Në gushtin e vitit 2012-të krijuesi dhe historiani ynë i dalluar, Jusuf Buxhovi, pritet të nxjerrë nga shtypi librin e tij historiografik, "Historia e Kosovës", konkretisht në prag të 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar. Këtë ai e ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot". Buxhovi ka thënë se ka marrë këtë iniciativë duke parë se institucionet tona përgjegjëse pak po bëjnë në këtë drejtim. Ai ka thënë se ka kohë që është duke punuar në një projekt shkencor, që ka të bëjë me historinë e Kosovës. Ndërsa, edhe veprat e fundit nga kjo fushë të botuara nga ai, janë pjesë e këtij projekti në tri libra.
"Siç shihet, në këtë projekt do të përfshihet historia pesëmijë vjeçare e shqiptarëve. Vendi i Kosovës në të jo vetëm që nuk e përjashton këtë tërësi, por e forcon atë edhe më shumë, meqë dihet se nga antika e tutje roli i Dardanisë ishte tejet i madh, ndërkohë që edhe gjatë Perandorisë Romake, Bizantit dhe mesjetës, Kosova paraqet bërthamën e lëvizjeve shoqërore dhe politike të shqiptarëve në këto zhvillime historike si pjesë e rëndësishme e tyre", ka thënë Buxhovi. Ndërsa, ka theksuar se ka zgjedhur gushtin për ta nxjerrë librin nga shtypi për shkak sepse pavarësia e shtetit shqiptar dhe të gjitha ngjarjet dinamike që do t'i paraprijnë atij, nga shkurti i vitit 1912-të e deri më 28 nëntor 1912, lidhen me Kosovën dhe kryengritjen gjithëshqiptare që do të organizohet nga prilli i atij viti e deri më 23 gusht kur do të aprovohen 14 pikat e Memorandumit të Hasan Prishtinës. Ai ka falënderuar Komunën e Prishtinës dhe kreun e saj, Isa Mustafa për ndihmën e ofruar për botimin e librit "Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane" dhe premtimin e tij për të ndihmuar projektin për historinë e Kosovës. Buxhovi ka thënë se deri tash nuk ka hasur në përkrahje të institucioneve të Kosovës. Nisma e tij për të hartuar historinë e Kosovës është pritur në mënyra të ndryshme, duke marrë edhe fjalë miradije.
Historiani Sylë Ukshini, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se nisma e Buxhovit duhet mbështetur nga institucionet vendore, pasi historiografia shqiptare tani më shumë se kurrë, ka nevojë për prurje të reja të nivelit evropian e ndërkombëtar. "Unë jam i impresionuar me energjitë dhe vullnetin që po shpërfaq z. Buxhovi, jo vetëm në fushën e historiografisë", ka thënë ai.
Kurse Dr. Frashër Demaj, Sekretar shkencore në Institutin e Historisë së Kosovës, duke mos dashur të komentojë pohimet e Buxhovit rreth mosmbështetjes institucionale për projektin e tij, ka shutuar se IH-ja është e hapur për bashkëpunime, duke përmendur edhe projektin "Historia e Kosovës", i cili është projekt i hartuar nga Instituti i Historisë tash e 4 vjet. "IH-ja gjithmonë ka mirëpritur dhe mirëpret bashkëpunimin me individë dhe institucione. Buxhovi një herë ka konkurruar me një kumtesë (130- vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit) dhe atëherë është pranuar", ka thënë Dr. Demaj.
I. Vatovci (Kosova sot)
Krijoni Kontakt