Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1

    Lightbulb Deda: Zgjedhjet serbe, fundi i strategjisë për veriun

    Prishtinë, 29 maj - “Mbajtja e zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës, të paralajmëruara për nesër, do të shënojë fundin e strategjisë së Qeverisë së Kosovës për integrimin e veriut”, tha Ilir Deda, drejtor ekzekutiv i Institutit KIPRED.

    REL: Z. Deda, Serbia sërish po i mban zgjedhjet në territorin e Kosovës. Institucionet e Kosovës i kanë quajnë të paligjshme ato, mirëpo nuk duket se do të bëjnë gjë për t’i penguar. Çka flet kjo për Kosovën dy vjet pas pavarësisë?

    Deda: Kjo është një shkelje flagrante, edhe e rendit kushtetues të Kosovës, edhe e sistemit juridik të Kosovës dhe e cenon rëndë edhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Qeveria e Kosovës, realisht, është dashur të jetë shumë më pro-aktive gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti kur, në një mënyrë të heshtur, Brukseli dhe Washingtoni kanë dhënë dritën e gjelbër për mbajtjen e zgjedhjeve serbe paralele në Kosovë.

    REL: Zgjedhje në veri, në fakt, kanë paralajmëruar edhe institucionet e Kosovës, zgjedhjet për komunën e re në veri të Mitrovicës. Si do të zgjidhet situata atje, nëse do të ketë dy qeveri lokale?

    Deda: Zgjedhjet në veri të Mitrovicës i kanë disa dimensione. E para është të tregohet se Serbia është ajo, e cila ka pushtet real në veri të Kosovës, dhe e dyta është prodhimi i një partneri të ri lokal të serbëve në veri, që do të jetë pjesë e atyre negociatave, apo dialogut që do të mbahet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, e që do të fillojë në fund të këtij viti.
    Kjo është jashtëzakonisht e dëmshme, sepse e betonon në një mënyrë ndikimin e Serbisë në veri, e veriu deri te këto zgjedhje, nuk ka pasur një autoritet të vetëm vendimmarrës, po është një territor ku Prishtina, Beogradi, bashkësia ndërkombëtare dhe rrjetet kriminale, askush nuk ka fuqi.
    Qeveria e Kosovës duhet të mendojë mirë se a duhet t’i mbajë zgjedhjet për komunën e re në veri të Mitrovicës, apo jo. Duke pasur parasysh rrezikun se zgjedhjet tona do të dështojnë në veri, ai do të jetë edhe një hap i betonimit më të fortë të kësaj ndarjeje në lumin Ibër.

    REL: Kush i ka kontribuuar kësaj, sepse më herët thatë se, në fakt, institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim kur iu dha drita jeshile për mbajtjen e zgjedhjeve paralele serbe nga ana e komunitetit ndërkombëtar?

    Deda: Po është një problem fundamental në Kosovë, sepse nuk po kuptohet se çka do të thotë një shtet sovran dhe i pavarur. Ne duhet ta kemi të qartë cili është vizioni i Kosovës dhe ai vizion t’i shpjegohet bashkësisë ndërkombëtare, e jo të presim të marrim sugjerime nga bashkësia ndërkombëtare.
    Kjo është ajo që e bën një shtet të pavarur ose jo. Nuk jemi këtu që të dëgjojmë gjithfarë sugjerimesh që vijnë, por duhet ta kemi edhe ne sugjerimin tonë. Fatkeqësisht, zgjedhjet në veri, në një mënyrë, edhe do ta zhbëjnë strategjinë për veriun, të përpiluar nga Qeveria dhe ICO-ja.
    Kjo do të thotë se, fatkeqësisht, koordinatori i Qeverisë për veri nuk pasur përkrahje të mjaftueshme, si nga Qeveria e vet, ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të ecë përpara në zbatimin e saj. Realisht, ka ekzistuar një vullnet i serbëve në veri që të bashkëpunojnë me një numër të caktuar të institucioneve të Kosovës dhe të inkuadrohen në një zhvillim ekonomik me ndihmë nga institucionet e Kosovës.

    REL: Në raportet tuaja më herët ju keni ngritur shqetësimin për ekzistencën e strukturave paralele të sigurisë në pjesën veriore të Mitrovicës, duke thënë se ata po i frikësojnë banorët lokalë. A ka ndikuar edhe prania e tyre në këtë që ju e quani tani zhbërje të strategjisë për integrimin e veriut?

    Deda: Natyrisht që edhe kjo ka ndikuar. Gjithashtu edhe mosgatishmëria e KFOR-it dhe EULEX-it dhe mospasja e një presioni të fortë nga ana e Prishtinës që të ketë një ballafaqim me institucionet paralele të sigurisë në veri, që me numër nuk janë shumë - ekzistojnë 300 më së shumti 350 pjesëtarë të paguar nga Beogradi, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, të Agjencisë Inteligjente të Serbisë si dhe të xhandarmërisë së Serbisë.
    Ata nuk duhet të jenë në Kosovë, e as që është dashur të jenë, as me marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Beogradit, Marrëveshjen e Kumanovës, por nuk ka pasur një presion të fortë nga ana e Qeverisë sonë që të ketë një ballafaqim me ta.
    Këtu është edhe problemi i EULEX-it, apo edhe EULEX-i është pjesë e një problemi, sepse nuk ka kompetenca ekzekutive në veri, ndërsa ne duhet të kërkojmë që kompetencat, të cilat EULEX-i i zbaton në shumicën e territorit të Kosovës, në mënyrë të njëjtë të zbatohen edhe në veri të vendit.

    REL: Kush ka kompetenca ekzekutive në veri të Kosovës?

    Deda: Serbia. Del se i vetmi autoritet që ka kompetenca ekzekutive është Serbia dhe kjo do të ketë një pasojë shumë të rëndë për atë dialog Kosovë – Serbi, i cili do të fillojë në një moment. Realisht, thelbi i dialogut Prishtinë - Beograd do të jetë statusi i veriut, autonomia e veriut dhe prania e institucioneve serbe në veri.

    REL: Ka qarkulluar në qarqe të ndryshme opsioni i ndarjes së veriut, ndërkohë që është thënë se edhe disa vende të BE-së e mbështesin këtë ide. Mirëpo, vetë serbët lokalë, të paktën nga deklarimet publike, janë kundër kësaj ideje. Si e shihni ju këtë çështje?

    Deda: Po edhe vetë shumica e serbëve të Kosovës janë kundër ndarjes së Kosovës, edhe një pjesë e madhe e kishës ortodokse serbe është kundër ndarjes së Kosovës dhe aleatët më të fortë në këtë ruajtje të integritetit territorial të Kosovës brenda saj, do të jenë serbët në enklava, apo serbët që jetojnë poshtë lumit Ibër.
    Çfarëdo ndarje e Kosovës do ta zhbëjë shtetin e Kosovës dhe ndarja e saj, jo vetëm se do të përçojë edhe në zhbërjen e Bosnjës dhe të Maqedonisë, por realisht ne, në atë moment - në qoftë se vjen deri tek ai opsion, i cili nuk ma merr mendja se do të vijë - do të bashkohemi me Shqipërinë.
    Kështu që, edhe ai argument nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, i cili servohet në rast se do të ketë ndarje të Kosovës, atëherë Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës - është non-sens dhe nuk është pjesë e argumentit, sepse në atë moment ne duhet të kërkojmë bashkim me Shqipërinë.

    REL: Nëse opsioni i ndarjes së veriut përjashtohet, ju përmendët një status special. Çfarë do të thotë kjo?

    Deda: Tash janë dy fraza, të cilat po përdoren në qarqe të ndryshme ndërkombëtare: një është i ashtuquajturi ‘Ahtisari plus’ dhe e dyta është ‘Opsioni i Tirolit jugor’. Realisht, kjo do të thotë se veriu i Kosovës do ta ketë një autonomi territoriale dhe një autonomi më të lartë fiskale.
    Nuk shoh që opinioni publik në Kosovë mund ta pranojë një ridizajnim të brendshëm të vendit, sepse duhet të ketë një qëndrueshmëri shumë më të fortë nga ana e Prishtinës. Ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për territorin tonë, ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për atë se çka do të ndodhë në veri të Kosovës.
    Nga pikat që eventualisht duhet t’i bisedojmë me Serbinë, është tërheqja e strukturave serbe nga Kosova, e jo se si do të rregullohet Kosova brenda, sepse nëse ne hyjmë në hapjen e Pakos së Ahtisaarit, atëherë nuk duhet të vlejnë parimet e asaj pakoje. Kjo, thjesht, do të thotë se nuk duhet të vlejë as Kushtetuta, as flamuri, as ligjet që ne i kemi, e të cilat derivojnë nga Pakoja e Ahtisarit.

    REL: Në javën që po e lëmë pas, debat në opinionin publik kanë qenë vizitat e zyrtarëve serbë pa kërkuar leje paraprake tek autoritetet vendore, e as tek ato ndërkombëtare. Ka pasur mundësi EULEX-i dhe institucionet e Kosovës që ta pengojnë këtë sfidim nga ana e Serbisë?

    Deda: Po, EULEX-i është dashur që ta pengojë hyrjen e zyrtarëve serbë në veri, ndërsa dua t’ia përkujtoj opinionit se në veri gjenden 300 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët, sipas ligjeve tona, duhet të marrin urdhër nga Prishtina.
    Domethënë ka mund të jepet një urdhër nga Ministria e Punëve të Brendshme, që ta ndalojë hyrjen e paautorizuar të personave nga Beogradi, të njëjtën kohë edhe EULEX-i është dashur ta bëjë një gjë të tillë.
    Kjo e ka zbehur imazhin e EULEX-it edhe më shumë. Vendimi i fundit i EULEX-it se çdo person i paautorizuar nga Republika e Serbisë do të kthehet në kufi, të shohim se sa do të zbatohet.

    REL: Për fund, z. Deda, ju duket se keni dyshime për strategjinë për integrimin e veriut, sidomos tani pas zgjedhjeve që pritet të mbahen të dielën. A mendoni se është dukë u marrë seriozisht dikush, qoftë nga institucionet vendore apo ndërkombëtare me çështjen e veriut të Kosovës dhe me integrimin e tij në sistemin kosovar?

    Deda: Vetëm koordinatori i Qeverisë për veri është marrë seriozisht me zbatimin e asaj strategjie. Realisht, më 30 maj, ditën kur të mbahen zgjedhjet serbe në veri të Mitrovicës, do të jetë edhe fundi i strategjisë së Qeverisë për integrimin e veriut të Kosovës.
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

  2. #2
    Qeveria pa kapacitete për t’i ndalur zgjedhjet serbe

    Prishtinë, 29 maj - Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk beson se Qeveria e Kosovës do të jetë në gjendje ta përmbushë obligimin e marrë një ditë më herët nga legjislativi, për t’i bllokuar zgjedhjet jolegale serbe që priten të mbahen më 30 maj në komunat veriore të vendit.
    Ndryshe nga shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi, i cili është deklaruar i gatshëm për ta zbatuar çdo vendim të Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kosova ende nuk i ka potencialet për të marrë veprime aq të mëdha në veri.
    “Republika e Kosovës nuk i ka kapacitetet e sigurisë të ndërtuara në atë masë sa të marrë veprime të tilla (ndalimin e zgjedhjeve v.j.)”, është shprehur kryeparlamentari Krasniqi, më të kthyer nga vizita zyrtare që ia bëri Kuvajtit.
    Kuvendi i Kosovës, jo vetëm se ka kërkuar nga Qeveria që të marrë masa për ndalimin e zgjedhjeve serbe, por e ka obliguar atë, që të pengojë edhe ushtrimin e çdo lloj veprimtarie të paligjshme të autoriteteve shtetërore serbe brenda territorit të Kosovës, përfshirë ndalimin e vizitave pa leje të zyrtarëve serbë. Qeveria, veç tjerash, është ngarkuar edhe me hartimin e një plani aksional për zhbërjen e strukturave të pushtetit serb në veri të vendit. Kryeministri Thaçi e ka pranuar se gjendja në veri nuk lë hapësirë për vetëkënaqësi as të institucioneve vendëse e as të atyre ndërkombëtare, megjithatë është zotuar se do ta zbatojë çdo vendim të Kuvendit.
    “Çdo vendim juaji që mendoni se duhet bërë më tepër në këtë moment, unë do ta implementoj”, ka thënë para deputetëve kryeministri Thaçi.
    Drejtuesit e partive parlamentare presin që ky zotim i kryeministrit të mos mbetet vetëm në fjalë, por edhe të dëshmohet edhe në praktikë.
    “Sot është e premte dhe deri të dielën janë edhe dy ditë. Nëse institucionet e Kosovës tregojnë vendosmërinë dhe gatishmërinë ta implementojnë Kushtetutën dhe zotimet që bënë para Kuvendit dhe para qytetarëve të Kosovës, atëherë duhet të shpresojmë”, ka thënë shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Lulzim Zeneli. Ka edhe deputetë që nuk shpresojnë fare se Qeveria mund t’i dalë zot vendimit të Kuvendit.
    “As dy ditë as dy muaj, as dy vjet, kryeministri aktual nuk mund ta bëjë këtë”, është shprehur e bindur deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli. Sipas saj, Qeveria ka premtuar edhe shumë gjëra të tjera, por nuk i ka bërë. “Në fakt, ai (Thaçi) e ka bërë të kundërtën, e ka futë qeverinë në krim të organizuar, në korrupsion dhe thjesht, tashmë është duke u marrë me këto probleme”, ka shtuar ajo.
    Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, konsideron se në Kosovë tashmë ekzistojnë mekanizmat ligjorë dhe kushtetues për të parandaluar mbajtjen e zgjedhjeve të një shteti tjetër brenda territorit të vet. Edhe ai pret të shohë nëse Qeveria do të marrë masa në veri.
    “Është koha e fundit që institucionet të marrin veprime, përmes të cilat do të dëshmojnë gatishmërinë dhe përkushtimin për të mos lejuar cenim të integritetit dhe sovranitetit të vendit. Jemi vetëm dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve dhe po shohim se ka një mungesë të vullnetit për të vepruar diçka në këtë drejtim, megjithatë presim të ndërmerren veprime që do të pamundësojnë mbajtjen e tyre”, ka deklaruar Makolli.

    Marrjen e masave nga Qeveria e presin edhe deputetët e koalicionit qeverisës. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është organ ligjor dhe obligues për qeveri dhe në këtë kontekst edhe vendimi që ka marrë dje Kuvendi është obligues për Qeverinë.
    “Qeveria duhet të marrë një qëndrim për veprimet e veta në bazë të vendimit të Kuvendit të Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë”, ka theksuar ai.
    Hasani ka rikujtuar se në Kosovë ekziston një sistem i kombinuar i sigurisë, kështu që nevojitet një harmonizim i veprimeve në atë pjesë. Duke u mbështetur në faktin se KFOR-i dhe EULEX-i vazhdojnë të kenë mandat për ruajtjen e sigurisë në vend, drejtuesit e organizatave të luftës, nuk presin që Qeveria do të arrijë t’i ndalojë zgjedhjet serbe, të dielën.
    “Ne besojmë se Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës nuk kanë kapacitete për ta bërë një gjë të tillë, duke u nisur nga vetë fakti se pjesa e ruajtjes së kufijve dhe e mbrojtjes territoriale të Republikës së Kosovës ende është në mandatin e KFOR-it dhe EULEX-it”, ka thënë kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli.
    Ndërkohë, EULEX-i, përmes një njoftimi të brendshëm, i cili është zbardhur nga Radio Dukagjini, i ka këshilluar pjesëtarët e vet që më 30 maj, t’i shmangen Mitrovicës. E diela e 30 majit karakterizohet me plot ngjarje në Mitrovicë. Zgjedhjet serbe, protesta e veteranëve të luftës bashkë me “Vetëvendosjen”, si dhe ndeshja e fundit e Superligës ndërmjet Trepçës dhe Besës, ku përcaktohet titulli i kampionit. Nisur nga të gjitha këto zhvillime, thuhet se Misioni i BE-së u ka sugjeruar pjesëtarëve të vet që të gjitha vizitat në zonat me siguri të mesme në veri të jenë strikte dhe të kryhen vetëm në raste të veçanta.
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

  3. #3
    Peace and love
    Anëtarësuar
    16-06-2006
    Vendndodhja
    usa
    Postime
    1,897
    Mitrovica e veriut eshte e humbur per Kosoven fatkeqesisht.Aty u desh vepru menjehere ne fillim pasi "clirimtaret" me Thacin ne krye zbriten nga malet.Nuk e bene dot apo nuk deshen ta bejne?Sot eshte hipokrizi te pretendosh se do kontrollosh veriun mbi Iber.Populli nuk genjehet kollaj..

  4. #4
    Tensinonohet situata në Mitrovice

    Mitrovicë, 30 maj (E plotësuar) - Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i larguar demonstruesit shqiptarë që kanë synuar t’i afrohen urës së Ibrit në Mitrovicë, ka raportuar KTV-ja. Mijëra shqiptarë që po protestojnë kundër zgjedhjeve serbe kanë dashur të nisen drejt urës, kur janë penguar nga policia e cila nuk ka hezituar të përdor gaz lotsjellës. Njësitet speciale të policisë së Kosovës po mbështeten edhe nga ato të KFOR-it. Matanë urës, në pjesën veriore janë mbledhur edhe qindra serbë të cilët kanë gjuajtur gurë dhe kanë provokuar shqiptarët në pjesën e jugut, duke mësyrë kalimin e urës për të kaluar në jug. Sipas burimeve në pjesën Veriore rreth orës 12:30 minuta kanë filluar të shtëna nga armë automatike. Nuk raportohet për ndonjë të lënduar, ndërsa situata vazhdon të jetë e tensionuar. Bëhet e ditur se tashmë, pos forcave të mëdha të policisë së Kosovës te ura, që ndan Mitrovicën në veri dhe në jug, janë përqendruar edhe shumë forca të KFOR-it.
    Protesta e paralajmëruar më herët me moton "Të mbrohet sovraniteti i Kosovës" kundër zgjedhjeve serbe që po mbahen në pjesën veriore të qytetit, ka filluar në orën 12. Një turmë e madhe shqiptarësh është mbledhur në pjesën jugore, në urën e Ibrit, duke brohoritur “UÇK, UÇK” si dhe duke kënduar këngën “Besa, Besë”, mirëpo, policia speciale e Kosovës u ka dalë përpara dhe nuk i lë të kalojnë urën.
    Ndërkohë, edhe një grup serbësh kanë dalë matanë Ibrit duke protestuar në anën e tyre.
    Ardhja e protestuesve shqiptarë deri tek ura nuk ka qenë e planifikuar në këtë mënyrë, por, teksa Muharrem Xhemajli po mbante një fjalim para protestuesve, një pjesë e tyre morën rrugën në drejtim të urës së Ibrit.

    Në këtë kohë, siç mësohet nga dëshmitarë nga vendi i ngjarjës, edhe një numër serbësh kanë dalë këtej Ibrit, në pjesën jugore, duke hedhur gaz lotësjellës dhe gjësende tjera. Edhe shqiptarët kanë filluar të gjuajnë me gurë në drejtim të turmës serbe.
    Janë parë edhe forca të KFOR-it në mes të urës në tentim për të kontrolluar situatën e cila momentalisht është tejet e tensionuar.
    Policia e EULEX-it ka krijuar një kordon në mes të protestuesve serbë në pjesën veriore të qytetit, ndërsa KFOR-i është duke qëndruar në mes të dy palëve protestuese, ndërsa njësia speciale e Policisë së Kosovës është në pjesën veriore duke tentuar t’i mbajë protestuesit shqiptarë nën kontroll.
    Sipas njoftimeve të fundit nga Mitrovica, protestuesit shqiptarë në anën jugore të qytetit kanë filluar të shpërndahen, por edhe më tutje vazhdojnë të qëndrojnë grupe protestuesish, si në anën jugore, ashtu edhe në atë veriore.Faleminderit për rekomandimin
    BASHKIM KOSOVE ME SHQIPERINE DHE JO PAZARLLEQE ME SERBINE E GREQINE

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •