JOZEFI
Kur ndërgjegjja lakohet, lulëzojnë fuqishëm dhe pallogaritshëm rezultatet e kompromisit që bëjmë __
Biri më i dashur i të atit; i përndjekuri nga vëllezërit, i cili përfundimisht u shpëtoi jetën atyre; i shituri tek të huajt dhe i burgosuroi në burgjet e Nilit. Tablo të mbushura me fuqi, simbole frymore. Por kjo ishte një shprehje tjetër e jetës së Jozefit.
Nëse jeta e Moisiut është e mbushur me fuqi, jeta e Jozefit karakterizohet nga një mahnitje dhe madhështi e veçantë. Nëse Perëndia marshonte me të vërtetë ngjitur me Moisiun, në jetën e Jozefit mund të themi se Perëndia e mbajti fort për dore. I riu me rrobën shumëngjyrëshe e cila u bë shkas për urrejtje dhe armiqësi nga vëllezërit e tij, do të veshë rrobën e sundimtarit të Egjiptit, e të parit pas faraonit.
Ku qëndron e fshehta e madhe e të riut çifut? Në një njohje të drejtë të gjërave të Perëndisë, do të thotë dikush. Është e drejtë. S'ka dyshim se bëhet fjalë për një karakter të diamanttë. Një njeri durimi, bindjeje dhe respekti. Madje është e sigurt se bëhet fjalë për një person me një zgjuarsi të rrallë, me mundësi të marrë vazhdimisht elemente të reja, t'i përvetësojë dhe t'i shndërrojë në vendime, politikë dhe pozita të duhura.
Truri i Jozefit punonte si kompjuter. Jeta dhe karakteri i këtij të riu ngjason me një thes të vogël të mbushur me gurë të çmueshëm, ku ndërmjet të cilëve ekziston dhe një, guri më i çmueshëm. Vetëm një, por që duhet gjetur.
Sikurse edhe në jetën e Moisiut ashtu edhe në atë të Jozefit ekziston çasti historik nga i cili fillon gjithë ajo madhështi e mëvonshme. Është tashmë i njohur shtjellimi i kësaj historie të veçantë e tragjike e këtij të riu.
Jozefi gjendet në shtëpinë e Potifarit. Nuk do të vonojë dhe do të marrë në duart e tij të gjithë administrimin e pasurisë, e të mirave dhe ndërmarrjeve. Dhe të shtëpisë.
Do të përsëritet fije e për pe historia e burgut: skllavi shumë shpejt bëhet i besuari, administruesi, ekonomisti i pakontrolluar. Potifari nuk di më se sa ka dhe çfarë ka. I mjafton që e di Jozefi. Sepse ky i ri hebre nuk është vetëm një vegël e ndershme administrimi, por njëkohësisht edhe një burim misterioz bekimi.
Të mirat shtohen nën administrimin e zgjuar të Jozefit. Pasuritë çuditërisht shumohen nën shkopin e dirigjimit të këtij dirigjenti besnik. Të mirat materiale tashmë janë të tijat.
Liria mbeti vetëm një dëshirë e vogël e tij. Skllavi mund të ketë skllevër; i huaji drejton Egjiptin. Të gjitha rrugët janë të hapura për një karrierë të suksesshme. Ç'gjë më shumë do të ishte e mundur të ëndërronte, të dëshironte dhe të mos e kishte? I kishte të gjitha. Dhe ishte në dorën e tij që të fitonte edhe më shumë.
Kur, në rrugën e sheshtë dhe në shtjellimin e pa pengesa të planeve të Jozefit hyri madam Potifari. Djalli me madamën dhe madama me djallin. Jozefi u gjend në kryqëzimin e njohur. Do të mjaftonte një buzëqeshje dhe do të hapej plotësisht rruga për një pakt.
Kur ndërgjegjja lakohet, lulëzojnë fuqishëm dhe pallogaritshëm rezultatet e kompromisit që bëjmë. Dhe Jozefi do të kishte edhe më pozitë, fitime, fuqi dhe autoritet dhe natyrisht zonjën e re të aristokracisë. Dhe një zonjë e tillë me lidhje, me ndikim dhe me të njohur në instancat më të larta të sferës së drejtimit egjiptian dhe pushtetit, duhej të dukej shumë e nevojshme për çifutin me bukurinë e mahnitshme.
Mos vallë oferta e cila bëhet kaq e qartë prej saj është shtegu që do ta çonte në ditë ende më të mira Jozefin? A mund ta përjashtojë kush? Nëse po, me ç'kriter bazë?
Është gabim që të shikojmë këtu ekskluzivisht tundimin. Këtu gjendet interesi që ndërsa hapet një portë e tillë, askush s'e di se ku çon. Llogaritë thonë "Po!". Dhe mishi ofron një "Po!" të dytë. Në propozimin e kësaj bashkëshorteje të mrekullueshme duhet të dallojmë zotimin të nuk e di se kujt shpërblimi. Lirim? Pse jo?! Ngjitje në mekanizmin e Egjiptit? Ndoshta. Me të tilla veti si ato të Jozefit, çdo propozim dhe zotim për ngritje mbështetet mbi baza të forta.
Dhe madje kush mund ta përjashtojë forcën e një kërcënimi, që artistikisht la të zbulohej, kjo zonjë e zjarrtë?! Jozefi e njeh mirë karakterin e madam Potifarit, fuqinë e saj, dinamikën e saj të veçantë, dhe do të dijë ende më mirë, sesa ndikim ushtronte kjo grua mbi bashkëshortin e saj. Jozefi duhet të dinte edhe shumë incidente, në të cilat madam Potifari ia kishte arritur qëllimeve të saj, duke i plotësuar dëshirat e saj, cilatdo qofshin ato.
Jozefi nuk duhet t'i ketë llogaritur dhe as marrë para sysh mendimet e mësipërme. Nuk duhet t'i ketë lënë të bëheshin elemente krize për krahasim.
Jozefi nuk i vendoste në kandar gjërat. Nuk zuri vend aty ku dy anët e peshores gjejnë ekuilibrin. Duhet ta ketë parë me sytë e tij të zinj zonjën Potifar, të ketë tundur lehtë kokën, i skuqur, dhe t'i ketë thënë me zë të qetë, të vendosur:
- Jo!
Ajo do të këmbëngulë, do të mobilizojë dëshirat, do të lutet, do të kërcënojë, ndoshta do të qajë, do të premtojë shumë dhe do të tregojë se e ka fuqinë, për të gjitha ato sa premton, t'i realizojë. Jozefi e di mirë këtë. Koka e të riut hebre do të lëvizë përsëri mohueshëm, serioz dhe i vendosur:
- Jo!
E dinte se ç'do të thonte ajo "Jo!". Dhe e dinte mirë sepse para pak kohësh kishte pasur përvojën e skllavit të shitur. E njihte mirë madam Potifarin. Dhe e njihte mirë karakterin e burrit të saj. Por kjo nuk e pengoi të thotë duke buzëqeshur, guximshëm:
- Jo.
Që nga këtu fillon rruga për humbjen e të gjitha sa kishte: rruga për në burg, varrosja e tij e gjallë, dhe ndoshta vdekja. Një skllav më pak... Veçse që nga këtu, pikërisht nga këtu fillon rruga drejt ngjitjes, madhështisë, lavdisë, pasurisë, pushtetit. Rrugët e Perëndisë përfundojnë përhere me triumf, pavarësisht se nga ku kalojnë.
Jozefi shpëton një popull; Jozefi ruan flakën e një shprese njerëzore që po dridhet. Nuk ekzistojnë kompromise, as llogari. Një sekondë i pozicionuar drejt, vlen aq sa një përjetësi.
Ky për Jozefin nuk ishte fundi, ishte, dhe do të jetë gjithmonë, fillimi i lavdisë që do të fillonte me një;
- Jo!
©
Krijoni Kontakt