Prishtinë, 28 prill - Policia e EULEX-it bastis Ministrinë e Transportit dhe prona të kreut të kësaj ministrie, Fatmir Limajt. Burime të portalit, Koha Net kanë bërë të ditur se pretekst i bastisjes është dyshimi se ministri Limaj është i përfshirë në afera korruptive me rastin e disa aktiviteteve të prokurimit.
Po për këtë shkak, burimet theksojnë se janë bastisur edhe tri kompani përfituese të tenderëve të kësaj Ministrie.
Pa përmendur rastin konkret, Policia e EULEX-it ka njoftuar se ka bastisur sot disa lokacione, në kuadër të hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë.
“Sot në orën 15:55, Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)”, thuhet në komunikatën e shkurtër të shtypit të lëshuar, disa minuta pas aksionit, nga Zyra e Informacionit e EULEX-it.
Një ditë më parë për arrestime të niveleve të larta dhe për ndërrime të reja në institucionet e Kosovës ka paralajmëruar shefi i ICO-së, Pieter Feith, gjatë një ligjërate në Universitetin Amerikan. Edhe më herët gazeta Koha Ditore pati paralajmëruar se Feith i kishte kërkuar kryeministrit Hashim Thaçi largimin e një ministri, të një dikasteri të rëndësishëm në Qeverinë e Kosovës.
Krijoni Kontakt