Jetëgjatësia, shkencëtarët dhe përpjekja për të zbërthyer gjenin “magjik”
28/09/2010
A është e mundur që të jetosh më shumë se një shekull dhe ende të jesh i shëndetshëm e në gjendje të kthjellët mendore? Vëllezërit dhe motrat Khan në Amerikë, 108, 104 dhe 100 vjeç, janë vënë në dispozicion të shkencëtarëve për të zbërthyer këtë sekret
Helen është 108 vjeçe. Ajo i urren sallatat, zarzavatet, çohet herët në mëngjes dhe e bën gjithçka në jetën e saj përmes një stili të shëndetshëm. Po, të shëndetshëm, sepse ajo preferon hamburgerët, çokollatat, alkoolin, jetën e natës në Nju Jork dhe të gjithë restorantet ekzotikë. Përveç kësaj është frekuentuese e teatrit, kinemasë dhe shfaqjeve të tjera në Broduej. Një nga të preferuarat e saj është edhe “Metropolitan Opera”, ku për herë të parë ajo vuri këmbë në vitin 1918. Ishte një biletë që e mori dhuratë nga i ati, me rastin e 17-vjetorit të lindjes.
Ajo gjithashtu pëlqen që të pijë duhan. “Kam 80 vjet që pi duhan dhe gjatë gjithë ditës e në mënyrë të vazhdueshme. Bëhet fjalë për një sasi të jashtëzakonshme cigaresh”, thotë 108-vjeçarja. Ajo është një grua e brishtë dhe e vogël, duket sikur do të të thyhet po t’ia ngulësh fort vështrimin. Vishet zakonisht me ngjyra dhe në mënyrë sportive. Flokët i ka gjithmonë të lyer, po ashtu edhe buzët në më të shumtën e rasteve. Fytyrën e ka të butë, pa njolla dhe mban syze.
Që kur u godit nga një atak në zemër 6 vjet të shkuara, ajo flet pak më ngadalë, por mendjen e ka të kthjellët si të një 20-vjeçareje dhe kujtesën si të një 30-vjeçareje. Jeton në një apartament shumë të mirë në “Park Avenue” dhe është e lumtur që herë pas here takohet me vëllain e saj Irvin 104-vjeçar.
Rreth botës në moshën 84-vjeçare
Helen Faith Keane Reichert ka lindur më 11 nëntor të vitit 1901 në Manhatan dhe është bija e emigrantëve hebrenj nga Polonia. Ajo është psikologe dhe një ish-prezantuese në TV, si dhe profesoreshë universiteti. Ajo u martua me një kardiolog dhe nuk ka pasur fëmijë. Kur i shoqi i vdiq 25 vjet të shkuara, në moshën 88-vjeçare, ajo vendosi në moshën 84-vjeçare që të udhëtonte rreth botës dhe të shkonte në Irlandë, më pas në Spanjë, Turqi, Itali, Japoni dhe Australi. Ishte kjo mënyra që zgjodhi për të përballuar humbjen që pësoi. “I vetmi vend ku nuk kam shkuar është India. Por do ta bëj së shpejti”, thotë 84-vjeçarja.
Në vitet e saj të arta, kjo grua e pashkatërrueshme ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve së bashku me vëllezërit e saj, Irvin 104 vjeç dhe Peter 100 vjeç. E motra i vdiq në moshën 100-vjeçare, në vitin 2007.
Bëhet fjalë për një familje që për shkak të kësaj veçantie jetëgjatësie dhe vitaliteti, është shndërruar në një subjekt studimi për shkencëtarët e ndryshëm. Ata kanë bërë për orë të tëra me intervista me mjekët në Nju Jork dhe Boston dhe të gjithë, duke i pasur ata në qendër të vëmendjes, synojnë që të zgjidhin misterin e rinisë së tyre. Pyetja më e shpeshtë është: Si ka mundësi që ata jetojnë kaq gjatë dhe janë njëherazi kaq të shëndetshëm dhe vitalë?
Demografët kanë përllogaritur se jetëgjatësia e njerëzve në vendet e zhvilluara është shtuar shumë në 170 vitet e fundit, me një mesatare prej 3 muajsh në vit. Në Gjermani, jetëgjatësia për femrat është 82 vjet, ndërsa për meshkujt 77 dhe kjo tendencë nuk duket se ka kufij. Si mund të parandalohet që këta të moshuar të cilët në të ardhme do të jetojnë edhe më gjatë se sot, të mos prekjen nga sëmundje si Parkinsoni apo të tjera që praktikisht e shndërrojnë individin në një qenie që vegjeton?
A mund të përbëjnë recetat e duhura jetët e njerëzve që kanë jetuar deri në 100 vjeç dhe në gjendje të mirë shëndetësore? Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 50 mijë persona që janë mbi 100 vjeç dhe në Gjemani 6000 të tillë. Një në shtatë milionë jeton madje përtej moshës 110-vjeçare dhe më tutje akoma dhe ka madje edhe një fjalë të posaçme që përdoret për këta njerëz: mbi qindvjeçarë. Grupe shkencëtarësh në të gjithë botën janë duke u marrë me jetën dhe shëndetin e kësaj kategorie njerëzish, në përpjekje për të zbërthyer gjenet e tyre, duke gërmuar në kartelat mjekësore dhe historitë personale. Një mjek hebre është marrë me shqyrtimin personalisht të mbi 1000 personave që i kanë kaluar të 10 vitet e jetës duke i pyetur edhe për çështje të hollësishme personale, për të parë nëse ka tipare të përbashkëta mes këtyre personave të kësaj kategorie që mund të konsideroheshin si shkaku i jetëgjatësisë dhe shëndetit të tyre të mirë.
Rezultatet janë me të vërtetë befasuese: mes këtyre njerëzve nuk ka asnjë tipar të përbashkët, pra nuk ka një model që mund t’i referohesh në rastin e shkaqeve të jetëgjatësisë. Rekomandimet e zakonshme për një jetë të shëndetshme: pa duhan, pa alkool, pa mbipeshë, janë të aplikueshme nga pjesa më e madhe e njerëzve në botë, por kjo nuk vlen për rastin e 100-vjeçarëve. Në fakt, për të arritur një jetëgjatësi të tillë ajo që duhet është gjenetika e veçantë, pra përbërja gjenetike. Edhe 100-vjeçarët sëmuren dhe vdesin nga të njëjtat sëmundje që vdesim edhe ne, por vetëm se këtë e bëjnë 30 vjet më pas.
Sigurisht që një stil jetese me cigare, alkool dhe mbipeshë nuk përbën këshillën më të mirë për një jetë të shëndetshme, por në fund të fundit edhe pse jeta e shëndetshme promovohet shumë, nuk ekziston një stil i përcaktuar jetese që të garanton jetëgjatësinë dhe shëndetin e mirë deri ditën e fundit të jetës. Kështu, asnjë 100-vjeçar nuk u është nënshtruar dietave gjatë jetës së tij të gjatë. Ndërkohë, secili nga personat që ka jetuar deri apo mbi 100 vjeç, ka një recetë personale për të dhënë. Të pyesim Irvin 104-vjeçar se çfarë do të na thotë. Irvin të thotë se së pari njeriu duhet që t’i përmbahet një diete ushqimore me shumë zarzavate dhe sallata. Së dyti, sipas tij, i duhet shumë ajri i freskët. Së treti duhet të shmangë cigaren, alkoolin, por jo verën e kuqe, të cilën duhet që ta pijë nga një gotë në ditë. Së katërti, sipas tij, njeriu duhet që të jetë vazhdimisht në lëvizje fizike dhe të njohë njerëz të ndryshëm nga e gjithë bota, si dhe të ketë një interes të vazhdueshëm për të mësuar gjëra të vështira që mendon se nuk i arrin dot. Të gjitha këto, sipas Irvin, të mbajnë të ri dhe në formë.
Po motra e tij më e madhe, çfarë mund të thotë për mënyrën e saj të jetesës, që i ka dhënë një rekord të vërtetë jetëgjatësie? Ajo ndërkohë ka një stil tjetër jetese dhe për familjen mund të cilësohet si “delja e zezë”. “Ajo ka lindur me cigare në njërën dorë dhe koktejl në dorën tjetër”, thotë Irvin, duke nënkuptuar gjithë jetën me teprime të së motrës 108-vjeçare. Duke iu referuar vazhdimisht Irvin, ai thotë se sipas tij, nëse do të duash që të jetosh gjatë, duhet që të shmangësh streset dhe të shndërrohesh në mjeshtër të të anashkaluarit të gjërave dhe kryesisht streseve e vështirësive me të cilat na përball vazhdimisht jeta. Dhe të mendosh se këta 100-vjeçarët e sotëm nuk kanë pasur jetë të lehta. Ata kanë kaluar dy luftëra, urinë dhe sigurisht edhe humbjet e njerëzve më të dashur. A është e mundur që të shtojmë jetëgjatësinë përmes të qenit optimistë dhe në humor? Apo mos vallë asgjë nuk varet nga ne dhe gjithçka është e programuar që në fillim? Ende edhe sot e kësaj dite, pas shumë kërkimeve, mjekët nuk e dinë se cilat gjëra janë të programuara gjenetikisht dhe çfarë kemi ne në dorë për të zgjatur dhe përmirësuar jetët tona. Disa kërkues, ndërkohë, kanë zbuluar 150 variante gjenetike të gjenit të 100-vjeçarëve. Disa pretendojnë se në bazë të këtyre të dhënave, mund të parashikojnë jetëgjatësinë e një personi deri në 70%. Por një grup tjetër është kundër një gjëje të tillë, duke u shprehur se është tërësisht e pamundur që të parashikohet jetëgjatësia e njeriut nisur nga të dhënat e deritanishme mbi gjenet. Një fakt i përbashkët me ta është se të gjithë personat që e kanë arritur 100 vjeçarin e jetës dhe janë më përtej akoma, kanë një mekanizëm mbrojtës shumë të fortë, i cili ndalon edhe shpërthimin e sëmundjeve në moshë të hershme, siç ndodh te njerëzit me jetëgjatësi normale. Ajo që shumë shkencëtarë aktualisht e kanë shndërruar në objekt të punës së tyre, është pikërisht studimi i këtyre mekanizmave mbrojtës gjenetikë, që i bëjnë disa njerëz të mbrojtur nga sulmet e sëmundjeve të “moshës së tretë”. Janë pikërisht këta njerëz që me organizmin e tyre jo vetëm që kalojnë një “moshë të tretë” të sigurt, por tashmë janë shndërruar edhe në eksploratorët e moshës së katërt.
shqip.
Ruaj Lidhjet