Prishtinë, 28 maj - Përmes një njoftimi të brendshëm të EULEX-it, të cilin ka arritur ta sigurojë Radio Dukagjini, ky mision ka këshilluar pjesëtarët e vet që të dielën, më 30 maj, t’i shmangen Mitrovicës. Zëdhënësja e Misionit të BE-së, ***** Limdal nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, me arsyetimin se nuk mund të komentohen çështjet e brendshme, por ajo ka thënë se “nuk parashihen probleme gjatë fundjavës në Mitrovicë”.
Një e diel me plot ngjarje në Mitrovicë. Zgjedhjet Serbe, protesta e Veteranëve të Luftës bashkë me Vetëvendosjen, si dhe ndeshja e fundit e Super-ligës ndërmjet Trepçës dhe Besës, ku përcaktohet titulli i kampionit. Nisur nga gjitha këto zhvillime, përmes një letre të brendshme këshilluese, Misioni i BE-së ka sugjeruar pjesëtarët e këtij misioni që t’i shmangen Mitrovicës.
“Në bazë të të gjitha këtyre informative, të gjithë pjesëtarët e Misionit të EULEX-it këshillohen që t’i shmangen Mitrovicës, të dielën me 30 maj, dhe të gjitha vizitat në zonat me siguri të mesme në veri duhet të jenë strikte, dhe duhet të kryhen vetëm në raste të veçanta”, thuhet mes të tjerash në letrën këshilluese të EULEX-it.
***** Limdal, zëdhënëse e këtij Misioni nuk ka konfirmuar lëshimin e një letre të tillë, duke u arsyetuar se nuk mund të komentohen çështjet e brendshme. Ajo i ka thënë Radio Dukagjinit se “nuk parashihen probleme gjatë fundjavës në Mitrovicë”.
“Normalisht unë nuk mund te komentoj çështje të brendshme të sigurisë apo edhe paralajmërimet, por në përgjithësi mund të them se pjesëtarët e misionit të EULEX-it për zhvillime që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë gjithnjë janë të njoftuar, gjithsesi do duhet të jemi të njoftuar derisa pjesëtarë të EULEX-it operojnë në territorin e Kosovës. Misioni ynë nuk parasheh probleme të mundshme gjatë fundjavës në qytetin e Mitrovicës”, ka thënë Limdal.
Në letrën që ka arritur ta sigurojë RD thuhet po ashtu se “Rojat e urës” janë të njoftuara me të gjitha zhvillimet që do të ndodhin të dielën në qytetin e Mitrovicës.
Krijoni Kontakt