Të pritëm!

(Vajzës sime Kaltrës)

Të pritëm, të pritëm, aq të mrekulluar,
Na mbushnin plot jetë të ëmblat lëvizje…
Mbi barkun e nënës të prekja me duar
dhe ti me gjymtyrë të dy na godisje.

Godisje ashtu, si për të treguar
Që na njihje zërin, ledhatimet, erën…
Lëvizjet e tua na sillnin pranverën,
Dhe botën e madhe e kishim në duar.

Të ndjenim, të donim ,magjepsur pas teje,
Engjëlloren pamje s’ta imagjinonim…
Aty mbi lëkurë të puthnim ,të donim,
Dhe mezi të prisnim ,pranë të na vije.

Dhe mbërriti dita, kur erdhe,të pamë…
Ti pamë dhe sytë e kaltër si deti,
Mbi fytyrën tënde, vështrimi na mbeti
Sa shpirtin prej prindi, ty “Kaltra” ta lamë.