“Një komb, një pasaportë”, Spahiu letër Rexhepit
Aleanca Kuqezi sqaron zyrtarin kosovar për nismën e ndërmarrë
Drejtuesi i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, i ka dërguar një letër ministrit të Brendshëm të Kosovës, Bajram Rexhepit, në lidhje me nismën e ndërmarrë “Një komb, një pasaportë”, e cila disa ditë më parë u prezantua në shtetin më të ri të Ballkanit. “U informova për një intervistë, të cilën ju e keni zhvilluar në radion ‘Europa e Lirë’, në të cilën keni deklaruar ‘për pamundësinë e realizimit të idesë një komb, një pasaportë, pasi Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura sovrane dhe nuk kanë në planin e tyre bashkimin...’. E ndiej të nevojshme t’u drejtohem ju dhe çdo qytetari me kombësi shqiptare, ku do që jeton, për të qartësuar dhe informuar mbi rrugëzgjidhjet juridike dhe kushtetuese të kësaj çështje, e cila në mënyrë kategorike jo vetëm që nuk cenon pavarësinë e shtetit të Kosovës apo Shqipërisë, por madje shërben në konsolidimin e shtetit juridik në të ardhmen e përbashkët europiane”, shkruan Spahiu. Sipas tij, “së pari, çështja e dhënies së shtetësisë shqiptare nuk është një çështje politike, por thellësisht ligjore, e cila kërkon një regjim të ri juridik brenda standardeve europiane. Së dyti, Shqipëria dhe Kosova duhet të diskutojnë në nivel shtetëror për të gjetur dhe aplikuar ato praktika që shumë nga vendet e rajonit dhe Europës i aplikojnë”. “Së treti, ka një keqkuptim të dukshëm në interpretimin e konceptit ‘një komb, një pasaportë’. Ky definicion nuk nënkupton që 2 milionë shqiptarë të Kosovës do të marrin pasaportë të Shqipërisë dhe do të lëshojnë pasaportën e Kosovës. Koncepti i së drejtës së marrjes së pasaportës së shtetit amë nuk e përjashton dyshtetësinë. Në këtë kuptim, çdo qytetar me kombësi shqiptare, i cili jeton në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Amerikë, Holandë etj., do të përfitojë nga e drejta e marrjes së pasaportës dhe shtetësisë shqiptare, por pa hequr dorë nga pasaporta kosovare e Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë, Amerikës, Holandës etj. Për ta kuptuar më saktë nuk ofrohet modeli gjerman, por ai amerikan”, thekson Spahiu. Kreu i Aleancës Kuq e Zi bën të qartë se Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk ka fqinj, pasi rrethohet në kufijtë e vet, nga shqiptarë, pra nga qytetarë me kombësinë e këtij vendi, por që nuk gëzojnë qytetarinë e saj. “Ligji shqiptar është shumë diskriminues dhe nuk u jep prioritet qytetarëve me origjinë shqiptare. Sot numri i shqiptarëve që disponojnë pasaportën serbe është disa dhjetëra herë më i lartë se numri shumë i kufizuar i shqiptarëve që kanë pasaportën e Shqipërisë. Standardet europiane nuk mund të sjellin asnjë pengesë për sa kohë edhe vende anëtare të BE-së e aplikojnë një procedurë të tillë dhe nga Aleanca Kuq e Zi është kërkuar që këto procedura të miratohen në sinkron me Komisionin Europian”, thekson Spahiu.
Krijoni Kontakt