tjerët do të ishte mëse e qartë. Kanë kaq frikë se mos gabojnë, saqë nuk arrijnë të mësojnë dot qartë se çfarë është e drejtë. “Kush është i verbër, përveçse shërbëtori im? Apo i shurdhër, si lajmëtari që unë dërgoj? Kush është i verbër si ai që është i përsosur, dhe i verbër si shërbëtori i Zotit?” E megjithatë, si i trajtojmë ne fëmijët tanë?

    Njëri prej fëmijëve është aq i zgjuar dhe i mprehtë, saqë mjafton një shenjë e vogël për t’i treguar rrugën; tjetri vjen i plogët, s’të kupton lehtë. A e lë ti vetëm të zgjuarin të kuptojë çfarë ti do? A nuk do ta merrje edhe tjetrin dhe ta ulje mbi gju për t’ia bërë të qarta udhëzimet që e kanë bërë lëmsh? A nuk ndodh që prej shqetësimit të të voglit, i cili dëshiron me gjithë shpirt të të kuptojë dhe pastaj të të bindet menjëherë, mes teje dhe tij krijohet një lidhje gati-gati më e fortë se ajo me fëmijën tjetër? Oh, fëmijë të lodhur, të mjerë e të hutuar, besoni në dashurinë e madhe të Perëndisë dhe dorëzojani veten Atij, të sigurt se do t’ju gjejë në padijen tuaj dhe do ta përulë Veten sipas nevojave tuaja. Do t’i marrë “qengjat në krahët e Tij dhe do t’i vendosë në kraharorin e Tij, dhe butësisht do t’i drejtojë të vegjlit e Tij.”
    Megjithatë egzistojnë disa udhëzime praktike të cilat duhet t’i ndjekim për t’u drejtuar sipas mendjes së Zotit.


    ©
    קָדֹושׁ קָדֹושׁ קָדֹושׁ יְהוָה צְבָאֹ


    I Shenjtë I Shenjtë...

  6. #6
    Inxhinier Maska e albani1
    Anëtarësuar
    16-08-2007
    Vendndodhja
    Tirane
    Postime
    840

    Une dua te sugjeroj nje liber

    Eshte shume i mire , nuk me kujtohet emri i autorit por titullin e librit e di.

    ''FEMIJA I PAQES''
    Ky eshte titulli , nqs mund te gjeni edhe autorin mire do te ishte.

    Ka kapak me ngjyre te kuqe por edhe me disa figura te tjera.

    Eshte liber shume i bukur nga ngjarje qe kane ndodhur vertete ne jeten e disa te krishtereve.

    Zoti ju bekofte.
    Perendia eshte aq i madh, saqe ne na duhet perjetesia per ta njohur Ate plotesisht.

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •