Pse kaq dobët arsimi në Kosovë? Cilat janë arsyet?

(Për krahasim, nqs në Kosovë kaluan 64% e maturantëve në Shqipëri kalueshmëria ishte në masën 96.79 %.)

-------------------------------------------------------------------------------------------
Kosovë, kalojnë 64 % e maturantëve

Ministria e Arsimit ka njoftuar se 25 793 nxënës, ose 64 për qind, e kanë kaluar testin e maturës, të mbajtur më 5 qershor në 29 komuna të vendit.

Ndërkohë, Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka vendosur të pezullojë rezultatet në tri qendra në tri komuna të ndryshme.

Janë pezulluar testet e nxënësve të shkollave “Mehmet Isai” dhe “Asllan Elezi” në Gjilan, ai i shkollave “Tafil Kasumaj” dhe “Sami Frashëri” në Deçan dhe rezultati i shkollës “Fan Noli” në Podujevë.

Sipas drejtorit të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës 2010, Nehat Mustafa, testet për këto tri qendra duhet të rishikohen edhe një herë, për arsye se ka pasur disa parregullsi, sikur i ka quajtur ai, të vogla.

Mustafa vlerëson se testi i maturës 2010, në përgjithësi ka shkuar mirë.

----

Në Bujqësi, vetëm 4 nxënës kaluan

Nga 322 maturantët e shkollës së mesme të bujqësisë “Zenel Hajdini”, në Ferizaj, vetëm 4 nga ta kanë arritur ta kalojnë me sukses testin kombëtar dhe të fitojnë të drejtën për studime.

Këtë debakël të jashtëzakonshëm të nxënësve të kësaj shkolle, përgjegjësit e arsimit e kanë zor ta komentojnë.

“S’ka menaxhim të mirë në këtë shkollë. Vazhdimisht sjellin drejtorë partiakë. Pasqyra më e mirë është rezultati në testin kombëtar”, thotë profesori i biologjisë në këtë shkollë, Hasan Selimi.

Në Drejtorinë Komunale të arsimit e pranojnë se ky rezultat është tepër shqetësues.

Zyrtari në këtë drejtori, Musli Marevci, e pranon se nuk ka pasur menaxhim të mirë në këtë shkollë, por që këtë vit është përmirësuar dukshëm disiplina. “Është e vërtetë se në disiplinë ka ngritje, ndërsa në cilësi të mësimit ka rënie”, ka thënë zyrtari Marevci.

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Agim Berisha, këtë rast e ka komentuar shkurt. “Duhet të bëjmë një plan të veçantë për ta ndryshuar gjendjen për të mirë”, ka thënë Berisha.

Sivjet, më shumë se 1800 maturantët nga komuna e Ferizajt kanë qenë për 10 për qind më të suksesshëm se vitin e kaluar.

Ata, në testin e maturës, kanë shënuar sukses pozitiv në shkallën prej 56 për qind. Edhe këtë vit më të suksesshëm kanë dalë të jenë nxënësit nga shkolla e mesme e mjekësisë “Elena Gjika” dhe ata të gjimnazit “Kuvendi i Arbrit”.

Gazeta Express