Prishtinë, 22 maj - Zbulimi i varrezës masive në Rashkës të Serbisë nxjerrë në pah komunikimin jo të mirë në mes të EULEX-it dhe Qeverisës së Kosovës. Ka ditë të tëra që Komisioni qeveritar për të pagjeturit pret informacione nga ana e EULEX-it për këtë varrezë, ngase ky institucion të paktën në media ishte paraqitur si partner i Prokurorisë serbe për krime të luftës në gjetjen e varrezës masive që thuhet të jetë në Rudnicë. Ky komision të enjten ka takuar shefin e komponentës së drejtësisë, Alan Robinson dhe hetuesit për krime lufte të EULEX-it. Por, as nga ky takim nuk ka dalë asnjë informatë. Krejt çka u është thënë anëtarëve të këtij komisioni është se përgjigjen për varrezën do ta marrin me shkrim.
Kryetari i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Prenk Gjetaj, i ka thënë KTV-së se nuk kanë mundur të marrin asnjë gjë konkrete nga ta për varrezën. Sipas tij, kjo është befasuese, ngase EULEX-i me këtë veprim le të kuptohet se përpiqet të fshehë informacionet, deri sa thotë se në media e thotë të kundërtën. Por zëdhënësja për Drejtësi në EULEX-së, Kristina Herodes, thotë se për këtë gjë e ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë.
Megjithatë, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, Arsim Gërxhaliu mohon një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka marrë asnjë informatë nga EULEX-i për varrezën. Ndërkaq ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi ndërmjet grupeve punuese nga Kosova dhe Serbia për të pagjeturit për të diskutuar për varrezën.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, i cili ndërmjetëson këto takime, i ka thënë KTV-së se ende nuk ka marrë përgjigje nga pala serbe për këtë takim.
Krijoni Kontakt